Albspirit

Media/News/Publishing

Mevlan Shanaj: LASGUSHI!

Lasgushi! Sa frikë t’i qasesh këtij emri! Kam pasur mundësinë t’i qasem, të bisedoj të më tregonte shumçka jo vetëm për estetikën, për jetën, për shkollën, për femrat dhe kurdoherë krenar, fodull, diktator (në fakt perandor i mendimit të lirë). Në korrik të 1981, Mario Ashiku, regjisor në Pogradec, (sigurisht si i dënuar nga Instituti i Arteve) kishte përgatitur një shfaqje me trupën e aktorëve me poezitë e Poradecit.
Më kishte ardhur sgalemi në dorë. Bisedova me dr. Misto Markon, mik i Lasgushit, burrë i ditur. Shkojmë te Thomaqi, miku më i afërt. Thomaqi kishte një si studio i thënçin që punonte si piktor apo ekzekutues i pllakateve apo lajmërimeve të qytetit. Pasion kishte pllakatet e filmave. Lasgushi aty në atë studio kalonte orë me Thomaqin, po aty në një nga ata magnetofonë që shpërndau Lidhja e Shkrimtarëve, herë pas here Lasgushi recitonte! Nuk di se ku duhet të jenë ato lexime poetike me zërin e tij.
Për ta bindur për intervistën, vajtëm takuam shokun e fëmijërisë Nuçi Tira, që ishte me “pushtet” nën/kryetar i Degës së Brendshme. U vendos që të nesërmen Lasgushi, sh. Nuçi dhe dr. Misto do takoheshim në Drilon, aty ishte qetësi dhe bukur! Ishte vendi ku pushonte sh. Enver. Ne si televizion i bindëm pasi sh. Enver vinte në gusht! U takuam dhe biseda ishte mes tyre e lirë, mes shokësh të përditshëm. Erdhi edhe rakia perla apo moskat që ia kishte qejfi. Duke xhiruar krejtësisht i lirë në mendimet e tij. Me kamerën e Stefan Gajos, film 16 mm, kemi xhiruar gati dy orë. Në një çast më thotë për Naçin (kameramanin) po ky ç’më rri si vuv, nuk flet fare!
Mes shumë bisedave citoi për Kosovën: Kosova, luftë Skënderbejane… do vuaj se nuk e kaluan Rilindjen, asnjë populll nuk zhvillohet pa kaluar Rilindjen. Më tej më thotë: Unë poezinë nuk e shkruaj po nuk lëvizi guri i mullirit! E di ti, gurin e mullirit?! – Po, i them! Pa pritur më bërtiti: Asgjë nuk di! Unë heshta. Ata që ia dinin huqet nuk reaguan, por dr. Misto i tha, z. Llazar, atij nuk i thoshte njeri Lasgush, veçse z. Llazar, ky e di se është i shoqi i Natashës! Ah, më tha, ajo është e mirë! Në bisedë e sipër përmendi vetëm Ismail Kadare, kuptohet për mirë. Dhe emrat botërorë: Lermontov, Heine dhe Leopard! E di ti nga sa libra kanë shkruar këta? Unë ngrita supet! Nga njëckë, më tha dhe ngriti gishtin e vogël. Sepse poezia nuk është Art që bëhet me porosi. Unë që të bëj një poezi rri me muaj apo me vite! Më thonë mua pse nuk shkruan Llazari, ja shkrova unë për Reshit Çollakun se e njihja dhe thashë: Hajde o Reshit Çollaku, shtive shtatë e vrave tetë, përse e shkrova kështu?! Se ishte trim ai! Nga intervista u transmetua 31 minuta në TVSH dhe 30 minuta të tjera i sinkronizova dhe i dorëzova në arkiv pasi ishin mendime të lira që sigurisht nuk do t’i pranonin për t’u shfaqur në atë kohë. 10 vjet më vonë më 1991 shkova në Arkivin e TVSH, i kërkova ato materiale të sinkronizuara të gatshme për transmetim, por nuk e gjeta filmin.
Kur u shfaq dokumentari për Lasgushin në një festival të filmit, zbrisja shkallët e pallatit të kulturës me Viktor Gjikën, që kishte në dorë, kupën e festivalit me dokumentarin “4 këngë për partinë”, më thotë: Kjo kupë i takonte Lasgushit, po Partia i merr të gjitha!
Kthehem te koha me Lasgushin, në mbrëmje të asaj dite aty ku është sot Turzmi që i thonë, po shëtisnim pesë veta, thotë dr. Misto, po fryn gjoli z. Llazar, ikim! Jo, thotë dhe ma kap dorën e më tregon se poshtë këmishës kishte karton për t’u mbrojtur nga era, nuk ka çmë bën era, jam i mbrojtur! Dhe pak më tej nxori orën nga xhepi i një kostumi të vajtur, ora ishte një orë kineze tavoline, i ra nga dora. U përkula e mora, e vuri në vesh dhe tha: Gjene punon! Ç’më shikon i çuditur më tha: ora për të treguar kohën është, jo po të krekosesh me ora të shtrenjta! Kjo e bën punën për mua dhe e futi në xhep! Kuptohet kur ishe me të ai fliste, fliste dhe tregonte pafundësisht ngjarje me një kujtesë fenomenale!
Ja kush ishte Lasgushi për mua! Më shumë se legjendë, jo njeri, një magji, që vazhdon të endet në mendjet e çdo poracedari! E dini, që një herë e suallën nga spitali të vdekur, por pas ca orësh u ngrit nga arkivoli! Dhe tha: Jam Shën Llazari, nuk di të vdes! Ky ishte Llazar Gusho! Vonë shumë së bashku me Natashën përgatitëm skenar për film artistik, vajtëm takuam Marien të bijën, për leje autorsie. Mbeti vetëm një dëshirë! Skenari rri në sirtar siç u rrinë krijuesve shumë e shumë vepra të tjera!
Sekuenca nga dokumentari i regjizorit Mevlan Shanaj për lasgush Poradecin, korrik 1981.
Please follow and like us: