Presidentja Vjosa Osmani gjatë vizitës në Maltë është pritur me nderime shtetërore nga homologu i saj George Vella, të cilin e ka falënderuar për mbështetjen e vazhdueshme për Kosovën dhe të ardhmen e saj në BE.

Osmani e ka cilësuar të nevojshëm pranimin e Kosovës në BE, si një parakusht për paqe e stabilitet në Evropë.

Në këtë takim, Osmani ka kërkuar që Malta ta mbështesë edhe më tej Kosovën në procesin e anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare.

Në takim u bisedua po ashtu për bashkëpunimin ndërmjet dy shteteve, duke u fokusuar në identifikimin e mundësive e projekteve konkrete të bashkëpunimit bilateral.