Një zyrtar në Mariupol ka konfirmuar se rreth 300 njerëz janë vrarë nga sulmi i javës së kaluar në teatër. Sot për herë të parë, që nga fillimi i luftës në Ukrainë, mes pales ruse dhe ukrainase janë shkëmbyer të burgosuri.

18:40/SHBA e sheh Rusinë duke u fokusuar në lindjet Ukrainës

Ushtria amerikane vlerëson se Rusia po i jep përparësi marrjes nën kontroll, rajoneve lindore Donbas dhe Donetck më shumë se Kievit. CNN citon  monitorimet e ushtrisë amerikane që vlerësojnë se ushtria ruse po përpiqet të krijoj më shumë terren  në  lindje që të mund të krijojë ndikim në negociata dhe për të shkëputur forcat ukrainase në lindje nga pjesa tjetër e vendit. Rusia tha më herët se faza e parë e operacionit të saj ushtarak ishte kryesisht e përfunduar dhe se  tani do të fokusohet në “çlirimin” e plotë të rajonit separatist lindor Donbas  të Ukrainës ku prej vitesh po mbështet direkt forcat pro ruse.

18: 20/Ushtria ukrainase thotë se ka vrarë edhe një gjenerali rus në Kherson

Ushtria ukrainase thotë se forcat e saj kanë vrarë gjenerallejtënantin rus, Yakov Rezantsev gjatë luftimeve në Chornobaiivka, në rajonin Kherson në jug të Ukrainës. Sipas një njoftimi të ushtrisë së Ukrainës Rezantsez ishte komandant i Njësisë 49-të të Qarkut Ushtarak Jugor të Federatës Ruse. Ministria ruse e mbrojtjes nuk e ka komentuar ende njoftimin e ushtrisë ukrainase. Të paktën gjashtë gjeneralë rusë përfshi një zëvendëskomandant të flotës së Detit të Zi, besohet se janë vrarë që nga fillimi i sulmit të Rusisë në Ukrainë.

18:09/Forcat ukrainase ende kontrollojnë qytetin Mariupol, thotë guvernatori rajonal

Guvernatori i rajonit, Donetsk në Ukrainë, Pavlo Kyrylenko, ka thënë se forcat ukrainase ende kontrollojnë Mariupol qytetin jugor port në Detin Azov të rrethuar nga forcat ruse. Duke folur në televizionin kombëtar, guvernatori Pavlo Kyrylenko tha se deri më tani rreth 65. 000 njerëz janë larguar nga qyteti, megjithëse kanë dështuar kryesisht përpjekjet zyrtare, për të organizuar evakuime masive në kushte  të armëpushimit të përkohshëm.

17:32/Biden i “zhgënjyer” që nuk mund ta shohë krizën humanitare në Ukrainë

Presidenti amerikan, Joe Biden, falënderoi organizatat humanitare në Poloni për ndihmën për Ukrainën dhe refugjatët e saj, në një takim  njoftues mbi gjendjen e refugjatëve. “Unë jam këtu në Poloni për të parë drejtpërdrejt krizën humanitare dhe, sinqerisht, një pjesë e zhgënjimit tim është se nuk mund ta shoh nga afër si në vende të tjera. Ata nuk do të më lejojnë,” tha ai. “Kuptohet, po hamendësoj, të kalojë kufirin dhe t’i hedh një sy se çfarë po ndodh në Ukrainë, por mezi pres të dëgjoj nga ju në komunitetin humanitar për atë që shihni, çfarë po bëni dhe ku mendoni të shkojmë nga këtu” ka thënë Biden. Përgjigja  ndaj nevojave humanitare është një “gjë e madhe”, tha Biden, duke shtuar se ukrainasit kanë nevojë menjëherë për gjëra jetike si ushqime, batanije, para dhe ilaçe.

17:16/Shtëpia e Bardhë thotë se ende mund të rris sanksionet kundër Rusisë

Administrata Amerikane  ka paralajmëruar Rusinë se ende  kanë mundësi të reja për të imponuar kosto të mëtejshme jo ushtarake ndaj Rusisë, si sanksione shtesë, pas agresionit rus në Ukrainë. Këshilltari për siguri kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan ka thënë se SHBA ka kapacitete për të imponuar masa shtesë ndaj Rusisë. “Ne mendojmë se sanksionet do të kenë gjithnjë e më shumë efektin e presionit dhe kufizimit të ekonomisë dhe makinerisë ruse të luftës. Kjo do të minojë kapacitetin e tyre për të luajtur një rol agresiv në botë”, shtoi ai. Këshilli Federal Zviceran njoftoi gjithashtu se Zvicra ka miratuar sanksione të mëtejshme kundër Rusisë, në përputhje me paketën e fundit të sanksioneve të Bashkimit Evropian.

17:05/Rusia jep një shifër më të madhe të ushtarëve të vrarë

Ushtria ruse ka njoftuar sot se 1.351 trupa të saj janë vrarë në Ukrainë dhe 3,825 janë plagosur që nga fillimi i agresionit , në përditësimin e parë  më të madh publik të viktimave që nga 2 marsi.  Duke përdorur një eufemizëm zyrtar që i referohet luftës në Ukrainë, gjeneral koloneli, Sergei Rudskoy,  tha se ka pasur humbje. “Për fat të keq, gjatë operacionit special ushtarak, ka pasur humbje. Mes shokëve tanë janë të vrarë 1.351 ” tha zëvendës shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Federatës Ruse. Megjithatë në vlerësimet e fundit të  NATO-s, SHBA-së dhe  Ukrainës thuhet se mes 7. 000 deri në 15.000 ushtarë rusë janë vrarë në Ukrainë.

16:46/Partia në pushtet e Rusisë hap zyrën në Mariupol, thonë autoritetet lokale

Partia në pushtet e Rusisë, Rusia e Bashkuar, ka hapur një zyrë në Mariupol, ka thënë këshilli i qytetit, duke cituar raporte nga banorët vendas. Sipas Këshillit të qytetit në Mariupol zyra e partisë,  Rusia e Bashkuar ndodhet në qendrën tregtare “Metro” të qytetit. “Sipas banorëve të Mariupolit që mbeten në qytet, zyra e partisë Rusia e Bashkuar shpërndan gazeta partiake dhe gjithashtu lëshon karta të operatorit celular Phoenix, i cili ka operuar në territorin e pushtuar të Donetsk që nga viti 2014”  thuhet në njoftimin e Këshillit të qytetit.

16:04/OKB thotë se janë zhdukur dhjetëra zyrtarë e gazetarë ukrainas

Zyra e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut (OHCHR) ka njoftuar sot se dhjetëra zyrtarë, gazetarë dhe aktivistë ukrainas janë arrestuar ose zhdukur me forcë nga forcat agresore ruse, ka, duke thënë se disa prej rasteve janë “marrje pengjesh”. OHCHR ka deklaruar gjithashtu se kishte dokumentuar ndalimin arbitrar dhe zhdukjen me forcë të 22 zyrtarëve lokalë ukrainas, 13 prej të cilëve ishin liruar më pas ndërsa të tjerët mbahen ende në arrest ose konsiderohen të zhdukur. Gjithashtu është konfirmuar se janë arrestuar të paktën 15 gazetarë dhe aktivistë të shoqërisë civile.

15:23/Rusia thotë se do ta përqendrojë luftën në Ukrainën lindore

Sergey Rudskoy, kreu i Departamentit Operacional të Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë ruse ka thënë sot se tani Rusia do të përqendrojë përpjekjet e saj kryesore të luftës në “çlirimin e plotë” të rajonit lindor Donbas në Ukrainës. “93% e rajonit Luhansk dhe 54% e rajonit Donetsk janë nën kontrollin rus”, ka thënë ai. Ai tha se Ministria e Mbrojtjes ka shqyrtuar dy opsione për “operacionin e saj special ushtarak” – një që përfshinte gjithë Ukrainën dhe tjetri që fokusuar në Donbas. CNN raporton se komentet lënë të kuptohet për një zvogëlim të mundshëm të caqeve të të luftës të Rusisë, pasi forcat ruse kanë hasur në rezistencë të fortë në veri të Ukrainës dhe rreth Kievit.

14:47/Biden mbërrin në Poloni

Presidenti amerikan, Joe Biden ka mbërritur në Rzeszóë të Polonisë. Ai nuk është pritur nga homologu i tij polak, Andrzej Duda, sipas agjendës, ngase aeroplani me të cilin po udhëtonte presidenti polak, nga Varshava për në Rzeszów, u detyrua të bënte një ulje emergjente. Duda tani ka mbërritur në aeroportin e Rzeszow me aeroplanin e tij rezervë, pas një problemi teknik  dhe pritet të ketë një takim me Biden Biden së bashku me sekretarin e Mbrojtjes,Lloyd Austin dhe zyrtarë të tjerë amerikanë ka takuar anëtarët e Divizionit të 82-të Ajror në Rzeszów të Polonisë.

14:46/Putin thotë se Perëndimi po përpiqet ta ‘anulojë’ kulturën ruse

Presidenti rus, Vladimir Putin ka akuzuar  sot Perëndimin se po përpiqet të “anulojë kulturën ruse”,  përfshirë ,sipas tij, edhe veprat e kompozitorëve të mëdhenj si Pyotr Tchaikovsky. Duke iu referuar anulimit të ngjarjeve kulturore e sportive të atyre që vijnë nga Rusia, Putin e quajti këtë një veprim kundër kulturës ruse. “Sot ata po përpiqen të anulojnë një kulturë të tërë mijëravjeçare, popullin tonë,” tha Putin me figura të botës kulturore.

14:32/OKB-ja paralajmëron për krime lufte në Ukrainë

Misioni i Organizatës së Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut, për Ukrainën, ka thënë sot se përdorimi i mjeteve eksplozive nga Rusia me efekte të gjera në zonat e populluara, përfshirë raketa, predha artilerie të rënda si dhe sulme ajrore” mund të përbëjnë krime lufte. Shefja e misionit të OKB-së për të drejtat e njeriut në Ukrainë, Matilda Bognor, përmendi dy shembuj specifik që sulmet mund të cilësohen si krime lufte. “Një sulm ka ndodhur në një shkollë në Chernihiv dhe një sulm tjetër në maternitetin e Mariupol”, ka thënë ajo.

14:07/Ukraina thotë se zmbrapsin një vendbanim  të punëtorëve të Çernobilit

Këshilltari presidencial ukrainas, Oleksiy Arestovych  ka njoftuar se trupat ukrainase kanë zmbrapsur një sulm  të forcave ruse në qyteza Slavutych, ku jetojnë disa punëtorë që centralit bërthamor të Çernobilit. Autoritetet lokale thanë më herët se qyteza Slavutych ishte “plotësisht e izoluar”,  nga forcat ruse. Uzina e braktisur e Çernobilit u mor nën kontroll nga më 24 shkurt, ditën e parë të agresionit rus në Ukrainë.

13:58/Biden takohet të shtunën me refugjatët ukrainas në Poloni

Presidenti amerikan, Joe Biden, do të takohet të shtunën me refugjatët ukrainas dhe ekipet humanitare amerikane në Poloni, do të takohet me presidentin polak, Andrzej Duda  dhe do të mbajë gjithashtu një  fjalim të veçantë. “Ai do të mbajë nesër një fjalim madhor që do të flasë për rreziqet e këtij momenti, urgjencën e sfidës që ka përpara, çfarë do të thotë konflikti në Ukrainë për botën dhe pse është kaq e rëndësishme që bota e lirë të ruajë unitetin dhe vendosmëri përballë agresionit rus”, u ka thënë gazetarëve këshilltari për siguri, Jake Sullivan në Air Force One.

13:17/SHBA dhe G7 ngrijnë arin rus

Fuqitë perëndimore kanë ndërmarrë veprime të reja që synojnë destabilizimin e ekonomisë ruse të goditur nga sanksionet perëndimore.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe 6 fuqitë tjera ekonomike njoftuan se po bllokojnë transaksionet financiare që përfshinin rezervat ndërkombëtare të arit të bankës qendrore ruse.

13:10/Gjermania pranon më shumë se 250,000 refugjatë ukrainas

Më shumë se çerek milioni refugjatë që kanë ikur nga lufta në Ukrainë kanë mbërritur në Gjermani. Sipas Ministrisë së Brendshme gjermane, deri javën e kaluar në vend kanë hyrë 253,157 refugjatë dhe numri aktual i refugjatëve mund të jetë dukshëm më i lartë për shkak të mungesës së kontrolleve kufitare mes Polonisë dhe Gjermanisë. CNN  citon autoritetet gjermane që thonë se shumica e refugjatëve që mbërrijnë në Gjermani janë gra, fëmijë dhe të moshuar.

13:01/Presidenti turk thotë se Ukraina e Rusia kanë arritur “mirëkuptim” për disa tema të negociatave

Presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan ka thënë se Ukraina dhe Rusia, kanë arritur “një mirëkuptim” për katër nga gjashtë temat e kryesore të diskutuara gjatë negociatave mes të dy vendeve. Në një konferencë për media, Erdogan ka thënë  se do të flasë sot me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, dhe gjatë fundjavës me  presidentin rus Vladimir Putin. “Ka gjashtë tema të negociatave mes Rusisë dhe Ukrainës, dhe  mes tyre duket se ka një mirëkuptim për katër  nga temat”, ka thënë Erdogan. Sipas Erdoan mund të tërhiqet nga aspirata për anëtarësim në NATO, që gjuha ruse të pranohet si gjuhë zyrtare.

12:43/Kombet e Bashkuara dyshojnë për varreza masive në Mariupol

Drejtuesja e ekipit për Ukrainën e Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për të Drejta të Njeriut ka thënë se monitoruesit kanë marrë informacione të shtuara rreth varrezave masive në Mariupol, përfshirë një të tillë që mendohet se ka rreth 200 trupa. “Ne kemi marrë informacione shtesë për varre masive që ka atje”, ka thënë Matilda Bogner, përmes një video linku nga Ukraina, duke shtuar se dëshmitë kanë ardhë nga pamjet satelitore.

12:24/Katër të vrarë nga sulmi rus në Kharkiv

Katër civilë janë vrarë dhe disa të tjerë janë lënduar pas sulmeve ruse që goditën një qendër mjekësore në Kharkiv, ka thënë policia lokale. “Këtë mëngjes, pas bombardimit të infrastrukturave civile, shtatë persona janë lënduar ndërsa katër të tjerë janë vrarë”, thotë policia. Sulmi kishte për cak një qendër mjekësore në një distrikt qëndror të qytetit, thonë zyrtarët.

12:10/Biden paraqet task forcën e re për energjinë me Evropën

Presidenti amerikan, Joe Biden paraqiti iniciativën e re që ka për qëllim t’ia marrë Rusisë përfitimet nga energjia, të cilat Putini po i përdorë në “makinerinë e tij luftarake”. Duke folur në Bruksel bashkë me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen, Biden tha se Rusia po përdorte furnizimin që po i bënte Evropës me naftë dhe gaz për të “detyruar dhe manipuluar fqinjët”. Biden tha se SHBA do t’i ndihmojë Evropës për të reduktuar varshmërinë që ka në naftën dhe gazin rus, dhe se do të siguronte kontinentin për furnizim të mjaftueshëm për dy dimrat e ardhshëm.

 

12:00/Britanikët: Forcat ukrainase kanë rimarrë qytetet në lindje të Kievit

Ministria britanike e Mbrojtjes tha se forcat ukrainase kanë rimarrë qytetet dhe pozitat mbrojtjëse deri në 35 kilometra në lindje të Kievit. Në të dhënat e fundit, ministria tha se këto zhvillime janë rezultat i kundër sulmeve ukrainase. Po ashtu thuhet se forcat ukrainase ka gjasë që t’i “vazhdojnë përpjekjet për t’i shtyrë prapa forcat ruse përgjatë linjës veriperëndimore të Kievit në drejtim të aeroportit Hostomel”.

11:46/Kremlini nuk brengoset nëse përjashtohet nga G20

Kremlini thotë se asgjë e tmerrshme nuk do të ndodhë nëse SHBA dhe aleatët e saj vendosin ta përjashtojnë Rusinë nga G20, grupi i ekonomive më të mëdha botërore. “Formati i G20-ës është i rëndësishëm, por në rrethanat e tanishme, kur shumica e vendeve pjesëmarrëse janë në luftë me neve, asgjë e tmerrshme nuk do të ndodhë”, ka thënë zëdhënësi rus, Dmitry Peskov, duke iu referuar një përjashtimi të mundshëm të Rusisë nga ky format. SHBA është deklaruar në favor të përjashtimit të Rusisë nga ky grup, por Moska ka thënë se këto përpjekje të SHBA-së do të dështojnë.

11:32/IRC paralajmëron për “krizë humanitare”

Komiteti Ndërkombëtar i Shpëtimit (IRC) paralajmëroi të premten se civilët në Ukrainë po përballen me “krizë shëndetësore humanitare”, në kohën kur sulmet ndaj objekteve shëndetësore po limitojnë mundësinë në qasje në “shërbime dhe pajisje mjeksore”. IRC tha se 64 sulme në objekte shëndetësore, në transport dhe personel janë regjistruar gjatë katër javëve të pushtimit. Komiteti gjithashtu bëri të ditur se më shumë se 4,300 bebe kanë lindur në Ukrainë dhe 80 mijë pritet të lindin gjatë tre muajve të ardhshëm, por “sistemi shëndetësor në Ukrainë është në prag të kollapsit”.

11:19/Do të duhen vite për ta rindërtuar Mariupolin

Situata humanitare në qytetin e Mariupolit në Ukrainë vazhdon të përkeqësohet, me palën ruse që vazhdimisht bllokon shpërndarjen e ndihmave humanitare, ka thënë kryetari i qytetit. Qyteti strategjik është i rrethuar nga rusët që nga ditët e para të pushtimit, pa rrymë, pa gaz dhe pa ujë. Shumica e qyetit ka mbetur e shkatërruar e nën rrënoja. “Po punojmë në evakuimin e banorëve dhe besoj që ajo është gjëja e vetme që mund t’i shpëtojë njerëzit”, ka thënë kryetari Vadym Boychenko. “Qyetit është i shkatërruar. Do të duhen vite për ta rindërtuar atë”, ka thënë kryetari i qyetit.

11:00/Autoritetet në Mariupol thonë se 300 njerëz u vranë nga sulmi në teatër

Këshilli i qytetit të Mariupolit ka njoftuar se në bazë të dëshmitarëve, besojnë se rreth 300 njerëz u vranë nga sulmi në teatrin e Mariupolit, para 9 ditësh. Ndërtesa e teatrit po përdorej si strehimore në qytetin e rrethuar, kur u godit nga një sulm ajror rus, më 16 mars. Vlerësohet se numri i personave që po strehoheshin në atë kohë në teatër ishte nga 800 në 1,300. Ende mbetet e vështirë të konfirmohet numri i saktë i viktimave.

10:26/OKB: Mbi 1,000 viktima që nga fillimi i luftës

Organizata e Kombeve të Bashkuara ka njoftuar të enjten se numri i viktimave që nga fillimi i luftës në Ukrainë ka kaluar 1000, por me paralajmërimin se numri mund të jetë shumë më i madh. Shumica e viktimave janë shkaktuar nga shpërthimet, përfshirë raketat dhe sulmet ajrore. Në mesin e viktimave janë edhe 90 fëmijë, ka thënë OKB. Ndërsa, sa i përket të zhvendosurve dhe refugjatëve, sipas OKB, më shumë se 3.6 milion persona janë larguar nga Ukraina dhe shumica prej tyre kanë hyrë në Poloni.

10:18/Hapet një korridor humanitar

Zv/kryeministrja e Ukrainës, Iryna Vereshchuk, ka njoftuar për hapjen e një korridori humanitar, me qëllim të largimit të qytetarëve të ngujuar nëpër bodrume të qytetit port të Mariuopolit. Largimi i tyre është planifikuar që të bëhet me vetura private. Ekipet emergjente, gjatë 24 orëve të fundit kanë eliminuar mjetet e pashpërthyera dhe kanë shuar zjarre si pasojë e granatimeve dhe raketimeve të forcave ruse. 13 zjarre janë shuar në Kiev ndërsa 6 në Kharkiv. Gjithashtu, punëtorët lokal ia kanë dalë ta shuajnë një zjarrë të shkaktuar në deponë e karburanteve në Kalynivka, në periferi të kryeqytetit. Ndërsa, ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar ka njoftuar se forcat ukrainase kanë rimarrë kontrollin dhe pozicionet mbrojtëse në periferi të Kievit, në pjesën lindore, ndërsa përparimi i forcave ruse drejt qytetit port jugor, Odesa, ka ngecur.

09:38/Ukraina thotë se 135 fëmijë janë vrarë që nga fillimi i luftës

Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm në Ukrainë tha se 135 fëmijë janë vrarë dhe 184 të tjerë janë plagosur që nga fillimi i pushtimit rus në Ukrainë. Zyrtarët thonë se së fundmi dy fëmijë u vranë si pasojë e luftimeve të ashpra në qytetin Rubizhne, në rajonin Luhansk. Prokurorët shtuan se tre adoleshentë – 13,14 dhe 15 vjeç – ranë në një minë në Obilne, në rajonin Zaporizhia. Ata janë dërguar në spitalin rajonal, ku njëri është në gjendje kritike për jetë.

09: 23/SHBA pritet të nënshkruajë marrëveshje për gazin me Evropën

Bashkimi Evropian pritet të njoftojë për një marrëveshje për gazin me SHBA-në. Kjo marrëveshje parasheh funizimin e BE-së nga SHBA-ja me gaz natyral të lëngshëm, në përpjekje për të zëvendësuar atë me importet ruse. SHBA pritet të sigurojë të paktën 15 miliardë kubik metër të gazit natyror të lëngshëm deri në fund të vitit, raporton Reuters. Vendet evropiane po bëjnë përpjekje ta reduktojnë varësinë në lëndët djegëse fosile nga Rusia, pas pushtimit rus në Ukrainë.

09:14/Ukrainë: Banorët e Mariupolit rrezikojnë të vdesin nga uria

Autoritetet në Mariupol paralajmërojnë se banorët e qytetit do të vdesin nga uria, nëse nuk vjen ndihma. Mungesa e ushqimit është tani aq e madhe në qytetin e rrethuar të Mariupolit, sa banorët kanë filluar të vdesin nga uria, raportojnë autoritetet lokale, sipas Kyiv Independent. “Për tre ditë, pushtuesit rusë kanë refuzuar të lejojnë autokolonën e ndihmave humanitare në qytet”, tha zëvendëskryeministrja e Ukrainës, Iryna Vereshchuk, bën të ditur Guardian. Granatimet e vazhdueshme dhe dështimet e përsëritura për të hapur korridoret humanitare kanë çuar në një mungesë akute të ushqimit në qytetin e rrethuar rëndë të Mariupolit, raporton Kyiv Independent. Autoritetet lokale në Mariupol po bëjnë thirrje për ndihmë, pasi banorët kanë filluar të vdesin nga uria. Gjithnjë e më shumë njerëz janë pa ushqim”. Zëvendëskryeministrja e Ukrainës, Iryna Vereshchuk, e ka përshkruar më parë situatën në Mariupol si “një katastrofë humanitare”, njofton BBC. “Mund të shohim qartë se qëllimi i rusëve është të krijojnë uri, thotë deputeti ukrainas, Dmytro Gurin për BBC. Sipas tij plani i Rusisë është që Mariupoli të vdesë nga uria, derisa ata të dorëzohen.

09:05/Bëhet shkëmbimi i të burgosurve

Për herë të parë që nga fillimi i invazionit rus, janë shkëmbyer të burgosuirit ndërmjet palëve ndërluftuese. 10 ushtarë ukrainas janë shkëmbyer me 10 ushtarë rusë. Në një rast tjetër, 11 marinarë civilë rusë, të shpëtuar nga një anije që po fundosej, jo shumë larg brigjeve të Odesës, janë shkëmbyer me 19 marinarë ukrainas, nga një anije të kapur nga forcat ruse. Organizata Botërore e Shëndetësisë ka thënë se e ka të pamundur të dërgojë ilaçe dhe pajisje të tjera në qytetet Mariupol dhe Mykohlaiv. Zyrtarë nga OKB gjithashtu kanë njoftuar se civilë ukrainas janë rrëmbyer dhe po mbahen si pengje në rajonet e okupuara nga forcat ruse. Në adresimin e tij të mbrëmjes, presidenti i Ukrainës, Voloimir Zelenski ka thënë se Evropa ka vepruar ‘pakëz vonë’ për ta ndaluar pushtimin rus, duke mos e bllokuar më herët projektin e gazsjellësit Rrjedha e Veriut 2. Zelenski gjithashtu ka kërkuar anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian. Ndërsa presidenti amerikan, Joe Biden, të premten viziton Poloninë, ku do të takohet me refugjatët ukrainas në kufirin mes këtyre dy vendeve,  para takimit të së shtunës me presidentin Andrej Duda. Biden, të enjten ka thënë se NATO do të reagojë nëse Rusia përdorë armët kimike në Ukrainë, por nuk ka treguar se si. NATO ndërkohë ka konfirmuar dërgimin e 40 mijë trupave ushtarake në Sllovaki, Hungari, Bullgari dhe Rumani, vende këto që kufizohen me Ukrainën.