Albspirit

Media/News/Publishing

Ismail Xhaferi: Ikja e nënave labe

 

Po rrallohen një nga një,

Labet me shami të zeza,

Si bredhat e tharë në male,

Që dimrit i rrëzon era.

 

Ikin labet hijerënda,

Për to do na marrë malli,

Lidhur brengat, lidhur dhimbjet,

Në shaminë e zezë rreth ballit.

 

Gra të tilla si shqiponjat,

Rriten veç në Labëri,

Ikin labet ballëserta,

Labet që bënë histori.

 

Ikin labet trimëresha,

Furkë e leshit hesht pas derës,

Thinjet bora nëpër male,

Pikon lot syri pranverës.

 

Ikin labet zemërbardha,

Labet me shami të zeza,

Në ç’prehër do t’i zërë gjumi,

Dhjetra nipër, dhjetra mbesa?!

 

Po largohen një nga një,

Ato gra me gjoks stuhi,

Për ato dhe zoti vetë

Vendos një shirit të zi.

 

Ikin si zonja të rënda,

Labet tona si shenjtore,

Ç’mal të gdhend me daltë të shpirtit,

T’u ndërtoj një përmendore?!

 

Po rrallohen një nga një,

Labet me shami të zeza,

Si bredhat e tharë në male,

Që dimrit i rrëzon era.

Please follow and like us: