Albspirit

Media/News/Publishing

Dalip Greca: GËZUAR DITËN E LINDJES PROF. SAMI REPISHTI!

6 Prilli është ditëlindja e njerit prej intelektualëve më të zëshëm të shqiptarëve në Amerikë, pjesë e elitës kombëtare, një ndër më kontributorët për çështjen Kombëtare, veçanërisht Kosovën.
Prof. Sami Repishti u lind në Shkodër me 6 Prill 1925. Mësimet e para, përfshi dhe shkollën e mesme,i kreu në vendlindje, Shkodër. Studimet universitare i nisi në Firence të Italisë. Studioi për histori moderne.
Pushtimi fashist e gjeti në demonstratë kundërshtuse ndaj pushtuesit.Gjatë luftës humbi babain, një ndër viktimat e fashizmit. Nuk u pajtua as me pushtimin nazist, as me diktaturën komuniste. U bë pjesë e lëvizjes së rezistencës ndaj diktaturës. Me 22 tetor 1946 u arrestua dhe për 14 muaj mbi trupin e studentit 21 vjeçar ranë torturat më çnjerzore të hetusëve. Gjykatësi i dha pretencën:15 vjet burg. Nëna, motra dhe vëllai u internuan, provuan edhe kampin e tmerrshëm të Tepelenës. Kreu 10 vjet burg, për të provuar punë të rëndomta dhe të rënda. Nuk kishte rrugë tjetër përveç arratisjes, që e bëri fakt të kryer me 22 korrik 1959. Si emigrant politik në Ish Jugosllavi u mbajt nga organet e sigurisë dhe shërbimeve sekrete, në masa të rrepta izolimi për 11 muaj. Më pas kaloi në kampin e Gerovës në Kroaci, ku grumbulloheshin emigrantët politik të Ballkanit. Me 1 shtator 1961 emigroi në Itali, ku qëndroi rreth 8 muaj. Emigroi në Shtetet e Bashkuara me 9 prill 1962.
Nuk kishte kohë për të humbur. Iu fut studimeve dhe përfundoi Bachellor, ku u diplomua më 1964 dhe më pas përfundoi dhe studimet për Master(1969) në Queens College, dhe Ph.D. Universiteti “La Sorbonne”, Paris, (me burs të qeverisë franceze) dhe Graduate Center of the City University of New York, (French, shkurt 1973).Për tri dekada dha mësim në shkollat e mesme amerikane, ishte kryetar për departamentin e gjuhëve të huaja(1974-1990). Ishte dhe pedagog i jashtëm pranë Adelphi University, N.Y. (1972-1978).
Prof. Sami Repishti u martua me 1964 me Dianen, vajzë gjirokastrite, e cila e kreu Masterin në City University of New York për psikologji për të vegjël dhe dha mësim për 30 vite në shkollat publike NYC. Familja e Dianës emigroi në SHBA me 1938.Kanë dy fëmijë: Daren, mjek; Ava, avokate, dhe pesë nipa e mbesa.
Prof. Sami Repishti ka shkruar librat“Pika Loti – Tregime burgu” (1997), “Nën hijen e Rozafës – Narrativë e jetueme” (2004), “Nga andrrat rinore në botën e mashtrimit”(2016).
Botime të tjera të Prof.Sami Repishtit janë: Le Moi Profond et la Revolution chez A. Malraux:, Teza e Master-it (C.U.N.Y. 1969)
– The Theme of Revolution in the Novels of A. Malraux. Teza e Doktoratit (City University of N.Y., 1977)
-Ten Memorandums;The Plight of the Albanians in Yugoslavia (Neë York, 1988)
– Albania in Brief (New York, 1993). Eshtë autor dhe bashkautor në më shumë se 100 artikuj publicistik, bashkautor i librit“Shqipëria Lindore”. Presidenti i Kosoves Dr. Ibrahim Rugova e ka dekoruar me Medaljen e Artë të Lidhjes së Prizrenit (2003).
Eshtë dekoruar nga Presidenti i Shqipërisë Dr. Sali Berisha me Medaljen e Artë-Pishtar i demokracisë (1992) dhe në vitin 1994 me Urdhërin Naim Frasheri Klasi I.
Nderime të tjera:
“Recognition for Human Rights Activities” (Albanian-American National Organization, 1986)
– “Saint Nicholas Distinctive” (Albanian Orthodox Archdiocese in America, 1988)
– “Recognition-Fighter for Democracy”(W.J. Clinton and H.R. Clinton Plaque, 1982)
– “Operation Joint Guardian” Medalje. (Pres. I. Rugova, Prishtinë, 2000)
– “Recognition-Honoring for 75 Birthday” (U.S. House of Representatives, Washington, D.C, 2000)
-“2006 White House Presidential Service Award” (10 Anniv. of the Nat. A-A Council Foundation).
Qyteti i lindjes, Shkodra e ka shpallë “Qytetar Nderi”, ndërsa një rrugë në Shkodër mbane emrin e tij…
Për më shumë ndiqeni intervistën që i mora profesorit për gazetën Dielli në maj 2018, kur Federata“Vatra” e nderoi me Mirënjohjen e Artë.
I urojmë nga zemra shëndet dhe jetë të gjatë!
PROF. SAMI REPISHTI: ATDHEU NUK MË KA ASNJË FAJ
RRËFIMI: Kam përjetue të tri diktaturat (fashizmin, nazizmin, komunizmin). Babai ka qenë viktimë e fashizmit italian; kushërini i parë u ekzekutue nga nazistët gjermanë; nana, vëllau e motra u internuen në Berat dhe në Tepelenë nga komunistët… Unë, student 21 vjeçar, jam torturue randë, kam vuejt dhjetë vjet në burg dhe jam arratis me rrezikun e jetës….
* Atdheu nuk më ka asnjë faj. Edhe sot unë them: “Shqipëri më jep nder, me jep emnin shqiptar”! Do të isha shumë i palumtun sikur një ditë të arrijsha në përfundimin me heqë dorë nga nënshtetsia shqiptare. Janë shtypësit dhe besë-mohuesit komunistë, që ma kanë shkaktue tragjedinë time e jo Atdheu, një simbol i shenjtë, që shfrytëzohet paturpësisht nga elementët atdhe-shkatërrues….
* Kur unë refuzova “ofertën”, mora në duert e mia fatin tim, pavarësisht nga konsekuencat, por e ndjeva veten të lirë, sepse kundërshtova forcat, që dëshirojshin asgjesimin tim, vdekjen time morale….
* Unë mendoj se dola fitues dy herë: e para, refuzova me urrejt xhelatin, që më merrte shpirtin në torturë dhe e dyta, dashunova pa kufi viktimën, që priste vdekjen çdo orë. Një pozicionim i këtill më shpëtoi dinjëtetin.
* … Bashkëvuejtësit e mi: ata janë herojt e mi, ata meritojnë falenderimin tim, sepse ata më mbushën me shpresë dhe me guxim, tue ndjekë shembullin e tyne në moshën 21 vjeçare….
Please follow and like us: