Albspirit

Media/News/Publishing

Dr. Llambro BALA, MJEKU I SHKËLQYER, U LARGUA PËR NË PARAJSËN E PËRJETËSISË!

 

 

 

Pirro FOTIADHI

 Në vend të prologut….
Nuk mund të jenë asfare të rastësishëm personalitete dhe individë që me pasionin e tyre, me përpjekjet dhe angazhimet, me përkujdesin e veçantë, me kujtimet e paharruara, ofrojnë madhështinë e sukseseve në analet e historisë së një qyteti emërnjohur, si Vlora. Individë misionarë, të palodhur e përkushtuar, që kontribuan me vetëmohim, por edhe sakrifikuan jetën e tyre në shërbim të pacientëve dhe parandalimit të sëmundjeve. Individë të mahnitshëm, të mbisunduar prej seriozitetit, përgjegjësisë, fisnikërisë, humanizmit, urtësisë, dinjitetit, njerëzillëkut dhe humanizmit, dëshmuan imazhet e doktorit të mrekullueshëm e të jashtëzakonshëm, plot me vlera shumëdimensionale. Individë përtej hipokrizisë së shtirur, njerëz të vërtetë me madhështinë e shpirtit, që vetë fati njerëzor i shndërroi në luftëtarë të përkorë, në mjekë të mrekullueshëm. Të cilët jetonin dhe merrnin frymë, e ditë pas dite, minutë pas minute, preokupacioni i tyre misionar, jo vetëm ditën por edhe natën, ishte parandalimi dhe vetëruajtja e shëndetit njerëzor. Individë që refuzuan dhe kurrsesi nuk u kujdesën për famën vetiake, por përmbushën detyrimin e tyre mjekësor, duke ofruar ndihmën e tyre krejt pa interes, gjithë atyre që e kishin të nevojshme e të domosdoshme. Dhe nëpërmjet shembullit e fuqisë shëruese kurative që ata demonstruan, me mirësjelljen dhe respektin ndaj pacientëve dhe njerëzve që përballeshin me sëmundjen, me të drejtë u shndërruan në mite dhe burime të pashtershëm frymëzimi. Një prej tyre ishte edhe mjeku Llambro Bala, duke dëshmuar se ishte një person shumë i veçantë dhe mbresëlënës, që nderoi si askush tjetër komunitetin mjekësor vlonjat. Pa e tepruar mund të pohojmë se ishte një njeri i rrallë, një mirëbërës ideal, një mjek kurajoz, serioz dhe i përgjegjshëm, një hulumtues dhe vëzhgues i matur, një engjëll mbrojtës dinjitoz, me një humanizëm dhe moralin e tij të pakrahasueshëm, nuk hezitoi të ndodhej pranë njeriut në nevojë. Si një dashamirës dhe human për qytetarët e thjeshtë, me pasion dhe entuziazëm, në kohë shumë të vështira e krejt të paperceptueshme, ai karakterizohej prej ofertës vetëmohuese për bashkëqytetarët e tij.

Modesti dhe vetëmohuesi, mjeku Llambro Bala, ishte një dermatolog klinik karizmatik, me perceptim dhe depërtim të lartë, tepër i drejtë dhe meritor, realisht një fizionomi vërtetë e ndritshme dhe thellësisht njerëzor.

Mëngjesi i datës 15 Shkurt 2021, ofroi lajmin e hidhur e të trishtë, të shuarjes së njërit prej emblemave të mjekësisë vlonjate, të Dr. Llambro Balës. Ditët kalojnë heshturazi një nga një. Duke plotësuar afatin kohor të një viti dhe të zhytur në iluzione momentale, duket sikur ishte dje, dita mortore që komuniteti mjekësor i Vlorës, familja, miqtë e dashamirësit e panumërt, humbën përgjithmonë mjekun e dashur të zemrave tona, Dr. Llambro Balën.
Sot, mbushet plot 1 vit nga dita që i Madhërishmi Zot, afroi në gjirin e Parajsës Përtejqiellore, Doktorin e nderuar e të respektuar, humanistin gojëëmbël, Llambro Bala. Mjeku Llambro Bala, pa mëdyshje, ishte shembulli i një mjeku idealist të ndershëm, të përkushtuar dhe me integritet, i solidaritetit me kontributdhënie vetëmohuese. Mishërimi i njeriut të kulturuar, që përçonte mirësi dhe ngrohtësi njerëzore, me njohuri të gjera në fusha të ndryshme shkencore, përtej specialitetit të tij,një burrë i nderuar që jetoi me përulësi, një mik i vyer që na la dhe u largua në heshtje.
Rrugëtimi jetësor dhe profesional…

Mjeku dermatolog, Dr. Llambro Bala, një mjek i jashtëzakonshëm, ndër specialistët më të njohur të Vlorës dhe rrethinave të saj, i spikatur për profesionalizëm dhe përkushtim të jashtëzakonshëm në trajtimin ndaj sëmundjeve të lëkurës. Dr. Llambro Bala erdhi në jetë një ditë të bukur pranverore, teksa kalendari shënonte 26 Prill i vitit 1936, në oxhakun e familjes së thjeshtë e të nderuar të Gjikë Balës dhe të ëmës Antigoni, në fshatin Ilias të trevës së Himarës. Vitet e para të fëmijërisë së tij të hershme, i kalon në vendlindje, duke u rritur me dashurinë dhe përkujdesin familjar, ashtu sikundër njëherazi duke përballuar e sfiduar vështirësitë konjukturale të asaj kohe.
Starton arsimimin e tij fillestar duke ndjekur sistematikisht mësimet respektive pranë shkollës «Gjika Bixhili» në Dhërmi, ku shquhet dhe spikat për mendjemprehtësinë dhe dashurinë pasionante për dijen. Ndonëse në kushte krejt të pa imagjinueshme për brezat e sotëm, duke ecur çdo ditë me këmbë,në mot me diell apo me shi, me zellin e treguar, përfundon me rezultate të larta ciklin e shkollës 7- vjeçare. Mandej përzgjedh për të vijuar shkollën e mesme, pranë shkollës së Mesme Profesionale Mjekësore në Tiranë. Në bangat e kësaj shkolle, ai hedh hapat e para të formimit të tij profesional në fushën e mjekësisë, teksa gjatë kësaj periudhe, dallohet si një nxënës korrekt, këmbëngulës në proceset e përvetësimit të dijeve,si edhe ambicieve për të arritur rezultate të larta. Me përfundimin e shkollës së mesme dhe tanimë duke u diplomuar si ndihmësmjek, Llambro Bala, me përkushtimin e tij admirues, startoi hapat e para të karrierës së tij në fushën e shëndetësisë. Fillimisht emërohet si ndihmësmjek në trevën e Mallakastrës, duke u detyruar në funksion të përmbushjes së detyrave të tij, të ecte dhe shkelte në çdo fshat, për t’iu gjendur pranë njerëzve të thjeshtë e në nevojë, në vite dhe kohë realisht tepër të vështira. I pajisur me durimin, me humanizmin,me zemër të fortë,me buzëqeshjen e pandarë në portretin e tij, kontaktonte dhe ofronte gjithë bagazhin e njohurive të tij profesionale, në shërbim të banorëve të kësaj zone.
Si një djalë i rrallë, i papërtuar dhe i guximshëm, Llambro Bala sfidon me vetëdije kushtet e vështira të motit, duke pasur si moto përkushtimin, forcën dhe sakrificën. Gjithësesi, për të përligjur prezencën e tij, duke qënë një misionar dinjitoz në aspektin shëndetësor, në proceset e vështira të përkujdesit, por edhe të jetëmbrojtjes së banorëve të kësaj zone. Në përmbushje të detyrimeve të kohës, Llambro Bala, mobilizohet dhe kryen me sukses shërbimin ushtarak. Në siparin e viteve 1960, pas përfundimit të shërbimit ushtarak, mundëson realizimin e një prej aspiratave të tija rinore, duke fituar të drejtën e studimeve të larta pranë Fakultetit të Mjekësisë së Universitetit të Tiranës. Kësisoj, starton e përvijon një rrugë paksa të mundimshme, por njëherazi jashtëzakonisht të gjatë dhe tejet të vështirë,me vendosmërinë e moshës rinore për të triumfuar. Me guxim e një vullnet të jashtëzakonshëm, Llambro Bala ndjek me një impenjim krejt të veçantë ciklin mësimor, duke u shquar si një student ambicioz me dëshira të zjarrta për të përvetësuar dijet shkencore të shkencës mjekësore. Duke dëshmuar shumë vullnet, ia del të përmbush suksesin e dëshiruar për ardhmrinë e karrierës së tij, duke përfunduar me rezultate të larta mësimet dhe provimet respektive. Përfundimisht, pasi përfundon me sukses sfidat akademike të ciklit të plotë të studimeve, në vitin 1965, diplomohet si Mjek i Përgjithshëm.
Pas diplomimit,emërohet fillimisht si Mjek në Qendrën Shëndetësore të fshatit Kuç të Kurveleshit. Starton rrugëtimin e tij profesional duke u përballur me vështirësitë e panumërta dhe barrierat e kohës, por me një dëshirë të zjarrtë dhe një profesionalizëm të jashtëzakonshëm. Si mbartës tanimë i një vizioni bashkëkohor, për të siguruar kujdes të jashtëzakonshëm, por edhe për të përmirësuar shëndetin e banorëve të kësaj treve të thellë malore, angazhohet me devotshmëri duke mos e njohur lodhjen, për të realizuar fillimisht komunikimin efikas me banorët në vatrat e tyre familjare. Angazhohet pa u kursyer në ofrimin e shërbimeve të duhura mjekësore parandaluese si edhe kujdesit të vazhdueshëm, duke krijuar ura dhe kontakte besimi,si impakti thelbësor dhe çelësi i suksesit në veprimtarinë dhe hapat e para të rrugëtimit të tij profesional. Për arritjet funksionale në misionin e tij parandalues e jetëdashës në këtë trevë, në shenjë vlerësimi realizohet një film dokumentar i Kinostudios «Shqipëria e Re», me titull «Letër nga mjeku i fshatit» ku pasqyrohet roli i jashtëzakonshëm i mjekut në kujdesin gjithëpërfshirës e sistematik për banorët e veçantë, por edhe gjithë komunitetin e kësaj treve.
Dr. Llambro Bala,me ambicie prioritare,në vitin 1971,starton specializimin në degën e Dermatologjisë në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Tiranës duke e përfunduar me sukses. Mandej, si një mjek profesionist, i motivuar për t’iu shërbyer pacientëve, emërohet si mjek dermatolog pranë Spitalit Rajonal të qytetit të Vlorës. Me aftësitë dhe përkujdesin e tij, me mirësjelljen dhe predispozitën për t’u vënë në shërbim të të tjerëve, Dr. Llambro Bala, jo vetëm inicion dhe krijon, por edhe promovon repartin e Dermatologjisë, në Spitalin e qytetit të Vlorës. Duke ndikuar fuqimisht në hedhjen e bazave të organizimit dhe funksionimit të parandalimit të sëmundjeve të ndryshme të lëkurës. Por njëherazi duke ofruar një punë të mirëfilltë efikase, me standarde të larta etike dhe profesionale, me rezultate të dukshme e të prekshme në favor të kurimit të pacientëve dhe gjithë shërbimet profilaktike që u ofroheshin.
Dr. Llambro Bala, duke u mbështetur në praktikat e reja që impononte vetë koha në funksion të parandalimit të sëmundjeve të ndryshme dëmprurëse, me një vullnet të forte e këmbëngulje admiruese, angazhohet dinamikisht për t’u shërbyer pacientëve duke qënë protagonist aktiv në «Aksionin kundër qeres»,një impakt tejet i domosdoshëm në mbrojtje të jetës së njeriut. Me vendosmërinë e specialistit të përgatitur, ai nuk kursehet të shkelë anekënd rrethit të Vlorës. I kudogjendur, në çdo fshat, në shtëpitë e njerëzve të thjeshtë, në shkolla, në kopshte apo çerdhe, në qendra pune dhe ndërmarrje shtetërore, Dr.Llambro dhe bashkëpunëtorët e tij, ushtronin pozitivisht kontrollet respektive, hulumtimet e duhura, diagnostikimet e nevojshme. Falë skrupulozitetit të tij, falë punës dinamike, falë aftësive të tij, duke qenë i gatshëm në çdo moment të përmbushte detyrimet misionare në mbrojtjen e shëndetit të njerëzve, pas afro 5 vitesh përpjekjesh gjigande e sistematike, duke u përballuar me kushtet tejet të vështira, por njëherazi duke përdorur metoda diagnostike alternative, ia del mbanë të kurorëzojë me sukses, zhdukjen dhe eleminimin e kësaj sëmundjeje dinake, në kufijtë e gjithë rrethit të Vlorës. Një sfidë dhe sukses me të vërtetë i jashtëzakonshëm, vlerësuar në kontekstin kohor, ashtu sikundër një detyrim dhe kënaqësi e papërsëritshme,për një misionar të përkushtuar dhe vetëmohues të mjekësisë,si Dr. Llambro Bala.
Dr. Llambro Bala, pa mëdyshje vlerësohet si mjeku ogurmirë me vizione, që me pasion dhe këmbëngulje startoi dhe hodhi themelet e shëndosha të Departamentit të Klinikës së Dermatologjisë në rrethin e Vlorës, duke krijuar një klinikë model dhe qendër referimi për kurimin e sëmundjeve respektive, trajtimi i të cilave deri në atë periudhë kohore, ishte i mundur vetëm në spitalet e mëdha të kryeqytetit dhe jashtë saj. Origjina nga një familje e thjeshtë dhe të nderuar të Iliasit në Himarë, ishte një indicie e fuqishme dhe motivimi më i shenjtë për t’u shndërruar në një misionar në ruajtjen e shëndetit të qytetarëve, kudo ku ai shërbeu dhe kontribuoi me përkushtimin dhe devotshmërinë e tij. Dr. Llambro Bala, në thelbin e tij ekzistencial, duke tejkaluar shpesh herë vetëveten, ishte dhe dëshmoi simbiozën e një njeriu të përsosur, buzagaz dhe i komunikueshëm me qytetarët dhe pacientët e çdo moshe.I kudogjendur dhe i papërtuar, i pranishëm dhe empatik ndaj shqetësimeve të pacientëve, human dhe me integritet, ashtu sikundër me një ndërgjegje të lartë në ushtrimin e profesionit të tij si Misionar i Hipokratit, në mbrojtje të shёndetit tё qytetarëve të thjeshtë vlonjatë e rrethinave të saj. Në muajin Korrik të vitit 1966, Dr. Llambro Bala kurorëzohet me martesë me të përzgjedhurën e tij, mësuesen Lena Gjomemo, bijën e familjes së nderuar në Ilias, të bashkëshortëve Koço dhe Eftihi Gjomemos. Krijon familjen e tij të lumtur e të mrekullueshme duke sjellë në jetë bijën e tij Klarën, si edhe djemtë Arbenin dhe Edmondin. Duke motivuar dhe krijuar një klimë krejt të veçantë, e duke u përkujdesur të mirërriteshin pa komplekse, larg manirave dhe sa më të shëndetshëm. Me të vërtetë fëmijë model e shembullorë, të cilët përpos dashurisë, i inkurajonte dhe i mbështeste fuqimisht në përpjekjet e tyre për dije,duke ndikuar gjithsesi që ata sot të rrugëtojnë me familjet e tyre krejt të pavarur e të suksesshëm. Dr. Llambro Bala, në vitin 1996, pasi mbushi moshën, pas një rrugëtimi dhe karriere të suksesshme prej afro me tepër se 3 dekadash, del në pension. Por duke pasur në epiqendër të gjithë angazhimeve të tij profesionale, përkujdesin ndaj njeriut dhe të sëmurëve, vijoi të ushtrojë veprimtarinë e tij aktive duke u kthyer, optimizmin, buzëqeshjen dhe shëndetin gjithë atyre që e kishin jetike dhe të domosdoshme një gjë të tillë. Duke ofruar dashamirësinë dhe humanizmin e tij të përkorë, deri në frymëmarrjen e tij të fundit në ditën fatale të 15 Shkurtit 2021, teksa shuhet për t’u larguar në Përjetësi. Dr. Llambro Bala, si pjesëz e atij brezi të spikatur idealistësh, ravijëzoi një personalitet dhe një personazh admirues, mjekësia e të cilit ishte një mision jetëdhënës, duke u shërbyer gjithë njerëzve me një dashuri të paparë e duke u shndërruar në një mbështetje e vazhdueshme dhe faktor shprese. Për gjithë këto kontribute të vyera, Dr. Llambro Bala, më 16 Prill 2012,  LAUROHET duke u vlerësuar nga ana e Bashkisë së Vlorës me titullin «Mirënjohje e qytetit të Vlorës» dhe në vijimësi, më 21 Mars 2016, është vlerësuar nga ana e Këshillit të Qarkut të Vlorës, me titullin «Mirënjohje e Qarkut të Vlorës».

Në vend të epilogut…

Aksioma e jetës ekzistenciale, është e njohur, pasi të gjithë si qenie njerëzore, dihet që jemi kalimtarë. Në të vërtetë, ajo që mbetet është kontributdhënia, vlerat intelektuale, shpirtërore, morale si edhe gjithçka ofrojmë tek bashkëqytetarët tanë. Pozitiviteti, mirësia dhe e dobishmja në favor të komunitetit e mbarë shoqërisë, duke lartësuar njëherazi edhe gjurmët e modelin e shembullit që mbetet në memorien shoqërore. Çuditërisht, si pa u ndjerë kaloi plot një vit, që padrejtësisht u shua duke u larguar në drejtim të Përjetësisë, mjeku fisnik Llambro Bala është një prej figurave dhe individëve, që me ndihmesën dhe veprimet e tij të palodhura, duke ushtruar profesionin e tij në mbrojtje të shëndetit të qytetarëve, kontribuoi dhe i ofroi shumë me ndihmën e pakursyer qytetarëve vlonjatë, komuniteteve dhe njerëzve të thjeshtë të Mallakastrës dhe Kuçit e gjithandej ku ai shkeli si një misionar energjik i Hipokratit.
Me vizion dhe energji, me kompetenca të përkryera profesionale, Dr. Llambro Bala kontribuoi dhe i shërbeu shkencës dermatologjike. Si një mishërues dhe zëdhënës i vërtetë i etikës së Hipokratit dhe një shembull i ndritshëm, ai i ofroi dhe i kushtoi jetën e tij, misionit shumëdimensional të mjekut, duke nderuar komunitetin shkencor mjekësor të Vlorës e gjithë vendit. Gjithë vepra e tij, fryt i mundit shumëvjeçar, i mundimit dhe i vetëmohimit, por që tashmë është pronë dhe trashëgimi e përbashkët e të gjithëve neve si edhe e brezave që do pasojnë. Emri i mjekut të dashur himariot Dr. Llambro Bala lidhet pazgjidhshmërisht me një intelektual modest, një njeri i mrekullueshëm, një mjek pasionant dhe i shkëlqyer, një shkencëtar krejt i veçantë, një humanist i papërsëritshëm. I përket plejadës së njerëzve sa të thjeshtë, po aq edhe të suksesshëm e krejt të veçantë, që me prezencën e tyre, nderuan jo vetëm komunitetin mjekësor, por edhe vendlindjen e tij, Iliasin dhe Himarën!
Emblematik, me një shpirt të madh human, plot dritë në sy guximtar dhe kurajoz, me një modesti dhe përulësi të pashoqe,
u angazhua dhe kontribuoi me një profesionalizëm të shkëlqyer, duke lënë gjurmë të forta dhe një trashëgimi të vyer në jetën e përditshme, si edhe në qytetin e Vlorës.

Tejet i zbrazët, një boshllëk i madh për të gjithë ne… mungesa e Dr. Llambro Balës, i cili është fiksuar dhe do të mbetet një prani e gjallë dhe dinamike, në mendimet dhe zemrat tona. Por gjithsesi ndihet i pranishëm në shpirtrat e mbesave dhe nipërve të tij tepër të dashur, të Mildës e Stelës, të Llambros dhe Aleksandrit, të Antigonit e Raedos, mbarë komunitetit mjekësor vlonjat, si edhe gjithë atyre që ai u shërbeu me një vetëmohim admirues. Tanimë si vlerë dhe një thesar gjurmë të pashlyeshme i komunitetit vlonjat, për përkujdesin dhe shpëtimin e jetëve të shumë njerëzve si edhe për shërbime të larta. Duke u ravijëzuar emrin i tij dhe mbetur i lidhur pazgjidhshmërisht, si një burim frymëzimi dhe vizioni për të sotmen dhe brezat e ardhmërisë. Mirënjohës dhe krenarë për të gjithë ne, prania e juaj e ndritshme. Mirënjohës si bashkëkohës dhe bashkëqytetarë, për personalitetin, figurën dhe kontributdhënien tuaj Dr. Llambro Bala! Me përulje, ju falënderojmë nga zemra…!
I Madhërishmi Zot, le të kujdeset që shpirti juaj i ndritur, të prehet në oazet e Parajsës! Ndër mote, i përjetshëm kujtimi juaj, fisniku humanist Dr. Llambro Bala!

Athinë,15.02. 2022.

Please follow and like us: