Albspirit

Media/News/Publishing

Nobelista bjelloruse me nënë ukrainase: Homos sovieticus nuk ka vdekur

 

FABRIZIO DRAGOSEI/

Svjetllana Aleksiejeviç jeton në Gjermani që kur i është dashur të lerë edhe një herë tjetër Bjellorusinë e saj, mbas shtypjes së manifestimeve demokratike të vitit 2020. Ishim dëgjuar në telefon kur ajo kishte paditur se dy burra të maskuar ishin orvatur të hynin në apartamentin e saj. Ambasadorët e vendeve të ndryshme shkuan në shtëpinë e saj deri sa nuk qe e shtrënguar të ikte. Lukashenko ishte shpëtuar nga Putini. “Të gjithë ishin arrestuar ose kishin ikur jashtë Shtetit”. Çmimi Nobel për letërsinë i marrë më 2015 nuk e mbronte më.

Njoftimet e këtyre orëve mbi ushtarët rusë të vdekur në Ukrainë e mbi trupat e tyre që fillojnë t’u kthehen nënave më solli ndër mënd “Djemtë e zinkut” tuajin, mbi shumë, tepër shumë të rënë në luftën e Afganistanit që dha ndihmesën e saj për shëmbjen e regjimit sovjetik me përfundimin e tij rrënues.

Po e kam menduar edhe un. Edhe mbi faktin që librat e mi ngulmojnë të mos bëhen histori. Që Rusia kthehet mbrapsht me hapat e saj, ecën duke u rrotulluar. Gjindemi në një pikë absolutisht të papritur të historisë. Askush prej nesh nuk mendonte se një gjë e këtij lloji mund të ishte e mundur.

Çfarë u thoshin të mbijetuarit e Afganistanit kur i pyesnit?

Kujt i shërben libri i yt? Përse? Si mund të tregosh me të vërtetë si ishte? Gamilet e ngordhura dhe burrat e vdekur në të njëjtin pellg gjaku. Kush do ta dijë? Svjetllana është bijë e një babai bjellorus e një nëne ukrainase. Për të përzierja e Minskut është veçanërisht e dhimbshme.

Shumë thonë se Putini është çmendur, se ajo që po bën nuk është e arsyeshme.

Është e lehtë të padisësh, do t’ishte një shpjegim i thjeshtë, por nuk e dimë të vërtetën. Kam frikë se gjërat qëndrojnë ndryshe. Janë botuar të dhëna të tjera: më shumë se 60 % e rusëve do të mbështesnin Putinin dhe këtë luftë.

Por a janë të dhëna të vërteta apo është propaganda e Kremlinit?

Nuk kemi hulumtime të tjera, por është e sigurtë që shumë njerëz e mbështesin dhe thonë se nuk dihet asgjë, se është e gjitha një grumbull gënjeshtrash, lajme të shpikura. Nuk mund të jetë ashtu, nuk është reale. Por tani, mbasi kanë mbyllur radion ‘Jehona e Moskës’ dhe tv Dozhd, praktikisht ka mbetur vetëm ‘Novaja Gazeta’. Askush në Rusi nuk do ta dijë të vërtetën, do të jetë një vend i mbyllur.

Presidenti rus nuk është i vetmi për të ushqyer ndjenja “hakmarrjeje”?  

Besoj se Putini respekton opinionin e rusëve mesatarë që jetojnë në rrethinat, t’atyre rusëve që nuk mund të lejojnë poshtërime, siç thonë ata. Për librat e mi më është dashur të udhëtoja shumë nëpër Rusi dhe mjaft prej atyre që kam dëgjuar flisnin shumë për poshtërim, më shumë se për çdo gjë tjetër: askush nuk ka frikë prej nesh. Sa janë ngritur lart nga morali kur kanë mundur të thonë se Putini i ka bërë të ngrihen në këmbë që kur ishin në gjunjë para botës! Druhem se kjo ndjenjë “perandorizimi” është e rrënjosur thellë. Kur u shëmb BRSS në 1991 jemi gëzuar se gjithshka do të kishte ndodhur në mënyrë paqësore. Kemi mbivlerësuar vdekjen e komunizmit. Nuk është aspak e vërtetë, aspak. Po e kuptojmë tani. Ky njeriu i kuq, homo sovieticus, kuptojmë se është i gjallë. Shumë nga ajo që ishte në kohët sovjetike na ka lënë gjurmët, ka lënë gënjeshtrën.

A është ky trashëgimi i komunizmit?

Nëse shohim mbrapa historinë tonë, si atë sovjetike, si atë pas sovjetike, është një varrezë e pamatëshme e përbashkët, një dush gjaku i vazhdueshëm.

Putini a bën levë mbi një shumicë krenare të rilindjes së Vendit të Madh? 

Po, mendoj pikërisht ashtu. Nëse nuk do ta ndjente instiktivisht atë mbështetje, nuk do të kishtë bërë atë që po bën. Së paku jo në një mënyrë kaq të pacipë, të sulmohet një vend sovran duke folur me aq urrejtje. E kam fjalën për atë që ka thënë duke bërë një leksion historie plot analfabetizëm. Por ky është vizioni i tij i botës. Pra, në vend që të shkojmë drejt s’ardhmes po ecim mbrapa drejt Mesjetës.

Sa larg mund të shkojë? Cilët janë synimet e tij?

Kam frikë se shumë larg. Dyshoj se do të ndalohet vetëm me Ukrainën, nëse do të arrijë të fitojë. Shpresoj që Evropa që është rreshtuar e thukët, të thotë të sajën,po ashtu SHBA. Jo rastësisht ai na tremb të gjithëve me armët bërthamore.

A është e mundur që t’arrihet aty?

Është e pakonceptueshme për ne. Por në kokën e atyre njerëzve… Gjatë mbledhjes së famshme të Këshillit të Sigurisë shihnja fytyrat e jo të gjithë kishin entuziazmin e Putinit. Së fundi të gjithë e kuptojnë se janë shtyrë shumë. E kuptojnë biznesmenët, shumica e kupton.

A mund të ndodhë ndonjë gjë në Rusi?

Sistemi i sotëm autoritar i bën të gjithë të lidhur, është e vështitë të dali gjë jashtë. Je kundërshtar, nuk e pranon, por nuk mund të dalësh jashtë. Të gjithë thonë tani, çfarë të bëjmë? Çfarë të bëjmë? Unë mendoj se duhet punuar me atë 60 % që duket se mbështet Putinin. Duhet folur, shpjeguar. Do të ketë zi, do të vijnë qivuret, është gjynah që duhet të jetë ky çmimi i heqjes së mbulesës së syve. Populli do t’i hapë sytë sepse arritja e 5000 qivureve është e rëndë.

Vëndi i juaj, Bjellorusia, ç’është bërë? Një krahinë e Rusisë?

Është një makinë e kohës, një muzeum i së shkuarës. E tashti edhe kjo: Lukashenko nuk ka asnjë lloj pavarësie, Bjellorusia është plot trupa ruse, e me që humbjet janë të shumta, Putini do ta detyrojë të marrë pjesë në luftë.

Po gjindja çfarë mendon? 

Është kundër. Në ndryshim nga ajo ruse, shoqëria bjelloruse nuk do të mbështesë luftën. Bjellorusët i kanë parë gjithmonë ukrainasit si vëllezër e motra, si popullin tonë vëlla. Nuk ka asnjë urrejtje, si ndërmjet rusëve e ukrainasve që i ngjisin nofka përbuzëse njëri tjetrit, moskal, moskovit i vogël; khokhol, cullufe (ajo e kozakëve që zbret nga koka e rruar).

Çfarë pritet?

Mendoj se bota e veçanërisht politikanët duhet të gjejnë mënyrat të ndalin Putinin, por se cilat nuk e di. Ai në bisedime flet vetëm për kapitullimin e Ukrainës e mjaft. Besoj se gjithë bota duhet të ndihmojë Ukrainën. Dhe un mbështes krijimin e një ushtrie të huaj prej mijra njerëzish që vijnë në ndihmë dhe armët që duhet t’i jepen Ukrainës. Kur i telefonova një kushërirës sime duke i thënë “Bëhuni të fortë, tani arrijnë armët”, m’u përgjigj: “Svjetllana ime, armët do t’i kemi, po ku do t’i gjejmë të rinjtë? Djemtë tanë kanë vdekur me mijra”. Jam shumë e kënaqur që kam gjak ukrainas. Jam krenare për mijrat djem e për ata njerëz, fëmijë, të moshuar që nëpër fshatra hidhen kundër tankeve me duar bosh, bien në gjunjë për të mos i lënë të kalojnë. O Zot, O Zot!

Juve keni shkruar me tregimet e të mbijetuarvet e të të afërmëve të aq të vdekurve. E tani lajmet nga centrali i Zaporizhias po i llahtarisin të gjithë.

Përdorim ende konceptet e vjetrai largët- i afërt, armik-mik, por mbas Çernobilit kjo nuk do të thotë më asgjë. Ditën e katërt reja e Çernobilit fluturonte mbi Afrikën dhe Kinën. Ne-ata, armiq-miq nuk kanë më kuptim sepse është era ajo që vendos se ku do të shkohet.

“Corriere della Sera” 4 mars 2022        Përktheu Eugjen Merlika

Please follow and like us: