Një takim i jashtëzakonshëm i ministrave të jashtëm të NATO-s do të mbahet të premten me praninë fizike të pjesëmarrësve në Bruksel, njoftoi sot Aleanca Veri-Atlantike.

Agjenda e takimit ministror do të përfshijë situatën në Ukrainë pas agresionit ushtarak të vendosur nga presidenti rus Vladimir Putin dhe forcimit të mbrojtjes së Aleancës në Evropën Lindore, tha një burim diplomatik.

NATO miratoi një plan të mbrojtjes të enjten dhe aktivizoi për herë të parë Forcën e saj të Reagimit të Shpejtë, së cilës do t’i bashkohen mijëra trupa të Aleancës të dislokuara në vendet lindore.

NATO-s i është kërkuar të vendosë një zonë ndalim-fluturimi mbi Ukrainë pas sulmeve ajrore ushtarake ruse ndaj objektivave civile, por Aleanca e hodhi poshtë idenë për shkak të rrezikut për të hyrë në një konflikt me Moskën që mund të shndërrohej në një konflikt bërthamor.

“Ne duhet të pranojmë faktin se kjo përfshin rrëzimin e avionëve rusë”, tha sot kryeministri britanik Boris Johnson gjatë një udhëtimi në Estoni me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.

“Është një hap shumë, shumë i madh që thjesht nuk është në agjendën e asnjë vendi të NATO-s. NATO është një aleancë mbrojtëse. Ne nuk duam një konflikt me Rusinë”, tha Jens Stoltenberg.