Albspirit

Media/News/Publishing

Bledar Koçi: QENI MURRO

Shtëpisë mbi brezare në brinjë të një fiku,
më feks për së largu kujtim i një miku.
Kolibja shkretinë pa shenjë, pa jetë,
në grahmë të fundit për Murron më flet.
Të shoh si atëherë, Murrashi i bukur,
nën fletët e prrallit tek trembje një flutur.
Unë vija pas teje, fëmijë çamarrok,
më doje, çudi!.. Siç duhet një shok.
Shkërmoqte stërgjyshja përrallat mbi sy,
nga netët e frikshme krenohej me ty.
Brezares dritë-hëne me ujqër vërdallë,
dhe ti kacafysje ndër dimrash acar ..
Me ty, vogëlush… të jem, ma ka ënda.
Ndaj gjoks madhështor të shoh nëpër ëndrra.
……
Në brinjë të atij fiku, kolibja shkretinë,
kur vij më kujton sa herë Murron tim.
Please follow and like us: