Albspirit

Media/News/Publishing

22 korrik 2010/GJND: Pavarësia e Kosovës është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë bëri publik mendimin rekomandues për Kosovën ku thuhet se Deklarata e Pavarësisë është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. Gjykatësi Owada duke dhënë vlerësimin për pavarësinë e Kosovës. “Deklarata e shpalljes së pavarësisë së Kosovës është në përputhje të plotë me të drejtën ndërkombëtare”. Ishte kjo përgjigja e Gjykatës Ndërkomëtare të Drejtësisë në Hagë, ndaj kërkesës së Serbisë, që organi më i lartë juridik i Organizatës së Kombëve të Bashkuara të përgjigjet në pyetjen: “A ishte Deklarata e njëanshme për pavarësi e shpallur prej organeve të përkohshme të vetëqeverisjes, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare”?

Në emër të 15 gjykatësve të GJND-së, kryetari i saj Hisashi Owada bëri të ditur se gjykatësit kanë marrë parasyshë të gjithë elementet e rëndësishme për këtë proces dhe kanë konstatuar se ky institucion e ka të drejtën që të japë mendimin juridik për çështjen e shtruar. Në shpjegimin që zgjati rreth një orë e gjysëm, japonezi Owada fillimisht përshkroi rrethanat që kanë sjellë deri tek shpallja e pavarësisë dhe rikujtoi dokumentet që janë nxjerrë lidhur me Kosovën.

Pro pavarësisë votuan shumica e gjykatësve

“GJND konsideron se e drejta e përgjithshme ndërkombëtare, nuk përmban asnjë dispozitë me të cilën ndalohet shpallja e pavarësisë së Kosovës. Përkundrazi GJND-ja konstaton se pavarësia është shpallur në përputhje me të drejtën ndërkombëtare”, theksoi Owada. Vendimi se Deklarata e Pavarësisë së Kosovës, e shpallur me 17 gusht të vitit 2008, nuk e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare, është marrë me një shumicë të bindshme të votave të gjykatësve. 10 gjykatës ishin të këtij mendimi, ndërsa katër ishin kundër. Owada shpjegoi gjerësisht edhe mendimin e Gjykatës për pohimet e Serbisë dhe mbështetësve të saj, se pavarësia e Kosovës është shpallur në kundërshtim me Rezolutën 1244 të KS të OKB.

Rezoluta 1244 nuk e ndalon shpalljen e pavarësisë

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë konstaton se Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së është nxjerrë me qëllim që t’i jepet fund pushtetit të Serbisë në Kosovë. Ajo parashikon administrimin e përkohshëm ndërkombëtar të Kosovës prej UNMIK-ut, i cili kishte për detyrë të ndihmojë krijimin dhe forcimin e institucioneve vendore. Gjykatësit ishin të mendimit se Rezoluta 1244 kishte karakter të përkohshëm dhe se nuk e ndalon zgjidhjen e statusit të Kosovës. Përkundrazi parashikon krijimin e kushteve për një zgjidhje të përhershme. “GJND-ja konkludon se nuk mund të pranohen argumentet se Rezoluta 1244 parashikon ndalimin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës”, theksoi Owada. Të këtij mendimi ishin 9 gjykatës të GJND-së ndërsa pesë ishin kundër. Kryetari i Gjykatës konstatoi po ashtu se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ishte në kundërshtim as me Kornizën Kushtetuese, të miratuar në kohën e UNMIK-ut.

Please follow and like us: