Albspirit

Media/News/Publishing

HALIT DACI BASHKON NË NJË LIBËR SHKRIMTARËT ANGLO-AMERIKANË QË KANË SHKRUAR DRAMA DHE BALADA PËR SKËNDERBEUN

NGA DALIP GRECA

Studiuesi Halit Daci, i cili për më shumë se dy dekada jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në tetor të vitit 2021 publikoi librin përmbledhës”Scanderbeg Redivivus”. Ky është libri i tretë i autorit. Libri, që realisht është një koleksion dramash, tragjedish e baladash, vjen në gjuhën angleze dhe është i pajisur me komente për autorët, për dramat, për shfaqjet e tyre në skenë, për jehonën në media, ndërkohë që është ruajtur origjinaliteti. Hulumtimet prej shumë kohësh të autorit kanë sjellë një libër voluminoz, që u botua nga Fulton Books, Inc- Medville në Pennsylvania. Disa prej dramave dhe poemave janë të panjohura për lexuesin. Autori i hyri hulumtimit rreth autorëve anglezë, amerikanë dhe irlandezë për Gjergj Kastrioti -Skënderbeun, 15 vite të shkuara, tek kryente Master në Lehman College në Nju Jork. Prej asaj kohe ai nuk i ndali kërkimet, hulumtoi nëpër biblioteka, porositi dhe bleu libra apo gazeta derisa ia arriti qëllimit për t’i bashkuar autorët dhe veprat e tyre në original. Libri ka një përcjellje hyrëse, ku autori prezanton lëndën dhe autorët. Ky vëllim i zgjeruar, i pari i këtij lloji, bashkon drama dhe poezi të shkruara nga shkrimtarë dhe poetë anglezë dhe amerikanë në periudha të ndryshme kohore, filluar që nga vitet 1730 e deri në fillim të shekullit XX. Koleksioni voluminoz u ofron lexuesve, kritikëve, studiuesve të Skënderbeut drama dhe poema pak të njohura ose të mosnjohura fare. Hulumtimet këmbëngulse të Dacit kanë sjellë edhe tituj dramash të humbura, të cilat janë shfaqur nëpër teatro, por nuk u gjendet teksti, kanë humbur. Gjurmët ua ka gjetur nëpër gazetat e kohës, në afishet, në reklamat, e publikuara për disa nga ato që janë luajtur në teatrot e kohës në Amerikë apo Angli. Autori ka bashkëpunuar me biblioteka të universiteteve amerikane. Në përcjelljen që i bën koleksionit të përbashkët të veprave për Skënderbeun, Halit Daci kumton mendimin se ndërsa gjenden kritika letrare për disa nga dramat e hershme mbi Skënderbeun, nuk gjenden të tilla kritika apo promovime për Skënderbeun e Charles Stearns “Scanderbeg ose Princi i Epirit”, të shkruar nga William D. Eaton, vënë në skenë nga Frederick B. Warde, që u shfaq me sukses në shumë teatro në Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjatë sezonit 1896-1897. Me interes janë poezitë origjinale “A Ballad of Iscander-beg” e Maurice F. Egan-it,;“Iscander at the Bridge” e George Murphy-t, “Scanderbeg” e Charles T. Ericson apo “Scanderbeg” e Padraic Colum, disa prej të cilave nuk janë përmendur nga studiuesit e Skënderbeut, dhe nuk flitet për to. Në bashkëbisedim me lexuesin përmes librit-koleksion, autori thekson se emri dhe fama e Skënderbeut u përhapën në të gjithë Evropën menjëherë pas vdekjes së heroit nëpërmjet përkthimeve të kronikave të shkruara në latinisht, italisht dhe frëngjisht. Duke filluar nga fillimi i viteve 1500 e më pas, Skënderbeu u shfaq fuqishëm në median botërore në gjuhë të ndryshme. Pranohet gjerësisht se rrëfimi më autentik për Skënderbeun është “Historia de Vita et Gestis Scanderbegi Epirotarum Principis”, shkruar nga Marin Barleti, një humanist, historian dhe prift shqiptar, lindur në Shkodër, ndërroi jetë në Padova, Itali. Pas botimit latinisht në Romë, vepra thelbësore e Barletit u përkthye në disa gjuhë evropiane, duke ndikuar tek historianët, dramaturgët, romancierët, eseistët dhe poetët për vite e vite me radhë.Nën këtë ndikim janë dhe dramat që bashkohen në këtë koleksion. Ky koleksion i veçantë i të pasionuarit pas figurës së heroit Kombëtar, studiuesit Halit Daci, shtë një ribashkim letrar i dramaturgëve, poetëve, interpretuesve dhe ekspertëve të Skënderbeut. Ai përmban drama dhe poezi mjaft të njohura dhe të pa njohura angleze dhe amerikane, së bashku me komente e opinione të shkurtra informative dhe përshkrime të historive të jetës së tyre dhe rrethanat që i krijuan veprat e tyre, motivet, ndikimet etj.Është interesant fakti që vepra mbi Skënderbeun e Charles Stearns u përshtat në programet shkollore për vitin 1878, por ky fakt nuk është i njohur. Në mënyrë të ngjashme “Iscander” melodrama e William Dunseath Eaton, luajtur suksesshëm në disa teatro botërore gjatë sezonit 1897-1898, nuk përmendet fare nga studiuesit dhe kritikët letrarë të Skënderbeut. Ndërsa lexuesi shqiptar thuajse i dijnë përmendësh vargjet e ”Çajd Harold” të Lord Bajronit, ndjehen entiziastë ku flitet edhe për “Tokën e Shqipërisë, ku u ngrit Iskanderi”, nuk ndodh kjo me “Një baladë e Iskander-begut” të Maurice Francis Egan, për të cilën nuk gjenden gjurmë,me përjashtim të një komenti kritik që është shfaqur në prag të botimit të tij fillestar në vitin e largët1896.E njëjta gjë vlen edhe për poezitë “Iscander at the Bridge” të George H. Murphy dhe “Scanderbeg” të Charles Telford Ericson, fragment i kësaj të fundit është publikuar në gazetën “Dielli” në SHBA. Në këtë koleksion veprash, dramash, tragjedish dhe poemash, lexuesit do të gjejnë dramën në pesë akte “Scanderbeg” e shkruar nga William Havard. Kjo dramë botohet e plotë në këtë koleksion në 98 faqe. Kush ishte autori Havard?William Havard (1710-1788) ishte një aktor dhe dramaturg me origjinë irlandeze. Ai u lind në Dublin, Irlandë dhe studioi për mjeksi, por e braktisi profesionin dhe la Dublinin për Londrën, ku u vendos me 1730. Havard interpretoi disa role në teatrin Goodman’s Fields si dhe në Theatre Royal në Drury Lane. Ishte dhe dramaturg. Havardi shkroi katër drama,” Skënderbeu” (1733), “Mbreti Karli i Parë” (1737), “Regulus” (1744) dhe “Ikja” (1763). Pas katër shfaqjeve në teatrin “Goodman’s Fields” më 15 mars 1733,” Skënderbeu” i Havardit u shfaq edhe në disa teatro të tjerë të vendit. Në këtë koleksion është përfshirë edhe tragjedia e dramaturgut George Lillo””Christian Hero”, e cila pas botimit të parë pati dhe një botim të dytë. Tragjedia është e shkruar në pesë akte dhe shtrihet në 70 faqe të koleksionit. Ngjarjet zvillohen në fushat dhe malet e Krujës,metropol i Arbërisë. Kush është autori? Kureshtjen na e shuan libri ku i Halit Dacit.Le ta prezantojmë: George Lillo (3 Shkurt 1691-4 Shtator 1739) ishte i biri i një argjendari holandez në Londër. Ai punonte në biznesin e bizhuterive dhe në të njëjtën kohë shkroi pjesë dramatike për teatrin. Megjithëse Lillo nuk kishte arsim formal, ai pati një ndikim të konsiderueshëm në zhvillimin e tragjedisë. Gjatë jetës së tij, Lillo shkroi disa drama. Përmendim”Tregtari i Londrës ose Historia e George Barnwell” (1731), “Kurioziteti Fatal” (1736) dhe “Elmerick or Justice Triumphant” (1740). Lillo shkroi shumicën e dramave të tij në prozë, por tragjedinë në pesë akte“Christian Hero”- “Heroi i krishterë” kushtuar Skënderbeut e shkroi në vargje.Tragjedia u shfaq katër netë në teatrin Drury Lane në janar 1735 dhe më pas edhe në teatro të tjerë. Në renditjen kronologjike të librit që koleksionon drama dhe poema,vepër tjetër kushtuar heroit të shqiptarëve është “Scanderbeg: Or, Love and Liberty” – “Skënderbeu: Ose Dashuria dhe Liria”, që u shkrua nga Thomas Whincop (2 qershor 1697-1730) dhe u botua pas vdekjes nga e veja e tij, Martha Whincop, në vitin 1747. Kjo është e vetmja dramë e shkruar nga Thomas Whincop.Nuk ka shumë informacion për Thomas Whincop, por dihet se ai qe jetëshkurtër. Në prolog tregohet se Whincop vdiq pa e përfunduar veprën e tij të vetme. Redaktori që e vuri në skenë, John Mottley, rrëfen vdekjen e dramaturgut dhe efektet e një skeme financiare spekulative të njohur si “Flluska e Detit të Jugut”, e cila shkatërroi dhe çoi në depresion shumë investitorë në Angli në vitin1720.“Skënderbeu: Ose Dashuria dhe Liria” e Whincop i vendos ngjarjet në kryeqytetin e Arbërisë, Krujë. Personazhet që veprojnë janë Skënderbeu, Mbreti i Epirit dhe Arbërisë, Araniti-Gjeneral i Skënderbeut, Thopia- Princ Kristian i Greqisë,Sulltan Murati i dytë, Selimana-Sulltaneshë, Amissa, motra e Skënderbeut etj…Drama është me pesë akte. Amerikani Charles Stearns (1753-1826) shkroi dramën “Scanderbeg, or the Princ of Epirus”. Autori u lind në Lunenburg Masachusetts. Ai u diplomua në Kolegjin e Harvardit në 1773.Pas diplomimit, u bë pastor i Kishës në Lincoln, Masachusetts, duke shërbyer në këtë cilësi derisa vdiq më 26 korrik 1826. Së bashku me përgjegjësitë si pastor, Stearns studioi teologji dhe dha mësim në kolegje dhe shkolla.Në 1792, ai u bë drejtuesi i Shkollës Liberale në Lincoln. Ishte inisiativa e tij që drama të bëhej pjesë e rëndësishme e mësimit pedagogjik në Shkollën Liberale.“Skënderbeu ose Princi i Epirit” është shkruar në vargje.Disa detaje rreth jetës së Charles Sternes dhe veprave të tij janë përmbledhur nga Levy Jonathan. “Dialogjet dramatike të Charles Stearns dhe Daci i përshkruan në këtë libër. Një tjetër autor i prezantuar në këtë koleksion të autorëve Skënderbejanë është amerikani William Dunseath Eaton nga Chikago, i njohur si gazetar me emër, korrespondent lufte, shkrimtar i librave të historisë së luftës, poet, analist dhe themeluesi e redaktori i parë i gazetës “Chicago Herald”. Midis botimeve të shumta, Eaton u bë i njohur si autor i Spirit Life: Or Do We Die? botuar në 1920, “Woodrow Wilson: Jeta dhe Vepra” botuar në 1919, “Lufta” botuar në 1918, dhe vepra të tjera, duke përfshirë “Iscander”, të shkruara në 1896.Mendohet se dramaturgu përshtati “Iscanderin” bazuar në romancën e Benjamin Disraeli, “The Rise for Iskander”.Studiuesi Daci shfaq opinionin se për të shkruar dramën”Iskander”, Eaton duket se ka lexuar burime të ndryshme që kanë të bëjnë me historinë e Skënderbeut. Ai mendon se Eaton kishte lexuar, përveç “Rritja e Iscander” të Benjamin Disraelit, edhe historinë e Skënderbeut të Marin Barletit dhe “The captain of the Janizaries”-Kapiteni i Jeniçerëve” të James M. Ludlow. Eaton shkroi një rrëfim të shkurtër historik “The Story of Iskander” për Indianapolis Journal. Është interesant fakti se menjëherë pasi Eaton përfundoi përshtatjen e “Iskander” në qershor 1896, tragjediani i shquar shekspirian Frederick B. Warde dhe kompania e tij në Nju Jork e përshtatën atë për skenë. Frederick B. Warde (1851-1935), i cili luajti rolin e Iskanderit, u shpërngul nga Anglia në Shtetet e Bashkuara në 1874. Ai u bë një tragjedian i njohur, duke interpretuar shumë role shekspiriane për rreth pesëdhjetë vjet. Duke udhëtuar nga qyteti në qytet me trupën e tij teatrale, Warde kishte vërejtur se publiku ishte më i prirur ndaj melodramës sesa dramave klasike shekspiriane që ai kishte vënë në skenë për shumë vite. Duke folur për bashkëpunimin e tij të frutshëm me dramaturgun Eaton dhe performancën në”Iscander”, Warde rrëfen se ai iu afrua zotit WD Eaton, nga Çikago, një shkrimtar dramatik dhe një mjeshtër i letërsisë moderne angleze, për të shkruar për pjesë për trupën e tij z. Eaton sugjeroi historinë e Bengiamin D’Israeli “Ngritja e Iskanderit”. E rilexova dhe e gjeta të përshtatur në mënyrë të admirueshme për qëllime dramatike. Zoti Eaton përfundoi përshtatjen dhe e quajti “Iscander”. Janë nëntë drama e tragjedi dhe disa poema që janë bashkuar në këtë libër.Dramat dhe poezitë, të ribotuara në këtë përmbledhje, duke ruajtur origjinalitetin, ashtu siç janë botuar nga autorët për të ruajtur vlerën e tyre historike dhe letrare, meritojnë një lexim të ri në kohën tonë. Ata që duan të lexojnë drama apo poezi nga autorë amerikanë, angleza apo irlandezë, nuk ka nevojë të humbin shumë kohë duke kërkuar nëpër biblioteka por tash mund t’i gjejnë lehtësisht të gjitha bashkë në” Scanderbeg Redivvivus” të studiuesit Halit Daci. Mjafton ta porosini librin në Amazon, ju vjen menjëherë.

Please follow and like us: