Albspirit

Media/News/Publishing

Putini, Kina dhe naiviteti i botës perëndimore

Angelo Panebianco

Ndoshta, duke shpresuar – por ende nuk është e sigurtë – se faza më e mprehtë e krizës ukrainase, në një farë mënyre do të kalohet, ndoshta mësymja ruse nuk do të jetë, ndoshta amerikanët do të gjejnë mënyrën për t’i lejuar Putinit të tërhiqet duke shpëtuar faqen. Pa dyshim, nëse kriza do të zgjidhet, Emmanuel Macroni, në veshjen e dyfishtë të presidentit francez e atij të rradhës së BE, mund të thotë se ka bërë të mundëshmen, me propozimet e tij dhe bisedën me Putinin, për të ndihmuar një përfundim pohenik. Edhe n’emër të Evropës.

Mbetet fakti që kjo krizë po na mëson shumë ne evropianëve. Gjëja e parë që na mëson është se nuk mund të ketë “autonomi strategjike” të Evropës (është folur shumë mbas tërheqjes rrënimtare amerikane nga Afganistani) pa aftësinë për t’u shkëputur nga kërcënimet e jashtëme. Putini ka vërtetuar se i mban evropianët të kapur prej fyti në sajë të vartësisë (Italia e Gjermania në krye) nga gazi rus. Si mund të kihet autonomi strategjike në epokën e më të madhes ndërvartësie ndërkombëtare?

Ishte një tezë naive liberale ajo, simbas së cilës, me rritjen e ndërvartësisë ekonomike politika e fuqive dalëngadalë do të kishte humbur qëndërsinë që kishte një kohë. Edhe fuqitë autoritare, mendohej, mbasi të ishin futur, fuqimisht në ekonominë ndërkombëtare të tregut, do të zbuteshin, do të pushonin së qëni një rrezik për demokracitë perëndimore.

Për më tepër: në sajë të lidhjeve të ngushta, nga njëmijë fijet e krijuara e të ushqyera nga shkëmbimet ekonomike, shoqëritë e mbyllura, autoritare, do të ishin të detyruara të hapeshin, të humbisnin ose të hollonin trajtat e tyre autoritare. Pikërisht në sajë të asaj teze u vendos pranimi i Kinës në Organizatën botërore të tregëtisë. Dhe është po e njëjta arsye që Rusia pas sovjetike bën pjesë në institucionet prej të cilëve varet “qeveria” e ekonomisë botërore. Kujtojmë se ndërmjet shtrëngesave të kërcënuara nga amerikanët në lidhje me krizën ukrainase – veç bllokimit të shpërnguljes së teknologjive drejt Rusisë – është edhe ajo e përjashtimit nga Swift, rrjeti i kumtimeve financiare ndërkombëtare.

Tani duhet të jetë e qartë për të gjithë se nuk mjafton të përzihen fuqitë autoritare në pezhishkën e ndërvartësive ekonomike për të zhdukur kërcënimet e luftës. Në të kundërt, dobitë ekonomike që ndërvartësia u sjell atyre fuqive i vënë në gjëndje të fryjnë muskujt, të ushqejnë ëndërrat e tyre rish perandorake, e nëpërmjet tyre të prishin barazpeshat e rendit botëror.

Një zgjim i shëmtuar për Perëndimin e mbi të gjithë për Evropën. Tani mund të masim se çfarë gabimesh kemi bërë n’epokën, tashmë të mbyllur përfundimisht, në të cilën mbas shëmbjes së Bashkimit Sovjetik e zhdukjes së rrezikut komunist, kemi menduar se nuk do të kishte më pengesa për vendosjen e një rendi botëror në të cilin vlerat dhe institucionet ndërkombëtare (rule of law, demokracia, tregu) mund të bëheshin zotërues. Në vitet Nëntëdhjetë të shekullit të shkuar dhe në dhjetëvjeçarin pasonjës, “paqja e përherëshme” kantiane dhe “fundi i historisë” hegelian ishin utopi gjërësisht të bashkëndara dhe ushqenin optimizmin evropian mbi t’ardhmen. Vetëm kështu mund të shpjegohet fakti që Evropa e ka futur kokën shkujdesur në gojën e luanit, është bërë kaq vartëse nga Rusia. Deri sa – e do të duhen vite, nëse do të jetë e mundur – nuk do t’arrijmë të ndryshojmë n’atë pikë importin e energjisë në mënyrë që të jemi të mbrojtur nga kërcënimet e njërit apo të tjetrit, Evropa nuk do të ketë aftësinë të përballojë krizat e ushqyera nga shemëria e fuqive. Shtohet fakti që, në lëndën e energjisë, Evropa (me përjashtim të Francës) duhet të bëjë llogaritë me tabutë e saj ekologjiste, duke filluar nga ajo që ka të bëjë me energjinë bërthamore.

Është edhe një tjetër mësim që mund të nxjerrim nga kriza ukrainase. Ose, më mirë, më shumë se një mësim bëhet fjalë për një vërtetim. Gjermania, fuqia kryesore ekonomike e Evropës, së cilës i takon natyrisht roli i udhëheqësit politik të Kontinentit të Vjetër, të motorit e të drejtimit të një Evrope të zotuar të pohojë “autonominë strategjike” të saj, nuk ka as aftësinë as prirjen. Nuk ka dëshmi më të mirë se fakti që një ish kançelar gjerman, Gerhard Schröder, është tashmë prej shumë kohësh, në fakt një funksionar në vartësi të Putinit: president i shoqërisë ruse Rosneft, tani është kandidat për Këshillin e administrimit të Gazpromit, shoqërisë së naftës nën kontroll shtetëror. Ndërmjet Vëndeve perëndimore është Gjermania që po jeton me më shumë siklet, duke belbëzuar, përballimin me Rusinë mbi krizën ukrainase. Nuk është vetëm se PSD, partia socialdemokrate, sot në qeveri, është më e filorusja nga partitë gjermane. Është para së gjithash politika e Angela Merkelit së cilës i duhet kushtuar  brishtësia e Evropës. Është mjaft e mundëshme që, nëse kriza ukrainase do të kalohet në një farë mënyre, gazsjellësi  North Stream 2 të vihet në veprim. Vartësia energjitike nga rusët do të shtohet më shumë. Në këto kushte nuk ka më asnjë kuptim të flitet për mbrojtje evropiane. E varrosur ëndërra për t’i dhënë jetë një rendi ndërkombëtar liberal, jemi futur në një fazë ngjitjeje të shemërisë së fuqive. Për sa i përket Evropës duhet të llogarisim si rrethimin dhe trysninë të ushtruar mbi ne nga Aleanca e Madhe ndërmjet dy fuqive më të mëdha autoritare (Kina dhe Rusia), po ashtu edhe kërcënimet e sjellura nga skajshmëria islamike që vijnë nga zonat e paqëndrueshme, Lindja e Mesme dhe Afrika. Kërcënime – me që ra fjala – mjaft shqetësuese: siç tregon dështimi  i zotimit ushtarak evropian për të kundërshtuar belegun islamik në Sahel.

Në pamundësi që në vitet e ardhme të dalë një Evropë e pajisur me një drejtim të përbashkët, evropianët gjinden para një mëdyshje. Ose të mbahet solidariteti më i madh i mundshëm me Shtetet e Bashkuara, duke bashkëndarë mundimin për të kufizuar fuqitë autoritare dhe rreziqet e tjera kërcënuese, por duke rrezikuar edhe kundërgoditjet si pasojë e brishtësisë sonë, ose të shkojmë secili për vete, të shpëtojë kush të mundë.

Me disa Vënde evropiane të gatshëm të kultivojnë iluzionin e asnjanësisë, për të bërë si Zvicra. Madje edhe duke i kërkuar Putinit, ose pasuesve të tij, që t’i mbrojnë nga rreziqet.

“Corriere della Sera”, 8 shkurt 2022

Përktheu Eugjen Merlika  /Mapo.al

Please follow and like us: