Albspirit

Media/News/Publishing

PILURI I MAGJISË POLIFONIKE

Zaho Golemi – Nexhip Onjea – Irfan Birbilaj – Trifon Golemi


Labëria e lavdisë, historisë dhe sofrës së këngës polifonike

Labërinë nuk mund ta ndash nga disa tipare e karakteristika që e lidhin fort me historinë, luftrat për liri, me lavdinë dhe triumfin që në fakt e gjithë historia e saj është e shkruar në këngë, këngë trimash, këngë dashurie, këngë atdhetarie, madhështi malesh, forcë dhe ashpërsi, legjenda, krenari e dinjitet, muzë të thellë mesazhpërcjellëse, poetizëm dhe lirika të dashura. Që të gjitha të shoqëruara nga shumëzërash labe me bukuri të veçantë, me muzikalitet mahnitës, me zëra që çajnë qiejt, me stile muzikore, “lapçe vëndçe”, himariotçe, piluriote, dukatase etj, me pak fjalë “fshat e zanat” në polifoni. Madhështia e natyrës, peizazhi, jetesa, karakteri i fortë dhe i vendosur, temparamenti burreror, krenaria, tradita, dasmat, kuvendet, kapedanët e prijësat, të rënët betejave, hallet e jëtës kanë qenë shekujve objekt i krijimtarisë popullore labe të shndruar në këngë, në këngë që u mbijetoi shekujve dhe u rrit, u kultivua dhe rrugëtoi nëpër shekuj. Lebërit e zhvilluan jetën artistike folklorike të veçuar, larg ndikimeve të kulturave të huaja sipas kushteve natyrore, duke mbetur autentik në folklore, etnikisht të pastër, konseguent aristokrat nëpër shekuj, kulturë polifonike që nuk mundi ta cënojë dhe asimiloje kultura e pushtimeve. Pastërtia etnike e polifonisë labe mbeti stoike në kulturën muzikore popullore labe. Nga amatorizmi rinor labërishtja perfeksionohej në odat labe në mënyrë të tillë, që “pjekja” e zërave habiste dhe çudit edhe profesionistët muzikorë e studiues modern të folklorit e vlerave folklorike. “Shkolla polifonike” ishte e ngritur gjithmonë në çdo fshat të Labërisë dhe mëkohë në ambjentin familjar në traditën e zakonet në të gjithë Labërinë. Marrësi, kthyesi dhe hedhësi ishin profesionistë, që udhëheqnin këngën labe, por edhe isoja e polifonisë ishte sinkron që mësohej në çdo oxhak të ndezur të Labërisë. Edhe në kohë gjëme e pushtimi prushi i labërishtes ngrohte dhe zgjonte shpresa e gëzime për jetën. Në gadishullin e Ballkanit, kënga polifonike shfaqet si kulturë muzikore ekselente karakteristikë për Labërinë, disa treva shqiptare si dhe në disa popuj të ballkanit e më gjerë. Por Labëria e shtrirjes sipas përcaktimit të Sami Frashërit, gjallon polifiona popullore karakteristikë e trashëgueshme brezave. Labërishtja jonë polifonike nuk ngjan me polifoninë sllovake, poloneze, ukrainase, kaukaziane, balltikase, korsikiane apo italiane.
Profesor Çabej që në rininë e tij në vitet ’30-të e cilëson këngën labe si, “.. përshtypja akustike e krahasueshme me tingujt e këmborëve e zileve..”. Na vete kënga zile, ishte shprehja tradicionale, që provohej me saçin që i vendosej një fije bari, që vibrimi harmonik e bënte labërishten, të shkonte “në vrimë të gjëlpërës”, duke u testuar dhe merituar vend nderimi e respektimi në shoqërinë labe dhe përtej saj. Udhëtari që vjen nga ajri, toka dhe deti në brigjet joniane kur hedh vështrimin në Himarë, mbi të shikon një fshat të shenjtë sikur perandia t’i ketë gjetur vend me mik. Me mal, me det, me ajër, me këngë, me bejte e romuze, që dinë të ngacmojnë dhe duan të ngacmohen me romuze, me një pyll që përkëdhel tokën e stërralltë të historisë dhe këngës në Pilurin e Bejkës së Bardhë, në Pilurin e lirikut të madh kombëtar Lefer Çipa,.. Çdokush do të ndalte shikimin për një çast mbi këtë “çati” mbi Himarën labe. Në ditët e festivalit folklorik ‘Bejka e bardhë’ e bën Pilurin të ngjajë si një fron mbretërie, një sofër gjithmonë e shtruar e këngës labe. “Mirësevini në Pilur”, përngjan joshes në sheshin kryesor të fshatit në një sipërfaqe të rrafshët në qendër në mes kreshtave të ashpra, por edhe dy foto sinjifikative të Lefer Çipës dhe Hyso Xhaferaj duket se na ftojnë në
përjetësi kënge polifonike.

Piluri një mal me këngë dhe amaneti i Lefter Çipës

Piluri është një copëz e truallit të Labërisë, vendi ku si në çdo fashat lab u formua dhe kristalizua ndërgjegjia artistike banorëve që mbartën këngën polifonike si një ndër dëshmitë më elokuente të talentit të popullit. Labërishtja është kulturë e labërve, është art i tyre i krijuar, interpretuar e përjetuar dikur në mjedise të ngushta, familjare dhe që më vonë doli edhe në mjedise të hapura si kulturë polifonike labe, që u shqua për dimensionin vital frymëzues. Piluri mbart një histori kënge dhe monumentin këngë e ngriti dhe e bëri të njohur Lefter Çipa, me akademizmin e vlerave folklorike pavarësisht nga niveli arsimor i interpretuesve. Polifonia shquhet për nervin kolektiv të interpretimit, ku sinkronimi i zërave merr rëndësi parësore. Frymzësimi i polifonisë na bëri të marrim rrugën për në Pilur dhe të
rrugëtonim përmes Lumit të Vlorës, nëpërmjet një rruge tërësisht të re që na nxorri shpejt në bregdetin e Qeparoit dhe prej andej në Pilurin e Bejkës së Bardhë që për dekada për nga vlerat e interpretimit është këngë epokale: “O duke tundur zbret nga mali,/Me shaminë lidhur te balli./Tundu moj bejkë e bardhë, tundu,/Natën me hënë, duku/Bejkë e bardhë e borë e malit,/Ti je ilaçi i çobanit./Kur mbush ujë te burimi,/Më dukesh si lule prilli./ Natën-ë pa gdhirë mirë,/Do takohem me barinë./Bëj të flë, gjumi s'më zë,/Cula moj bie ëmbël-ë,/E dëgjoj e gëzon xhani,/I bie djalë çobani.”. Piluri është në festë, Piluri është në këngë… – Rruga gjarpëronte nëpër luginë të veshur me gjelbërim deri mësmalesh dhe me pllaja të larta të zhveshur për bagëtitë e banorëve të sertë të këngës. Pastaj vargu i makinave me flamuj kombëtar dhe flamuj të grupeve polifonike nga Kuçi zbrisnin në Qemparo, përshkojnë një copëz bregu të Jonit dhe sërish ngjiten për në Pilurin e festës së Bejkës së Bardhë.Përgatitja për sofrën e këngës ishte serioze. Kostumet tradicionale dhe atmosfera e ndezur e bëjnë këngën polifonike më kumbuese. Ngjitemi nga Kthesa e Himarës pranë gjirit të Llamanit, ku zbritën anglezët në LIIB, dhe mbijmë përmes ullishtesh e valanidhësh në një fushë të bukur tejet të sheshtë në Vumlo, sipër saj lartësia 707, ish Vendkomanda e kohës së Luftës së Brigadës së Këmbësorisë të Bregdetit. Na u kujtua kjo vendkomandë se duket sikur kënga labe është e aftë që të hedhë në sulm një brigadë të tërë. Grupi polifonik “Papa Zhuli” i Fushëbardhës ambicioz në këtë festival vjen për herë të parë me dy këngë. Gjithë grupi i Fushëbardhës me moshë relativisht të re (nga 18 deri në 40 vjeç), ishte me emocionin e festivalit. Në vendlidjen e të madhit Lefter Çipa, serioziteti për këngën ishte i tillë se Bardi i Polifonisë do ta vëzhgonte nga qiejt festivalin që e kishte bekuar vetë, për ti dhënë jetë fluturimit mahnitës polifonik në vendlindjen e tij. Ne shkonim me shpresë të bënim emër të mirë, pse jo të fitonim edhe çmim. Drejtori i festivalit Kristo Çipa ishte gjithmonë në lëvizje, mikëpritësi i gjithë polifonistëve. Fakt është se “Kaonët” e Delvinës e ndezën flakë skenën, edhe pse era frynte si e “marrë”, nuk mundi ta zbehte magjinë e këngës të natës së parë. Në cep të skennës Lefter Çipa që buzëqeshte nga një portret i spikatur. Ai kishte zbritur nga qielli të gëzonte bashkë me ne. Në krah të tij Hyso Xhaferaj gati sa nuk thoshte: “çani qiejt!” Mbase ishte amaneti që la “ylli që ndezi zjarre,/fosforinën shqiptare”. Ky ishte refreni i këngës së grupit të Fushëbardhës kushtuar birit të Kallaratit të Labërisë. Hyso Xhaferaj u kthye në oshëtimë nga gjithë kori që kishte mbushur sheshin “Lefter Çipa” të Pilurit. Para sysh na kaloi fëmijëria, festivalet folklorike të Gjirokastrës që prej kohës së “Bejkës së Bardhë”. Situatë emocionale gati e njejtë, por kësaj here në lartësitë e Pilurit mbi det që këngën e përcillte jehonë mali dhe deti. Dikur në Gjirokastër 27 netve të FFGJ, 27 grupe në FF Pilur. Juria vlerësonte këngët e reja sepse ato që ishin të kënduara e kishin marrë vlerësimin popullor dhe juria i shoqëronte me këngë. Kriteret strikte të festivalit synonin krijime të reja, interpretime të reja, këngëtarë të të gjitha moshave, vlera e interpretimit, pse jo edhe e gjestilacionit dhe bukurisë në sinkron të këngës, kur ajo kishte mesazhe të fuqishme të përcjelljes tek publiku dhe mbi të gjitha harmonizimi në tërësi i këngës, që vit pas viti e bën gjithmonë e më profesioniste labërishten të mbështetur fuqishëm në traduitë pa shtuar e devijuar në këngën e traditës. Kronika historike e këtij fshati nuk flet vetëm për pesë a gjashtë fise por për dhjetra oxhakë-fise me vlerë si Tavajt, Qesaraj, Gjinaj, Dedlagjaj, Gjikëdhimaj, Krekaj, Kokaj, Gjonaj, Gjimashaj, Kacaj, Priftaj, Çipajt, Mërkuraj, Bajlaj e shumë të tjerë. Pilurjotët e kanë prejardhjen nga fshati i vjetër në verilindje të fshatit të sotshëm, Pilur. Nga
fshati i vjeter janë larguar rreth vitit 1650. Pilurjotët fillimisht shkuan në Kastanë por shpejtë u larguan prej andej dhe u vendosën në fshatin aktual Pilur ku jetojnë pothuaj përrreth katër shekuj. Sikundër kanë lëvizur shqiptarët në katër vilajetet, flitet edhe për të ardhur dhe të ikur nga Mirdita, Dukagjini, Shala dhe treva të tjera shqiptare, por e rëndësishme është se të ardhur apo të larguar polifoninë labe e kanë mbajtur gjithmonë të gjallë e vitale.
Festivali i “Bejkës” drejt konsolidimit të përvitshëm

Ideja e festivalit u materializua që prej tre vjetësh dhe synon të kthehet në traditë, pse jo edhe të shtrihet në fshatra të tjera duke përhapur magjinë e këngës sikurse ndodhi këtë herë që pas konkurimit në Pilur, performanca labe ndali edhe në Nivicë të Kurveleshit dhe këtë e mundësonte pikërisht rruga e re e asfaltuar që “çan”, lidh dhe bashkon kryq e tërthor gjithë Labërinë. Të prokupuar për ta ngritur “stekën” e festivalit janë Kristo Çipa, Aleksandër Lefter Çipa, kryeplaku Dritan Bala e dhjetra të tjerë që kanë organizuar hapjen e mbi 50 shtëpive, ndërkohë që gjallëria e verës bën që fshati të ketë mbi 300 banorë, pasi fëmijet kthehen për muajt e verës si dhe për pushime. Drejtori i festivalit Kristo Çipa, i kudogjendur është falënderuesi zyrtar për gjithë pjesmarrësit në edicion e tretë, ku nga gjithë treva labe kishin ardhur mbi 300 këngëtarë dhe krijues të apasionuar të labërishtes. Supbashkuar në qendër të Pilurit rreth rrapit degërëndë rreth 300 vjeçar, nuk gjen shumë hapësira boshe. Edhe grupi “Shota” i Kosovës martire i bën nder festivalit. Edhe rruga Himarë-Potam e deri në Pilur ka marrë një gjallëri mbresëlënëse, sepse nuk janë parë asnjëherë kaq shumë makina që gjarpërojnë deri këtu lart në Pilurin e këngës. Edicioni i tretë i Festivalit “Bejkë e Bardhë” solli më 3 deri më 5 qershor në Pilur qindra artistë e turistë, përshëndetën festivalin grupe e asamble nga jashtë kufijve shtetëror, nga Kosova, Maqedonia e Veriut, emigracioni e diaspora. Ndërsa për infrastrukturën skenike, përkujdesja teknike e dekorit, fonisë dhe promovimit të festivalit është në rrugëtim të mbarë. Këngët e vjetra u kombinuan me këngë me tekste të reja me vlerë dhe me mesazhe të rëndësishme që u përcollën për publikun. Qendra pilurjote e Bejkës së Bardhë, po fiton qytatarinë si këngë vënçe labçe shqiptare. Fakt është se Vasillo Lapa Koka marrësja e famshme e “Bejka e bardhë” u bërë njësh e trupëzuar në atë simfoni lirike pilurjote me kthyesin e talentuar të këngës piluriote Qiriako Bala, hedhësen Athina Bala të shoqëruar me avazet baritore të dyjares së Margarit Kongjinit e fyellit të Milto Gjiçalit e Arqile Lapës, një trio instrumentistësh popullorë mahnitëse, që e bënte skenën e festivalit të mbante frymën. Këtu e kanë rrënjën përveç “Bejkës së bardhë” edhe interpretimet e këngëve si: “Lule e verdhë e bar’ i njomë”, “Shko, moj, shko, kuacë e kuqe”, “Sorkadhe me rrëmba shkruar”, “Cula e Labërisë”, “Telave zogjtë këndojnë”, “O bo, bo ç’qënka sevdaja”, “Vesha mjergullën e hollë”, “Sofia, vetull stuhia”, etj., një fond i tërë i artë këngës polifonike labe.

Poetë, vjershëtorë, rapsodë, këngëtarë virtuozë, si bleta plot ngarkuar me këngë

Labëria i ka me shumicë poetët, prandaj edhe Dritëro Agolli më 1978 thoshte, “Lebërit janë të gjithë poetë dhe këngëtarë”. Ndërkohë që korifenjtë e Labërisë që kanë bërë epokë i prin Lefter Çipa (Pilur, Himarë), Kujtim Mici (Tërbaç, Vlorë), Muhamet Tartari (Vranisht, Vlorë), Feti Brahimaj (Lapardha, Vlorë), Teno Lona  (Fterrë, Sarandë), Tomorr Lelo (Smokthinë, Vlorë), Sejmen Gjokoli (Zhulat-Vlorë), Dule Havari (Dukat, Vlorë), Hamdi Pulo (Tragjas,
Vlorë), Zaho Balili (Rexhin, Tepelenë), Maliq Lila, Halil Bello (Fushëbardhë), Pajtim Graçi (Kolonjë), Nexhip Onjea (Fushëbardhë), Kristo Çipa (Pilur), Albert Abazi (Tërbaç)… një listë që nuk do të mbarojë kurrë, sepse i tillë është deti i krijimtarisë së këngës labe. Edhe ata që s’janë në jetë fizikisht janë të pavdekshëm dhe jetojnë me të gjallët, jetojnë me këngët e tyre në Labëri dhe në të gjithë shqiptarinë. Kënga e Fushëbardhës ishte tejet e spikatur: “Vijnë
bijtë e Papa Zhulit” erdhi me një paraqitje spektakolare, kënduar nga Sefer Muho, Astrit Muho, Hosho Onjea, Xhire Onjea, Trifon Golemi, Elton Muxhai, Klaudio Onjea, Hetem Tefa, Alvaro Nora. Të gjithë të zgjedhur me dorë, por “Barku i Shënmërisë” në Fushëbardhë ka me shumicë virtuozë që e kanë profesion këngën. “Ylli që ndeze me zjarre,/fosforinën shqiptare” ishte refreni i këngës “Mbete degë trëndafili”, kushtuar këngetarit virtuoz të këngës polifonike Hyso Balil Xhaferaj, i cili unda nga jeta para katër muajsh: “Jetoftë me yjet!/Si pëllumb i bardhë mbi retë,/dërgon urata me diell,/..në tokë u shua një jetë,/por u ndez një yll në qiell…”. Radio, Televizione, gazeta e portale përcollën këtë evenimet kombëtar të polifonisë labe… Ndërkohë që Piluri dhe mbarë bregdeti jonian përcillte këngën polifonike “Vijnë bijtë e Papa Zhulit”, të grupit polifonik “Fushëbardha”, që çeli siparin e konkurimit në
festivalin “Netët e Bejkës së Bardhë” në Pilur, ku u nderua me çmimin e dytë midis 25 grupeve pjesmarrëse. Poeti Nexhip Onjea e kishte gdhendur enkas në mënyrë të posaçme këtë këngë: “Në vëndlindjen e poetit,/ku malet mbi valë rrinë,/shtruar në sofrën e mbretit,/Fushëbardha ngre dollinë,/Ref: Vijnë bijtë e Papa Zhulit,/me firmë e vulë të
Kanunit!/Bejk' e bardhë ngrihet në këmbë,/e ndez qiellin me zjarre,/vjen e na futet në këngë,/kënga bëhet zonjë e madhe./Ref: Bilbilat mbulojnë vëndë,/thëllëzat zihen në valle./Si dritë ylberi në vargje,/ngrihet Naim Shqipëria,/çelin lule këto pragje,/po vjen Lefter bukuria./Ref: Nuk thahet brumi në magje/ndizet këngë Labëria./Pilur o kështjellë e këngës,/na mblodhe bletë në zgjua,/i hape portat e zëmrës,/ndaj këngën ta kemi hua./Ref: Kënga në kala të këngës,/rrjedh e gurgullon si krua./ku foshnja në gji të mëmës,/rritet me këngët e tua”. Ndërkohë kur ka këngëtarë ustallarë deri në palcë si Sefer Hajdin Muho kënga bëhet edhe më e bukur. Kjo këngë shpërthyese shpërndau furishëm ërë flladi dashurie, malli dhe amaneti në kështjellën e sofrës së këngës piluriote. E bukura në Pilur ishte se nga “stogonet” e shekujve, por dhe nga pluhuri i kohës u nxorrën thesare të diamanta që
shkëlqyen në skenën e isopolifonisë pilurjote, ku lëvruesit e kulturës popullore lave sollën lëndinë të begatë folklorike si dhe shpirtin e paepur të labit përballë çdo rrebeshi të kohrave. Pjesmarrja masive nga bashkia Himarë, Vlorë, Selenicë, Mallakastër, Memaliaj, Tepelenë, bashkia Gjirokastër, me Lunxhërinë, Fushëbardhën dhe grupin ”Argjiro”, “Kaonët” e Delvinës dhe Grupin e Sarandës, “Zëri i traditës” nga Patra e Greqisë,aktori i madh Bujar
Asqeriu “Nderi i kombit”, bënë që manifestimi kulturor tradicional në Pilur realizuan publikisht amanetin e Lefter Çipës, Qirjako Balës, Vangjel Gjiçalit, Sofo Gërdhuqit, Foto Mërkurit si dhe mikut të Pilurit disa herë pjestarë të grupit të Pilurit, Hyso Xhaferaj nga Kallarati.
Juria e zhytur në detin e këngës labe

Mes personalitetesh dashamirës të labërishtes ishin artistë, miq të Leftër dhe Kristo Çipës, miq e dashamirës të Labërisë, të Pilurit dhe të mbarë Labërisë. Deti i këngës së pafund dhe këngëtarë të spikatur u ngjitën në skenën e festivalit me mantelin e profesionistëve, me kostumet tradicionale një kulturë e dallueshme nga trevat e tjera, xhamadanqëndisur me zbukurime të përcjellë brezave. Grupet polifonike të Vlorës, Gjirokastrës, Tepelenës me
veshjet dalluese po mbërrijnë nga çdo zonë labe, secili fshat ka polifoninë, marrësit, kthyesit e hedhësit, kanë ison unike të tipizuar me kolorit të pasur. Të gjithë bashkë për festën e Pilurit. Angazhim serioz kishte edhe juria e festivalit e përzgjedhur me figura mjaft të rëndësishme të poezisë, këngëtarë, aktorë, regjisor, njerëz të shquar të artit dhe kulturës shqiptare. Në poltronin e Jurisë nuk ishin zgjedhur por ishin përzgjedhur Nexhip Onjea- kryetar, Bujar Asqeriu “Nderi i Kombit”, Vasillo Lapa Koka marrësja e këngës së famshme, “Bejkë e bardhë”, Ermioni Mërkuri dhe Spiro Çakalli, profesionistë dhe seriozë në vlerësime.
Juria ka mundësi që të vëzhgojë gjithçka ndodh në një fshat festival kënge. Për Lefterin e Pilurit kanë ardhur miq të largët nga Suhareka, e Rrafshi i Dukagjinit, artistë e deputetë, gazetarë e operatorë televizivë, nga Radio Tirana, nga televizionet modern, gazetarë të gazetave të përditshme shqiptare, por edhe nga portalet që dalëngadalë po ju zënë vendin gazetave si lajmëtarë të lajmit të fundit të çdo minute që transpetojnë lajme në kohë reale në 24 orë të ditë-natës. Në fund të festivalit “Bejkë e bardhë”, juria me seriozitetin që i karakterizonte shpalli tre fituesit kryesore: çmimi i parë, Lefter Çipa dhe grupi i Bolenës. Çmimi i dytë: Maliq Lila dhe grupi i Fushëbardhës. Çmimi i tretë: Feti Brahimi dhe grupi simpatik i fshatit Vajzë; ndërsa çmimi special, Haxhi Dalipi dhe grupi i Romësit. Të gjithë të
kënaqur dhe me ambicje për më shumë dhe më mirë në të ardhmen.

“Mirëardhshi sërish në kalanë e madhe të këngës labe në Pilur”!

Shkuam dhe u kthyem me këngë, me mbresa të jashtëzakonshme, me premtimin e rikthimin të përvitshëm në festivalin e përvitshëm të “Bejkës së Bardhë”. Ndërkohë që promovimi i librit të Kristo Çipës “Mjeshtër i Madh”, që erdhi në këtë festival edhe me librin me poezi: “Ku ta lidh ëndrën”, ishte qershia mbi tortë në këtë dasëm të këngës polifonike në Pilur. Autori Kristo Çipa u këndon shumë këngëve por ne ndalëm në njerën prej tyre, kur i këndon
“Shqiponjës”, zogut krenar, të flamurit tonë nëpër shekuj flamurit mijëravjeçar , kërkon që kjo botë e trazuar: “…mos të ketë frikë nga simbolet me Shqiponjë, pasi sa të jetë toka: “trupin do kërkojë koka”. Kështu që coptimi i trojeve shqiptare nga 165 mijë km katrore, në 95 mijë dhe pas viteve 1878, 1913, 1920,1946 ngeli në 28748 km katrorë. Shqiptarët në fakt nuk kërkojmë asgjë më tepër përveç atyre ,që caktoi Kuvendi i Vlorës së Ismail Qemal Bej Vlorës më 28 Nentor 1912, një Shqipëri Natyrale, në kufijtë që ua kanë lënë trashëgim të parët. Ky zë vjen nga Kristo Çipa, një burrë lab i bregdetit të Jonit. Dikush në zbritje thotë se, “është e vështirë rruga për në Pilur, por edhe shton, “e papërsëritshme kënaqësia”. Dhe këta kënaqësi e përmbushi më së miriperformanca cilësore e Festivalit Folklorik ‘Bejka e Bardhë’, dhe veprimtaritë promovuese të librave. Jo vetëm festivalistët por dhe vizitorët qenë edhe më të shumtë. Fotografojnë me celularë, por dhe fiksojnë me video këto momente magjepsëse të këngëve. Ndërkohë sjellim në vëmëndje se rruga lidhëse me aksin Kuç-Qeparo pas zgjerimit dhe asfaltimit e bën gjithënjë e më të shkurtër por dhe më të afrueshëm Pilurin e këngës. Ne dhe gjithë pjesëmarrësit marrin me vete kujtime, zbresim me muzikën e folkorit si pasuri e jashtëzakonshme botërore. Edhe gjiri poshtë i Himarës së bukurive duket se na thotë,
para krahëve tanë: “Mirëardhshi sërish në sofrën e këngës”, në Pilurin e këngës, të besës dhe të humorit.

Please follow and like us: