Albspirit

Media/News/Publishing

Amarda Ekmeçiu: Mos ik… Valentinë

Buzët përkëdhelen qafën e saj. Lehtë një frymë e ngrohtë prej mishi, u derdh e epur me puthje të vazhdueshme. Përhumbja nga bota bëhej dëshira e vazhdueshme për të zgjatur deri në pafundësi.
Dielli po zgjohej ngadalë me një përflakje të ëmbël. Rrezet e tij binin mbi xhamin e dritares që dukej se mbahej në qiell. Sikleti i një dehje të pakuptueshme rrotullonte mbi çarçafë trupin e saj ngjyrë rozë zhytur në satenin e bardhë. Mbyteshin në ujra ikonat e një zgjimi të zjarrtë. Dëshirat kalonin në rrugët e ëndrrës, duke afruar ngadalë gjithçka i përkiste asaj.
-Edhe pak, dëgjohej një zë nga larg … mos ik edhe pak. Por… ajo u largua.
Nxitoi si çdo mëngjes të niste ditën saj. Dhe atë mëngjes, asgjë nuk ishte ndryshe. Veç përmidis zemrës dhe syve në një hapsirë të papërcaktuar, kishte mbetur thirrja e ëndrrës: Mos ik… Valentinë!
Ky nxitim që asnjëherë nuk mjafton të shpjegojë ndryshimet, pat mbetur si mbeten tabllotë e ëndrrave në gjumë. Të paprekura nga askush. Pat shpëtuar si i shpëton njeriu flakës ose ujit. Qe bërë kufiri ndarës përmidis. Reales dhe irreales. Asaj dhe atij.
Nxorri prej dollapit fustanin e saj ngjyrë purpuri.
-Ky më shkon shumë – i buzëqeshi vetes përpara pasqyrës. Grimi i lehtë i mëngjesit qe gusto e delikatesës së saj femërore. Këpucët me taka tregonin hijeshinë e sharmit të saj. Mori çantën, telefonin, çelësat e makinës dhe u drejtua përkah dera. Zhurma e hapit të saj, i ngjante një troku, muzikaliteti i të cilit e bënte të veçantë. Ju afrua makinës por një zë i njohur, i munguar aq kohë i foli.
-Mos ik… Gëzuar Valentinë!
Dhe një frymë e ngrohtë prej mishi u derdh e epur mbi buzë. Përhumbën nga bota.
Të tilla ëndrra jetohen në dashuri të mëdha. Të tilla dashuri mbeten një ëndër për t’u treguar.
Please follow and like us: