Albspirit

Media/News/Publishing

Andis Gjoni: In memoriam Pirro Mani!

Me rastin e 1-vjetorit të humbjes së regjisorit të madh të Teatrit Kombëtar Piro Mani, komuniteti artistik dhe teatror në SHBA organizoi një mbrëmje përkujtimore dhe shfaqjen e një reportazhi të shkurtër rreth jetës dhe krijimtarisë së këtij gjigandi të skenës shqiptare. Ishin të pranishëm artistë, aktorë, intelektualë dhe artdashës që kishin ardhur të nderonin regjisorin më të madh të teatrit shqiptar. Reportazhin e shkurtër e kishte realizuar gazetarja e TVSH Magdalena Alla, në të paraqiteshin edhe intervista të regjisorit të madh ku ai fliste me nostalgji për kolegët që i mungonin, por edhe shprehte kënaqësinë për jetën e qetë në harmoni me komunitetin në SHBA.

 

Andis Gjoni: Një pjesë teatrore nga Pirro Mani në një teatër të Nju Jorkut

“Shfaqjen e parë si skenograf e kam realizuar me profesor Pirro Manin. Ai ishte pedagog i degës së regjisë dhe realizuam me studentët e atij departamenti shfaqjen e diplomës që ishte një komedi e autorit grek Dhimiter Psatha, titulluar “Nje budalla e gjysmë” që u shfaq në sallën e Universitetit të Arteve në 11 Shkurt 1991. Ishte një eksperiencë e jashtëzakonshme të shihje mënyrën se si i krijonte mizanskenat ky mjeshtër i teatrit. Energjia që ai transmetonte ishte mbresëlënëse. Vite më pas do e takoja shpesh në Nju Jork ku ai ishte vendosur me familjen. Në ato takime diskutonim për teatrin, për komeditë dhe dramat që po shkruante. E kishte ëndërr të realizonim një shfaqje të tijën në skenën amerikane. Dhe mbrëmë pas shfaqjes së dokumentarit të shkurtër në sallë u hap një debat mes profesionistëve të skenës dhe u rrahën mendime se si mund ta zgjerojmë bashkëpunimin mes aktorëve, skenografëve dhe producentëve shqiptarë me synimin e realizimit të shfaqjeve në gjuhën tonë.

Në ato momente e ndjemë edhe më pranë regjisorin e madh që na kishte mbledhur e dukej sikur ende po na shtynte të gjenim rrugë bashkëpunimi në emër të artit. Ndoshta është ky një amanet që duhet ta plotësojmë, vënien në skenë të një vepre të krijuar nga Pirro Mani në një teatër të Nju Jorkut.

Please follow and like us: