Albspirit

Media/News/Publishing

LIGJVËNËSIT AMERIKANË, LETËR SEKRETARIT BLINKEN, TË NDALOHET INFLUENCA RUSE NË BALLKAN!

PhD Faton Bislimi/


Pas letrës sime dërguar të gjithë 16 kongresistëve amerikanë që në fillim të shkurtit i kishin shkruar Presidentit Biden për Serbinë, në cilësinë time si anëtar ekzekutiv i Bordit të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane dhe ish-deputet i Kuvendit të Kosovës, unë jam kontaktuar dhe kam marrë përgjigje shumë inkurajuese nga thuaja se shumica e tyre. Në përgjigjet përkatëse, jam falëmnderuar për sjelljen në vëmendje të tyre të fakteve historike për Serbinë që ishin lënë anash të tekstin e letrës së tyre. Me disa prej këtyre kongresistëve, komunikimi ka vazhduar dhe njëri nga ta i është bashkangjitur Grupit për Çështje Shqiptare në Kongres!Ndërsa, dje, më 4 mars, pesë nga ata kongresmenë që kishin lartësuar Serbinë në fillim të shkurtit (si z. Cleaver, z. Cicilline, z. Lieu, z. Veasey, e z. Schneider), kanë qortuar atë për depërtimin e ndikimit rus e kinez në Ballkanin Perëndimor dhe për sfidimin e demokracisë në rajon! Ata kanë nënshkruar një letër të një grupi prej 19 kongresmenëve drejtuar Sekretarit të Shtetit z. Blinken, përmes së cilës ‘kërkohet angazhim më i drejtpërdrejtë dhe më intensiv i SHBA-ve në Ballkanin Perëndimor për të parandaluar dështimin e demokracisë dhe rënjen totale nën tutelën autoritare’ të vendeve si Serbia dhe për të ‘penalizuar Dodikun e Republika Srpska-s për veprimet e tij anti-demokratike në Bosnjë.’Tutje, letra në fjalë e këtyre 19 kongresistëve, ngrehë alarmin ‘për influencën në rritje të Rusisë në aspektin politik e të sigurisë dhe të Kinës në aspektin ekonomik në rajonin e Ballkanit Perëndimor’ – fakte këto që unë i kisha argumentuar në letrën time të 4 shkurtit. Bile, hiq më larg sesa pardje, në një opinion timin të botuar në EurActiv (rrjet pan-europian medial me seli në Bruksel), e kam quajtur Serbinë “Rusia e Vogël” e Ballkanit, duke ripotencuar po këto argumente.Në këtë letër, bëhet thirrje për finalizim të ‘marrëveshjes gjithëpërfshirëse midis Kosovës e Serbisë, pasi që tash e 14 vjet Kosova është e pavarur’ dhe ky realitet duhet pranuar. Arritja e kësaj ‘marrëveshje hapë mundësi për zhvillim në rajon dhe pengon rritjen e influencës së jashtme nga akterë dashakeq.’Pos pikës për Kosovën, letra po ashtu ‘kërkon nga qeveria e SHBA-ve që të intensifikojë investimet në rajon; të ndihmojë BE-në të përshpejtojë zgjerimin drejt Ballkanit Perëndimor duke potencuar se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut veçse kanë plotësuar kushtet për t’u anëtarësuar në BE; të parandalojë rrezikun për Bosnjën dhe Marrëveshjen e Dejtonit duke penalizuar udhëheqësin serb Dodik; si dhe të ofrojë më shumë mbështetje për zhvillim të demokracisë në rajon.’‘Rritja e influences Ruse në rajon dhe agresioni ushtarak i saj ndaj Ukrainës janë edhe një dëshmi më shumë se tani SHBA-të duhet ta bëjnë jashtëzakonisht të kjartë se i përkahin vlerat demokratike në Ballkanin Perëndimor dhe e shohin atë rajon si pjesë të rëndësishme të partneritetit ndëratlantik,’ thuhet në fund të kësaj letre.

Please follow and like us: