Albspirit

Media/News/Publishing

Escobar: Dialogu Kosovë-Serbi duhet të përfundojë me njohjen ndërsjelltë

I dërguari i Posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha sot se marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi duhet të ketë në qendër njohjen e ndërsjellë dhe se bisedimet nuk kanë të bëjnë me statusin e saj.

Ai i bëri këto komente gjatë një seance dëgjimore në Komitetin për Marrëdhënie Ndërkombëtare të Senatit Amerikan, me temën Ballkani Perëndimor: Mbështetja e paqes dhe përparimit, përgjatë së cilës tërhoqi vërejtjen te kërcënimi rus dhe kinez ndaj përparimit në rajon.

Escobar, i cili në fillim të këtij muaji ishte në Prishtinë dhe në Beograd së bashku me të dërguarin evropian, Miroslav Lajcak, tha se Shtetet e Bashkuara mbështesin fuqishëm bisedimet e lehtësuara nga Bashkimi Evropian, që janë edhe vendi në të cilin të dyja palët, si të barabarta, duhet të punojnë për të zgjidhur dallimet dhe të arrijnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse, që u duhet të dyja shteteve për të ardhmen e tyre evropiane. Kjo, tha ai, duhet të përqendrohet në njohje të ndërsjellë, raporton VOA.

Ai i shprehu mbështetjen formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, që është edhe çështja më e diskutueshme në bisedimet Kosovë – Serbi.

“E mbështesim krijimin e Asociacionit për shumë arsye. E para është se për të palët janë pajtuar. Edhe pse Gjykata Kushtetuese (e Kosovës) ka thënë se disa pjesë nuk janë në përputhje me Kushtetutën, nuk ka thënë se vetë Asociacioni është jokushtetues. Në kuadër të bisedimeve, është në dorën e Kosovës dhe Serbisë që të vendosin se si do të dukej (asociacioni). Nuk duhet të jetë, dhe sigurisht ne nuk duam që të jetë i ngjashëm me Republikën Serbe, por ne i kemi bërë thirrje dhe kolegu im Lajçak i ka bërë thirrje qeverisë së Kosovës të shqyrtojë modelet që ata besojnë se mund të jenë të përshtatshme, që nuk do të dëmtojnë sovranitetin dhe funksionalitetin e Kosovës”, tha ai.

I pyetur nga senatori Bob Menendez se çfarë i kërkohet Serbisë në shkëmbim të trysnisë ndaj Kosovës për asociacionin, Escobar tha se “qëllimi i bisedimeve është që çdo gjë të lëvizë në të mirë të Kosovës, që të jemi të sinqertë, me rezultatin përfundimtar, njohjen e ndërsjellë. Pra nuk ka të bëjnë me statusin e Kosovës por njohjen se ajo është vend i pavarur dhe sovran”.

Please follow and like us: