Albspirit

Media/News/Publishing

Përshkrimi i valles suliote nga Bajroni që zgjoi fantazinë e piktorëve britanikë

Dorian Koçi

Suliotët, si popullsi rebele e luftarake kanë frymëzuar shumë autorë europianë, piktorë e shkrimtarë. Lord Byron, i përmend i pari në shënime e poemës së mirënjohur të tij, “Shtegtimet e Childe Harold”. Ai përshkruan një vendqendrim në Lutraki në Greqi, ku Bajroni i shoqëruar nga 50 trupa shqiptarësh dhe arvanitësh po udhëtonte drejt Tripolicës për të takuar Veli Pashën, djalin e Ali Pashë Tepelenës. Aty rreth zjarrit dhe natën pasi hëngrën dhe pinë verë, shoqëruesit shqiptarë u ngritën dhe ia morrën valles. Bajroni në shënime shkruan : “Nata ishte e errët, por në flakëritjen e zjarrit të kapte syri një korije, ca shkëmbinj dhe një liqen, të cilët tok me pamjen e egër të valltarëve të ngjante me një tablo që mund të kishte qenë piktura më e bukur e ndonjë piktori të tipit të autorit të Misterit të Udalfit”. …Dhe ndërsa e mërmërisnin këtë këngë, vinin rrotull zjarrit, uleshin në gjunjë, hidheshin lart dhe vini rrotull, kurse kori përsëriste fjalët.Fëshfërima monotone e valëve mbi guralecë në buzë të detit, ku ishim ndarë në grupe, mbushte menjëherë intervalet e heshtjes së këngëve me butësi dhe thyente monotoninë e tingujve.
Më vonë, piktorët H.Waren dhe W.Finden që realizuan ilustrimet e poemës “Shtegtimet e Childe Harold” në 1830, realizuan këtë gravurë të luftërarëve shqiptarë duke vallëzuar. Ata e quajtën “Vallja Suliote” duke dëshmuar se edhe pas kaq vitesh imazhi romantik i suliotëve ende gjallonte në artin europian.
Please follow and like us: