Albspirit

Media/News/Publishing

Gjelok Marko: “Ballkani i hapur”, një projekt krejtësisht politik

 

Po të shohim nivelin e diskutimeve dhe mënyrën e argumentimit rreth “Ballkanit të hapur” na kujtohen diskutimet dhe analizat zyrtare rreth të ashtuquajturave “firma piramidale”. Niveli si në sinqeritet ashtu dhe në profesionalizëm nuk ka ndryshuar shumë. Sot nuk do të na kundërvihet dot shumëkush po të deklarojmë se “firmat piramidale” në fakt ishin projekte politike. Nuk do të na kundërvihen dot as për deklaratën se faktikisht këto “firma piramidale” ishin të organizuara nga armiqtë e Shqipërisë e të shqiptarëve dhe kishin si synim përçarjen dhe vëllavrasjen midis shqiptarëve, destabilizimin e Shtetit Shqiptar dhe realizimin e synimeve të vjetra shoviniste të shteteve fqinje.

Nuk është sekret gjithashtu edhe fakti se Putini e Rusia të gjitha synimet e tyre politike në Ballkan mundohen t’i realizojnë me anë të ashtuquajturave “projekte ekonomike”. Këtë fakt e deklaron publikisht, si shumë të tjerë, edhe qeveria bullgare. Me synime të qarta politike qeveria e Rusisë, Bullgarisë i shiste me kushte të favorshme gazin natyror dhe i jepte kredi të ndryshme. Me synime politike gjithashtu paguheshin në mënyrë të hapur e të fshehtë politikanë e gazetarë të korruptuar. Kur qeveria bullgare i tha një “Jo” të vendosur synimeve të politikës ekspansioniste të Rusisë, menjëherë u ndërpre furnizimi me gaz nga Rusia. U ndërprenë gjithashtu edhe të gjitha ndihmat e projektet ekonomike të Rusisë në Bullgari. Gjithashtu vetë qeveria bullgare u kujdes që politikanët e gazetarët e korruptuar të mos marrin më “ndihma ekonomike” nga ambasada e Rusisë. I njëjti fenomen shihet qartë edhe në Malin e Zi. Edhe këtu Rusia investoi në ndërtimin e rrugëve e në shumë projekte ekonomike, po kur Mali i Zi kërkoi të anëtarësohej në NATO, si dhe sa herë që mundohej të ndërmerrte ndonjë hap në kundërshtim me synimet hegjemoniste të Rusisë, gjithmonë këto projekte e ndihma ekonomike shëndërroheshin në armë politike.

Ministria e Propagandës së Edvin Ramës prej kohësh po ofendon inteligjencën e çdo shqiptari duke deklaruar se “Ballkani i hapur” na qënka thjesht një projekt ekonomik i cili nuk ka asnjë lidhje me politikën. Këtij kori të “Ansamblit të Mistrisë Shtetërore së Propagandës” i bashkohen, zëplotë ose me gjysmë zëri, edhe persona që vetquhen “të pavarur” disa prej tyre madje mbajnë grada e tituj ‘Doktor e Profesor’ në shkencat e historisë e politikës. Është fakt i njohur botërisht se të kesh kulturë e të dish të vërtetën është një gjë, dhe të kesh karakterin e fuqinë morale ta thuash hapur këtë të vërtetë, kur ajo bie ndesh me interesat e rrymës së propagandës zyrtare, është diçka krejt tjetër. Sot do të sfidonim të gjithë ata që na deklarojnë e duan të na verbojnë mendjen se “Ballkani i hapur” na qënka një projekt thjesht ekonomik: Ju lutem na jepni, nga gjithë historia njerëzore, vetëm një shembull të vetëm ku ka patur një marrëdhënie thjesht ekonomike midis dy vendeve, kombeve e shteteve? Le të na japin vetëm një shembull nga gjithë historia njerëzore kur shtetet që kanë interesa të kundërta politike kanë mundur të krijojë marëdhënie krejt neutrale ekonomike. Ju lutem na jepni vetëm një shembull që na tregon se marrëdhëniet ekonomike nuk janë shndërruar në armë politike në rastet kur marrëdhëniet, dikur të mira midis dy vendeve, ndryshojnë. Po faktikisht, po të analizojmë të sotmen dhe gjithë historinë botërore nuk gjen dot asnjë shembull të tillë. Pas Luftës së Dytë Botërore ndodhën ndryshime të mëdha politike. Në shumë vende erdhën në pushtet qeveri komuniste. A nuk u pasqyruan këto ndryshime politike në ekonominë e asaj kohe? A nuk u krijua Kampi Socialist, lidhjet e ngushta ekonomike midis qeverive komuniste. Politika drejtoi ekonominë, jo ekonomia politikën. Të gjitha vendet komuniste i krijuan lidhjet ekonomike kryesisht me njëra-tjetrën. Marrëdhëniet ekonomike të vendeve socialiste me vendet jashtë Kampit Socialist ishin po aq të ngushta sa ishin dhe marrëdhëniet politike ndërmjet tyre.

Le të shohim Shqipërinë pas ardhjes në pushtet të komunizmit: Shtetëzimet, kolektivizimi i bujqësisë, tufëzimi i bagëtisë, etj, a nuk shohim këtu se si politika dikton krijimin e srukturave ekonomike në mënyrë që të forcohet pushteti e kontrolli i klasës sunduese në pushtetin e saj ekonomik? A ish kolektivizimi i bujqësisë e tufëzimi projekte thjesht ekonomike? Edhe kur u pa që pasojat e “tufëzimit” ishin katastrofale përsëri nuk u hoq dorë. Përse? Sepse nuk e lejonte politika. Gjithë historia na tregon se është politika që drejton e formëson ekonominë e strukturat e saj. Një politikë e cila nuk arrin të materializohet në marrëdhëniet dhe strukturat ekonomike nuk mund t’i realizojë deri në fund synimet e saj, nuk mund të triumfojë. Synimi final i çdo politike është të krijojë struktura të tilla ekonomike në përshtatje dhe në shërbim të synimeve të saj të sundimit. Vetëm pasi krijon strukturat e saj ekonomike, kasta politike siguron përfundimisht pushtetin e saj politik. Pushteti politik nuk është i sigurt në qoftë se nuk krijohen strukturat ekonomike që vendosin në duart e kastës politike pushtetin ekonomik. Të gjitha ndryshimet ekonomike që ardhën me ardhjen e regjimeve komuniste në Shqipëri e kudo në botë synonin të konsolidonin pushtetin politik të pushtetarëve, pavarësisht se propaganda zyrtare trumbetonte se këto ndryshime bëheshin për të rritur mirëqënien ekonomike të popullit. E njëjta gjë ndodh edhe në rastin e “Ballkanit të hapur”. Faktet tregojnë se Edvin Rama është personi më filoserb që ka mundur të marrë në duart e tij drejtimin e shtetit shqiptar. Në fakt gjithmonë politikanët e korruptuar shqiptarë gjithmonë kanë kërkuar mbështetjen e Serbisë dhe të Rusisë për të realizuar ambicjet e lakmitë e tyre politike. Kjo duket në histori, këtë e tregon qartë dhe e sotmja. Kjo u duk qartë që në fillim me shembullin e Ahmet Zogut i cili pasi në bazë të vullnetit të shqiptarëve u largua nga pushteti u rikthye si sundimtar me ndihmën që mori nga Serbia, me forcën e armëve të ushtarëve rusë.

Enver Hoxha u zgjodh dhe u vu në pushtet nga Dushan Mogusha me synimin që të zbatonte planet e synimet politike të Serbisë ndaj Shqipërisë e kombit shqiptar. Edhe Enver Hoxha e kreu misionin që i ngarkoi Dushan Mogusha: Me forcën e armëve ndaloi futjen e forcave aleate në Shqipëri dhe bëri gjithçka që ish e mundur që Shqipëria të mbatej në zonën e influencës së Rusisë. Kundërshtoi propozimin e Nako Spirut që marrëdhëniet ekonomike të lidheshin me Italinë e jo me Jugosllavinë. E detyroi Nako Spirun të nënëshkruante të gjitha marrëveshjet ekonomike që i propozoi Jugosllavia: barazimin e monedhës, heqjen e doganave etj, megjithse këto marrëveshje ishin shkatërrimtare për ekonominë s shtetit të pavarur shqiptar. Pasi nënëshkroi këto marrëveshje, “Ballkanin e hapur” të Titos, Nako Spiru vrau veten, ndërsa Enver Hoxha shko edhe më tej: I dhuroi Jugosllavisë edhe pavarësinë e shtetit shqiptar duke nënshkruar të gjitha dokumentat që i vunë përpara dhe zyrtarisht e bëri Shqipërinë republikë të shtatë të Jugosllavisë. Fatkeqësisht Edvin Kristaq Rama ia kalon Enver Hoxhës në dashurinë e përkushtimin që ai ka për Serbinë. Enver Hoxha u largua nga Titua dhe anulloi traktatet që kish nënëshkruar kur pa që Jugosllavia e humbi mbështetjen e Stalinit dhe të Rusisë. Madje Enver Hoxha i ofroi Bashkimit Sovjetik mbështetjen e plotë të gjithë shqiptarëve në rast se Stalini do të sulmonte Jugosllavinë. Gjithashtu Enver Hoxha mbështeste hapur zyrtarisht Titon që ish një kroat dhe njihej që zyrtarisht atëhere si person tolerant, nuk ish një person i diskretituar si Aleksandër Vuçiç, një SS i Nazizmit të “Serbisë së madhe”, një  Joseph Goebbels i Millosheviçit. Edvin Kristaq Rama nuk druhet ta quajë hapur “mik të zemrës” një person të tillë. Nuk druhet të keqpërdor pozitën e Kryeministrit të Shqipërisë për t’u bërë avokat mbrojtësi i Alekandër Vuçiçit dhe projekteve të tij jo vetëm në Shqipëri e Kosovë, po edhe në arenën ndërkombëtare. Arrin të ketë absurditetin sa të deklarojë: “Nuk duhet të trembemi nga armatimi i Serbisë sepse ajo armatoset vetëm për qëllime mbrojtëse, kurrë nuk do të sulmojë apo do të bëje presion mbi fqinjët”.

Merr madje guximin të kërcënojë Komunitetin Evropian:

“Mos kërkoni që Serbia të vendosë sanksione ndaj Rusisë, lereni të qetë Serbinë se ju, Komuniteti Evropian me qëndrime të tilla po na rrezikoni paqen në Ballkan” etj, etj: A janë këto qëndrime thjesht ekonomike apo politike?! A nuk del qartë nga të gjitha këto fakte se politika e Kremlinit dhe ajo e Serbisë ka mundur të vendosë në pozitën e Kryeministrit të Shqipërisë njeriun që është i vendosur të zbatojë politikën ruse e filo-serbe në Shqipëri? Kjo gjë ka ndodhur edhe herë të tjera në historinë e shtetit Shqiptar. Historikish nuk mund të mohoet fakti se Ahmet Zogu u soll në pushtet me grusht shteti të organizuar nga Serbia, ku morën pjesë njësitet ushtarake ruse; Enver Hoxha u soll në pushtet nga Dushan Mogusha. Nuk e dimë se sa e si e ndihmuan Rusia e Serbia ardhjen e mbajtjen në pushtet të Edvin Kristaq Ramës, por ama shohim qartë se ai po ua kalon në zellin e dashurinë e tij për Serbinë jo vetëm Ahmet Zogut po edhe Enver Hoxhës.

Para pak ditësh pati protesta në Maqedoni. Protestat ishin në “Maqedoninë e kulturuar dhe europiane” jo në Serbinë që verbohet prej vitesh nga propaganda antishqiptare e tipit nazist të Vuçiçit, nga propaganda naziste e “Serbisë së madhe”. Zyrtarisht deklarohej se shkaku i protestave ish të protestohej kundër kërkesave të Bullgarisë. Po për “çudi” u sulmuan shqiptarët. Ndaj shqiptarëve u veprua si ndaj hebrenjve në pogromet e Rusisë kur turmat sa herë që kish diçka që nuk shkonte u suleshin hebrenjve; u veprua si në Gjermaninë e viteve 30 në “Kristalnacht” e në raste të tjera. Përse u sulmuan shqiptarët nga protestuesit e protestat që u shkaktuan nga kërkest e Bullgarisë? Përse u sulmua monumenti i Gjergj Kastriotit Skënderbeut?!  Në qoftë se kështu do të ish vepruar kundër hebrenjve apo serbëve, po të ishin sulmuar simbolet e tyre kombëtare si dhe qytearët hebrenj apo serbë, si do të kish reaguar Izraeli apo Serbia? Si reagoi Shqipëria e Kryeministri i saj? A përputhen këto fakte me propagandën për “Ballkanin e hapur”?

Dikush mund të na thotë: “Mos bëj pyetje të tilla se Rama të çon në riedukim! Lavdëroje, thuri lavdi Ramës siç ardhurohej e i thurej lavdi Zeusit në Greqinë e vjetër dhe do të kesh përfitime, do të bësh karrierë”. Po ne e kemi parë statujën e Zeusit të shembet, e kemi parë se si tempujt e tij janë rënuar dhe janë shndërruar në rrënoja e vend plerash. Prandaj le të qëndrojmë në të vërtetën. E vërteta triumfon. E vërteta mbetet përjetë!

Zoti i rrëzoftë sa në parë statujat e Zeusve të tradhëtisë në Shqipëri dhe shkatërroftë përjetësisht tempujt e mashtrimit të tyre!!!

Kur një vend drejtohet nga politikanë të ndershëm, ku masmediat janë të lirë nga korrupsioni dhe ku qeveria nuk ushtron presion mbi mjetet e komunikacionit, populli mund t’i besojë propagandës zyrtare. Në rast të kundërt populli e ka për detyrë të thyejë helmin dhe errësirën që shpërndan propaganda zyrtare dhe të luftojnë vetë që të shohin të vërtetën. Politikanët dhe oligarkët e korruptuar i kanë vjedhur popullit shqiptar shumë gjëra. Populli shqiptar nuk duhet të lejojë në asnjë mënyrë që t’i vjedhin edhe qartësinë e mendjes dhe lirinë e shpirtit.

Please follow and like us: