Albspirit

Media/News/Publishing

Shpendi Topollaj: Orteku na mori shokët, por jo kujtimin për ta

6 Shkurti i vitit 1981, dita kur një fatkeqësi e natyrës, mori jetën e re të njëmbëdhjetë oficerëve dhe studentëve ushtarakë dhe plagosi pa mëshirë rreth njëqind të tjerë, ndërsa ndodheshin në stërvitje gjatë një fushimi dimëror në zonën e Fekenit, do të mbetet e skalitur përgjithmonë në mendjen e zemrën tonë.

Ne do ta përjetojmë kujtimin e saj me një ndjenjë të fuqishme dhe dyfish emocionale, si ngjarjen më dramatike në historikun e shkollës së oficerëve e në mos krejt ushtrisë, por edhe si ditën e solidaritetit dhe burrërisë heroike, që tregoi efektivi i kësaj shkolle, për të shpëtuar jetën e njëri – tjetrit: burrëri që duke i’u afruar kufijve të legjendës, u shndërrua vit pas viti në burim të pashtershëm frymëzimi për breza të tërë ushtarakësh.

Pastaj, ashtu siç shprehet një i ditur, Aurio, “Të vdekurit janë të gjallë, përderisa ka të gjallë, që i kujtojnë ata”. Se ata vërtetë ranë atje, në pjerrësinë e bardhë të malit të Meçekut, trupat e tyre vërtetë prehen në dheun e zi të varrezave, por kujtimi i tyre ka mbetur përjetësisht mes nesh.

Ne e dimë se ç’kanë ndjerë nënat e baballarët, motrat e vëllëzërit, gratë dhe fëmijët e oficerëve: Çlirim Pulaj, Dushan Shameti, Nikollaq Bero dhe studentë Nexhip Çoba, Besnik Shehu, Aleko Gjoni, Pëllumb Rrapo, Qemal Lika, Bilbil Pashaj, Ilir Gramatikoi e Bujar Ago, kur morën lajmin për vdekjen e njerëzve të tyre më të shtrenjtë, por gjej rastin të them se po aq jemi pikëlluar edhe ne shokët dhe bashkëluftëtarët e tyre, sado që me bindje të plotë përsëris se në raste të tilla, ku manifestohet me ato përmasa, forca dhe virtyti njerëzor, as që duhet bërë fjalë për vdekje. Në bisedat tona, ajo faqe e bardhë mali që u skuq nga gjaku i pastër i këtyre dëshmorëve, nuk përmendet asnjëherë si vëndi ku ata vdiqën, por si altari ku u shkrua një faqe e ndritur historie, si mejdani ku spikatën në tërë shkëlqimin e tyre, tërë cilësitë e larta, me të cilat, siç shprehen disa nga shokët tanë gazetarë, ish skënderbegas, i ushqeu dora e nënës që i përkëdheli, fjala e babait që i këshilloi, zemra e shokëve që i frymëzoi, puthja e motrës, dashuria e gruas, zërat e fëmijëve që i presin në shtëpi.

Këto cilësi të larta të marra së bashku, e bëjnë njeriun të përqafojë idealin më të madh, atë të luftës për të mbrojtur jetën, atdheun e lumturinë e popullit të vet. Ndaj dhe ata zgjodhën profesionin më të nderuar, por dhe më të vështirë, atë të oficerit. Ata e dashuruan këtë profesion me tërë qenien e tyre dhe vështirësia jo vetëm që s’i trembte, por përkundrazi u jepte kënaqësi. Duke veshur qysh të vegjël, uniformën e bukur ushtarake, ata jo vetëm u poqën para kohe, jo vetëm u bënë qytetarë të dorës së parë, por dhe mbetën nga bijtë më të lavdishëm të këtij vendi, duke bërë të tyret fjalët që shqiptoi Xhon Braun para vdekjes se “Tani unë me asgjë nuk mund t’i shërbej çështjes sime të dashur, veçse me vdekjen time e përë këtë: me vdekjen unë do të bëj më shumë se sa me të gjithë jetën time”.

Shihni se si e portretizojnë gazetarët që sapo perifrazova, shokun tim të paharruar Çlirim Pulaj: “Çimi! Çimi! Ti ishe dhe mbete një mëngjes i bardhë. Jeta jote portreti yt. Sa herë i kishte shkelur këmba jote ato rrëpira. Gjithmonë në ballë. Edhe atë ditë në ballë. Fjala jote kishte peshë dhe zinte vend si guri i rëndë. Duart e tua gërmonin borën…që përzihej me lotin e valë që rridhte nën qerpik. Ata s’ishin lot, por dashuria për njeriun, për ushtarin”. Për të parë se sa të drejtë kanë ata kur shkruajnë kështu, po u sjell diçka nga kujtimet e mia për këtë oficer tepër të talentuar.

Aty nga fundi i Gushtit 1960, kisha ardhur nga Tiranë, këtu në Durrës, për të takuar prindërit, që ishin me pushime dhe të shfaqja edhe njëherë pakënaqësinë time, ngaqë të nesërmen duhej të filloja mësimet në shkollën e mesme ushtarake “Skënderbej”, ndëkohë që më qe mbushur mendja për të vazhduar liceun për pikturë, për të cilin kisha prirje. Për një fëmijë trembëdhjetë vjeçar kjo qe mëse normale, por prindërit, dëshira ime i kish vënë në siklet. Kur dolën të më përcillnin tek stacioni i Plepave, kur asokohe ndalonte treni, mes turmës që priste, na zuri syri tre skënderbegas të vegjël. Ju afruam dhe pasi babai u tha se ishte oficer, i pyeti për emrat dhe nga ishin. Ai më i shkurtri tha se e quanin Çlirim dhe qe i biri i oficerit Halil Pulaj. Babai i gëzuar, ngaqë kolonel Halilin e kish shok e koleg pune u tregoi rastin tim që e kisha me pishmanllëk shkollën e tyre. Përsëri u hodh Çlirimi i cili serioz si një i madh, tha se kjo shkollë është më e mira në Shqipëri, se ajo vërtetë përgatit kuadrot e ardhëshme për ushtrinë, por aty përkrahen e inkurajohen të gjithë ata që duan artin e letërsinë. Në vazhdim ai numëroi disa poetë, shkrimtarë e artiste, që kishin dalë nga bangat e shkollës “Skënderbej”.

Për të gjitha këto përfundoi Çlirimi, ti do të bindesh vetë, ashtu siç do të bindesh se më i bukuri nga të gjithë artet, është ai i mbrojtjes së Atdheut. Premtoi se do të më priste të nesërmen në postobllok dhe u ndamë. Çlirimi ish nga ata që e mbante fjalën: qe i pari njeri që më priti e më përqafoi tek dera e shkollës, pra te dersa e ushtrisë ku do të kaloja vitet më të mrekullueshme të jetës sime.

Limua ishte një vit para meje, por mua më çudiste autoriteti e respekti që ai gëzonte te shokët e eprorët. Duke parë pavendosmërinë time, ai jo vetëm që më mbante përherë pranë, por dhe u lutej oficerëve, të cilët përherë e dëgjonin, që të më lejonin të shkoja në shtëpi që të mos mërzitesha.

Dhe meqënëse kishin të njejtin trup, gjersa na qepën tonat, më jepte për të veshur uniformën e tij të liridaljes. Në njëfarë kuptimi, ai qysh atëherë, u bë me këshillat e tij, jo vetëm shok, por dhe edukatori im.

Ashtu si Çlirimi unë njoha shumë shokë të mirë: midis tyre dhe shokun e klasës Nikollaq Beron. Ky djalë i thjeshtë Berati, gjithmonë i qeshur e i përzemërt, me urtësinë, thjeshtësinë e sinqeritetin e tij, që nxehej veç kur ish fjala për të mbrojtur të vërtetën, kish fituar dashurinë e tërë shokëve. Nikollaqi ish i gatshëm të ndihmonte këdo, pa u mburrur kurrë për këtë, ndaj dhe kudo ku ka shërbyer, nuk e heqin nga goja, se kudo që shkeli këmba e njeriut të mirë edhe gjurma e tillë mbetet.

Me zemër të madhe qe edhe komandanti i batalionit, Dushan Shameti, oficeri që kish zgjedhur për laimotiv, vargjet e heroit të popullit Ali Demi: “Më jep fuqi që të qëndroj/Më jep guxim që të luftoj/ Më ço në sulm me vrap të shkoj/ Me nder të vdes me nder të rroj” dhe që i zbatoi ato pa hezitim gjersa dha frymën e fundit.

Kronoligjia e kësaj ngjarje tani thuajse njihet nga të gjithë.

Shkolla e oficerëve kish dalë në fushimin dimëror. Ai që nuk ka qenë ndonjëherë në ato vende, pra ai që malin impozant të Dajtit, e sheh si një dekor piktoresk e tërheqës në sfondin e kryeqytetit, as që mund ta përfytyrojë se ç’ashpërsi, ç’i ftohtë e ç’thyerje konfiguracionit të terrenit të pret atje. Pas butësisë së Dajtit, fshihet një botë tjetër; aty nis shtrirja e pafund e kodrave e maleve që palë – palë shkojnë drejt veriut. Po të mendosh se vetëm mali i Meçekut arrin kuotën mbi 1827m, e kupton se s’ka asnjë ndryshim nga Korabi e Lezerca. E ja këtë mal me pjerrësi herë – herë 75°, ndërsa frynte një erë e marrë me shpejtësi 40m në sekondë, kish zgjedhur për të ngjitur nënreparti që udhëhiqej nga pedagogu Mark Mici.

Në pamje të parë sikur nuk ta mbushte synë ky burrë i hequr, bjond, me sy bojëqielli, me mjekrën pak të dalë që gjithmonë bënte shaka, nga të cilat qeshte edhe vetë me gjithë shpirt. Por po ta njihje nga afër do të mahniste me forcën, vullnetin, rezistencën, shkathtësinë e optimizmin e tij. Ai pa u lodhur i printe kolonës gjersa mbërritën në lartësinë 1400m. Papritur një heshtje kërcënuese e cila sikur paralajmëronte diçka të keqe pllakosi anë e mbanë. Nuk vonoi shumë dhe një masiv i madh dëbore me zhurmë filloi të rrëshqasë poshtë. Marku e dinte, se pamje të tilla ishin interesante po t’i shikoje në televizor, se në të vërtetë ajo paraqiste një rrezik të madh për jetën e atyre që s’kishin ku të futeshin. Pa humbur kohë ai thirri: “Orteku-mbrohuni”! Po ku të mbroheshin. Sa hap e mbyll sytë llava përfshiu të gjithë. Vetëtimthi pyetën veten: Ç’po ngjiste kështu me ta? Një natë më parë qeshur e kënduar gjer në mes të natës. Sot që bora kishtë mbërritur gjer në brez, ngjiteshin përpjetë me shkathtësinë e ketrit. Kishin shpirt poeti, ndaj i gëzoheshin bardhësisë verbuese të dëborës.

Dikush nën zë edhe recitonte:

Dëborë bie në pyllin plak

apo

Ç’u zunë rrugët me dëborë:

pranë teje s’mund të vij.

Rri dritareve me orë,

në mendime futur rri.

 

Qenë të rinj dhe dikush mendonte për të dashurën, e dikush kish të drejtë të ëndërronte. Por s’qe e thënë: bora paska si çdo gjë dhe anën tjetër të saj, atë të tmerrshme, atë të papërballueshme, atë vrastaren që mbuloi gjithçka….

Kur çdo gjë kaloi i pari, që u çua qe padagogu. Ku jeni vëllezër? Dhe me vrull nisi të kërkojë. Pa pushim. Me ngulç. Me dhembje. Dhe sapo i zbulonte, i udhëzonte të kërkonin të tjerët. Pastaj gjeti automatikun dhe zbrazi një krehër të tërë. Kudo u dha alarmi: “Shokët janë në rrezik”. U dëgjuan urdhëra e komanda të prera. Por dhe pa ato, ata do të ngjiteshin përpjetë malit, pa ndalur asnjë çast, mjaft të fitonin edhe një sekondë të vetme. Dashuria për shokët u jepte forcë. Në krye udhëhiqnin oficerët, Çlirimi, Dushani, Nikollaqi, Petrit Murzaku, Abaz Çipini, Sali Zhakupi, Muzafer Kambo. U ngrit nga shtrati ku dergjej i sëmurë edhe studenti Nexhip Çopa nga fshati Seferaj. Filloi lufta për jetën. Luftonte vëllai për të shpëtuar vëllanë, thuajse qenë ngjallur vëllezërit Dioskurë, Poluksi dhe Kastori, të njohur për trimërinë që treguan në fushatën e argonautëve, kur anijen e tyre e zuri stuhia.

Dëshmitarët tregojnë: Kur zbuluan studentin Besnik Shehu, Çlirimi i’a mori kokën në dhe i’a mbështeti me dashuri në gjoks. Kujtonte se ishte gjallë dhe donte ta ngrohte me zjarrin e zemrës së tij. Ai as që mund ta merrte me mend se ç’do të ndodhte pas pak me vetë atë. Aty ku mbi kanosjen e pengesat e dëborës, triumfonte dëshira për të shpëtuar shokun, e cila ndërthurej si rrallë herë më trimërinë e mospasjes frikë nga vdekja, shquhej si një luan i vërtetë, sportisti universal, rezultativi i papërsëritshëm, legjendari dhe i urti Petrit Murzaku, i cili u jepte frymë nga fryma e tij, studentëve, tamam si të qenë bijtë e tij.

Një varg me studentë e kuadro ngjitej e vargu tjetër zbriste me shokët e plagosur në krahë derisa panë se mungonte vetëm njëri Aleko Gjoni.

O burra, përsëri, të gjejmë e shpëtojmë shokun. Por …paskej qenë ditë e mallkuar: një ortek i dytë, një masiv i tmerrshëm dëbore, prej mijëra metra kub, filloi të lëvizte me furi drejt studentëve dhe oficerëve si për t’u hakmarrë për mposhtjen e ortekut të parë. Dhe ashtu me ulërimë dhe zhurmë, që vinte nga thyerja e pemëve, dëbora mbuloi gjithçka, siç mori me vete rrëshqanthi këdo që gjeti aty, pa pyetur sa për herkuljanin Petja, të cilin pasi e zhvendosi nëpër shkrepa rreth 350m, i mbetën jashtë vetëm gishtat. Po të tjerët ku ishin? Nisi puna nga e para me vrull të paepur. Më shumë mund shokët gjendeshin, por tani të gjakosur, me plagë, pa ndenja dhe o zot! Sa shumë të vdekur.

Vladimir Duro tregon: Komandantin Dushani e gjetëm rrëzë një peme. Nga e çara e thellë e ballit i rridhte gjaku, që i kish mbuluar fytyrën. Mundohej të ngrihej në këmbë. I vura kokën në gjoks dhe i thirra i mallëngjyer: “Komandant Dushani! Komandant Dushani! Më rrodhën lot për komandantin tonë aq të dashur, me të cilin një natë më parë, gati gjithë reparti ynë kishim qeshur aq shumë deri natën vonë, si nuk shkriu në atë çast dëbora që kisha nën këmbë”.

Në krahë të tij Nikollaqi, pranë e pranë, thuajse i kish zënë gjumi, pas një lodhje të gjatë. S’të besohej se s’do të ngriheshin kurrë më. Pak më tej të mbajtur për dore qenë shtrirë djali nga Seferaj, trimi Nexhip Çopa dhe shoku i tij Pëllumb Rrapo, që i plagosur nga orteku i parë, po transportohej drejt qytezës ushtarake. Mes atyre që e mbanin në sup, mes atyre që shpejtonin të shpëtonin shokun qe dhe Nexhipi. Por orteku që pasoi nuk i kurseu të dy. Siç nuk kish kursyer dhe të mrekullueshmin Çlirim Pulaj, zëri i të cilit ende dukej se jehonte nga njëri shpat në tjetrin: “Forca shokë, kërkoni me guxim”. Kish mbyllur sytë përgjithmonë skënderbegasi simpatik, që pata takuar dikur në stacionin e trenit, i cili edhe pse i vogël në moshë, arriti të më bindë me pjekurinë e durimin e një të rrituri që t’i hyja karrierës ushtarake, pasi ajo, kur punojë me nder, të bënte të respektuar sikur të ishe gjallë, ashtu edhe pas vdekjes.

Xha Halil, si nuk t’u ça zemra, ty që t’u vranë shokët ndër duar gjatë luftës, kur dëgjove mandatën. Sa duroka njeriu i shkretë, sa e fortë qënka zemra e prindërit.

Ç’bëre moj dëborë e mallkuar kështu.

Si nuk t’u dhimbs shoku besnik Bujar Ago, si nuk të erdhi keq për Ilirin e sinqertë, për Qemal Likën e urtë, që pak para se të vdisje u ndau shokëve karamelet, që kishte në xhep, sikur po martohej dhe jo po shkonte për të mos u kthyer kurrë më, për Pëllumbin, që shkruante vjersha plot ndjenjë e që ndofta atë ditë do të shkruante edhe për dëborën, që i doli tradhëtare dhe e pabesë, si e preve moj dëborë në mes këngën e Besnik Shehut, jetën e Bilbil Pashait, që e donte aq shumë dhe të Alekos që e donin aq shumë.

Në këtë përleshje të pabarabartë, më çmendurinë e natyrës ku morën pjesë 203 vetë, shumica e të cilëve qe farkëtuar në shkollën “Skënderbej”, bilanci përfundimtar qe tepër tragjik. E parë me syrin e një ushtaraku me përvojë, është e kuptueshme se po të mungonte shpirti i pamposhtur luftarak dëmi do të qe i pallogaritshëm.

Këtu ngjet si në luftë, ku gjen zbatim sentence e famshme se: “Në tërheqje me panik, vdesin më tepër ushtarë se në betejë”. Nga ana tjetër, ndofta pikërisht për shkak të kësaj beteje, ne jemi mbledhur për t’i kujtuar me veneracion vëllezërit tanë dëshmorë, duke evokuar me këtë rast maksimën e Ovidit se “Kush do t’a njihte Hektorin po të mos ndodhte fatkeqësia e Trojës?”

Zëri që lëshonte thirrjen për të shpëtuar jetën e shokëve para 41 vjetësh, duke jehuar nga shpati në shpat në zonën e Fekenit, sot i konvertuar në një kushtrim endet i fuqishëm, kudo mbi Shqipëri, maleve, pyjeve e fushave të Atdheut:

Vëllezër!

Shqipërinë e ka pllakosur një e keqe shumë më e madhe se orteku, që na mori jetën ne. Vendi është në dorën e të huajve.

Si e duroni ju këtë?

Ne s’jemi nga kjo racë që trembemi kollaj. Ne edhe të vdekur i kemi tmerruar armiqtë me sy. Tregoni edhe njëherë se jemi bij trimash, siç mbetëm ne përherë Skënderbegas, nipër të Gjergj Katriotit që në krye të të parëve tanë çuditi botën mbarë, vetëm atëherë ne do të na tresë dheu, vetëm atëherë ne do të pushojmë të qetë.

Ky do të jetë edhe nderimi më i madh që ju i bëni veprës sonë.

Please follow and like us: