Albspirit

Media/News/Publishing

Ambra Hysa: ︎Pse personazhet e famshëm nuk kanë frikë nga dështimi?

︎Pse personazhet e famshëm nuk kanë frikë nga dështimi?
︎Të mos kesh frikë nga dështimi, si e vetmja mënyrë për të fituar.
Dështimet, për disa njerëz janë tregues i një ankthi të vazhdueshëm i cili shkakton një rreth vicioz, ndërsa për disa të tjerë janë thjeshtë një proçes i natyrshëm jetese.
Është e pashmangshme, është njësoj si të mësosh ta ngasësh biçikletën, nëse dëshiron të mësosh do të rrëzohesh disa here dhe do të gërvishtesh, do të dalësh jashtë zonës së komfortit. Do të dështosh për të dëshmuar se po jeton dhe jo thjesht ekziston… me qindra herë pa u dorëzuar, si e vetmja mënyrë për të fituar.
Pas një fitoreje të vetme e cila shkëlqen dhe ka një fasadë të lustruar bukur, fshihen një mal me dështime, mos u gënje… Në brendësi të saj ka net pa gjumë, letra të grisura, dyer të mbyllura, zhgënjime, lot zemërimi…por fshihet edhe dëshira për të mos u ndalur asnjëherë dhe mendësia e fituesit.
Mendësia e fituesit është ajo që bën diferencën, siç mendësia e luanit është ajo që e bën atë “mbret” të xhunglës. 
Nëse ti humbet vazhdimisht është e vështirë të mendosh si fitimtar, por fakti që është e vështirë e bën atë të mrekullueshme dhe jo të arritshme lehtë për të gjithë, vetëm për ata më të fortët, ata më të çmëndurit që nuk dorëzohen lehtë para asnjë sfide.
Sa shumë e dëshiron ta kthesh në realitet një ëndërr? 
Do të jetë sfiduese, do të marrë të gjithë fokusin tënd, kohen e lirë me miqtë, momentet argëtuese, dëshirën për ti shtyrë punët për më vonë…Duhet të tregohesh konsistent. A je gati?
Çfarë mendojnë të famshmit për dështimin?  Më poshtë dëshiroj të citoj disa mendësi frymëzuese të dy personazheve të famshëm të cilat tregojnë qasjet e tyre për dështimin, për hir të së cilit, kanë arritur sukses.
Oprah Uinfri
Prezantuesja e njohur televizive amerikane Oprah Uinfri, e përjashton ekzistencën e dështimit në këtë jetë. Ajo preferon që t’i rregullojë gjërat në një mënyrë tjetër. Gjatë fjalimit që mbajti para qindra studentëve të Universitetit të Harvardit që po diplomoheshin në vitin 2013, ajo deklaroi:“Dështimi është diçka që nuk ekziston. Dështimi është thjesht momenti kur jeta përpiqet të na çojë në një drejtim tjetër”.
Maja Anxhelu
Ka një citat të famshëm që shpesh i atribuohet poetes së ndjerë amerikane Maja Anxhelu: “Bëni më të mirën që mundeni, derisa të keni mundësi të dini më shumë. Dhe kur të dini më shumë, bëni më mirë”.
 
Edhe pse nuk ofron ndonjë këshillë specifike se si të përballeni me dështimin, kjo shprehje mbart një mesazh në lidhje me vazhdimin e planeve edhe nëse ajo çfarë ju jeni duke bërë tani nuk është e përsosur.
E rëndësishme është të përdorim gjithçka që kemi, të fillojmë këtu ku jemi dhe kur të jemi më mirë, të dimë më mirë, të bëjmë më mirë.
Ata që kanë fituar, e kanë dashur më shumë se gjithçka tjetër fitoren dhe nuk i janë dorëzuar sfidave.
Nëse momentalisht po kalon një situatë të vështirë, sekreti është të mos dorëzohesh. Fakti që po provon, rrezikon, fakti që po dështon është një mrekulli.
Këto dështime janë pikërisht rruga jonë drejt suksesit.
Dhe mos harro se jemi të gjithë së bashku në këtë. Nëse nuk ndalojmë, fitorja nuk do të jetë shumë larg.
Please follow and like us: