Albspirit

Media/News/Publishing

Alfons Zeneli: SEKRET

Është më bukur kur ti nuk e di,
kur e di vetëm unë.
Në paqe të përjetshme jetojmë,
nuk grindemi kurrë, ti kurrë nuk bëhesh xheloze
as unë gjithashtu.
Thjesht, duhemi dhe ti s’e di. E di vetëm unë.
Kështu, nuk ka brenga, telefona, nuk ka ndarje,
nuk ka dimension, pamundësi.
Nuk të tregoj sepse po të tregova
do më duash më shumë se unë ty
e pastaj do qash kur të ndahesh prej meje mëngjeseve
dhe unë nuk do duroj dot kur të më verbosh me lutje.
Po ta dish se të dua,
me çfarë të t’i ndal lotët e vjeshtës,
gjethet e padukshme të syve si të t`i gjelbëroj?
Nëse të tregoj, do m’i pushtosh të gjitha:
barin, retë, zgjimin, qershitë, perëndimet
dhe pastaj ndonjë mëngjes
do zgjohem pa veten time.
Nuk do jetë më ai që të do
dhe asgjë nuk ka kuptim nëse më ikën ai.
Kur të vdesësh pas mijëra vitesh
do të ta them atë që vetëm unë e di.
Please follow and like us: