Albspirit

Media/News/Publishing

Botimet ‘Streha’ publikojnë librin “Morfopatogeneza e neoplazive” të prof. Lutfi Alia

Shtëpia botuese “STREHA” (telefon: 068 202 6582), ka botuar monografinë “Morfopatogeneza e neoplazive”, dedikuar studimit të shkaqeve, mekanizmave të zhvillimit dhe diagnostikimit të neoplazive. Është e vërtetë se neoplazitë janë shtuar dhe se janë sëmundje të rënda, shkaktarë të invaliditetit dhe të vuajtjeve fizike dhe psiko-emotive të subjekteve me këto patologji, por është dhe e vërtetë se një numër gjithnjë e më i madh të sëmurësh shërohen, në shumicën ndërpritet rritja e vrullëshme e sëmundjes neoplazike, zgjatet mbijetesa dhe përmirësohet cilësia e jetës e këtyre të sëmurëve. Kanceri është vetëm një fjalë, nuk është një sentencë. Diagnoza e hershëme morfologjik e neoplazive është kura e parë. Diganostikimi në fazat e fillestare, trajtimi kirurgjikal dhe në vazhdim me kemioterapi dhe radioterapi, garanton shërimin e të sëmurëve. Për të arritur këto objektiva mjekët onkologë, hematogë, kirurgët, mjekët e specialiteve të ndryshme, mjekët e familjes dhe studentët e mjekësisë, duhet të njohin natyrën dhe bazat morfopatogenetike të neoplazive. Nomenklatura dhe klasifikimi i neoplazive është morfologjike. Nuk ekziston asnjë mundësi klinike dhe as ekzaminime me skaner, me rezonancë, me PET dhe me ekografi, që të përcaktoi histotipin e neoplazisë, që kryhet vetëm nga morfologu. Identifikmi i histotipit është me rëndësi fondamentale në trajtimin e neoplazive. Një kancer i gjirit kurohet bazuar në diagnozën morfologjike, që përcakton tipin e mutacionit genetik dhe shprehjen e receptorëve hormonalë. Në se mjeku kirurg konstaton një masë tumorale në një segment të mushkërisë, nuk duhet ta heqi tërë mushkërinë, pa konfirmuar diagnozën morfologjike të tumorit, pasi mund të jetë një formacion beninj, për trajtimin e të cilit mjafton vetëm heqia e këtij formacioni, ndërsa heqia e një mushkërie është gabim i rëndë.
Aktualisht, diagnoza dhe trajtimi i neoplazive është multidisiplinor, të mbeshtetura në diagnozën morfologjike të histotipit, andaj njohja e faktorëve rrezikues, të shkaqeve të mundshëm, të mekanizmave morfopatogenetike, të substratit morfologjik të neoplazive janë të domozdoshme për parandalimin, diagnostikimin e hershëm, trajtimin dhe reabilitimin shëndetësor të sëmurëve që vuajnë nga këto sëmundje. Shpresoj, që kjo monografi t’i shërbej mjekëve dhe studentëve, për zgjerimin dhe thellimin e njohurive dhe ne rritjen e nivelit profesional dhe shkencor në trajtimin e neoplazive, duke kontribuar në rritjen e mirëqenies shëndetësore të sëmurëve.
Please follow and like us: