Albspirit

Media/News/Publishing

Akt i rëndësishëm amerikan për legenat politikë në Ballkanin Perëndimor

Një grup senatorësh amerikanë kanë propozuar një “Akt për Demokracinë dhe Avancimin e Ballkanit Perëndimor”. Sipas tij, Shtetet e Bashkuara do të përdorin ndikimin e tyre në aleancën e NATO-s për të “ruajtur një mjedis të sigurt” në rajon, veçanërisht nëse Rusia ndërhyn në Bosnje ose Kosovë. Akti thotë se veprimet e miratuara aty janë “në interesin e sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara”. Sinjalet e para nëse do ketë shtrirje të konfliktit ukrainas në Ballkanin Perëndimor do jepen në nëntor. Pse këtë muaj? Sepse Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do të votojë në nëntor për zgjatjen e misionit EUFOR në Bosnje, veprim të cilën Rusia deri tani e ka kundërshtuar fuqishëm. Senatorja demokrate Jeanne Shaheen, së bashku me Senatorin Roger Wicker, të cilët kryesojnë politikat për Evropën në Komitetin e Politikës së Jashtme amerikane, prezantuan projektin që synon të “mbështesë zhvillimin ekonomik në rajon nëpërmjet infrastrukturës, tregtisë dhe nismave kundër korrupsionit. Kjo përfshin sanksionet për të penguar aktivitetet destabilizuese në Ballkanin Perëndimor”. Projektligji do të detyrojë Shtetet e Bashkuara të inkurajojnë NATO-n dhe BE-në të “rishikojnë mandatet dhe pozicionin e tyre në rajon dhe të luajnë një rol proaktiv në krijimin e një mjedisi të sigurt, veçanërisht mbrojtës”. Sipas këtij Akti, Shtetet e Bashkuara do të inkurajojnë planifikimin dhe mbështetjen e NATO-s plr veprime “për të ruajtur një mjedis të sigurt, veçanërisht nëse Rusia bllokon riautorizimin e misionit për Bosnjen në Kombet e Bashkuara”.

Pjesë nga fjala e senatores Shaheen:

“Në mes të luftës së Rusisë në Ukrainë dhe ambicieve të qarta të Putinit për të përhapur ndikimin keqdashës në të gjithë Evropën Lindore, marrëdhënia e Shteteve të Bashkuara me Ballkanin Perëndimor është vendimtare. Kjo është arsyeja pse unë jam krenare që prezantoj legjislacionin e ri dypartiak që forcon tregtinë dhe investimet midis SHBA-së dhe Ballkanit Perëndimor, duke çrrënjosur korrupsionin vendas dhe duke ligjësuar sanksione kundër aktorëve destabilizues. Të gjitha këto hapin rrugën për një integrim më të shpejtë euroatlantik.

Gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor – Shqipëria, Bosnja, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia – formojnë një rajon pluralist, multietnik në zemër të Evropës, i cili është vendimtar për paqen, stabilitetin dhe prosperitetin evropian”.

Pjesë nga fjala e senatorit Murphy:

Ndërsa lufta e Putinit tërbohet në Ukrainë, ne nuk duhet të harrojmë paqen e fituar me vështirësi në Ballkan, pas dhunës së tmerrshme pas shpërbërjes së Jugosllavisë. Shtetet e Bashkuara dhe aleatët tanë kontribuan shumë për t’i dhënë fund atij konflikti të tmerrshëm dhe ky AKT sot rikonfirmon angazhimin tonë për të parë një të ardhme të qëndrueshme për rajonin – një të ardhme që është e rrënjosur fort në Perëndim.

Ruajtja e paqes në Ballkan është thelbësore për sigurinë evropiane, veçanërisht pasi Putin po bëhet gjithnjë e më i dëshpëruar në Ukrainë dhe mund të sulmojë në vende të tjera.

Gjatë udhëtimit tim në rajon këtë pranverë, ishte e qartë se Shtetet e Bashkuara duhet të thellojnë angazhimin tonë atje. Ky Akt do të forcojë lidhjet SHBA-Ballkan, do të zgjerojë mundësitë ekonomike dhe do të mbështesë përpjekjet për të çuar përpara demokracinë dhe për të çrrënjosur korrupsionin”.

Për Shqipërinë

Akti krijon një iniciativë kundër korrupsionit që udhëzon Sekretarin e Shtetit të SHBA-së për të ofruar asistencë teknike për çdo vend të Ballkanit Perëndimor në zhvillimin e një strategjie kombëtare kundër korrupsionit.

Domumenti dekreton dy urdhra ekzekutivë të Shtëpisë së Bardhë që autorizojnë sanksione kundër atyre që kërcënojnë paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor dhe që përfshihen në sjellje korruptive.

Nga përmbajtja e këtij Akti, kuptohet qartë pse SHBA ka goditur figura politike me impakt rrezikshmërie në rajon. Në rastin e Shqipërisë, i tillë shihet Berisha, tashmë i shpallur “non grata”, por dhe ortaku i tij politik Meta, goditja ndaj të cilit po vjen me hapjen e një dosjeje që zbulon të kaluarën e tij kompromentuese si ish-bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit.

Nuk është e vështirë të kuptohet se pas zhvillimeve të fundit në politikën shqiptare qëndron SHBA. Ashtu siç nuk është e vështirë të kuptohet se Uashingtoni nuk do lejojë riardhje në pushtet të dyshes Berisha-Meta, të cilët i sheh tashmë si të korruptuar dhe destabilizues.

Please follow and like us: