Albspirit

Media/News/Publishing

Antony Blinken: Pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme!

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka uruar të gjithë qytetarët e Kosovës në 14-vjetorin e shtetësisë duke konfirmuar qëndrimin për pavarësinë pavarësisht zërave dhe shpresave ne aksin Moske-Beograd se kjo është diçka që mund te negociohet. Në deklaratën e publikuar nga Departamenti amerikan i Shtetit, ai ka thënë se pavarësia dhe sovraniteti i Kosovës janë të pakthyeshme, dhe se duhet të ketë këmbëngulje për të ndërtuar institucione demokratike dhe gjithëpërfshirëse.

Ai ka shprehur mbështetjen amerikane për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, duke e konsideruar këtë proces si rrugë për të arritur marrëveshje për normalizim të marrëdhënieve, e cila duhet të ketë në qendër njohjen reciproke.

“Si një prej demokracive më të reja në botë, Kosova dhe qytetarët e saj me të drejtë janë krenarë për përparimin e bërë në këta 14 vjet. Nga ana jonë, ne jemi krenarë për mbështetjen e dhënë në këto përpjekje”, tha Blinken.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, ka nisur më 2011.

Blinken ka thënë se po ashtu shpreson që Kosova të zë vendin e saj në institucionet evropiane dhe euroatlantike.

Kosova ka shpallur pavarësinë më 17 shkurt të vitit 2008.

QENDRIMI I LAJÇAK

Ndërkohë në Prishtinë e shohin me skepticizëm rolin e BE në dialog. Ja çfarë shkruajnë mediat për rolin e të dërguarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajčak.

“Vitin e kaluar, Lajčak si përfaqësues i Sllovakisë udhëhoqi kryesimin e OSBE-së. Këto janë katër raste kur Lajčak e tejkaloi rolin e tij, duke dalë hapur kundër Kosovës:

1. Me iniciativë të SHBA-së, shtetet që e kanë kryesimin e OSBE-së kanë krijuar një praktikë përmes së cilës kanë ftuar në një takim joformal përfaqësues nga Kosova. Derisa Gjermania, Austria dhe Italia e kanë vazhduar këtë traditë, Lajčak njëanshëm kishte refuzuar që ta ftojë Kosovën në një takim të tillë. Për këtë veprim, Lajčak ishte kritikuar nga SHBA-ja.

2. Vitin e kaluar, në të njëjtin kapacitet, Miroslav Lajčak erdhi në Kosovë. Ai kishte insistuar që takimet me përfaqësuesit e shtetit të Kosovës t’i mbajë nëpër hotele ose zyre të OSBE-së, duke refuzuar që ato të mbaheshin në zyrat e institucioneve të shtetit të pavarur të Kosovës. Kështu, Miroslav Lajčak theu sërish një praktikë, ku ministrat e jashtëm që kryesonin OSBE-në kishin takuar përfaqësuesit shtetërorë në institucionet e Kosovës, si Kurz, Steinmaier etj.

3. Në të njëjtin rol, vitin e kaluar, Miroslav Lajčak zhvilloi një takim me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Edhe pse ishte kryesues i OSBE-së, Miroslav Lajčak keqpërdori takimin, duke i premtuar Vuçiqit se Sllovakia nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës.

4. Miroslav Lajčak, po ashtu, ka kundërshtuar ish-ministrin e Jashtëm të Shqipërisë, Gent Cakajn, që ai të përfaqësojë kryesimin e Shqipërisë në OSBE, duke qenë se është nga Kosova. Ai kishte lobuar te shtetet anëtare për ta kundërshtuar emrin e Cakajt. Më pas, Shqipëria u përfaqësua nga kryeministri Edi Rama”.

Please follow and like us: