Albspirit

Media/News/Publishing

Avdulla Kënaçi:  E VETMUARA

 

Tregim

 

Shtëpia e re e tim biri, edhe pse në periferi të Torontos, mua më pëlqeu shumë. Ishte në cep të bllokut, zhytur në gjelbërim dhe afër një parku lodrash për fëmijë. Vrava mendjen se çfarë mund t’i shtoja unë kësaj prone. I hapa punë vetes se nisa të mbjell lule rrotull dhe të riparoj gardhin e kopshtit. Edhe pse nuk ua kisha haberin këtyre punëve, punoja me një zell të paparë. Shkoja vazhdimisht në dyqanët e luleve dhe si të thuash aty ‘frymëzohesha’ duke pyetur për mbjelljen, plehërimin, ciklin e bimëve dhe fazat e lulëzimit. Aq i përkushtuar dukesha duke u marrë me kësi punësh, sa një nga fqinjët, duke parë kujdesin dhe pasionin tim, më pyeti se mos kisha qenë gjë fermer në vendlindjen time, dmth bujk, i bie në shqip.

Qesha me buzët vesh më vesh.

Një mëngjes, tek dera e shtëpisë gjeta pesë rrënjë zambakë të njomë, me pak baltë tek rrënjët, të sapobulëzuar, ende të paçelur. Nuk e vrava mendjen se kush i kishte lënë, me siguri do të merrej vesh më vonë. Shpejt e shpejt ua gjeta vendin. I mbolla pa u nxehur dielli, i plehërova dhe u hodha ujë. Kush i kishte sjellë? Pse nuk njoftoi?! Me siguri ndonjë i njohur ose dashamirës. Zambakët lulëzuan, por ne ende nuk e morëm vesh kush i solli. Disa herë e kujtuam si gjest dhe i dhamë karar të dilnim në përfundim se kanadezët nuk janë aq të ftohtë sa thuhet. Kur erdhi vjeshta dhe zambakët përfunduan ciklin, të gjithë si familje e kishim harruar atë ngjarje.

Ndryshe nga ne në Shqipëri, këtu nuk duhet ngatërruar shumë me fqinjët, më porosiste vazhdimisht im bir. Turp është, por edhe pas kaq vitesh ne nuk i njohim të gjithë me emra. Vetëm kemi mësuar se ata të dy tek cepi janë denbabaden kanadezë, kjo përballë është kroate, dy më tej janë me origjinë polakë, ky tjetri është indian dhe ai në fund fare, zezak. Nga gjuha që flasim ne, edhe pse ua kemi thënë disa herë se jemi shqiptarë, ata na marrin për italianë. Unë që njoh gjuhësinë, e di arsyen; ata ngatërrohen me theksin paraoksiton që e kemi të njëllojtë me italishten. Tri herë ia kam thënë kësaj gjitones ngjitur, Xhinës se jemi shqiptarë dhe ajo vazhdon të thotë: “Ju italianët keni një zakon…”. Në përgjithësi është bllok i qetë e paqësor, mbaj mend se në dy vjet ka ndodhur vetëm një sherr, por edhe ai vetëm me fjalë. Kroatia, ajo gruaja fytyrëgjerë me flokët si tel alumini, u grind keq me fqinjën indiane, atë gruan rrondokope me fytyrën si boçe pishe. Gati ishin të kapeshin për flokësh. Unë e vura re gjithë skenën përballë se isha duke ujitur barin tek hyrja e shtëpisë sonë. Ishin ndezur keq gjakrat matanë rrugës. Pashë ç’pashë, mbylla rubinetin e zorrës dhe u gjenda midi tyre. Flisnin në një kohë të dyja gratë dhe nuk po kuptoja çfarë kishte ndodhur. Më në fund e mora vesh se ishte fjala për ndarjen e territorit. Muret ballorë të shtëpive i kishin dy metra afër e afër, por nuk ndanin dot përgjegjësinë për ujitjen e barit përpara, gjer tek trotuari. Ishte vërtetë punë e ngatërruar; nuk kishte asnjë vijë ndarëse, asnjë shenjë. Ishte një sherr i kotë se në fund të fundit bar është, por ja që kroatja nuk donte të kishte të bënte fare me indianen dhe kërkonte me insistim kufirin. As unë nuk dija sesi mund të zgjidhej kjo sherrnajë.

Mora tim bir në telefon, e pyeta sesi mund të gjendej kufiri midis dy shtëpive dhe ai më këshilloi të mos ngatërrohesha me to, le të lajmëronin policinë. “Ore, më thuaj ta di edhe unë se nuk po kuptoj ku është kufiri”, i thashë.

– Po ç’të duhet ty, ne nuk kemi probleme të tilla se jemi në cep të bllokut.

– Ma thuaj ta di…

– Ka në trotuar një kryq të vizatuar në beton, aty është kufiri që ka vënë Bashkia.

– Tani më dëgjoni mua, – u thashë të dy grave, pasi u armatosa me njohuri ligjore – kufiri është tek ky kryqi që ka vënë Bashkia. Krahu i djathtë i kryqit është Kroacia, i majti India.

– Faleminderit, kështu po, – tha gruaja kroate pa më parë në sy. Erdhi edhe ca rrotull, pastaj humbi nga kopshti i saj, andej mbrapa shtëpisë.

 

***

Më erdhi radha mua të ngatërrohesha me ligjin. Nuk më shkonte ndërmend se duhet të merrja leje në Bashki për të prerë një pemë para hyrjes, edhe pse ishte në territorin tonë. E kisha rrëzuar për tokë kur e mësova si qëndronte puna me ligjin. Nuk më pëlqente fare ajo pemë, aq erë të keqe kishte sa as zogjtë nuk qëndroin mbi të, lere më të bënin fole. Në Shqipëri nuk kultivohet, ndaj dhe nuk njihet. Natyrisht që këtu është mbjellë për dekor së bashku me ndërtimin e bllokut. Vendasit i thonë “pupu”. Po të rrije poshtë saj, lëshonte glasa si të zogut.

Dhe çfarë glasash, nga ato që nuk hiqen nga rrobat as me detergjentin më të fortë. Në mendjen time e kisha dënuar me asgjësim që kur më lëshoi glasën e parë mbi këmishën e bardhë kambrik. Dhe ja ku i erdhi radha në muajin maj.

Nxora nga garazhi shkallën, sharrën me hark që ka ca çataj të mëdhenj dhe ia nisa punës. Frynte një fllad i lehtë dhe nëpër qiellin e kaltër ca re të holla vërtiteshin si shami të bardha në duart e valltarëve. Fletët e pupusë ishin përfshirë në një shkulmë “thashethemesh” pa mbarim. Mbështeta shkallën për trungu, u ngjita sipër dhe nga ana e perëndimit shënova mbi të një shkallë në formën e një të kafshuare ujku. Llogarita se prej andej do të rrëzohej e tërë pema. Nisa sharrimin. Pikërisht kur për pak do të rrëzohej, si pakuptuar, kurora e pupusë u anua nga shkalla ku kisha hipur unë. Duke ndjerë rrezikun, zbrita me shpejtësi duke kërcyer drejt e në tokë dhe për dy sekonda u struka tek dera e shtëpisë. Më fshikën vetëm ca maja gjethesh nga të kurorës. Nga matanë rrugës u dëgjua një ulërimë e thekshme. Ishte kroatja që mendoi se pema më zuri nën vete. Mbërriti duke gulçuar dhe kur më pa shëndoshë e mirë, u habit. Më erdhi vetëm turp që pupuja ishte hakmarrë duke m’i lëshura nja dy-tre glasë mbi bluzën me mëngë të shkurtëra.

– Prit të të sjell një kafe të mbledhësh veten, je zverdhur në fytyrë, – më tha kroatja gjithë merak. Nuk ia prisha.

Ndërkohë u dha aty edhe zezaku nga fundi i bllokut. Kishte dëgjuar ulërimën.

– Çfarë të ndodhi, u preve me sharrë? – pyeti i shqetësuar duke tërhequr kurorën e pupusë nga hyrja e shtëpisë. I tregova fijë e për pe se si më ngjau.

– Një pemë e madhe si kjo pritet me dy vetë, – më tha zezaku me qortim – kurrë vetëm. Ç’ke ndërmend të bësh me degët dhe trungun?

– Do t’i flak…

– A m’i jep mua?

– Pse jo, që tani. I ke falas, vetëm nuk të ndihmoj dot, m’u prenë fuqitë.

– Ia dal vetë. Ke sopatë? Ma jep mua sharrën. Do merrem unë me pupunë, a e di që kjo lloj peme bën zjarr të hatashëm, – më tha për të arsyetuar kërkesën.

– Ke shtëpi me oxhak? – e pyeta duke rrufitur kafen e kroates.

– Jo, i dua për mikeshën time, bullgare, – tha dhe hoqi këmishën, e palosi më tresh dhe ashtu, lakuriq nga mesi e lart, nisi nga puna.

Më habiti sesi e vërtiste sopatën në duar dhe sesi e mbante drejtimin e sharrës. Dukej që ishte marrë me pyllin. Bëri një pirg me dru dhe gjethet i zbrazi në një thes të zi plastik. Trungun e shkuli me rrënjë dhe gropën e sheshoi. Pas dy orësh dukej sikur në atë vend nuk kishte ndodhur asgjë. Po dardha e ka bishtin mbrapa, thotë populli ynë i bekuar. Në mbrëmje m’u bë gjyq në familje pse nuk kasha marrë lejë nga Bashkia për të prerë pupunë. Gjoba ishte 3000 dollarë.

***

Ditët që erdhën më pas ishin të gjitha të mbushura me ankth. Me veshët ngritur se mos vinte ajo e flamosur gjobë, sytë i mbaja nga dritarja. Me gjithë mend e kishin këta?! Ku do t’i gjeja unë 3000 dollarë në një dorë? Më iku zëri fare dhe si thoshnin dikur në fshatin tonë “rrija si maçoku pas poçes”. Dita e parë ishte e vështirë, por pastaj një bashkatdhetar më ngushëlloi e më tha: “Sa pa ardhur inspektorët e Bashkisë, mbill në vend të një peme që preve dy të tjera dhe je në rregull me ligjin, nuk ha gjobë”. Ishte apo nuk nuk ishte kjo e vërtetë, ia nisa punës jo të mbillja një pemë, por shtatë copë rresht. Gjeta nga ata bredhat me halë të butë që u thonë ceder, jeshilë dimër-verë. Hapja e gropave ishte edhe një lloj ngushëllimi antistres për të hequr mendjen nga gjoba, aty e zbrazja tërë vrerin që më ishte mbledhur shuk në gjoks. Kaluan tri ditë dhe në bllokun tone vazhdonte e njëjta qetësi. Një mbrëmje, me të qeshur, im bir më tha:

– Ke fituar simpatinë e banorëve rrotull sepse asnjë nuk të ka spiunuar derisa nuk të erdhi gjobë. Po edhe “fshesa” e zezakut të ka ndihmuar sepse mbuloi gjurmët e “krimit”.

– Tallu, tallu ti, nuk është për të qeshur, – iu përgjegja serioz, – mua ende nuk më ka dalë frika nga poshtë lëkurës. Turpi turp e gjoba gjobë. Nuk i thonë shaka, është puna e gjysmë viti në atdheun amë, nuk janë pak, mor bir.

Nuk thonë kot se nga sherri del hairi; sidoqoftë unë e krijova “brezin e gjelbër” përpara shtëpisë. Mbolla shtatë bredha dekorativë radhazi. Aq bukur, si ushtarë gatitu, rrinin ata bredha si kavakë të gjatë; të drejtë e të bindur, roje besnike, dimër-verë. Harxhova ca dollarë se i mora të rritur, por qari me zararin aty me aty janë. Ata përballë nuk mund të shihnin më se kush hynte e dilte në shtëpinë tonë. Unë u thoshja të gjithëve sa vinin se ata bredha na mbronin nga era. As ua zija në gojë se unë kisha sajuar një hyrje “sekrete”.

Kroaten e kisha “kapur” disa herë në flagrancë duke shikuar me kërshëri nga bredhat e mi. Ajo i shikonte e përhumbur dhe zhyste vështrimin në gjelbërimin e tyre. Diçka i kujtonin. Nuk më ishte dhënë asnjëherë rasti ta pyesja pse jetonte e vetmuar, a kishte farefis, a kishte qenë ndonjëherë e martuar? Duhet të ishte rreth të gjashtëdhjetave. Mbante fustan të gjatë deri në fund të këmbëve dhe flokë të prera shkurt, fiksuar me një karficë mbi vetullën e majtë. Ishte truphollë, lëkurën e fytyrës dhe të duarve borë të bardha, si letër cigareje. Nuk e kisha pare asnjëherë të qeshte dhe as në shtëpi t’i hynte apo dilte dikush. Po, po, ajo ishte e vetmuar. Im bir më tregoi se kur unë isha ndodhur gjatë verës në Tiranë, ajo i kishte kërkuar ndihmë ta çonte në spital për një kontroll shëndetësor.

– Si, mos ka kancer?! – thashë i habitur. Nuk e di pse më shkoi mendja aq keq. Ndoshta ngaqë nuk e kam parë kurrë të qeshë.

– Jo, diçka tjetër. Të them të drejtën më erdhi zor ta pyesja më hollësisht, – m’u përgjegj im bir.

– Asaj as i hyn e as i del njeri, ka gjithë atë shtëpi, mund të mbajë dy apo tre qiraxhinj, – i thashë unë – në mos qiraxhinj, të paktën të mbajë një qen, siç bëjnë këtu shumë pensionistë të vetmuar.

– Sikur ka një vëlla në Kroaci, kështu sikur më tha, – shtoi im bir.

Ekzakt sikur ta kishte ditur se çfarë biseduam ne rreth saj, në mbrëmje, në shtëpinë tonë, të nesërmen, sa më pa duke krasitur ca rrënjë trëndafili, m’u afrua si një hije dhe me një zë të përvajshëm më tha:

– Zotëri shqiptar, a mundeni të vini në shtëpinë time për të më ndihmuar të lëvizim një televizor nga kati i tretë në garazh?

U befasova nga kjo kërkesë. Pse mua gjeti kjo të kërkojë ndihmë? Mos më merr gjë për katolik nga që shikon drita të ndezura tek rreshti i bredhave për Krishtlindje?! Ja, zezaku do të ishte i përshtatshëm për këtë lloj pune, por nuk mund ta mësoja se kë duhet të fuste e kë të mos fuste në shtëpi.

– Po, – i thashë me gjysmë zëri – më prit sa të laj duart.

Duke u pastruar e mendova edhe njëherë, po bëja mirë apo keq që shkoja në shtëpinë e një të panjohure. Unë ende nuk i kisha mësuar as emrin. Po kështu tipi jam, shpesh nxitohem, më flet goja para mendjes. E dhashë fjalën. Dhe u nisa, të dalë ku të dalë. Krejt ndyshe do të ishte në vendlindjen time, aty i njoh mire rregullat dhe zakonet. Po këtu…

***

Shtëpia e saj ishte krejt e pastër. Dyshemeja ishte prej parket lisi, e rrashinuar rishtaz. Me përjashtim të parketit, të gjitha pajisjet e tjera dukeshin që ishin të përdorura për një kohë të gjatë. Perdet ishin pak të zbërdhylta nga dielli dhe muret, edhe pse pa asnjë njollë, kishin nevojë për një dorë bojatisje. Gjithçka në vendin e vet. Heshturazi, pa folë asnjë fjalë, si unë, si kroatja, u ngjitëm në katin e tretë. Ajo qëndroi pranë një komoje ku ishte vendosur një televizor i vjetër me llamba. Fola unë i pari:

– Po këtë rrangallinë pse ju është dashur ta mbani kaq gjatë. Ky duhet të jetë mbi njëzetvjeçar.

– I erdhi dita për ta hedhur, por është i rëndë, nuk e ngre dot vetëm, duhen dy vetë. Duhet ta çojmë në garazh.

– Po zonjë, por duhet lidhur me ca rripa për lehtësi në lëvizje. Mund të rrokullisemi shkallëve që të dy e të bëhemi copë-copë.

– Mos, o Zot! – tha kroatja me sy të zgurdulluar dhe bëri kryqin duke pëshpëritur diçka në gjuhën e vet – Unë nuk kam rripa.

– Atëherë prit këtu të sjell dy rripa nga të mijtë, – i propozova. Ajo qëndroi në vend si e ngrirë dhe nuk tha as po, as jo.

Zbrita shkallët me shpejtësi, u ktheva pas 5-6 minutash me rripa në duar. Pa e pyetur, i lidha rreth aparatit, u sajova dy doreza dhe i thashë ku t’i vendoste duart. Lëkurën e duarve e kishte aq të hollë e të bardhë sa i dukeshin tërë venat dhe kapilarët blu. I thashë se unë do të dilja përpara dhe ajo të ecte mbas meje.

Pesha e madhe anonte përpara, por e porosita të kishte kujdes ku të hidhte këmbët. Tundi vetëm kryet në shenjë aprovimi. Eca ngadalë duke kthyer kryet herë pas here mbrapa. Karfica gati po i binte nga flokët dhe cullufet i kishin zënë sytë. Ecte me tahmin. Kjo më detyroi të mbaja gati gjithë peshën mbi krahët e mi.

Por as e dhashë veten e as rënkova. Duhej të dukesha burrë i fortë. Kur e ulëm aparatin në krye të garazhit, ajo mori frymë e lehtësuar duke më hedhur një vështrim mirënjohës, nga koka tek këmbët. Më ftoi në sallon për të bërë zakonet e Ballkanit dhe unë e ndoqa pas si një qengj manar.

U ula në një kolltuk të zi dhe përballë kisha dritaren e kuzhinës sonë. Kjo mund të na shikonte të gjithëve, mendova. Ngrita sytë nga faqja e murit në të djathtë. Ishte një foto të madhe; një fëmijë 3-4 vjeçar i qeshur, duke ngrënë akullore.

– Po ky fëmijë kaq i bukur? – nuk m’u durua mua pa pyetur.

– Mladeni im, – u përgjigj ajo me një zë sikur doli nga fundi i dheut.

– Ju keni një djalë? Ku është? – nuk m’u durua pa bërë dy pyetje të njëpasnjëshme.

– Nën dhe’…

Një e rrënqethur më kaloi nga maja e flokëve e gjer në gishtërinjtë e këmbëve. Ajo paska pasur një djalë dhe nuk e paska më! Çfarë i ka ndodhur kështu?! Dhe sa bukur qesh nga fotografia fëmija, ëngjëll, sikur matet të na përqafojë që aty nga faqja e murit.

– Si ndodhi?

– Gjatë luftës me serbët, më 1993, më 21 maj… Ma prunë në çarçaf të coptuar nga një predhë mortaje. I mbuluar me gjak, vetëm fytyra nuk i ishte prishur. Filli këputet aty ku është më i dobët.

Zëri erdhi duke iu shuar. Nuk qëndronte dot në këmbë. U përthye si një kalli gruri. Sytë iu njomën në lotë. I fshiu me kurrizin e dorës. U trondita keq dhe nuk isha në gjendje të bëja pyetje të tjera, por ajo pas një heshtje që fliste shumë, e mblodhi veten dhe vazhdoi të tregojë:

– Burri im, Brankoja në atë kohë luftonte në Bosnjë-Hercegovinë. Gjëmën, mandatën e mori vesh pas dy ditësh. Kur erdhi ai, varrimi ishte bërë. E njomi togun e varrit me lotë të kripur. Shkriu balta nga lotët e tij.

Qëndroi vetëm tri ditë dhe u kthye përsëri në luftë. Nuk e deshi më veten. Luftonte si i tërbuar kundër ushtarëve të Karaxhiçit. Lufta vazhdoi katër vjet, shtatë muaj e një javë. Brankoja u vra 21 ditë para se të përfundonte lufta. Si nuk rezistoi dot edhe tri javë?! Nejse, ishte “Velikosrpska agresia. Domovinski rat” (Agresioni i Sërbisë së Madhe. Lufta e Atdheut).

– Me siguri ai nuk e ka dashur jetën pa të birin, është vrarë nga dëshpërimi – i thashë unë për ta qetësuar.

– Po ai nuk mendoi për mua, – tha ajo duke dashur ta bëjë me “faj” të shoqin, Brankon, heroin e Luftës kundër agresionit serb.

Nuk pata guxim t’i thoshja se ajo në atë kohë ishte e re dhe mund të krijonte një jetë tjetër. Sa shumë u trondita dhe u hutova nga kjo ngjarje! Nuk ma merrte mendja të kisha përballë një grua aq të mjerë, aq të vetmuar dhe me një brengë aq të madhe në zemër. Unë kisha nëntë vjet që jetoja në këtë bllok, në këtë rrugë dhe me të njëjtët fqinj. Shpesh dramat i kemi aq afër, shkojmë pranë tyre dhe nuk i dimë, nuk i njohim. Ecim me sy mbyllur. Këtu nuk është si në vendlindjen time që dimë sa pula ka në kotec gjitoni. Përsëri u hutova. Si harrova ta pyes për emrin?!

***

Sa herë më kishte porositur im bir ta mbyllja rrezen përballë dritares së kuzhinës. Me sot e me nesër e kisha shtyrë shumë gjatë edhe këtë operacion të fundit të transformimit të “eksterierit”. Muaji prill është fundit i mbjelljes së cederit. Kisha hapur dy gropa, i kisha mbushur me ujë dhe prisja ta pinte dheu.

Pra, nga shtatë ushtarë me qëndrim gatitu, do të bëheshin nëntë dhe e gjithë ana ballore mbyllej. Hodha sytë përballë. Kroatja, emri i së cilës është Gordana ishte ulur në shkallë dhe po thithte me duf një cigare. Sytë i mbante nga unë. Me siguri do më thërriste për ndonjë dorë ndihmë. E përshëndeta me krahun e majtë se të djathtën e kisha zënë me lopatën. Ajo u ngrit, kapërceu rrugën dhe u afrua tek unë. Hezitonte të fliste.

– Jepi Gordana, fol, mos e mba brenda barkut, – i thashë me të qeshur, mirëpo qerpikët e saj u drodhën dhe sytë iu mbushën me lotë. Ajo u bë edhe më shumë serioze. Zëri sikur i dol inga fundi i dheut:

– Kam një lutje, mos e mbyll këtë hapësirë. Unë prej këtej çdo darkë, para sesa të fle, shoh fëmijët tuaj si lozin, si hanë, si qeshin.

M’u kujtua biri i vet, Mladeni i saj katërvjeçar. Flaka tej lopatën dhe i dhashë fjalën: “Mos e zgjat, mos fol më shumë… E anulova mbjelljen…”.

– Kam ca rrënjë zambaku, të t’i sjell?

Mississauga, 17 prill 2022.

Please follow and like us: