Albspirit

Media/News/Publishing

Vdekja klinike në politikë nuk është fundi i botës

Eden Babani, Bruksel

Gjykata e Tiranës njohu ligjërisht Kuvendin e 11 Dhjetorit 2021 të Partisë Demokratike të Shqipërisë. Ç’ është e vërteta ca me vonesë, por e njohu. Njohu njëherësh edhe Statutin e ri të PDH-së. Njohu edhe, edhe, edhe… Më në fund, edhe të drejtën e hyrjes së Komisionit të Rithemelimit në Shtëpinë e Demokratëve, çka, më së pari, solli heqjen e blindazheve nga muet dhe portat e saj.

Ishte marrëzi e përmasave psikike ajo sasi blindazhi e instaluar me metoda skuthash,  jo më larg se katër-pesë muaj përpara. Ishte skuthëri e fshehur me lloj-lloj ironie dhe buzëqeshjeje cinike të autorëve të saj. Unë nuk e di, madje as që arrij ta marr dot me mend, sesi ndihen sot projektuesit asaj batërdie. Jo vetëm të ish-kryetarit të dorëhequr, por edhe të atyre që e ndoqën qorrazi dhe që sot ngjanë me atë litarin e lënë qëllimisht jashtë varrit.

* * *

Dyert tashmë janë të hapura për çdo demokrat. Megjithatë, pyetje dhe përgjigje nga më të ndryshmet qarkullojnë në opinionin publik, sidomos në media e rrjete sociale. Çdokush pyet dhe pret përgjigje sipas midesë dhe pozicionimit të vet politik, çka do të thotë se ato (pyetje-përgjigjet) rrallë përkojnë me njëra tjetrën. Njëri pyet me hile, që ta futë tjetrin në kurth. Ai tjetri herë kapet gafil e nuk di se ç’ flet, herë ‘lëshon pé’ që të mos fyejë, – ta zëmë, – kolegun ose si-vëllain e vet partiak.

Tipike, ishte të shtunën e kaluar një konferencës për shtyp në tarracën e ndërtesës së PDSH-së, SHQUP-it, siç i thonë zakonisht. Nuk e kam fiksuar emrin e gazetares, as se e cilës media është. Pyetjen tinëzare, po, ndonëse jo fjalë për fjalë. Ajo lidhej me qëndrimin që do të mbahet tash e tutje ndaj pasardhësve të zotit Basha, të cilët vazhdojnë të fshihen pas gishtit, sot e gjithë ditën, kur u shtrihet dora për t’u bashkuar.

Jo po do të bëjmë kërkesë ankimore ndaj vendimit të gjykatës (?!), thonë ata. Jo po të presim njëherë vendimin e apelit, pastaj shohim e bëjmë(?!). Jo po më the-të thashë… Gjithçka, sa për të shtyrë kohën. Në Devoll, kësaj logjike absurde i thonë ‘pordhë syfyri’.

* * *

Nuk e prisja, që të mos them më la pagojë, përgjigjja e njërit ndër anëtarët e Komisionit të Rithemelimit. Jo aq se u zu gafil, sesa për kujdesin e tepruar që të mos fyente ‘kolegët demokratë’ të grupit parlamentar.

Nuk ia vlen të zë ngoje emra. Ama ia vlen të kujtoj se arsyetime të tilla si ‘për të hedhur pas krahëve të shkuarën dhe për të parë drejt së ardhmes’, po bëhen gjithherë e më bajate. Sipas meje përgjigjja do të ishte e atypëratyshme dhe fare-fare e thjeshtë, ashtu siç i vetë Dr. Berisha e ka përsëritur nga foltorja, në foltore. Madje edhe në dy foltoret e fundit, të Tepelenës dhe të Përmetit, lideri historik tha plotgojën se PD-ja është e hapur për cilindo, kurse vota e lirë nuk mund të negociohet. Kaq. Ky sinjal bashkimi vlen për cilindo anëtar të PD-së. Edhe për kryetarin e dorëhequr, edhe për ata që pandehin se do të fshihen gjatë pas gishtit.

Ç’ vlerë kanë dredhat me shtrëngime duarsh, me miqësi të kahershme, me tryeza kafesh e biskotash, në mos po edhe me puthje buzë më buzë? Që t’i shtohen PD-së një grusht ish-ë, për të cilët as që ia ndjen fare peshores së saj?

Kahen e PD-së e shpërthejnë ata qindra protestues të 8 janarit që u shqepën në dru bash në tarracën ku u mbajt konferenca për shtyp e së shtunës së shkuar dhe bash nga trimat e ish-ëve. Peshoren PD-së e çmendin qindra protestues të tjerë të cilët u gjakosin natë 8 janar ga policia e regjimit rilindës dhe u mbytën me gaz lotsjellës. Ata, po.

Sa për ish-ët, e kanë tepër edhe shtrirjen e dorës së pajtimit. Duan? Le të afrohen. PD-ja është e hapur për këdo. S’duan? Le të qërohen. Zaten politikisht ata janë të vdekur të pakallur.

Në fund të fundit, vdekja klinike, nuk është fundi i botës. Zoti u dhëntë ymër ish-ve dhe atyre pak ndjekësve që u kanë mbetur! Pa, bota është e madhe. Ka vend edhe për të mirin, edhe për të ligun. Është zemërbardhë edhe për të mençmin, edhe për budallain. Mirëpret edhe të marrin, edhe të urtin.

 

 

Please follow and like us: