Albspirit

Media/News/Publishing

Frederik Ndoci: Kthehem përfundimisht në votrën time!

Të dashur miq, ju që më ndiqni nga afër dhe nga larg, ju që më mbështesni e më inspironi në çdo moment të aktivitetit tim! Dua të ndaj me ju një të vërtetë të madhe që me shumë dhimbje e vërtetova duke vendosur një “bast” të madh me jetën time. Shqiptaria ka pasur e ka prodhuar vazhdimisht jo vetëm artistë, njerëz të pasionuar dhe talente të kalibrit ndërkombëtar, por edhe mendimtarë e koka, shkencëtarë e sportistë të shquar. Kombit tonë sot nuk i mungojnë vlerat, as mendjet… Kombit tonë i mungon më shumë se kurrë “zemra”! Kur nënës i merr bijtë i ke tharë shpirtin, e njësoj ky KOMB po thahet nga eksodi i bijve më të vyer. Bota po na merr sot, si dhe dje, si dhe ndër shekuj, po zgjedh e merr për vete më të mirët ndër ne… duke na tharë shpirtin si komb!

Të dashur bashkatdhetarë, unë si dhe shumë prej jush iu dhashë tash e 10 vjet botës për mundësitë që më ofroi. Këndova, krijova e jetova me të tjera gjuhë e vise, në të tjera skena, në të tjerë qiej!

E sot pas kaq vitesh me mundësi të rralla që mu dhanë anekënd botës, vlerësime të arta, respektin dhe bashkëpunimin e “peshave të rënda” të skenës dhe artit botëror, vendosa për vete, për ju, për ne, të kthehem në votrën teme, në tokën më të ëmbël, në vendin ku e shtrenjta nanë më lindi, ku zemra rrahu fort në këngën e parë dhe atë të fundit, ku lashë shpirtin dhe ëndrrën më të bukur që më dhatë të gjithë ju bashkë. E unë do kthehem tash përgjithmonë! Të këndoj për këtë vend, ma tbukrin dhe e qiell, ma t’bukrat male, fusha e dete, do këndoj për shqiptarinë ktu, sepse ktu më knon zemra, ktu ma don shpirti me ken!

Ju falenderoj që më ndiqni dhe ju ftoj në projektet, në aktivitetin tim artistik në vijim! Zoti ju bekoftë kudo që jeni!

Please follow and like us: