Albspirit

Media/News/Publishing

Zana Tako: Drenusha

Ishte natë dimri, natë e ftohtë, ku ngrohtësia mbetej si shije e ushqimit që dëshirohet kur ndjen uri. Ndjeja të ftohtin të më mbërthente trupin ngadalë.
U ngrita të shihja përse nuk ngrohte më oxhaku. Drutë ishin djegur dhe hiri kishte mbuluar gjithçka. U fryva me butësi, si të kërkoja ndihmën e thëngjijve të mos shuheshin duke më lënë nën ethet e të ftohtit. Shtyva ngadalë thëngjijtë që kishin mbetur të vakur pranë njeri-tjetrit dhe shtova drutë si të ndërtoja një kështjellë. Mendimi se zjarri duhej të ndizej shpejt, më shtonte edhe më shumë ndjesinë e të ftohtit, sa për një çast, m’u kujtua filmi me drenushën, film që më dhuronte ngrohtësi të çuditshme. Drenusha që kërkonte të voglin e saj, nëpër terrin e natës me dëborë të dendur…
Ishte një film që ngjante aq shumë me jetën e gjithkujt, me dashurinë e nënës për të voglin e saj, dashuri që kishte marrë udhën të kërkonte nën dritën e shpresës, tek i largohej dëshpërimit për humbjen, duke çarë dëborën me forcën e vullnetit, të shpresës, se i vogli i saj ishte diku atje, tek e priste, tek e shihte me sytë e dashurisë që përqafon shpirtin e tij, shpirtin e saj. Ajo drenushë u bë aq e dashur për mua, ndjenjë që u fut brenda meje duke përcjellë emocione, prej të cilave vizatoja brenda shpirtit drenushën, të voglin e saj, tek përqafoheshin me brirët, tek lëpinin njëri-tjetrin me shenjën e dashurisë, shenjë e ngrohtësisë që përcjell gjuhën e komunikimit shpirtëror, krijesa që dhurojnë dashuri me gjuhën e krijimit…
Thëngjijtë filluan të merrnin frymë, të merrnin dritë. I shtyva me mashën e gjatë, duke afruar copat e drurëve pranë njeri-tjetrit. Ethet e të ftohtit po largoheshin ngadalë. Zjarri i vatrës merrte frymë duke ndriçuar me ëmbëlsi, e përsëri kujtova drenushën, ngjarjen e saj të kthyer në skenar filmi, por që për çudi, ky skenar është vetë jeta. Çdo nënë e kërkon të voglin e saj. Çdo nënë nuk do e humbiste të voglin e saj. Çdo nënë e humbet qetësinë e shpirtit kur nuk e ka pranë të voglin e saj. Shpirti i nënës del dhe e kërkon nëpër natë pa pyetur se i ftohti të ngrin gjymtyrët, se i ftohti dhe nata janë pusia e së keqes, e drenusha nuk ka frikë, e nëna nuk ka frikë tek sfidon errësirën, të ftohtin, tek kërkon me dritën e shpresës se do ta gjejë, do ta mbrojë, do ta përqafojë dhe do ta marrë me vete, shpresë që nuk lodhesh brenda shpirtit tek dhuron dritë.
Drita e shpresës udhëhiqte drenushën-nënë, i ngrohte gjymtyrët, e nuk ndalte tek kërkonte si çdo nënë kur ndjen se i vogli i saj po e thërret, është në rrezik dhe po e pret. Gjuhë e dashurisë nënë e bir, që edhe pse larg nga njeri-tjetri duhen aq shumë, tek flasin, tek ndjejnë në largësi praninë e njeri-tjetrit si kjo drenushë-nënë, tek ndjen aromën e të voglit të saj të fshehur diku nga frika, prej të ftohtit, prej errësirës, i humbur në pavetëdijen e tij…. Por nëna drenushë … oh shpirti i saj nuk lodhej tek e kërkonte, tek ecte pa frikë dhe ja… sytë e saj shndritën nga gëzimi, tek e pa të strukur prapa një shkurreje të mbledhur kruspull dhe pa shpresë. Oh gëzim i dashurisë, tek iu afrua dhe e përqafonte me brirët e saj, tek e lëpinte me gjuhën e saj të ngrohtë për t’i dhënë shpresën e jetës se gjendej pranë tij, se ishte me të e nuk do të ndahej më kurrë prej tij… Oh i vogël dhe i paditur, që sapo ke filluar të kuptosh se ç’është frika, ç’është dashuria, ç’është gjuha e jetës që po flet me moshën tënde tek rritesh dhe kupton, se është Nëna dashuria e parë dhe e fundit që kurrë nuk të braktis, që kurrë nuk të lëndon, që kurrë nuk të largon prej vetes edhe kur ti… Oh i vogël, që nuk kupton me largimin tënd, se shqetësimi i dashurisë të ndjek dhe të gjen atje ku je fshehur, atje ku frika të ngrin gjymtyrët e shpirtit, e më nuk ke jetë por frikë, frikën e humbjes, të braktisjes…
Zjarri shndriste me ngjyrën e tij prej ëndërrimi, dhe unë ngrohesha ngadalë duke shijuar atë ngjarje-mesazh, prej së cilës u ngroha atë natë, mesazh që më shoqëroi tek ndizja zjarrin, dhe më nxiti të merrja bllokun e të shkruaja për dashurinë e nënës që kërkon të voglin e saj, si tek filmi me drenushën, e lumtur që e gjeti përsëri dashurinë e shpirtit të saj, tek u kthye në folenë e dashurisë, ku ngrohtësia të mbyll qepallat me gjumin e ëndrrës më të bukur….
Për çudi fillova të shkruaj, por jo për drenushën, por për Nënën që nuk e humbet të voglin e saj, por e ruan dhe e drejton në stuhitë e jetës. Skenar i shkruar nga shpirti i një Nëne, që dhuron dashurinë e saj për gjithçka të bukur në jetë…
Please follow and like us: