Albspirit

Media/News/Publishing

Gjelok Marko: Marrëzia e Madhështisë

Fjalët e Urta 29:5

5 Njeriu që i bën lajka të afërmit të tij shtrin një rrjetë mbi hapat e tij.

Kush lajkaton dikë e ve në rrezik të preket nga marrëzia e madhështisë.

Historia dhe ngjarjet e sotme aktuale na tregojnë se personat që kanë shkaktuar tragjeditë më të mëdha në shoqërinë njerëzore kanë qënë pushtetarët që kanë të sëmurë psiqikisht nga marrëzia e madhështisë. Ky fakt është njohur nga qytetërimet më të hershme. Në kohën e Perandorisë Romake, sa herë që një gjeneral kish patur një fitore të lavdishme dhe caktohej që të ish në krye të një marshimi triumfal në qytetin antik të Romës, gjithmonë në karrocën e tij të triumfit ishte i pranishëm një person i cili kish vetëm një detyrë: Ti i përsëriste gjeneralit fjalët: “Mos harro se je vetëm njeri”! Këto masa merreshin sepse shoqëria njerëzore, që në atë kohë, e kish kuptuar qartë se një drejtues politik ose ushtarak, i cili në një etapë të jetës së tij ka qënë i suksesshëm, po të lajkatohet e të marrë shumë lëvdata ka mundësi të humbasë qartësinë e mendjes, ka mundësi të preket nga marrëzia e madhështisë.

Rreziku më i madh qëndron në faktin se kjo formë e marrëzisë nuk njihet e nuk kuptohet menjëherë. Personat e prekur prej saj, kur ata kanë pushtet politik, në vend që të kurohen shkojnë gjithmonë e më tej në marrëzinë e tyre. Dhe e keqja më e madhe është se këta lloj personash, të cilët vuajnë nga kjo formë e marrëzisë kanë aftësinë të hipnotizojnë turmat, të verbojnë e të fanatizojnë pasuesit e tyre deri në ekstrem. Në listën e këtyre personave mund të përmendnim shumë figura të njohura të historisë duke filluar nga Perandori Neron e shumë të tjerë, po mbase do të ish më e lehtë po të analizonim figura të historisë së afërt, historia, bëmat e gjëmat e të cilëve njhen mirë nga të gjithë. Një shembull i qartë i një personi në pushtet i sëmurë nga marrëzia e madhështisë është Adolf Hitleri. Me të ardhur në pushtet, pas disa sukseseve që pati në luftën kundër inflacionit dhe në rimëkëmbjen e ekonomisë, ai krijoi rreth vetes një aureolë lavdije duke përdotur njerëzit e propagandës, artit e të kulturës e të të gjithë levave të shoqërisë. Në ngritjen e kultit të Hitlerit u shfrytëzuan figurat historike të së kaluarës, u keqinterpretuan ngjarjet historike, citimet e personaliteve historike të të gjitha fushave dhe niveleve. Erdhi një moment kur Hitleri vetë u besonte lavdërimeve që ai kish fabrikuar vetë për vetveten. Fjalimet e tija bëheshin gjithmonë e më shumë hipnotizuese, verbonin turmat. Rezultatet dihen nga të gjithë. Deri në ditën e fundit të jetës së tij Hitleri u besoi vetëlavdërimeve që kish fabrikuar vetë. Para se të vriste veten deklaroi: “Luftën e humbëm sepse kombi gjerman nuk u tregua i denjë për një udhëheqës si unë”!

Të njëjtin fenomen e shohim të përsëritet sot para syve tanë në personin e Vladimir Putinit.

Tani le t’i hedhim sytë te Shqipëria. Pa dyshim se Enver Hoxha është një shëmbull tipik i një drejtuesi të sëmurë nga marrëzia e madhështisë: Shkoi për studime në Francë, po nuk arriti të marrë asnjë provim. Bëhet pjesë e lëvizjes Komuniste dhe ngrihet në pozita drejtuese nga jugosllavët. Zhduk të gjithë ata persona që e njhnin nga afër,pasi mund të thoshin fakte e të vërteta se cili ish në të vërtetë Enver Hoxha, dhe njëkohësisht dhe fillon ti thurë lavde vetvetes. Në fund arriti të besonte vetë atë që kish fabrikuar për vetveten. Problemi kryesor me pesonat që vuajnë nga marrëzia e madhështisë është fakti se sa më thellë që ata përparojnë në marrëzinë e tyre, aq më shumë e përbuzin ata jetën e vuajtjen e të tjerëve, aq më sadistë bëhen. Këtë e shohim tek shëmbulli i Hitlerit e Enverit, e shohim tek Putini sot. Historia dhe e sotmja na mësojnë që persona të tillë nuk duhen lejuar në asnjë mënyrë të marrin pushtet, pasi me ata nuk mund të komunikosh as me gjuhën e logjikës, të mëshirës apo me ndonjë gjuhë të arsyes njerëzore. Ata dëshirojnë dhe pranojnë vetëm lajkatuesit, dhe luftojnë dhe nuk ngurojnë të zhdukin e të shkatërrojnë këdo dhe gjithshka që u kundërvihet. Vuajtjet dhe tragjeditë që shkaktohen te të tjerët nga politika e tyre nuk i prekin, po vazhdojnë çmëndurinë që kanë filluar deri në fund pa marrë parasysh asgjë.Le të kujtojmë shprehjen e famshme të Enver Hoxhës: “Ne shqiptarët jemi gati të hamë bar…”.

Tani fatkeqësisht, për hir të së vërtetës na duhet të themi se vrusi i marrëzisë së madhështisë nuk u zhduk nga skena politike e Shqipërisë me rrëzimin e bustit të Enver Hoxhës, po vazhdoi të ish i pranishëm në personat që e pasuan dhe vazhdon edhe sot të jetë pranishëm në qeverinë shqiptare; padyshim më i theksuar se kudo te Edvin Rama dhe klani i tij i ardhurimit. Ndërsa paraardhësit e tij mjaftoheshin me elozhet që i lartonin ata si figura të shquara të Kombit e të Demokracisë Shqiptare, Edvini dëshiron të preztantohet si një figurë me përmasa ndërkombëtare, njësoj si xhaxhi Enveri. Do të na dalë si personi që zgjidh problemet e Ballkanit, atje ku për më tepër se 100 vjet të tjerët kanë dështuar, na thuhet se i takon të marrë pozita ndërkombëtare, pse jo dhe Kryetar i Kombeve të Bashkuara, madje kohët e fundit ka persona, madje persona me pozita të larta qeveritare, që janë të bindur se pako gjë duhet dhe Edvin Rama do të marë pozitën e Zeusit… Dikush mund të thotë: “E le t’i lemë këto vogëlsira, le të lëvdojnë vetveten, nuk na prish shumë punë”! Këtij personi do t’i përgjigjeshim: “Shiko atë që po ndodh në Korenë e Veriut, se atje duken më qartë se kudo frutet e pushtetit të personave që nderohen si nderohej Zeusi dikur në Greqinë e lashtë”.

Pas zgjedhjeve të 6 marsit Lulëzim Basha deklaron:”Nuk kam humbur asnjë garë në jetën time”!  dhe do të na mbushë mendjen se ai është shpresa e vetme jo vetëm për Partinë Demokratike po për gjithë Shqipërinë.

Një gjë është e sigurt, as oligarkët, Edvin Rama e as opozita nuk mund të pretendojnë se janë të lirë nga virusi i marrëzisë së madhështisë. Të gjithë personat e prekur nga ky virus, kur flasin për popullin kanë parasysh vetveten, interesin e fitimin e tyre. Historia na mëson se sa më tepër një pushtetar të jetë i prekur nga virusi i marrëzisë së madhështisë, sa më tepër ai larton vetveten, aq më brutalisht e më egërsisht e shtyp e skllavëron popullin!

Please follow and like us: