Bisedimet mes ministrave të jashtëm të Rusisë e Ukrainës në Turqi kanë përfunduar pa ndonjë rezultat. Në Mariupol zyrtarët thonë se forcat ruse kanë rifilluar bombardimet e qytetit, një ditë pasi goditën një spital, duke lënë të vrarë edhe fëmijë. Nënkryetari i qytetit, ka thënë se shifra më e fundit është 1207 persona të vrarë, të mbledhur nëpër rrugë.

19:42 I Lufta Ukrainë-Rusi një kërcënim i ri global për sigurinë të ushqimit

Organizata e Kombeve të Bashkuara ka ngritur sot alarmin se lufta e Rusisë në Ukraina ndikon në gati një të tretën e eksporteve botërore të grurit dhe elbit.

Sipas Programit Botëror të Ushqimit lufta e Rusisë në Ukrainë, një nga burimet kryesore në botë të grurit, plehrave dhe energjisë, paraqet sfida të reja në sigurimin e furnizimeve ushqimore në kohën e pandemisë së  gjatë.

Gabriel Ferrero de Loma-Osorio, kreu i Komitetit për Sigurinë Botërore të Ushqimit, një platformë brenda OKB-së për luftën kundër urisë ka thënë se “uria në nivel global rritej shpejt”.

19:24 I Gjysma e popullsisë së Kievit është larguar

Kryebashkiaku i kryeqytetit ukrainas, Vitali Klitschko ka thënë se mbi 2 milionë banorë janë larguar nga Kievi.

Forcat ruse kanë arritur në skajin veri-lindor të kryeqytetit të Ukrainës, Kiev në kulmin e betejave të rënda për kontrollin e autostradës kryesore që shpie për në Kiev.

Klitschko, ka thënë se rreth dy milionë njerëz janë larguar nga kryeqyteti ukrainas, përderisa forcat ruse përparojnë në qytet.

“Nga informacionet tona, një në dy banorë të Kievit është larguar nga qyteti”, tha Klitschko për mediat ukrainase.

17: 40 I Kamala Harris thotë se SHBA e Polonia janë të bashkuara pas polemikave për avionët në Ukrainë

Zëvendëspresidentja  amerikane, Kamala Harris, ka theksuar se Shtetet e Bashkuara dhe Polonia janë “të bashkuara” në politikën e tyre  ndaj Ukrainës pas agresionit rus,një ditë pasi Uashingtoni refuzoi një ofertë të Varshavës për të transferuar aeroplanët  MiG-29 përmes bazës ajrore amerikane në Gjermani.

Në një konferencë të përbashkët shtypi me presidentin polak, Andrzej Duda në Varshavë, Harris u tha gazetarëve se ndihma ushtarake dhe humanitare e SHBA për Ukrainën është një “proces në vazhdim”.

Harris  tha gjithashtu se SHBA mbështet një hetim ndërkombëtar për krimet ruse të luftës ruse në Ukrainë.

17: 24 I Rusia thotë se Bjellorusia riktheu furnizimin me energji në centralin e Çernobilit

Ministria ruse e energjisë ka njoftuar sot se një ekip i specialistëve bërthamorë të Bjellorusisë ka riparuar dëmet duke rikthyer furnizimin me energji elektrike në termocentralin bërthamor të Çernobilit në Ukrainë.

Centrali  bërthamor pësoi një ndërprerje e energjisë të mërkurën gjatë  luftimeve mes forcave ruse dhe ukrainase, përderisa qindra punëtorë ukrainas të Çernobilit mbeten të rrethuar nga forcat ruse.

17: 17 I Banorëve të rrethuar në Mariupol po u mbaron ushqimi

Kryqi i Kuq Ndërkombëtar ka bërë thirrje për ndalje të sulmeve ruse në qytetin jugor, Mariupol të Ukrainës, duke thënë se qindra mijëra banorëve po u mungon ushqimi esencial.

Sipas një deklaratë të Kryqit të Kuq Ndërkombëtar banorët mbeten të bllokuar, nën rrethimin rus, përderisa atyre po u mbaron ushqimi.

Ndërkohë Komiteti i Emergjencës për Fatkeqësitë në  Britani  ka bërë sot një thirrje për të ndihmuar mijëra ukrainas të prekur nga lufta, pasi për më pak se javë mblodhi 120 milionë funta.

Kryetarja e  këtij komiteti, Sue Inglish tha se vullnetarët në terren kanë frikë se kriza kërkon të mblidhen ndihma edhe për të paktën tri vitet e ardhshme .

16:48 I Nënkryetari i qytetit Mariupol: 1207 trupa u mblodhën nga rrugët

Zyrtarët në Ukrainë thonë se forcat ruse kanë rifilluar bombardimet e qytetit, në Mariupol, një ditë pasi një spital u godit nga një sulm ajror, duke lënë të vrarë të paktën 4 persona përfshi edhe një fëmijë.

Nënkryetari i bashkisë së qytetit portit, Mariupol, të rrethuar nga forcat ruse ka thënë se ende nuk dihet  se sa njerëz janë vrarë në total në qytet, por shifra më e fundit sipas tij është 1207 persona që kanë arritur të mblidhen nga ekipet emergjente.

Këto janë “vetëm trupa që i kemi mbledhur në rrugë”, tha Serhiy Orlov për BBC.

Ai tha se vetëm  47 persona ishin varrosur në një varr masiv, pasi nuk ishte e mundur të shkohej në varrezat jashtë qytetit. “Por jo të gjithë u identifikuan,” shtoi ai.

16:37 I Agresioni rus në Ukrainë dominon samitin e Versajës

Liderët e 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian  diskutuan sot në Versajë të Francës mënyrat për të shkëputur varësinë e Evropës nga nafta dhe gazi rus, pas agresionit të Rusisë në Ukrainë.

Gjithashtu  wshtw diskutuar për mënyrën e anëtarësimit të Ukrainës  në BE, si dhe “shpenzimet e mbrojtjes.

Në dy javët e fundit, vendet e BE-së nënshkruan me shpejtësi rekorde sanksione ndaj Rusisë, ndonëse mbeten thellësisht të përçara rreth dërgimit të avionëve luftarak dhe ndaljes së gazit rus.

Takimi që u drejtua  nga presidenti francez, Emanuel Macron, ishte një prej takimeve më të rëndësishme  të bllokut që kur Franca mori udhëheqjen e presidencës gjashtëmujore të BE-së.

Udhëheqësit e BE-së popërpiqen të gjenë mënyra të reja  për të riparuar urgjentisht pasojat e sulmit rus të Ukrainës që ka vënë në rrezik ekonominë e bllokut dhe ka ekspozuar një nevojë të madhe për një mbrojtje më të forte evropiane.

16: 13 I Putin kërcënon se mund të konfiskojë asetet e kompanive të huaja në Rusia

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin u ka thënë rusëve në një fjalim televiziv se nuk ka asgjë që vendi nuk mund ta zgjidh, përderisa federata ruse po përballet me sanksione të ashpra ndërkombëtare.

Putin ka folur për vendet që ndërmarrin “hapa jomiqësorë” kundër Rusisë dhe ekonomisë së saj, duke kërcënuar se “Rusia mund të konfiskojë astetet e kompanive të huaja brenda territorit të saj”.

Ai ka thënë se ka mungesa dhe ka kërkesa në rritje për disa gjëra, “por nuk ka dyshim se këto probleme do të zgjidhen – njerëzit do të kuptojnë se thjesht nuk ka asgjë që ne nuk mund ta zgjidhim”.

Putin më pas drejtoi akuza drejt Perëndimit, duke thënë se ata “u bëjnë thirrje qytetarëve të tyre të shtrëngojnë rripat dhe të veshin disa rroba të ngrohta. Gjithçka duket shumë e çuditshme”, shtoi ai.

15:39 I  Këshilltari për ekonomi i Zelenskyy thotë se dëmet e luftës arrijnë në mbi 100 miliardë dollarë

Forcat ruse deri më tani kanë shkaktuar dëme në infrastrukturë, ndërtesa dhe asete të tjera fizike në Ukrainë, në vlerë prej të paktën 100 miliardë dollarë.

Oleg Ustenko, këshilltari kryesor ekonomik i presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy ka thënë sot  në një takim online të organizuar nga Instituti Peterson për Ekonominë Ndërkombëtare se lufta  në Ukrainë ka çuar në mbylljen e 50 për qind të bizneseve ukrainase.

Ndërsa gjysma tjetër sipas tij  po operojnë me shumë nën kapacitetin e tyre.

15: 32 I Ish-kancelari gjerman Schröder në Moskë

Gerhard Schröder, ish-udhëheqësi gjerman, po viziton sot Moskën për bisedime rreth agresionit rus në Ukrainë me presidentin rus Vladimir Putin, raporton Politico.

BBC raporton se vizita e Schröder synon të diskutojë një ndërmjetësim në bisedime me presidentin rus Putin për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

14.24 I Harris zotohet se SHBA do ta mbrojë çdo pëllëmbë të territorit të NATO-s

Zëvendëspresidentja amerikane, Kamala Harris, ka thënë sot në Varshavë se SHBA-ja është e përgatitur të mbrojë çdo pëllëmbë të territorit të NATO-s.

Në një konferencë për shtyp, Harris mbrojti zotimin ndaj nenit 5 gtë traktatit të NATO-s duke thënë se  ky është parimi që një sulm ndaj një anëtari të NATO-s është një sulm ndaj të gjithë anëtarëve.

Ajo njoftoi se një sasi e pajisjeve ushtarake do të dërgohet së shpejti në në Poloni si donacion për Programin Botëror të Ushqimit të OKB-së.

14.04 Trupat ruse marrin kontrollin e linjave  transite të gazit në Ukrainë

Sergiy Makogon, kreu i operatorit të rrjetit transit të gazit të Ukrainës (OGTSU) ka kërkuar që forcat ruse të tërhiqen nga dy stacionet e kompresorëve të gazit në Ukrainën lindore.

Makogon tha se trupat ruse  kanë marrë kontrollin dhe po mbajnë të bllokuar stafin në stacionet Novopskov dhe Kupiansk, duke thënë se pushtimi i linjave përbën një rrezik për furnizimet e burimit të energjisë në Evropë.

13.27 I Takimi ministrave të jashtëm të Ukrainës dhe Rusisë pa asnjë rezultat
Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba ka thënë se në diskutimin me homologun e tij rus, Sergei Lavrov diskutoi  për një armëpushim 24-orësh, por nuk u arrit asnjë rezultat, pasi përfaqësuesi i Moskës mbrojti agresionin, duke thënë se po shkonte siç u planifikua.
Ministrat e jashtëm të Rusisë dhe Ukrainës u takuan për bisedime ballë për ballë në Turqi, në kontaktin e parë të nivelit të lartë mes dy palëve që kur Moska pushtoi ish-fqinjin e saj sovjetik.Ndërmjetësuesi i takimit, ministri i jashtëm i Turqisë, Mevlut Cavusoglu e ka përshkruar takimin e Lavrov-Kuleba-s si “civil”. Ai tha se mos prisni mrekulli në një takim të bisedimeve për  paqedhe  dhe  rezultati më i rëndësishëm i bisedimeve, ishte vendosja e kontakteve të nivelit të lartë mes.

13.12 I Bombat po bien në Mariupol – fëmijë në mesin e të vrarëve

Sipas një postimi në Telegram nga këshilli i qytetit, bombat po bien sërish mbi shtëpitë civile në qytetin port të Mariupol  në Detin e Zi, përderisa  një kolonë civilësh që u përpoqën të largohet është kthyer prapa për shkak të  bombardimeve.

Një këshilltar i kabinetit të presidentit ukrainas ka konfirmuar gjithashtu për Reuters se Rusia po bllokon qëllimisht evakuimin e civilëve nga qyteti sepse  ende nuk ka arritur të pushtojë këtë port strategjik.

Sulmet e sotme pasojnë ato të së mërkurës në një maternitet, duke vrarë tre persona, përfshirë edhe fëmijë.

 

13:00 | Autoritetet në Mariupol akuzojnë Rusinë për bombardim të korridoreve të evakuimit

Autoritetet lokale në qytetin e rrethuar të Mariupolit kanë thënë se forcat ruse kanë filluar të bombardojnë “korridorin e gjelbër”, i cili ka për synim evakuimin e banorëve të Mariupolit.

“Tani kanë nisur bombardimet ajrore në Mariupol”, ka thënë Petro Andryushchenko, një këshilltar i kryetarit të Mariupolit.

Ai tha se sulmet ajrore po bëhen për të shkatërruar infrastrukturën rrugore dhe për të izoluar tërësisht qytetin.

Pala ruse nuk ka dhënë ndonjë koment lidhur me këto akuza.

11:40 | Shtohen protestat në Rusi

Në kohën kur po vazhdon agresioni rus në Ukrainë, në Rusi po vazhdojnë protestat kundër luftës.

Protestat që bëjnë thirrje për ndalje të luftës kanë vazhduar në mbi dhjetë qytete të ndryshme në Rusi, përfshirë kryeqyetin, Moskën.

Si kundërpërgjigje, policia ka arrestuar mijëra njerëz, raporton Al Jazeera.

Më shumë se 5,000 njerëz janë arrestuar vetëm të dielën në 68 qytete në Rusi, për pjesëmarrje në protesta kundër agresionit rus në Ukrainë.

12:28 | Lavrov: Do t’u bëjmë ballë sanksioneve

Gjatë konferencës për medie në Turqi, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov tha se presidenti rus është duke u kujdesur për ekonominë ruse.

Duke folur për problemet ekonomike të Rusisë, Lavrov tha: “Do t’u bëjmë ballë atyre – ne jemi përballur me vështirësi të shumta gjatë historisë sonë”.

Lavrov shtoi se Rusia “do ta tejkalojë krizën me një vetëdije dhe logjikë më të mirë”.

“Ju siguroj se do ta përballojmë dhe do të bëjmë çdo gjë që kurrë të mos varemi nga Perëndimi, në çfarëdo sfere të jetës”, ka thënë Lavrov.

12:05 | Kthehet mbrapa konvoji me ndihma

Një konvoj me ndihma humanitare, që po provonte të arrinte në Mariupol, është kthyer mbrapa për shkak të luftimeve atje, ka thënë zv/kryeministrja e Ukrainës, Iryna Vereshchuk.

Komentet e saj vijnë pas raportimeve të Këshillit të qytetit të Mariupolit se po vazhdojnë bombardimet ruse.

“Bombat po godasin shtëpitë”, ka thënë në një njoftim Këshilli i qytetit.

11:52 | Presidenti i Finlandës do të flasë me Putinin

Presidenti i Finlandës, Sauli Niinisto u ka thënë gazetarëve se të premten do të flasë me presidentin rus, Vladimir Putin.

Deklarata e presidentit finlandez vjen pas takimit të tij me anëtarët e parlamentit finlandez, për të diskutuar rreth mundësive për të forcuar sigurinë kombëtare.

11:36 | Rusia largohet nga Këshilli i Evropës

Rusia është larguar nga Këshilli i Evropës, ka njoftuar Ministria e Jashtme ruse.

Në një deklaratë, ministria tha se shtetet e Bashkimit Evropian dhe NATO-s kanë qenë “jo miqësore ndaj Rusisë”, duke i akuzuar ato për keqpërdorim të shumicës në komitetin e ministrave të Këshillit.

Ministria ruse thotë se këto shtete “po vazhdojnë politikat për shkatërrimin e Këshillit të Evropës dhe hapsirën e përbashkët humanitare dhe ligjore të Evropës”.

Këshilli i Evropës është organi më i vjetër politik i Evropës, i krijuar në vitin 1949. Ai ka për qëllim mbrojtjen e të drejtave të njeriut, demokracisë dhe ligjit në kontinent.

11:22 | Britania vë sanksione ndaj Abramovichit

Qeveria e Britanisë së Madhe ka njoftuar se ka vënë sanksione ndaj shtatë biznesmenëve të njohur rusë, përfshirë miliarderin Roman Abramovich.

“Nuk do të ketë strehë të sigurt për ata që kanë përkrahur sulmet e presidentit rus, Vladimir Putin, në Ukrainë”, ka thënë kryeministri britanik, Boris Johnson.

Pronarit të klubit të futbollit, Abramovich dhe të tjerëve, do tu ngrihen asetet.

11:07 | Asnjë rezultat nga bisedimet në Turqi

Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba ka thënë se në takimin e nivelit të lartë me homologun e tij rus, Sergei Lavrov, nuk është arritur ndonjë progres.

Kërkesës së Ukrainës për hapjen e korridoreve humanitare nga Mariupoli dhe mundësisë së një armëpushimi 24 orësh, ministry Lavrov i është përgjigjur negativisht, duke thënë se nuk është në kompetencat e tij që të marrë vendime rreth këtyre kërkesave.

Ministri rus Lavrov tha se civilët ukarinas po përdoren si mburoja njerëzore. Ai tha se operacionet ushtarake ruse po shkojnë sipas planit.

Ministri ukrainas Kuleba tha se pala ukrainase është e gatshme që t’i vazhdojë bisedimet, në përpjekje për të arritur paqe dhe për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë dhe vuajteve të civilëve ukrainas.

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov dhe homologu i tij ukrainas, Dmytro Kuleba, ndodhen në Turqi, ku mbajtën bisedimet për paqe, të parat e këtij niveli të lartë, por që rezultuan pa ndonjë rezultat.

10:45 | Lukashenko urdhëron specialistët bjellorusë të rregullojnë problemet me rrymë në Çernobil

Presidenti i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko ka udhëzuar specialistët nga vendi i tij që të rregullojnë problemet e furnizimit me energji elektike në centralin bërthmor në Çernobil, në Ukrainë, njofton agjencia e lameve Belta.

Ky veprim vjen pasi Kievi paralajmëroi të mërkurën se ekziston rreziku për një rrjedhje radioactive në Çernobil, për shkak të ndaljes së rrymës në këtë central, i cili ndodhet në afërsi të kufirit të Ukrainës me Bjellorusinë.

10:15 | Nisin bisedimet për paqe

Agjencia e lajmeve Reuters njofton se kanë nisur bisedimet për paqe në mes të ministrave të Jashtëm të Ukrainës dhe Rusisë.

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov dhe homologu i tij ukrainas, Dmytro Kuleba, ndodhen në Turqi, ku i kanë nisur bisedimet për paqe, të parat e këtij niveli të lartë.

10:02 | Ukraina hap shtatë korridore humanitare

Ukraina do të hapë shtatë “korridore humanitare” të enjten, për të ndihmuar civilët që të ikin nga qytetet e rrethuara nga forcat ruse, përfshirë qytetin e Mariupolit, ka thënë zv/kryeministrja Iryna Vereshchuk.

Korridoret humanitare janë zona ku aktiviteti ushtarak pauzon përkohësisht, për të lejuar kalimin e sigurt të civilëve.

Të evakuuarit veçse kanë nisur të ikin nga qyteti verilindor i Sumyt, njoftojnë autoritetet lokale.

Ukraina dhe Rusia janë pajtuar që të krijojnë korridore humanitare, në kohën kur po pritet të nisin bisedimet e nivelit të lartë në Antalia të Turqisë, më vonë gjatë ditës.

09:45 | Zhvillimet e fundit rreth Ukrainës:

  • Ministrat e Jashtëm të Rusisë dhe Ukrainës kanë arritur në Antalia të Turqisë, ku më vonë gjatë ditës pritet t’i zhvillojnë bisedimet për paqe, të parat e këtij niveli të lartë.
  • Zv/presidentja amerikane, Kamala Harris ndodhet në Poloni, një ditë pasi administrata amerikane refuzoi propozimin e këtij vendi për të transferuar flotën e saj të avionëve në SHBA dhe jo drejtpërdrejtë në Ukrainë.
  • Britania e Madhe thotë se Moskës i është dashur të dërgojë trupa rekrutuese në Ukrainë, pavarësisht insistimit të presidentin rus Putin se kjo nuk do të ndodhte.
  • Raportohet se katër njerëz janë vrarë – në mesin e të cilëve dy fëmijë – pas bombardimit nga forcat ruse të një ndërtese banimi në afërsi të qytetit të Kharkivit, njoftojnë Shërbimet Shtetërore Emergjente të Ukrainës

09:25 | SHBA: Rreth 6.000 ushtarë rusë mund të jenë vrarë në Ukrainë

Vlerësimi zyrtar i SHBA-së për numrin e rusëve të vrarë në dy javët e para të luftës është nga 5,000 deri në 6,000, thonë zyrtarët amerikan, raporton BBC.

Numri i trupave ruse të plagosura vlerësohet të jetë nga 15 mijë deri në 18 mijë, duke u nisur nga supozimet se shkalla e të plagosurve është zakonisht trefishi i shifrës së të vrarëve.

Ukraina ka pohuar se 12 mijë ushtarë rusë kanë vdekur në luftime. Javën e kaluar, Rusia tha se më pak se 500 trupa të saj kishin vdekur në Ukrainë.

Vlerësimi i fundit rreth ushtarëve rusë të vrarë në Ukrainë vijnë pasi kreu i Agjencisë së Inteligjencës së Mbrojtjes, gjenerallejtënant Scott Berrier i tha të martën Komisionit të Zbulimit të Dhomës së Përfaqësuesve në SHBA se komuniteti i inteligjencës vlerëson se 2,000 deri në 4,000 trupa ruse janë vrarë në Ukrainë.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt dhe që nga ajo ditë qindra ushtarë dhe civilë ukrainas kanë vdekur, si pasojë e luftimeve.

09:10 | SHBA:  Rusia mund të jetë duke përgatitur sulm me armë kimike apo biologjike brenda Ukrainës

Presidenti uKrainas, Volodymyr Zelensky ka dënuar ashpër sulmin e djeshëm rus në maternitetin e spitalit të Mariupolit, të cilin Moska vazhdon ta mohojë , dhe sërish kërkoi zonë të ndalimfluturimit mbi vendin e tij .

Këtë sulm e ka dënuar edhe kreu i OKB-së, Antonio Gutierres, i cili bëri thirrje për ndalimin e menjëhershëm të amiqësive . Sulmin e kanë dënuar edhe zyrtarët britaikë dhe amerikanë.

Ndërkohë, agjencitë e inteligjencës nga SHBA dhe Britania kanë thënë se besojnë që Kremlini mund të jetë duke përgatitur “sulm kimik apo biologjik ” në Ukrainë. Pentagoni theksoi faktin që Rusia ka histori në përdorimin e armatimit kimik në Siri.

Në Stamboll, gjatë ditës së enjtë, pritet të takohen ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov dhe ai ukrainas, Dmytro Kuleba.

Ky do të jetë takimi i parëi nivelit të lartë mes dy palëve që nga fillimi i luftës./rtk live