Albspirit

Media/News/Publishing

Kush janë 63 biznesmenët rusë në Shqipëri?

Qeveria shqiptare iu bashkua sanksioneve financiare ndaj investitorëve rusë, të përfshirë në listën e Bashkimit Europian, për të dobësuar ekonomikisht Moskën dhe për të siguruar një armëpushim në territorin ukrainas. Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, vetëm pak ditë më parë artikuloi sanksionet, që Shqipëria do të vendosë ndaj Rusisë, në koherencë me vendet e Nato-s, Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Por sa preket financiarisht Rusia dhe investitorët rusë në Shqipëri nga këto sanksione? Të dhënat e Qendrës Kombëtare të Biznesit, tregojnë se në Shqipëri operojnë 68 sipërmarrje me pronësi ruse, nga të cilat 63 janë me aksionerë 100 për qind rusë, pra është një investim totalisht i shtetasve me origjinë ruse, ndërkohë pesë biznese janë çelur në formën e bashkëpronësisë me sipërmarrës shqiptarë. Bizneset me investitorë rusë janë shtrirë në katër qytete të Shqipërisë, ku numrin më të lartë e ka Tirana, për t’u ndjekur nga Vlora, Durrësi dhe Berati. Fushat ku operojnë bizneset ruse në Shqipëri fillojnë nga tregëtia me shumicë e ushqimeve, për t’u ndjekur nga shërbimet akomoduese apo edhe aktivitete të pasurive të paluajtshme. Pas sanksioneve të vendosura nga Shqipëria, këto biznese mund të preken direkt nëpërmjet bllokimit të llogarive bankare, apo edhe indirekt nëpërmjet problemeve që do të krijohen në zinxhirin e furnizimit për këto biznese. Mbyllja e hapësirës ajrore, por edhe embargoja tregtare me Rusinë, pritet që të krijojnë probleme në operimin e aktivitetit të investitorëve rusë në Shqipëri./Top News

Please follow and like us: