Albspirit

Media/News/Publishing

Mihal Gjergji: MUZGU NË TEPELENË


Fanota e rrënuar del nga terri
Dhe zgjohet ndryshe, bëhet Tepelenë
Karvane s’ka. S’dëgjohen klithma tmerri
Një tufë kaçakësh bëjnë sikur flejnë
Atje, ndanë udhe muzgu shtron jatakun
Unë rri si murg, me erën them dy fjalë
Një re e zezë ja fsheh kufirit gjakun
Po dita gdhinë e gjaku prap do dalw
Kjo hënë e ngrënë, s’di ç’kërkon në varre
Nxjerr syrin si kusare, në një breg
Të vdekurit janë futur mes të gjallëve
Një italian qafohet me një grek
Shikoj një xhind, një tjetër rend kaluar
Këmbejnë udhët, marrin arratinë
Ca veteranë, në strehën e harruar
Mbi plagë të luftës lidhin fort lavdinë
Litar i fjalëve zgjatet tejendanë
Pazare tokash, postesh, mbretërish
Të gjithë i bien gjoksit si kambanë
E duan qesen, ndryshe s’mund të rrish
Një kishë-fantazmë, një shekull rri në pritje
Temjan e kryq e Krisht i mban në gji
Një makth i largët zbret e bën dremitje
Mos pret të kthehet zonja Shën Mari?!
As Shën Vasiliqia s’paska shkuar
Dhe Hanko Zonja tjetër dhimbje ka
Aliu rend me kokë të prerë në duar
Mëngjezin tjetër zgjohet prapë Pasha
Një ulërimë Hormove ndjen te veshi
I bëhet shall rreth gushës, s’di përse
Rënkon Kardhiqi, mbytet nga rrebeshi
Një mushkë të kuqe nis në Valare

Bajroni më shkel syrin. Hap një derë
E pret Veziri, në prehër perëndish
Të huajt i nderojmë mbi të tjerë
Dhe njeri-tjetrin vrasim pabesisht
Martirët bëjnë roje istikamit
Ja një hero, i heshtur si asket
Dikush ka vjedhur gunën e Selamit
Dhe qënka ngjitur lart në Parlament
Një bujurdi nga larg ma sjell Valiu
Në dy gish letër fjalët si farmak
Dhe Demir Hani, thonë se kështu ngriu
Në lutje e dha shpirtin pak nga pak
-Qytet fantazmë, mallkuar kush të ngriti
Mos e bëfsh qindin…! U shua, ra në gju
Nuk di, nga cili fron rrufeja zbriti
Dhe vetë mëshira lyp mëshirë këtu!
Në vend të gjirit Vjosën pi Hamleti
Se ndryshe s’bëhesh dot, as princ as mbret
-Unë mbaj në shpinë një barrë të rëndë shteti
Dhe nuk kam kohë të flas me një poet!
Tiran ndaj vetes time bëhem prapë
Për gjakun që kam derdhur s’thanë asgjë
Po dhe i vdekur fjalën s’mund t’ua jap
Për tjetër perëndi e kam atë!
Tepelenë, 2021.

Please follow and like us: