Albspirit

Media/News/Publishing

Gersa Rrudha: KU DUHET TË SHKOJNË INTELEKTUALËT?

Jehona e rolit dhe ndikimit të intelektualëve ose e veprave të të diturve të të gjitha kohërave ka ekzistuar gjithmonë e forte në zemrat e njerëzve të çdo vendi. Por, po kaq i përhershëm ka qenë edhe transformimi i realitetit në të cilën ata punonin dhe përfaqësonin, duke bërë që të fitonin herë pas here një ndërgjegje të re karshi këtyre realiteteve të transformuara.
Në këtë rrjedhë të gjatë kohore mund të ndërfusim edhe periudhën në kapërcyell të viteve 900, ku ndihet një ndryshim i kulluar i mënyrës së perceptimit të realitetit dhe konceptimit të shkencës, për shkak të zbulimit të kohës si “periudhë” nga ana e Bergsonit, të “pandërgjegjes” nga ana e Frojdit dhe të relativitetit nga ana e Anjshtajnit. Të gjitha këto përmblidhen në atë që u quajt “shoku i modernitetit”, pasi që atëherë e shkuara dhe e tashmja, koha dhe hapësira, shkaku dhe pasoja, ndërgjegjja dhe pandërgjegjia, nuk janë më të dhëna absolute, por relative.
Një shkrimtar i madh si Luixhi Pirandelo e përshkruan kështu çorientimin e ndërgjegjes moderne, si pasojë e këtij transformimi: “Në mendjet dhe zemrat e të gjithëve mbizotëron një konfuzion i jashtëzakonshëm. Me normat e vjetra tashmë të rrënuara dhe me normat e reja ende të pastabilizuara, është e natyrshme që koncepti i relativitetit të gjithçkaje të jetë zgjeruar fortësisht brenda nesh, duke arritur deri aty sa të humbasë përmasën e tij. Askush s’ arrin dot të stabilizojë diçka të qëndrueshme dhe të pashkatërrueshme. Termat abstraktë e kanë humbur vlerën e tyre, duke çliruar ato fijet e marrëdhënies së përbashkët që i bënin të kuptueshëm nga të gjithë. Jeta jonë, s’ka qenë kurrë ndonjëherë, etnikisht dhe estetikisht, kaq e shpërbërë. Rrjedh prej këtij këndvështrimi, pjesa më e madhe e sëmundjes intelektuale të kohës sonë”.
Kjo masë e theksuar relativizmi ka ardhur duke u rritur dhe forcuar akoma më shumë me zhvillimet e vrullshme të teknologjisë së dekadave të fundit. Ndaj simptomat e kësaj ndërgjegje duket të jenë rënduar gjithnjë e më tepër. “Unë di sepse jam një intelektual, një shkrimtar që kërkon të ndjek pas gjithçka që ndodh, të njohë gjithçka që shkruhet, për të imagjinuar gjithçka që nuk dihet ose që heshtet; për të koordinuar edhe fakte të largët me njëri-tjetrin, që arrijnë të bëjnë bashkë copat e ç’organizuara dhe fragmentare të një tabloje të tërë, koherente, politike, për të vendosur logjikën aty ku duket të mbretërojë arbitrariteti, marrëzia dhe misteri”. Kështu, shkruante në vitet 70-të shkrimtari Pier Paolo Pazolini mbi rolin e intelektualit.
Po si shfaqet vallë ky rol në shoqërinë e sotme dhe në politikën moderne? Tre janë librat më të spikatur të këtyre viteve në analizimin e mundësisë së intelektualëve për të ndikuar në realitetin shoqëror të kohës. Që përpara 25 viteve, sociologu i famshëm Zygmunt Bauman, boton një libër të kthyer tashmë në një klasik, me titullin “Legjislatorë dhe interpretë” (të përkthyer në versionin italisht me emrin “Dekadanca e intelektualëve”). Sipas tij transformimi që epoka post-moderne e fillimit të viteve 80-të të shekullit të kaluar kish provokuar mbi intelektualët, kish sjellë kalimin e rolit të tyre nga “legjislatorë” dhe këshillues të “princërve”, të aftë të sugjerojnë një rend shoqëror në bazë të ndërgjegjes së vet, siç pat qenë për shumë kohë, në rolin e një “interpretuesi” të thjeshtë, në rolin e një “rripi transmisioni” midis pjesëve të ndryshme të shoqërisë, që tashmë, në kohët moderne, arrijnë t’i marrin vetë vendimet, pa dëgjuar shumë mendimet e të “mençurve”.
Nëse mentaliteti i shoqërisë zanafillore moderne ishte se lumturia e individit varet fortësisht nga ekzistenca e një “shoqërie të mirë”, mentaliteti i shoqërisë së sotme, që ai e përkufizon si “likuide”, bazohet në parimin se domethënia unike e një “shoqërie të mirë” qëndron në të drejtën e individëve për të ndjekur në mënyrë intelektuale lumturinë e tyre. Me fjalë të tjera, mentaliteti i “mbledhësve” në kohë të të mirave materiale, sot gjen gjithnjë e më pak mbështetës.
Në përgjithësi, ky mentalitet priret të zëvendësohet nga mentaliteti i gjahtarit; lumturia e gjahtarit rritet në mënyrë proporcionale me numrin e trofeve që ai ka në aktivitetin e tij; gëzimi i tij nuk shkatërrohet aspak nga mendimi se suksesi i sotëm mund të zvogëlojë numrin e preve të së ardhmes, duke vënë kështu në rrezik mundësinë e suksesit të gjeneratave të ardhme. Kjo nënkupton që individët post-modernë janë më egoistë se sa individët e shoqërive të vjetra. Për këtë arsye, Bauman interesohet të vërtetojë bashkë me këtë “përkeqësim” të egoizmit individual, edhe parabolën elitare kulturore.
Nga mbajtësit e pushtetit “të ndikimit” të dikurshëm, intelektualët sot janë detyruar të bëjnë vazhdimisht “llogari” me vetveten. E pas këtyre “llogarive” u mbeten vetëm dy mundësi: të vijojnë të riprojektojnë botën dhe strukturat e saj apo të bëhet ndërmjetës ose më mirë përkthyes mes “palës” së klasës udhëheqëse dhe asaj të sunduar. Për Baumanin, roli i intelektualëve duhet të pozicionohet në mundësinë e dytë, për t’u shndërruar në një “urë” që të favorizojë dialogun midis atij që e ka pushtetin dhe atij që e pëson.
Nuk ekziston më projektimi i së ardhmes si detyrë e tij, as edhe kuptimi i së tashmes si “ndërgjegje kritike e shoqërisë”, por vetëm roli i një “ndërmjetësuesi” të thjeshtë. Ky rezultat fotografon një situatë objektive, ku shumica e intelektualëve, në rastin më të mirë, “lëmojnë ashpërsinë e pushtetit”, kurse në rastin më të keq, bëhen kasnecët e tij “organikë”.
Një tjetër autor i spikatur në përshkrimin e këtij roli është edhe Wolf Lepenis, në librin e tij “Ngritja dhe rënia e intelektualëve”, duke analizuar veçanërisht situatën e krijuar pas rrëzimit të murit të Berlinit në 1989. Degradimi i pushtetit sovjetik shënoi njëherësh edhe zhdukjen e çdo alternative ideologjike ndaj liberalizmit mbizotërues të Perëndimit.
Ekzistenca e një modeli unik me anë të të cilit arrin të mendohet shoqëria, fshin çdo mundësi të ekzistencës së intelektualëve, sipas Lepenis. Në këtë kategori që zhduket, përfshihen vetëm intelektualët ankimtarë, ose më mirë, ata intelektualë që “ankohen për botën, por nga vuajtja e tyre lind një mendim utopik, që dizenjon një botë të re e kësisoj largon edhe melankoninë e së tashmes”; kjo zhdukje ndodh pasi, në një botë me vetëm një model unik, një intelektual i tillë arrin të zëvendësohet mjaft mirë nga shkencëtari. Këta të fundit, “shpjegon Lepenis”, nuk dëshpërohen për botën, por sforcohen ta shpjegojnë atë, nuk mendojnë në mënyrë utopike, por formulojnë parashikime. Veprimi i tyre nuk përcaktohet as nga dëshpërimi e as nga shpresa, por nga objektiviteti dhe nga zotërimi i një “ndërgjegje të qetë”. Këtu ekziston dualizmi midis “klasës së ankimtarëve” dhe “njerëzve të ndërgjegjes së qetë”, që praktikisht, përfaqësohet nga ndarja koherente midis “dy kulturave”, asaj të letrarëve dhe humanistëve nga njëra anë, dhe atyre të shkencave nga ana tjetër.
Shkencëtarët janë intelektualët “organikë” të pushteteve neoliberiste; e s’mund të jenë ndryshe pasi dogma qendrore e liberalizmit është progresi teknik dhe shkencor. Ndërkohë që në këtë realitet, intelektuali që bëhet “ndërmjetës” midis pushtetit dhe masës së popullit, identifikohet në mënyrë tërësore me “njerëzit e ndërgjegjes së qetë”, me ata që shpjegojnë botën dhe parashikojnë mbarëvajtjen e saj.
Akoma dhe më thellë në këtë analizë shtyhet një libër i botuar së voni, më 2013, me titullin “Ku po shkojnë intelektualët?”, nga njëri prej historianëve më brilantë të dhunës bashkëkohore, Vinçenso Traverso.
Pas shembjes së bllokut sovjetik, sipas autorit, kanë ndodhur dy transformime kryesore: nga njëra anë kultura dhe veprat e saj u shndërruan masivisht në objekte konsumi dhe nga ana tjetër, intelektualët u munduan të përshtaten duke u transformuar në “ekspert”. Në këtë mënyrë “mendimi kritik” filloi të vritej gjithmonë e më shumë, sepse figura e “ekspertit” u shoqërizua me atë të “teknikut” që duhet të japë një mendim “neutral”.
Ky rol i fundit i shndërroi intelektualët në “ekspertë emisionesh televizive” apo komentatorë gazetash e revistash, me qëllimin kryesor atë të “shpjegimit të botës”, jo të ushtrimit të një kritike mbi botën. Shembujt që ai jep nga bota intelektuale franceze janë të nivelit të lartë, po megjithatë Traverso nuk shfaqet pesimist. Përgjigjet, gati si të plastifikuara, të ekspertëve, bëhen gjithnjë e më të papërshtatshme, pasi denoncimet apo akuzat gati të përditshme shfaqin hapur një rritje të pabarazisë dhe pabarazisë sociale. Problemi qëndron në faktin se intelektuali që mund të shërbejë si “ndërgjegjia kritike e shoqërisë” nuk është gazetari, as profesori i mediatizuar i universitetit, por studiuesi kritik, qoftë i një institucioni publik apo privat, që prodhon kundër-informacion.
Ky lloj intelektuali mund të jetë i “gjindshëm” në shumë fusha, por nuk është kurrë aty ku e kërkon media; pasi ai nuk e kërkon median, as është i sponsorizuar prej saj apo o.j.f. të ndryshme. Është pikërisht kjo tipologji intelektualësh, që sipas autorit, do të jetë protagonist i një “revolucioni” që ai e përcakton si të një “intensiteti të ulët”, ose e thënë ndryshe i një revolucioni të vazhdueshëm dhe gërryes për sistemin. Nëse do t’i shëmbëllenim këto tipologji të rolit intelektual në pasqyrën e realitetit shoqëror dhe mediatik shqiptar, do të shikonim se mbizotëron më tepër tipologjia e “ankimtarit” mbi atë të intelektualit “me ndërgjegje të qetë”, e gazetarit – specialist apo e ekspertit-mediatik mbi intelektualin e “ndërgjegjes kritike” të shoqërisë.
Në përgjithësi, qerthulli i intelektualëve tanë, e kanë ndjerë si të natyrshme, detyrën e udhëheqjes së popullit. Por për të kuptuar sa më mirë se si mund të ndikojnë mbi popullin dhe si duhet ta ndihmojnë atë, së pari nevojitet të kuptohet domethënia e termit “udhëheqje e popullit”.
Ajo nuk nënkupton vetëm drejtimin politik, por parësisht një punë edukuese dhe emancipuese pranë popullit. Dhe me udhëheqës “intelektualë”, siç do të shprehej Edith Stein në letrën e saj të famshme drejtuar intelektualëve, nuk nënkuptohen vetëm teoricienët, por të gjithë ata që në bazë të një formimi teorik ushtrojnë një profesion praktik. E këtu mund të përfshihen kategori të tilla si mjekët, mësuesit, udhëheqësit fetarë, e kështu me radhë.
Madje, këta të fundit, sado e çuditshme mund të duket, renditen në mënyrë të patjetërsueshme mes tyre, pasi nga këndvështrimi fetar dhe ai i etikës sociale nuk mund të kënaqemi ta lëmë popullin herë pas here pa ndihmë. Kush ka arritur në një shkallë më të lartë humaniteti, në krahasim me masë e gjerë të njerëzve, nuk mund ta konsiderojë këtë shkallë si shenjë ndarëse; përkundrazi, bëhet fjalë për një shenjë fisnikërie që na angazhon për të punuar për të tjerët dhe pranë tyre.
Aq më tepër që populli është më i prirë të pranojë si udhëheqës ata që kanë dalë nga gjiri i tij dhe kanë arritur një vend të lartë në shoqëri, pa humbur kontaktin me ata që janë poshtë tyre; pasi besohet, se ata e kanë ende për zemër njeriun e popullit dhe dinë shumë më mirë se cilat janë shqetësimet e tij. Kush i flet popullit me një gjuhë të rrjedhshme, të “lëmuar” prej njerëzve të “kultivuar”, kush “fluturon” shkujdesshëm mbi realitetin e rëndë të luftës së përditshme për të jetuar, në të cilën është ngërthyer sot pjesa dërrmuese e shqiptarëve, ai është i dyshuar që në fillim të rolit të vet udhëheqës.
Po kështu edhe një vullnet i lartë sakrifice apo një entuziazëm i madh i shprehur aq fort për të mirën e popullit, streha ku “fshihen” shpesh mjaft programe zgjedhore apo cikle reformash politike dhe shoqërore, përsëri nuk arrijnë t’i shkatërrojnë dot barrierat që ato ngrenë me popullin. Në këtë kuptim, intelektuali do ta gjejë rrugën kundrejt popullit, pa të cilën ai s’mund të arrijë ta udhëheqë atë, vetëm nëse çlirohet prej intelektualitetit të vet. Kjo nuk nënkupton aspak mohimin dhe braktisjen e tij. Përkundrazi. Intelekti është një dhunti për të cilën ata kanë nevojë, jo vetëm për veten, por pikërisht për ata që dallohen prej tij.
Veçse Intelekti duhet të dijë të kuptojë limitet e veta, për t’u shndërruar kështu në një cilësor thjeshtësie për njeriun. Pjesa më e madhe e aktivitetit të intelektit, të udhëheq zakonisht kah një arrogance apo mendjemadhësie intelektuale. Ajo të bën të ndihesh i lartë dhe i madh në lartësirat e kulluara te abstragimit, sipër “popullit profan” të përzierë dhe ngatërruar në “ultësirat” e nevojave të jetës. Është kjo kryelartësi, edhe pse intelekti atë nuk e shfaq hapur apo nuk e ndjen në ndërgjegje në mënyrë të bindshme, ajo që nga të tjerët perceptohet si përbuzëse dhe si një “zakon” nga i cili intelektualët duhen “pastruar”.
Për të gjitha këto arsye, nuk janë të paktë mendimtarët që kanë hedhur herë pas here kushtrimin ndaj intelektualëve “për të marrë udhën që i shpie drejt popullit”. Njëri prej tyre, mjaft i spikatur në këtë analizë, është Antonio Gramshi. Sipas tij, intelektuali mund të pretendojë të përfaqësojë popullin vetëm kur raporti në mes tyre themelohet mbi bazën e një “sinteze organike në të cilën ndjenja dhe pasioni shndërrohen në kuptim dhe dije.
Që një intelektual ka një raport funksional me klasat sunduese është diçka e analizuar gjatë. Ndaj tyre Gramshi vendos intelektualin “organik” të popullit. Elementi popullor “ndjen”, shpjegon ai, por jo gjithmonë kupton ose di”. Kurse, elementi intelektual “di”, por jo gjithmonë, kupton e veçanërisht “ndjen”. Dy ekstremet janë pedantizmi nga njëra anë dhe pasioni i verbër ose sektarizmi nga ana tjetër. Jo se pedanti nuk mund të jetë i apasionuar, përkundrazi; pedantizmi i apasionuar është po kaq i rrezikshëm dhe qesharak sa sektarizmi dhe demagogjia më e shfrenuar.
Gabimi i shpeshtë i intelektualëve qëndron në besimin e tyre se mund të dihet edhe pa kuptuar, e sidomos pa “ndjerë”. Madje, se ata mund të jenë të apasionuar edhe kur janë të shkëputur nga populli, pra, pa ndjerë pasionet elementare të tij, për t’i kuptuar edhe shpjeguar ato. Nuk bëhet as histori, as ndikim e as politikë pa këtë lloj të caktuar pasioni, domethënë pa këtë lidhje sentimentale midis popullit dhe intelektualit. Kjo ka qenë mangësia më serioze dhe e dhimbshme e intelektualitetit shqiptar të gjithë këtyre viteve, ndoshta e ndikuar kjo dhe nga një trashëgimi e caktuar, ku më e ndërgjegjshme dhe ku më e pandërgjegjshme, e mendësisë komuniste.
Në pafuqi dhe dobësi të këtij raporti, kjo lidhje është reduktuar në një raport të llojit burokratik dhe formal, duke i shndërruar intelektualët në një kastë (analistësh mediatikë) ose siç e përcaktonte Gramshi, në një “fuqi të centralizuar organike” ndaj popullit. Për të gjitha këto, është mjaft urgjente të analizohet kjo pambushmëri thelbësore e distancës mes intelektualit dhe popullit. Pasi, vetëm kështu mund të arrihet të kuptohet më mirë zgjedhja e komplikuar midis intelektualëve teknokratë që “dinë” dhe popullit të paditur që “ndjen”. Janë që të dyja të këqija kundërthënëse me njëra – tjetrën, por e dyta pafundësisht më e keqe; për shkak se një popull që vetëm ndjen ose beson se ndjen është pre e lehtë e “pehlivanëve” partiakë të aftë ta rrugë – shtrembërojnë thjeshtësisht.
Njëri prej dëmeve më të mëdha të populizmit, është pikërisht “zerimi i kompetencave” në favor të gjykimit të përgjithshëm popullor. Në një kohë që këtu qëndron edhe “mos – marrëveshja tragjike” në diferencën midis “të pasurit një opinion” dhe ” të pasurit një kompetencë”. Këtë gjë është e nevojshme ta fokusojnë dhe zgjidhin intelektualët tanë, sepse kronika jonë politike, ashtu siç ka bërë gjithmonë, do të mundohet të propozojë me këmbëngulje parësinë e një grupi opinionistësh të përzgjedhur prej saj, të privuar nga kompetencat, por që do të përpiqen vazhdimisht ta qeverisin vendin pikërisht nëpërmjet opinioneve. Nuk duhet harruar që humnera qe ndan mbështetësit e kompetencës, meritokracisë, nevojës së logjikës kundra demagogjisë nga njëra anë dhe mbështetësve të cilësisë së popullit, të thjeshtëzimit të bazuar tek gjykimi i tij i përgjithshëm dhe dyshimit korrespondues ndaj intelektualëve, është një histori antike. Megjithatë, sidomos në këto vitet e fundit, zëri i ndërgjegjes kritike të intelektualëve shqiptarë duket të jetë mekur deri në masën e zhdukjes.
Njerëzit tanë të kulturës duket të jenë “ngujuar” gjithnjë e më shumë në “fortesat” e profesioneve të tyre, jo vetëm prej shkëputjes së qëllimtë, por edhe pse jeta shqiptare i ka shtrënguar ata t’i binden e për më tepër t’i përgjigjen ligjeve të shitjes dhe fitimit. Tregu është fuqia që nuk lë të shpëtojë askënd prej këtyre “profesionistëve të kulturës” për të dalë jashtë prej “marifeteve” të tij, falë trysnisë së kllapave që i vendos, të tilla si çelja dhe mbyllja me komandën e pushtetit dhe oligarkisë financiare të kanaleve të spikatjes dhe komunikimit, në favor të shumë të tjerëve të etiketuar si intelektualë, por që vuajnë “dyshimin” popullor të moralit dhe cilësisë. Ndodhi, pikërisht, ajo që perifrazoi Baumani. Intelektualët të “reduktuar” në cilësinë e interpretuesve, shqetësohen më tepër të lehtësojnë dhe “lubrifikojnë” ingranazhet e tyre të komunikimit për ti “shitur” kështu sa më mirë aftësitë dhe resurset e tyre në këtë treg. Ndaj, Shqipëria është kthyer tashmë në një vend aspak “joshës” për të rinjtë, për shkak të pamundësisë së punësimit dhe shpresës që ofron për ta; por, po e njëjta gjë mund të thuhet edhe për intelektualët. Ata nuk janë zhdukur, por janë asgjësuar nga parëndësia që pushteti dhe shoqëria tregon për ta; E vetmja mënyrë për të rezistuar është të bësh pjesë në “trupin e mediave të mëdha” proqeveritare, që gjithsesi kanë shumë pak poste për të ofruar, duke lënë jashtë saj shumë mundësi e kapacitete që duan të rroken e të shfaqen.
Aq më tepër që teknologjia dhe rrjetet sociale, kanë krijuar një realitet të ri ose më mirë një realitet të dyfishtë, ku nevojiten kësisoj “mjete” të reja për të ndikuar. Pasi, nga njëra anë, demokracia e rrjeteve nisi të shfuqizojë dalëngadalë intelektualët në cilësinë e tyre vendimtare si pedagogë, edukatorë dhe ndërgjegjja kritike e shoqërisë. Por, nga ana tjetër, “popullsia” e tyre është gjithmonë në një kërkim të ethshëm për zëra autoritarë, për t’u orientuar sa më drejt në një botë “hiper-sociale” ku nuk ekziston më një qendër, por një mori qendrash dhe nënqendrash, që përbëjnë labirintin rrjetëzor të bashkëkohësisë.
E veçanta e realitetit të sotëm gjendet pikërisht në këtë “bashkësi qoshesh” të panumërta, por jo komunikuese me shumicën prej tyre. Asnjë intelektual nuk arrin ta zotërojë sot atë lloj “teorie” që përqafon gjithë morinë e këtyre “qosheve” të formimit e informimit që të mund të orientojë sjelljet e qëndrimet apo të fiksojë qëllimet e ardhme. Fjala kyç e rrjeteve sociale nuk është më “autoriteti”, por “reputacioni”; këtë gjë, duhet të dinë ta përdorin njerëzit tanë të kulturës, për të arritur të jenë ndikues.
Dhe më pas të kuptojnë drejt se gjithçka është e shndërruar në opinion, madje është opinion edhe ndaj atij që ka një opinion. Intelektualët nuk janë zhdukur. Ata nuk duket të jenë më “filozofët”, por “ekspertët” e një bote ku teknologjia po triumfon mbi çdo dije humaniste dhe ku teknika po pështjellohet me shkencën. Jemi në epokë e “inteligjencës së turmave”, sipas një teorie të zhvilluar nga Rhaingold; në epokën ku “njohja” është kthyer në një pronësi të rrjetit, të cilën nuk mund ta zotërojë dot një njeri i vetëm, qoftë ky një Didëro (autori i enciklopedisë së parë të dijes mbarëbotërore) apo Hegel (autor i enciklopedisë së shkencave filozofike), siç e përcakton ky studiues i rrjetit në librin e tij të njohur “Dhoma inteligjente”.
Ky është “itinerari” i vështirësive dhe rreziqeve me të cilat duhet të përballen intelektualët e sotëm. Dija është gjithnjë e më e pasigurt, por akoma dhe më humane, gjithnjë e më e paqëndrueshme, por më transparente. Atëherë, mund të shtrohet pyetja, cili duhet të jetë roli i intelektualit në hapësirën e kësaj bote të globalizuar, fluktuese dhe të “pluhurisur” në aq shumë qëndrime? Ajo çka mbetet është të shndërrohen në interpretë, për të “lexuar” domethëniet e botës, qofshin ato objekte, fjalë, ide, imazhe dhe për t’i “lexuar” ato drejt, pasi dallimi qëndron pikërisht këtu. Ekzistojnë interpretime të drejta dhe të gabuara, të cilat intelektualit i takon t’i dallojë dhe t’i spikasë. Në botën e konsumatorëve, siç e perifrazon të sotmen Bauman, hapësira e “njerëzve të kulturës” duhet të kristalizohet në rolin e ndërmjetësit për komunikim midis “provincave të pakufizuara” të rrjetit dhe “komuniteteve të shpjegimeve domethënëse” të tij; midis realiteteve që në rrjet mendojnë në termat e risisë dhe të ardhmes dhe atyre që priten të ushtrojnë vazhdimisht qëndrime kritike.
Ja, në “ullukun” e lëvizjes së lavjerrësit të ndërgjegjes midis këtyre dy skajeve, intelektualiteti shqiptar do të dijë ta mbartë me kurajo “kryqin” e misionit te tij në ndikimin e jetës sonë shoqërore, për të mos e lënë sistemin tonë ne vend të endet pa mbarim në kalvarin e vet, të filluar prej dekadash./hejza
Please follow and like us: