Albspirit

Media/News/Publishing

Miho Gjini: HOMAZH PËR AMERIKANIN NGA PIQERASI, ALEKSANDËR LAZAROU

Isha aty, kur ai stepi në Sheshin e Shën Thanasit, para ullirit të kishës së rrëzuar nga barbarët dhe aty u mblodh i gjithë fshati i katandisur sa një “grusht dore” për të parë birin e tyre Cando Lazrin, të ikurin kërthi pesëvjeçar e të paregjistruar fare nëpër regjistrat e shtetit të dikurshëm dhe të kthyerin nga Amerika pas 60 vitesh e ca… “Lermëni,-kishte thënë ai,-do ta gjej vetë shtëpinë time”!
Eci me këmbë deri tek “Guri i Sallakut”, ku dikur kuvendonin burrat e fshatit, u var mëtëposhtë, nëpër dredhat e kalldrëmeve mijëvjeçare dhe u ndal befas para disa mureve të rrëzuara nga koha e gjatë, pa të zotët e shtëpisë. Shuar përgjithmonë si shtëpi e si fis. Dhe aty ra në gjunjë, para mureve të rrënuara të shtëpisë së Lleshe, nga ku rridhte e ëma, Margarita e Jorgo Lleshit. Dhe ia dha të qarit. E gjithë jeta e këtij divi iu mblodh në fyt, me gërçe vaji të heshtur… Iu duk sikur aty kishte ngecur e gjithë jeta e kishte rënë një bombë. Shkatërruar gjithçka… Zhdukur bari… Dhe fiku rrëzë murit… Ku ishte fiku? Atij iu kujtua oborri ku lozte si fëmijë, ashtu i ulur në gjunjë i pikëlluar… Pastaj u ngrit, bashkë me heshtjen e tij dhe mori rrrugën tjetër, pak më tej, për të gjetur shtëpinë e babait, të Spiro Lazrit. Vajti deri tek shtëpia e braktisur, gati e shembur dhe qau përsëri, ashtu në këmbë, më me dënesë akoma… Jeta iu kthye e tëra mbrapsht. I ledhatoi gurët përsëri me dorën që i dridhej dhe pastaj u shkëput prej andej për t’u ngjitur në “Majën e Hasit”, ku do të gjente një njeri të gjallë, një grua të verbër, motrën e të atit, Elenën e Qendrothanase. Ajo e shkretë grua, pa sy në ballë, u rrënqeth, e preku të nipin e mërguar me duart që i dridheshin dhe gropëzat e syve iu lagën nga një rrëke lotësh të dala prej një gremine të thellë, të heshtur e të munduar. Divi i sapo kthyer nga Amerika e largët, uli kokën e zbardhur nga vitet dhe e mbështeti në gjoksin e tharë të hallës së verbër…
Vajta edhe aty ku jetonte ai, Aleksandër Lazarou, pas kthimit nga Amerika, në izbën e dikurshme të të atit, buzë një përroi në Kifisia të Athinës, ku do të ngrinte një pallat katër katësh, për të dy djemtë e rritur që kishin mbaruar Universitetin e Harvardit në Amerikë, për të bijën Margarita që ende jetonte andej dhe, një kat për veten, ku jetonte tani me bashkëshorten Lina, me të cilën qe njohur që në fëmijërin e tij, qe dashuruar në rini e qe martuar me të në Boston… Ky njeri energjik e pasionant për jetën, kishte mbaruar gjimnazin pranë të atit në Greqi dhe që kishte punuar si marinar në portin e Pireut e nëpër detra e oqeane, u bë i zoti i vetvets, kur vendosi të jetojë e punojë në Amerike. I vetëm fare! Nuk kishte ç’të bënte më nëpër detra e aty ku jetonte i ati, në Koqinara, anësh përroit të Kifisias, që kur delte i zhurmshëm në dimër e fundoste edhe izbën e Spiro Lazrit, me gjithë katandinë e tij. Ai preferoi të qe një ndihmës kamarier i një restoranti francez dhe më pas si kamarier në “Seraton Park” të Uashingtonit, gjersa mblodhi aq para, sa i duheshin për të hapur restorantin e tij “Delfini” me prodhime deti. Restorantin e dytë që hapi do ta quante “Dupon Vila”, ndërsa të tretin në Meriland do ta quante “Klinton Ju” në vitin 1970.
Dhe “Mjaft!”,- tha më pastaj, biznesmeni nga Piqerasi, si kishte lindur edhe tre fëmijë të mbarë. 40 vite në Amerikë nuk ishin as pak e as shumë. Por tani duhej menduar edhe për rritjen e edukimin e fëmijëve të tij, po edhe t’u sillte sado pak gëzime e jete të mëtejshme prindërve të tij të munduar, aty në Greqi, buzë atij përroi që tashmë qe tharë e i shdërrisnin gurët e zallit. Që të ndjenin edhe ata arritjet e të birit të larguar, po rishmëzi edhe disa grimca jete e dashurie, kur kthimi në Shqipëri as që mund të mendohej në ato vite të tmerrshme të diktaturës. Aleksandri kishte trokitur më kot në dyert e Ambasadës Shqiptare të Athinës, po ata e kishin parë kurdoherë vëngër si “agjent i Amerikës”!
Unë veja shpesh për ta parë e për të biseduar me këtë njeri, sepse diçka njerëzore kishte filluar të na lidhte: martesa ime, pas burgut, me mbesën e hallës së tij të verbër, Elenit, -që ajo i kishte marrë edhe emrrin, po edhe pagëzimi që ai i bëri tim biri në një kishë të Kifisias në Athinë, duke i dhënë atij edhe emrin e tij: ALEKSANDËR… Ai fliste me mua e qeshte me “peripecitë” e mia të asaj kohe, duke i quajtur “të pabesueshme!”, ndërkohë që sytë i bridhnin nga mali i Koqinarës që ai e bënte çdo ditë me këmbë, si edhe nga përtej përroit, tashmë të mbushur me pallatet luksoze të pasanikëve të Athinës… Të dy djemtë, njeri kirurg e tjetri mjek dentist, që shkonin shpesh edhe në Tiranë për të bërë operime speciale, si edhe në Janinë po ashtu, dëgjonin të heshtur fjalët e tij “të rënda”si me “flori ngarkuar” dhe u thoshte që të mos harrojnë që janë SHQIPTARË, me rrënjë e me degë, nga ai “çikë vend, që quhet PIKA E ERËS”! Dhe tani, nuk e dua veten që ai, Akeksadro Lazri, a “Zoti Lazarou”,-si e thërrisnin atë në Amerikë, nuk është më. Ai kishte ikur nga kjo jetë në kulmin e pandemisë, kur edhe varrimet duheshin bërë në heshtjen e zisë dhe të vetmisë, ndërkohë kur edhe unë miku i tij, nga Piqerasi i “pikës së erërave” mbi kodrën më të bukur të BREGUT, midis malit e detit, lëngoja në një Spital të Athinës… Se kisha marrë edhe unë udhën për atje, pa ditur ç’bëhej më tej vetes time, po kaq të cfilitur e pa e humbur buzëqeshjen, aq shumë të ngjashme me atë të Aleksandrit, amerikanit të shëndetshëm e fortë të ZOT nga PIQERASI ynë…
Shkruar më 9 maj 2022, tre muaj më vonë, duke u kërkuar ndjesë Linës dhe fëmijëve të tyre.
Please follow and like us: