Albspirit

Media/News/Publishing

Shënime të Kadaresë për ngjarjen e 2 Korrikut 1990

Ismail KADARE
O UDHËTAR, TË LUTEM ÇOJA KËTË PUSULLË NËNËS TIME!
“Tirana nuk fjeti atë natë. Ishin 5000 vetë nga një kryeqytet i vogël. Ishte njëlloj sikur Parisit t’i iknin 120.000 të rinj, ose Moskës 200.000. Ç’nuk u fol e ç’nuk u pëshpërit ndërsa mbrëmja mbulonte kryeqytetin. Dihej se do të iknin me tren, për të hipur në vaporë në Durrës, por askush s’e dinte orën. Ata kaluan rreth orës një të natës, të errët e të heshtur si arkivole. Dëgjohej vetëm gulçima e motorëve. Kur trenat u nisën drejt Durrësit, pati disa thirrje e brohoritje, por para hyrjes në vaporë plasi vaji. Nëpër terr puthnin tokën, pastaj shtyheshin në atë drejtim ku vendi i tyre mbaronte dhe fillonte uji. Të nesërmen pa gdhirë mirë, nëpër rrugët nga kishin kaluar autobuzët, kalimtarët gjenin copëra letrash me një adresë ose një numër telefoni sipër, zarfe që kishin brenda fotografi, para (lekë) ose ndonjë kujtim. Shumica e tyre, përbri adresës ose telefonit, kishin ndonjë frazë për kalimtarin që do t’i gjente. O udhëtar, të lutem çoja këtë pusullë nënës s’ime.Ndonëse ishin shkruar me duar fare të ndryshme, ato kishin pothuajse pa përjashtim një stil, atë të mbishkrimeve mbi varre. Ajo që ndodhi të nesërmen ishte më e keqe se një dhunim varreze, më shpirtkazmë se një masakër. Ishte një miting. Një miting i organizuar nga Partia. Për t’u gëzuar për ikjen e 5000 të rinjve shqiptarë. Për të brohoritur atë vdekje. Për t’i treguar kombit shqiptar se Partia ishte më e fortë se kombi, se ajo , jo vetëm shkelte mbi lidhjet e gjakut, por e detyronte kombin të duartrokiste atë shkelje”-
___
*Ismail Kadare, shkruar për ngjarjen e quajtur “Dy korriku 1990”
Please follow and like us: