Jemi në një pikë kthese ku mund të bëjmë një ndryshim të vërtetë, tha sot presidenti francez Emmanuel Macron, duke shtuar se ka një luftë në pragun e Bashkimit Evropian dhe një sfidë globale për shkak të ndryshimeve klimatike.

Macron këto komente i bëri gjatë prezantimit të planit të tij për mandatin e dytë si president, raporton Reuters.

Ai tha se nuk përjashton mundësinë e ndjekjes së shembullit të liderëve të Evropës Lindore dhe udhëtimit në Kiev, por shtoi se një udhëtim i tillë duhet të vijë në kohën e duhur dhe të jetë i dobishëm për zgjidhjen e krizës.

Ai deklaroi se pushtimi rus i Ukrainës shkaktoi një “goditje elektrike” në aleancën e NATO-s dhe i dha asaj një qartësi të re strategjike, e cila i mungon.

Duke folur për media në kohën e nisjes së fushatës së tij për rizgjedhje, Macron iu përgjigj pyetjes nëse ai e mirëpret NATO-n, për të cilën ai tha se ishte “vdekje truri” rreth dy vjet më parë.

Presidenti i Francës deklaroi se situata në fund të vitit 2019, kur bëri komentin e tij, ishte ndryshe nga ajo e sotme dhe se Aleanca ishte e nevojshme për të përballuar pushtimin rus të Ukrainës.

Ai tha se do ta bënte Francën më të vetë-mjaftueshme, do të ulë taksat, do të reformojë tregun e punës dhe do të bëhet më i ashpër ndaj imigracionit nëse fiton një mandat të dytë në zgjedhjet e muajit të ardhshëm.

Avantazhi i Macron ndaj rivalëve të tij në prag të zgjedhjeve u rrit pas pushtimit rus të Ukrainës.

Sondazhet e opinionit të publikuar javët e fundit tregojnë se Macron duhet të fitojë rreth 30.5 për qind të votave në raundin e parë, që është 10 për qind më shumë se sa treguan sondazhet e muajit të kaluar.

Ai tha se deri në vitin 2025 Franca do të arrijë shpenzimet për qëllime ushtarake në vlerë prej 50 miliardë euro.

Macron tha se vendi duhet të shkojë gradualisht drejt lëvizjes së moshës së pensionit në 65 vjeç, duke marrë parasysh specifikat e profesioneve të caktuara.

Ai tha se lufta midis Ukrainës dhe Rusisë, dy prodhuesit më të mëdhenj të grurit në botë, ka të ngjarë të çojë në një krizë ushqimore në 12-18 muajt e ardhshëm në Afrikë dhe Lindjen e Mesme.