Albspirit

Media/News/Publishing

Arqile Garo: ZONJUSHA DHE ZOTI

Një zonjushe bukuroshe, plot me hire ledhatare,
në një diskutim me Zotin, i drejtohet ashiqare:
«Zot i Madh e i Lëvduar, ti që botën ideove,
me ne, femrat, a s’më thua, Tokën a nuk zbukurove?
Se na bëre kaq të mira, na dhe nur edhe shkëlqim,
po përse kështu veprove, do ma thuash Zoti im»?
Gjegjet Zoti i menduar duke parë në sy zonjushën:
«Po! Ju dhashë gjithë ëmbëlsitë, kofshët, belin, sytë dhe gushën.
Sepse kur po gdhendja botën, malet, fushat, retë dhe urat,
thashë: T’ i bëj femrat si yje, që t’ ju dashuronin burrat»!
Rri mendon zonjëzë e këndshme: «Të pyes dhe një gjë tjetër”?
«Fol pa droje bijë e dashur, shprehu xhan”! – thotë burr’ i vjetër!
«Kur na dhe gjithë k’to lezete dhe çdo gjë stisur me vend,
nuk të lindi hiç dëshira, të na jepje dhe ca mend»?
Kthehet Zoti buzagaz dhe i shkel syrin zonjushës:
«Mirë e the dhe drejtë e ke, ndaj të puth në cep të gushës.
Kur projektoja qytetët, rrugët, lagjet, sheshet, furrat,
thashë: Sikur t ‘ju jepja mend, vallë, ju, do t”i donit burrat”?!
Janninë më 14 shkurt 2018.
Please follow and like us: