Përparimet ushtarake ruse në gjithë Ukrainën janë ngadalësuar ditët e fundit, por po shtohen viktimat civile dhe po vazhdojnë përpjekjet për të marrë kontrollin e kryeqytetit, Kiev. Presidenti Volodymyr Zelensky në një fjalim në parlamentin gjerman përsëriti thirrjen për një zonë humanitare të ndalim-fluturimit mbi Ukrainë, përderisa forcat ruse po afrohen drejt Kievit.

19:33/ Scholz thotë se ndihet i obliguar t’i jap shans diplomacisë dhe ta ndihmojë Ukrainën

Kancelari gjerman, Olaf Scholz tha sot se ndihet i detyruar të bëjë gjithçka për t’i dhënë shans diplomacisë dhe për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë Pas fjalimit të presidentit të Ukrainës ,Volodymyr Zelensky, në parlamentin gjerman, Scholz  theksoi se  ndjen një obligim të pashmangshëm për ta ndihmuar Ukrainën. “Jam “thellësisht i prekur nga ajo që tha Zelensky”. Kancelari gjerman theksoi gjithashtu se konflikti është “lufta e Putinit” dhe se presidenti rus “bart përgjegjësinë e vetme për atë që po ndodhë”.

19:14/Twitter ul për 30% përhapjen e informacioneve të mediave shtetërore dhe zyrtarëve rusë

Rrjeti Twitter ka njoftuar ost se ndërhyrjet dhe kufizimet e tij kundër mediave shtetërore ruse kanë frenuar shtrirjen e asaj përmbajtjeje së informacionit propagandues, duke e ulur atë me 30% në  këtë platformë. Njoftimi vjen pas përpjekjes së Twitter për të frenuar përdoruesit e e medias shtetërore ruse që  bënin postime mbi 45,000 herë në ditë. Twitter megjithatë nuk  ka sqaruar se sa e përhapur mund të jetë tani përmbajtja e medias shtetërore ruse në këtë platformë.

18:52/Biden e quan Putinin “diktator vrasës, bandit të vërtetë”

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, e quajti  sot presidentin rus, Vladimir Putin një “bandit të pastër”  një fjalim për Ditën e Shën Patrikut. Ai tha në drekën vjetore tradicionale në Capitol Hill, Biden tha se Putini është një “diktator vrasës, një bandit i pastër që po bën një luftë të ndyrë kundër popullit të Ukrainës”. Biden tha gjithashtu se Putin po paguan një çmim të madh për agresionin e tij. “Kjo është pjesë e arsyes që kostoja po arrin kaq e lartë”, tha Biden.

18:27/Forcat ruse bllokojnë operacionin e shpëtimi në Mariupol

Raporte kontradiktore vazhdojnë të vijnë nga qyteti Mariuupol në Ukrainë pasi forcat ruse bombarduan  ndërtesën e teatrit të qytetit që po përdorej si strehë për qindra civilë. Sipas zyrtarëve lokalë janë evakuuar rreth 130 njerëz deri më tani, dhe përpjekjet për të nxjerrë të ruse dhe bllokimi i të gjitha shërbimeve në qytet. mbijetuarit nga rrënojat në Mariupol po pengohen nga sulmet CNN raporton se shumë njerëz po dalin të gjallë nga teatri i bombarduar në qytetin e rrethuar dhe nuk ende konfirmim për të vrarë.

18:10/OKB thotë se më shumë se 3.2 milionë njerëz janë larguar nga Ukraina

Organizata e Kombeve të Bashkuara ka njoftuar sot se që nga sulmi rus në Ukrainë më shumë se 3.2 milionë njerëz janë larguar nga vendi. Sipas të dhënëve të fundit të OKB-së, numri më i madh i të larguarve po mbërrijnë në shtetet fqinje të Ukrainës, Poloni, Sllovaki, Hungari, Rumania dhe Moldavi. Kryeministri hungarez, Viktor Orban, ka thënë sot se javën e ardhshme pret të ketë një “valë më të madhe” të refugjatëve nga Ukraina. “Lufta nuk po zbehet, por po përhapet. Ekziston rreziku që javën e ardhshme do të shohim ardhjen e më shumë njerëzve në Hungari”, ka thënë Orban.

17:44/Shkatërrohet gati 90% e qytetit Mariupol

Më shumë se 30,000 njerëz  raportohet të jenë larguar nga  qyteti lindor, Mariupol, përderisa autoritetet në qytetin e rrethuar  thanë sot  gati 90% e ndërtesave në qytet janë shkatërruar nga bombardimet e përditshme të forcave ruse. BBC citon deputetin, Lesia Vasylenko,  që thotë se qyteti po “shkatërrohet nga qielli” duke bërë thirrje për ta vendosur  Ukrainën në një zonë të ndalim- fluturimit. Këshilli lokal vlerëson se më shumë se 350,000 njerëz janë ende të rrethuar  nga forcat ruse, që kanë mbetur prej më shumë se dy javësh pa ngrohje, energji elektrike dhe pa ujë.

17:20/UNESCO do të sigurojë  helmeta dhe jelekë antiplumb për gazetarët në Ukrainë

Gazetarëve ukrainas do t’u jepen pajisje mbrojtëse personale dhe trajnime për të punuar në mjedise të rrezikshme të luftës. Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO) ka njoftuar se do të sigurojë një  sasi fillestare prej 125 jelekësh dhe helmetash antiplumb për të ndihmuar gazetarët ukrainas të zhvendosur që të vazhdojnë punën e tyre dhe të mbështesin rrjedhën e lirë të informacionit gjatë luftës. UNESCO ka theksuar se mijëra gazetarë po raportojnë nga terreni si korrespondentë lufte  në Ukrainë, shumica prej të cilëve pa pajisjet e nevojshme mbrojtëse ose trajnimin e duhur për punë afër fushëbetejave.

17:14/Austin: nëse sulmet kanë në cak civilët ukrainas, ky është një krim

Sekretari i Mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Lloyd Austin, ka thënë  nuk në një konferencë shtypi me homologun sllovak Jaroslav Nad,ka thënë se “sulmet” e fundit në Ukrainë “duken se po përqendrohen drejtpërdrejt te civilët” . “Nëse civilët sulmohen, kjo do të thotë ata janë në cak… ky është një krim”. Austin tha se veprimet e Rusisë në Ukrainë janë “duke u analizuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit duke i bërë presidentit rus ndërpresë këto veprime të tmerrshme. “Këta janë civilë dhe jo ushtarë dhe ata nuk duhet të jenë në shënjestër” ka thënë Austin.

17:03/Forcat ruse vrasin 25 persona në Kharkiv

Të paktën 25 persona janë vrarë sot dhe mbi 20 të tjerë janë plagosur nga një sulm i forcave ruse në qytetin, Merefa afër qytetit jugperëndimor, Kharkiv në Ukrainë. Në një njoftim të prokurorisë rajonale në Kharkiv thuhet se sulmi ka ndodhur sot në mëngjes dhe ka shkatërruar disa objekte civile. CNN raporton se në ditët e fundit civilët kanë qenë në cak të sulmeve ruse, në Kharkiv, qytetin e  dytë më të madh të Ukrainës.
15:48/Agjencia Evropiane e Hapësirës pezullon “Mars”, misionin e përbashkët me Rusinë

Agjencia Evropiane e Hapësirës (ESA) njoftoi sot se ka pezulluar misionin ruso-evropian “Mars” për shkak të agresionit rus në Ukrainë. “Duke njohur ndikimin në eksplorimin shkencor të hapësirës, ​​ESA vepron në përputhje me sanksionet e vendosura ndaj Rusisë nga shtetet e saj anëtare”, tha ESA në një deklaratë. ESA gjithashtu ka konfirmuar shkëputjen e të gjitha aktiviteteve të bashkëpunimit me Rusinë.
Pavarësisht pezullimit të misionit “Mars”, ESA tha se programi i Stacionit Ndërkombëtar Hapësinor “vazhdon të funksionojë”.

15:37/Turqia kërkon një takim mes presidentëve Zelensky e Putin

Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, ka thënë pas një takimi me homologun e tij ukrainas, Dmytro Kuleba se presidenti Volodymyr Zelensky dhe lideri rus Vladimir Putin mund të takohen në kushtet e mundshme për zgjidhjen e konfliktit. Duke folur së bashku me Çavuşoğlu, në një konferencë të përbashkët shtypi në Lviv, ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba tha se u pajtuan të fokusonin përpjekjet për një takim mes Putin dhe Zelensky. “Ekziston mundësia që të dy liderët të takohen, nëse ka bazë për një marrëveshje. Ne do të ishim të lumtur të ndërmjetësojmë”, ka thënë Çavuşoğlu. Kuleba i tha Çavuşoğlu se  Ukraina shpreson që Turqia do të ishte “mes vendeve” që mund të shërbente si një garantues i çdo marrëveshje paqeje.

15:02/Të paktën 53 civilë të vrarë në qytetin Chernihiv në Ukrainë

Forcat ruse raportohet  të kenë vrarë të paktën 53 civilë në qytetin verior, Chernihiv në Ukrainë. Kreu i qytetit, Chernihiv në Ukrainë, Vyacheslav Chaus ka thënë se forcat ruse  po vazhdon sulmet sistematike ajrore në  këtë qytet.” Ata po shkatërrojnë infrastrukturën civile dhe ma dhjetëra  të vrarë ” ka raportuar ai në shërbimin e mesazheve në qendrën portalin ukrainas, Telegram. “Kemi humbje të mëdha. Pesëdhjetë e tre trupa të qytetarëve tanë u dorëzuan në morgjet e qytetit vetëm gjatë së mërkurës pasdite”, ka thënë Chaus.

14:37/Trupat ruse godasin qendrat e banimit  afër qytetit Kharkiv

Trupat ruse se kanë bombarduar sot një zonë banimi në qytetin Merefe afër qytetit Kharkiv duke shkatërruar një shkollë,  një qendër kulturore dhe disa shtëpi private. Kryetari i qytetit lindor të Merefës, Veniamin Sitov ka njoftuar sulmi është kryer rreth orës 03:30 me orën lokale duke thënë se nuk kishte viktima civile, por ishin vrarë disa ushtarë.

14:25/Më shumë se 187,000 refugjatë ukrainas kanë mbërritur në Gjermani

Ministria e Brendshme e Gjermanisë ka njoftuar se sipas shifrave zyrtare të të regjistruarve më shumë se 187,000 refugjatë që ikën nga lufta në Ukrainë kanë mbërritur në Gjermani. Por numri aktual i refugjatëve që vijnë sipas zyrtarëve gjermanë mund të jetë dukshëm më i lartë për shkak të mungesës së kontrolleve kufitare mes Polonisë e Gjermanisë. Organizata Ndërkombëtare për Migracionin e Kombeve të Bashkuara ka njoftuar se rreth 3 milionë njerëz janë larguar nga Ukraina që nga fillimi i agresionit rus në fund të shkurtit.

13:39/Biden diskuton të premten me homologun e tij kinez për Ukrainën

Shtëpia e Bardhë ka njoftuar se presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden do të ketë të premten një bisedë telefonike me udhëheqësin kinez Xi Jinping. CNN raporton se në qendër të diskutimit të Biden me homologun  tij kinez do të jetë menaxhimi i konkurrencës mes dy vendeve si dhe pushtimin rus i Ukrainës.

13:26/Gazetarja kundër luftës: Jo të gjithë rusët janë të tillë

Gazetarja e televizionit shtetëror rus, Marina Ovsyannikova, që organizoi një protestë kundër luftës gjatë një edicioni të drejtpërdrejtë, i  ka thënë sot BBC-së se “nuk mund të qëndronte mënjanë”. “Unë me të vërtetë doja t’i tregoja audiencës perëndimore se rusët janë kundër luftës. Jo të gjithë rusët janë të tillë,”  ka thënë Ovsyannikova. Ovsyannikova, e cila u gjobit me 30,000 rubla (213 £) sipas ligjeve ruse, tha se e dinte se do të arrestohej.

13.22/Negociatat Ukrainë- Rusi vazhdojnë online

Zyrtarët në Kremlin kanë thënë sot se negociatat mes Rusisë dhe Ukrainës janë duke vazhduar sot online. Zëdhënsi i i Kremlinit, Dmitry Peskov, citohet t’i ketë thënë agjencisë së lajmeve Interfax se po vazhdona puna e ekipeve negociatore. “Delegacioni ynë  në bisedime po bën përpjekje të mëdha dhe po tregon shumë më tepër vullnet se sa homologët tanë ukrainas”, ka thënë Peskov.

13:07/Britania thotë se vendosja e raketave në Poloni është mesazh për Kremlinin

Sekretari britanik i mbrojtjes, Ben Wallace pas një takimi me homologun e tij polak, Mariusz Blaszczak  ka thënë se kontingjenti tjetër i ndihmës do të jetë vendosja raketave Sabre, tipi më i ri i raketave të mbrojtjes ajrore, me rreze të mesme veprimi.  Wallace tha shpreson që kjo i dërgon një mesazh Kremlinit që të mos na dyshojë  në ndihmën për Ukrainën. “ Mos të dyshojnë. Ne do të qëndrojmë së bashku, do të mbrojmë vlerat tona dhe do të mbrojmë miqtë tanë nga çdo agresion i mëtejshëm”.

12:58/Zelensky thotë se Rusia tashmë i ka kaluar të gjitha vijat e kuqe

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky ka thënë se  Rusia tashmë ka kaluar “të gjitha vijat e kuqe”. Në një intervistë për NBC , i pyetur nëse një sulm kimik nga Rusia do të ishte një vijë e kuqe që shtyn Perëndimin të përfshihet më aktivisht në luftime, Zelensky tha se  ” kur filluan të bombardojnë civilët rusët i kanë kaluar tashmë të gjitha vijat e kuqe”.  Zelensky, theksoi se Rusia ka vrarë tashmë më shumë se 100 fëmijë duke shtuar ” në kuptimin e vijave të kuqe, çfarë duhet të presim tjetër”.

11:48/Truss: Ka evidencë të fuqishme që Putin është ‘kriminel lufte’

Sekretarja britanike e jashtme, Liz Truss thotë se ka “evidencë tepër, tepër të fuqishme” që presidenti rus Vladimir Putin është “një kriminel lufte”. Njësoj ishte deklaruar edhe presidenti amerikan Joe Biden para disa ditësh dhe u cilësua si eskalim e tensioneve diplomatike edhe më tej. Truss, e pyetur për koment për një program të BBC-së, ajo thotë se nuk e ka menduar si gabim deklaratën e tij. “Ka shumë evidencë të fuqishme që ai është kriminel lufte. Kjo, për arsye se ka po ashtu evidencë të fuqishme që krimet e luftës janë bërë në Ukrainë dhe Vladimir Putin është pas tyre”, tha ajo. “Përfundimisht, kjo është një çështje për Gjyqin Ndërkombëtar Kriminal për të vendosur se kush është apo jo kriminel lufte dhe puna jonë është të sjellim evidenca dhe kjo është gjëja më e mirë që mund të bëjmë në këtë moment, dhe atë po e bëjmë”, tha Truss. Sekretarja britanike thotë se shteti i saj po “mbledh evidenca për t’u siguruar që Putin të japë llogari për këto krime”.

11:56/Mbretëria e Bashkuar mbron hapësirën ajrore të Polonisë nga agresioni rus

Mbretëria e Bashkuar do të vendosë sistemin raketor Sky Saber dhe 100 trupa në Poloni. Sekretari i Mbrojtjes Ben Ëallace njoftoi të enjten gjatë një vizite në Varshavë. Kjo vizitë erdhi ndërsa NATO po lëviz për të forcuar sigurinë e krahut të saj lindor pas agresionit të Ukrainës nga Rusia. Ëallace tha në një konferencë shtypi: “Ne do të vendosim sistemin e raketave anti-ajror Sky Saber me rreze të mesme veprimi në Poloni me rreth 100 trupa për t’u siguruar që ne të qëndrojmë përkrah Polonisë, duke mbrojtur hapësirën e saj ajrore nga çdo agresion i mëtejshëm nga Rusia”.

11:25/Ish-gjenerali Parker: Perëndimi nuk duhet “të shpërqendrohet” nga bisedimet paqësore

Bisedimet paqësore janë një “gjë e mrekullueshme”, por Perëndimi nuk duhet të “shpërqendrohet” nga to, thotë gjenerali Sir Nick Parker, ish-komandant i forcave tokësore në Ushtrinë Britanike. Gjenerali Parker, i cili ka këshilluar Ministrin e Mbrojtjes të Ukrainës, tha për programin Today të BBC Radio 4: “Realiteti është se një vend sovran është pushtuar dhe çdo ditë ne po shohim skena shkatërrimi dhe vdekjeje”. Ai thotë se ndërsa Perëndimi mund të dëshirojë që lufta e Rusisë të “zvogëlohet”, vendi “ka marrë sulme më parë”. Parker tha se fuqitë perëndimore duhet “të planifikojnë për rastin më të keq dhe më pas të zhvillojnë opsione të bazuara në këtë”. “Ne duhet të kemi një plan të qartë që pranon se ne nuk do të kemi një zonë ndalim-fluturimi, që pranon se ne në fakt nuk do të vendosim trupat tona në Ukrainë, por do të koordinojë këtë përgjigje më të gjerë”, thotë ai. “Kështu që, ne duhet të krijojmë kushtet që lejojnë Ukrainën të kthehet në kufijtë e saj origjinalë, gjë që duhet të jetë objektivi jonë.”

11:08/Luftimi i Putinit në të gjitha frontet kur agresioni i tij po zbehet

Fjalimi i presidentit rus, Vladimir Putin drejtuar popullit rus të mërkurën në mbrëmje ishte pothuajse i jashtëzakonshëm, vlerëson gazetari i BBC-së, Steve Rosenberg. Duke folur nga Kremlini, ne pamë një president rus që po lufton në të gjitha frontet. Lufta në Ukrainë apo ashtu si e quante ai, operacion special ushtarak, po shkon sipas planit. Sigurisht që ai arsyetonte akcionin ushtarak të Rusisë dhe e amballazhonte si akt të vetmbrojtjes. Mirëpo, ai e di se gjithashtu ka një luftë brenda në shtëpi. Ai e di deri tash se vala e sanksioneve ndërkombëtare do t’i shkaktojë dhimbje masive ekonomike, si edhe trazira sociale. Putin foli për rritjen e inflacionit dhe papunësisë. Kështu që, ai po kërkon për fajtorë që rusët mos ta fajësojnë atë kur fillon kriza ekonomike të ashpërsohet. Dhe, fajtorët ai i ka zgjedhur. Ai denoncoi tradhtarët, kolumnistët dhe ‘llumat pro-perëndimorë’. Me fjalë të tjera, jemi ne kundër atyre, të mirët kundër të këqinjve. Vladimir Putin po tenton të krijojë ndarje në shtëpi që ta lirojë veten nga përgjegjësia për pasojat e agresionit të tij në Ukrainë. Momentalisht mund të presim dhe të shohim efektet e fjalimit të tij në shoqërinë sociale.

10:52/Pamjet e teatrit të Mariupol nga bombardimi

Fotot e mëposhtme paraqesin gjendjen para dhe pas  shkatërrimit të teatrit të Mariupol ku banorët po strehoheshin nga bombardimi. Autoritetet ukrainase thonë se streha e bombave në ndërtesë i rezistoi bombardimeve dhe tani po punojnë për të nxjerrë njerëzit jashtë. Deputeti ukrainas Dmytro Gurin tha për BBC më herët se mbi 1000 njerëz ishin të strehuar në teatër në kohën e bombardimit. Gurin tha se teatri ishte shënjestruar nga Rusia, përkundër mesazheve paralajmëruese se aty kishte fëmijë dhe shiheshin nga qielli.

10:07/Zelensky-Bundestagut: Ndihma juaj erdhi vonë për të ndalur luftën

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky ka përfunduar fjalimin e tij në Bundestagun gjerman në Berlin. Ai e falenderoi Gjermaninë për ndihmën e saj, por u tha ligjvënësve se përkrahja e tyre ‘ndodhi shumë vonë për të ndalur luftën’.  “Pse shprehja ‘kurrë më’ nuk aplikohet? Cila është përgjegjësia historike e Gjermanisë ndaj Ukrainës sot?”, pyeti Zelensky. Presidenti ukrainas kritikoi liderët gjermanë për interesat e tyre të biznisit në Rusi. “Ne mund të shohim gatishmërinë e juaj që të vazhdoni të bëni biznis me Rusinë dhe tash jemi në mes të luftës së ftohtë”. Dhe prapë, ju dështuat ta shihni këtë. Ju vazhdoni ta mbroni veten pas një muri që ju pamundëson të shihni se nëpër çfarë po kalojmë ne”, tha Zelensky. Ai përfundoi duke ftuar Gjermaninë të përfshihet ndaj agresionit rus dhe të vendosë sanksione më të ashpra mbi Moskën. “Paqja është më e rëndësishme se të ardhurat”, u tha presidenti ukrainas deputetëve gjermanë.

09:00 – Ukraina shpreson të hapë korridore humanitare

Zyrtarët ukrainas thonë se shpresojnë të hapin nëntë korridore humanitare nga disa qytete përgjatë vendit, përfshirë nga qyteti i rrethuar i Mariupolit. Zëvendës/kryeministrja ukrainase Iryna Vereshchuk thotë se qeveria po shpreson që nga sot të hapin rrugë. Kjo lëvizje po ndodhë një ditë pasi presidenti Zelensky tha se forcat ruse kishin shënjestruar qëllimisht teatrin në Mariupol, ku ishin të strehuar me qindëra njerëz.

08:43 Hungaria pret valë të re refugjatësh

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban ka thënë se ai pret të një “valë më të madhe refugjatësh” në javën e ardhshme nga Ukraina. Në videon e tij të postuar në Facebook gjatë një vizite në pikëkalimit afër kufirit të Hungarisë me Ukrainën dhe Rumaninë, Orban tha se më shumë roje kufitare do të vendosen atje javën e ardhshme për të trajtuar fluksin e shtuar. Deri më 14 mars, rreth 263,888 ukrainas kishin kaluar kufirin për në Hungari, sipas mbikqyrësit të të drejtave të njeriut të OKB-së. Të mërkurën, një këshilltar i Orban tha për mediat hungareze se zyrtarët prisnin të merrnin mbi 900,000 refugjatë deri në fund të luftës. Megjithatë, numri i refugjatëve që arrijnë në Hungari ka rënë ndjeshëm gjatë javës së kaluar.

08:36 – Zelensky u drejtohet deputetëve gjermanë

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky do t’u drejtohet ligjvënësve gjermanë të enjten, në përpjekjen e tij të fundit për të ndikuar politikëbërësit në demokracitë perëndimore mbi luftën në Ukrainë. Pushtimi rus nxiti me shpejtësi kancelarin gjerman Olaf Scholz të shpallte mbështetjen për Ukrainën. Ai gjithashtu rriti shpenzimet gjermane të mbrojtjes dhe dërgoi armë në Ukrainë. Sondazhet sugjerojnë se shumë gjermanë mbështesin thirrjen e Zelenskit për ndalimin e energjisë ruse, por ministrat e naftës kanë thënë se heqja graduale e përdorimit të gazit rus nuk do të jetë e menjëhershme. Megjithatë, tashmë ekziston një plan për të ndaluar importin e qymyrit rus.

08:34 – Zëvendësministri polak e konsideron Putinin “kriminel lufte”

Zëvendësministri i Jashtëm polak, Marcin Przydacz, ka thënë për BBC se, bombardimi i teatrit në Mariupol, është një tjetër shenjë se forcat e presidentit rus, Vladimir Putin u janë drejtuar taktikave më brutale. Przydacz ka thënë se pajtohet me karakterizimin e presidentit amerikan, Joe Biden, se lideri rus është “kriminel lufte”. “Sipas mendimit tim, plani fillestar ka qenë për të shkatërruar infrastrukturën ushtarake”, ka thënë Przydacz. “Kremlini ka besuar se Qeveria e Ukrainës disi do të avullohet. Nuk ka ndodhur kështu. Ukrainasit janë shumë të guximshëm në mbrojtjen e tokës dhe vlerave të tyre, demokracisë së tyre, shtetit që e kanë ndërtuar në 30 vjetët e fundit. Tani Putin ka vendosur të godasë infrastrukturën civile”. Ai ka thënë se ka parë një fotografi jashtë një teatri të bombarduar në Mariupol, në të cilin është thënë se ka fëmijë brenda. “Nëse kjo nuk e ka ndalur Putinin nga bombardimet, atëherë ai është, siç e ka quajtur presidenti Biden, një kriminel lufte”.

07:56/Britania: Agresioni rus “ka ngecur në të gjitha frontet”

Ofensiva e Rusisë në Ukrainë “ka ngecur në të gjitha frontet”,  deklarohen nga Ministria e Mbrojtjes në Britani të Madhe të enjten. Në vlerësimin e saj është thënë se forcat ruse “kanë bërë përparim minimal në tokë, det apo ajër në ditët e fundit dhe se vazhdojnë të përballen me humbje të mëdha”. “Rezistenca ukrainase vazhdon të mbetet e koordinuar mirë. Pjesa më e madhe e territorit ukrainas, përfshirë qytetet e mëdha, vazhdojnë të jenë në duart e ukrainasve”. Ushtria ukrainase ka thënë se përpjekjet e Rusisë tani janë të fokusuara në sulme ajrore, duke bombarduar zonat me popullsi civile, pasi sipas saj, ushtria ruse nuk ka qenë e suksesshme në operacionet tokësore. Moska ka thënë se ka identifikuar 500 ushtarë rus të vdekur deri më tani. Inteligjenca amerikane vlerëson se rreth 7,000 pjesëtarë të personelit rus kanë vdekur, prej nisjes së luftës.