Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara kremtojnë 100-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike.

Ambasadorja amerikane në Tiranë, Juri Kim tha se Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara ecin përpara së bashku edhe në 100 vjet të tjerë duke i quajtur “dy vende të mrekullueshme”. Zonja Kim përshëndeti dhe se tha se ambasada do të përkujtojë gjatë tërë 2022-it 100-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, raportoi korrespondenti i RTK-së Denion Ndrenika. Ambasada amerikane prezantoi logon e kremtimit të 100-vjetorit me flamujt e të dy popujve me hashtagun “Krah për krah”. “Ky vit shënon një gur kilometrik të veçantë në marrëdhëniet SHBA-Shqipëri. Kemi kënaqësinë të ndajmë me ju sot logon që SHBA dhe Shqipëria do të përdorin për këtë gur kilometrik të rëndësishëm. Shpresojmë të jeni dakort se ajo shpreh miqësinë midis popullit amerikan dhe popullit shqiptar nëpërmjet ngjyrave, skicimit dhe fjalëve”-tha ambasadorja Kim.

Logoja ka gjithashtu shifrën “100” me elementë të pafundësisë, siç shpjegon zonja Kim në videon e shpërndarë nga ambasada amerikane: “Ajo që personalisht më pëlqen është që numri 100 përfshin simbolin e pafundësisë. Ne festojmë se sa shumë kemi ecur bashkë dhe gjithashtu mirëpresim arritjet që do të vijnë”. Ambasadorja Kim në fund të fjalisë në anglisht “ndërsa ecim përpara uroj që populli amerikan dhe shqiptar të qëndrojnë gjithmonë” vijoi shkurt në gjuhën shqipe “krah për krah” dhe “Gëzuar! Edhe 100”!

Hillary Clinton: SHBA do t’iu qëndrojnë pranë edhe 100 vjet të tjera