Albspirit

Media/News/Publishing

Në pritje të Zhan D’arkës moderne shqiptare

Denis Dyrnjaja

Ka një shans që Shqipëria të kthejë faqen e historisë politike dhe institucionale. Ky shans mund të jetë një grua. Një grua me personalitet dhe karakter të paindoktrinuar nga kuzhina e ndotur politike aktuale.

Ajo grua a vajzë që do ketë kurajën dhe do marrë inisiativën e para, pa pritur dhe pa synuar teserat e partive aktuale do të futet në historinë e Shqipërisë si Zhan D’arka moderne e cila përmbysi establishmentin e ndotur nga yndyra korruptive dhe megalomane e kooperativës politike, ku derrat kanë kostume të ndryshme por te njëjtin surrat.

Ajo grua do të ketë pas menjëherë anëtarësinë më të madhe të votuesve, anëtarësinë gri që është shumica e papërfaqësuar shqiptare. Duket utopi. Në fakt është utopi është dhe do të jetë deri në momentin kur kjo grua a vajzë të ndërmarrë hapin kurajoz që shumë gra e vajza të tjera e kanë menduar por janë “përthyer” rrugës, duke u bërë pjesë e kuzhinave ku gatuhet supa e helmshme dhe toksike që iu serviret prej dekadash shqiptarëve si menuja më e mirë për të ardhmen e tyre, që mbetet gjithnjë një e ardhme në të shkuar, pa asnjë progres, pa asnjë aspiratë, pa asnjë perspektivë nga politikanët e dalë prej kuzhinës me mendësi komuniste të së shkuarës.

A ka të tilla gra apo vajza Shqipëria?! Absolutisht që po. Ndaj ti grua a vajzë, ti zonjë a zonjushë, motër a nënë thirri forcës tënde të brendshme e ndizi motorët e pashtershëm të energjisë femërore që mund të mund tejkalojë çdo vështirësi e pengesë, çdo ligësi e kompleks. Bëhu promotore e një ndryshimi të kaq shumëpritur e jepi dritë shpresës së qëmtuar se ky vend nuk mund të bëhet, se e ardhmja për shqiptarët është emigrimi, jo vendi i tyre.

Vendi që ka më shumë asete natyrore e njerëzore, më shumë miq sesa armiq në marrëdhënie ndërshtetërore, që ka njerëz vitalë të etur e plot ego për t’u zhvilluar e ndërtuar të ardhmen e tyre pa projeksionet e rrenacakëve ordinerë të pseudopolitikës e cila i mban peng dhe në errësirën e hipnotizës se ata janë shpresa nga ku duhet të kalojnë fatet e shqiptarëve.

Dil, shfaqu the jepu zë njerëzve si ty, si të gjithë ata që se durojnë dot hipokrizinë, injorancën dhe shtypjen me metoda të kamufluara që po i mban në agoninë e shpresës së gënjeshtërt. Është koha jote, është momenti për njerëzit që në ADN-në e tyre kanë dinjitetin dhe personalitetin. Jepu zë, zërit të tyre të mekur, jepu shpresë që zhgënjimi të kthehet në besim.

Dil, shfaqu do kuptosh e do kuptojmë që ajo e cila sot duket e pamundur është shumë pranë, shumë e prekshme dhe e realizueshme. Pastaj të gjithë do të prekim të shumëpriturin ndryshim. Ndryshimi është mes nesh mjafton një hap, një veprim një vendim.

Please follow and like us: