Shtetet e Quint-it kanë publikuar një deklaratë të përbashkët, në të cilën bëjnë thirrje për angazhim intensiv ndaj qeverisë së Kosovës dhe Serbisë për të gjetur zgjidhje pragmatike për t’ua mundësuar qytetarëve të Kosovës me të drejtë vote për të ushtruar të drejtën e tyre për të marrë pjesë në zgjedhjet e Serbisë të 3 prillit 2022.

Deklarata e përbashkët për Kosovën nga Franca, Gjermania, Italia, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës:

E kuptojmë që qeveria e Kosovës ka autoritetin për të vendosur nëse do të lejojë apo jo lehtësimin e votimit në zgjedhjet e një vendi tjetër. Përderisa e vlerësojmë gatishmërinë e Serbisë për të gjetur zgjidhje, me keqardhje të madhe vëmë në pah vendimin e qeverisë së Kosovës për të refuzuar propozimin konstruktiv të paraqitur nga Quint-i. Me këtë vendim, qeveria e Kosovës ka dështuar të demonstrojë përkushtimin e saj ndaj parimit të mbrojtjes së të drejtave civile dhe politike të të gjithë qytetarëve të saj, përfshirë pjesëtarëve të pakicave.

Një sjellje e tillë e qeverisë së Kosovës nuk është në përputhje me vlerat dhe parimet tona dhe do të dëmtojë aspiratat e saj evropiane.

Pas pushtimit rus të Ukrainës, e mirëpritëm rreshtimin e Kosovës me deklaratat dhe shpalljet që i miratuan shtetet anëtare të BE-së dhe Quint-it. Megjithatë, Kosova gjithashtu duhet të zbatojë vlerat dhe përgjegjësitë e saj themelore ndaj stabilitetit rajonal dhe respektimit të proceseve demokratike, si dhe të zotohet për mbrojtjen e të drejtave të pjesëtarëve të pakicave.

Presim që qeveria e Kosovës të veprojë në interes të të gjithë qytetarëve të saj, të punojë për të ulur tensionet dhe të angazhohet në mënyrë konstruktive në dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Kjo është thelbësore për arritjen e përparimit drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizim të marrëdhënieve që përfundimisht do të zhbllokojë perspektivën e Kosovës drejt BE-së.

Sërish theksojmë thirrjen tonë të fuqishme për Kosovën dhe Serbinë për tu përmbajtur nga çfardo veprimi apo retorikë që rrisin tensionet dhe që mund të çojnë drejt incidenteve./S.Kelmendi