Albspirit

Media/News/Publishing

Një portret magjepsës i një tirani monstruoz të Karaibeve

Nga William Kennedy, The New York Times, 1976

Përtheu Enxhi Hudhri, Exlibris

 

Në vitin 1968, kur filloi të shkruante këtë roman madhështor, Gabriel García Márquez-i i tha një intervistuesi se i vetmi imazh i tij që kishte prej vitesh ishte i një plaku shumë të vjetër duke ecur përmes dhomave gjigante e të braktisura të një pallati plot me kafshë. Disa prej miqve të tij mbajnë mend të ketë thënë që më 1958, kur po dëshmonte si gazetar rënien e Marcos Pérez Jiménez-it në Venezuelë, se një ditë do të shkruante një libër për një diktator. Ka folur që atëherë për ndikimin e jetës së caudillo-s venezuelas, Juan Vicente Gómez, në librin e tij. Vetë ka jetuar prej vitesh nën diktaturën e Rojas Pinilla në Kolumbi. Mbuloi gjyqin e një kasapi të Batistas në ditët e para të pushtimit të Kubës nga Kastro. Jetoi në Spanjë gjatë uturimave të pafundme të vdekjes së pakuptueshme të Franco-s, kur ai vend ishte një udhëtim i fundit mikpritës për diktatorët e rrëzuar latinë.

U ka shtuar këtyre kohërave të jetës së tij fragmente nga historitë e gjata të diktatorëve – vdekjet e Jul Cezarit dhe Musolinit, qëndrueshmërinë e Stroessner-it, adhurimin e gruas së Perón-it, që duket se është një studim i detajuar i kohërave të Trujillo-s dhe të Shteteve të Bashkuara dhe kanonierëskokonë angleze të aq shumë budallenjve shtazarakë në pallatin e diktatorit. E ka përvetësuar dhe riimagjinuar të gjithë këtë, dhe më shumë, dhe u shfaq me një portret mahnitës të arketipit: tirani fashist patologjik.

García Márquez-i (mbiemri i tij është García; Márquez është emri i mamasë së tij) e filloi këtë roman më 1968 dhe tha më 1971 se ishte i përfunduar. Por vazhdoi ta latonte deri më 1975 kur e botoi në Spanjë. Tani Gregory Rabassa, i cili përktheu romanin e fundit të autorit, “Njëqind vjet vetmi”, dhe që vetëm në bazë të këtyre dy librave figuron si një nga përkthyesit më të mire që ka frymuar ndonjëherë, na ka dhënë ekuivalentin e shkëlqyer në anglishte të spanjishtes mjeshtërore të García Márquez-it.

Libri, siç pritet nga García Márquez-i, është mistik, surrealist, Rabelaisian në ekzagjerimet, shtrembërimet dhe gjuhën ekzotike të tij. Por koncepti I jetës sipas García Márquez-it është se surrealiteti është po aq normë sa banaliteti. “Në Meksikë surrealizmi përshkon rrugët”, – tha një herë. Dhe diku tjetër: “Realiteti amerikano-latin është krejtësisht Rabelaisian”.

Dhe kështu patriarku i tij, gjenerali pa emër (grada e saktë është Gjeneral I Universit) i një kombi karaibian pa emër, jeton aq gjatë sa mosha e tij është mes 107 dhe 232 vjeç, baba i 5.000 fëmijëve, të gjithë spurdhjakë, të gjithë shtatanikë.

Është bastardi i një zogjrritëseje, ngjizur në një stuhi karkalecash blu, lindur në një prag dere manastiri, me këmbë të mëdha të deformuara dhe testikulin e zmadhuar sa një fik, që i fishkëllen një tingull dhembjeje çdo moment të jetës së tij pabesueshmërisht të gjatë.

Mbishkrimet në muret e banjave të shërbëtorëve i japin mprehtësi prej orakulli për grupet tradhtare, njërin prej të cilëve e shërben të pjekur për darkë në një nga mbledhjet me gjeneralët e tij. Ka aq shumë fuqi sa kur urdhëron që ora të ndryshohet nga tre në tetë të mëngjesit për ta çliruar veten nga errësira, trëndafilat hapen dy orë para kohës së vesës. Ndikimi i tij është aq i pashlyeshëm sa rrjedhimisht lopët e tij lindin të damkosura me hekurin e skuqur dhe të trashëguar presidencial.

Korrupsioni i Korruptueshmëria e tij është e tillë që manipulon lotarinë javore, duke përdorur fëmijë nën shtatë vjeç për të tërhequr tre numrat fitues, dhe i fiton gjithmonë të tre. Për t’i reshtur fëmijët për bashkëfajësinë e detyruar, i burgos. Kur arrijnë në 2.000 dhe papa vuan publikisht për zhdukjen e tyre dhe Shoqëria e Kombeve e investigon, i izolon fëmijët në vende të shkreta pas një dëbimi prej nazistësh me kuti me vagonë mallrash, dhe në fund i mbyt në det, duke mohuar se kanë ekzistuar ndonjëherë.

Por grabitja e tij më fantastike është shitja e detit të Karaibeve te gringot të cilët e kanë mbajtur në pushtet. Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës urdhëron draga gjigante thithëse dhe inxhinierët e lundrimit, që “e morën detin me pjesë të numërtuara të ambasadorit për ta mbjellë larg uraganeve në agimet e përgjakura të Arizonës, e morën me gjithçka kishte brenda, gjeneral, me pasqyrimin e qyteteve tona, me të mbyturit tanë të ndrojtur, me dragonjtë tanë marrokë”, dhe lanë pas “një krater të shqyer”, “fushëtirën shkretane prej pluhuri të ashpër hënor”. Për të zëvendësuar flladet e humbura kur u largua deti, një tjetër ambasador i SHBA-së i jep gjeneralit makineri ere.

Romani është pafundësisht bizar dhe i ethshëm, por në fund të fundit jo i komplikuar. Megjithatë, është e vështirë t’i futesh: një paluze dendurisht e pasur dhe e lëngshme që fillon në fund dhe bën kërcime folkneriane përpara dhe prapa në kohë. Fjalitë ndonjëherë vazhdojnë për tri faqe, me dialogë të pandarë. García Márquez-i i ka pështjellur problemet duke e bërë romanin një enigmë përemrash, duke ndryshuar vazhdimisht pikat narrative në mes të fjalisë. Për shembull: “…me një vështrim pa më tepër poshtërsi dhe mosmirënjohje se ç’kishin parë dhe vajtuar sytë e mi qysh kur kam lindur, o nënë”. Të gjitha i referohen gjeneralit.

Rrëfimi është më së shumti në mendjen e gjeneralit, por García Márquez-i futet gjithashtu në mendjen e tjerëve me intensitet të shkurtër, shpesh flet me zërin e përbashkët të të gjithë njerëzve në kombin e rrënuar; dhe kështu, përmes zhytjes së pamëshirshme të lexuesit në këto perspektiva hollësisht të detajuara, ai e iluminon monstrën nga brenda e nga jashtë dhe na e jep të plotë.

Si me “Njëqind vjet vetmi”, lexuesi gjithashtu zhytet në prozë panoramike, një vepër edhe më poetike se e fundit. Nuk ka një rrëfim të zakonshëm, vetëm episode kronologjikisht të ngatërruara që e çojnë gjeneralin nga lindja në vdekje përmes një kohe moderne të papërcaktuar në të cilën mbreti dhe mbretëresha e Babilonisë bashkekzistojnë me televizionin me qark të mbyllur. Ndiqet përmes tentativave për vrasje, mizorive, perversitetit seksual komik, nga martesa me një murgeshë dhe një luftë qesharake me një kishë për të shenjtëruar nënën e tij, perms politikash boshe e të pakuptimta të cilat nuk kanë aspak të bëjnë me fuqinë e tij të paprekshme, përmes revoltave të dështuara të pallatit dhe ngritjen dhe rënien e një shefi policie sekrete i cili vazhdon t’i dërgojë thasë me koka armiqsh të supozuar.

Gjenerali degjenerohet nga një hamshor karizmatik e i deformuar në një bishë gjakatare pa tru e burgosur në “fronin e iluzioneve” që krijon fuqia e tij, në pamundësi për të dalluar se çfarë është e vërtetë tani, apo çfarë ishte e vërtetë në fillim. Fillon ta mendojë veten si Zot dhe e quan të birin Emanuel.

Lexuesi lodhet disi me teprimet, përsëritjet dhe parashikueshmërinë të disa pjesëve të caktuara – plaku që po ecën pafundësisht përmes korridoreve të pallatit, duke çarë përmes leprozëve dhe lypsarëve në patio, duke u përkujdesur për lopët në shkallë dhe duke ndjekur konkubinat në fshehtësi, dhe ka një dëshirë të zjarrtë për një nënvlerësim të poshtër. Por García Márquez-i është po aq vigan sa Melville dhe Dostojevski. Beson që jo vetëm se teprimet të bëjnë mirë, por që janë thelbësore, se një libër duhet të ketë një mori në të njëjtën mënyrë që jeta është gjigante – dhe e dendur dhe misterioze dhe po aq e parashikueshme në mënyrë të përsëritur sa hakmarrja e gjeneralit për fyerjet. Si ndryshe, pyet thjeshtazi romani i tij, mund të rrëfehej historia e diktaturës së pafundme?

Ky roman, prej nevojës pra, nuk ka asnjë cilësi përgëzuese të jetës që e bëri “Njëqind vjet vetmi” kaq universalisht të dashur. Nuk ka asgjë për të festuar në jetën e gjatë e të mundimshme të gjeneralit. I jepen pafundësisht mundësi të na bindë se vuajtja dhe pikëllimi dhe ngatërresat janë të vërteta. Por ne nuk bindemi kurrë. Ai nuk është as i mëshirshëm. Është një spektakël, mishërimi i një të keqeje egocentrike, maniakialisht e dhunshme, kozmikisht e pavlerë dhe pavarësisht pretendimeve për përjetësi, po aq pa kuptim sa çdo gjë tjetër në një botë absurde. Kontributi i tij kryesor në jetë, përfundimisht, është frika; por frika siç e provokon vetëtima, kanceri, apo çmenduria, frikë e bazuar në mundësi irracionale, mbi shkatërrimet e padrejta të një hyjnie djallëzore.

Ky libër është një polemikë supreme, një parashtrim shpirtëror, një sulm kundër çdo shoqërie e cila inkurajon apo madje lejon rritjen e një monstruoziteti të tillë. García Márquez-i e sendërton monstrën dhe në fund të romanit përpiqet ta shpjegojë si pasojë të pamundësisë së gjeneralit për të dashuruar: “…ishte rrekur ta kompensonte atë fat poshtërues me kultin përvëlues të vesit vetmitar të pushtetit, ishte bërë viktima e sektit të tij që të flijohej në flakët e atij holokausti të pafundmë, ishte dhjamosur në mashtrim dhe krim, kish përparuar në mizori dhe poshtërsi dhe e kish kapërcyer koprracinë e tij të ethshme dhe frikën e lindur vetëm për të ruajtur në grusht gjer në fund të kohërave zarin e tij prej qelqi pa e ditur se ishte një ves pa mbarim nginja e të cilit prodhonte urinë e vet gjer në fund të të gjitha kohërave gjeneral…”.

Por monstra nuk mund të reduktohet në një shkak të vetëm, ashtu siç shpjegohet qytetërimi perms shpikjes së rrotës. Shkaku është përtej deklaratave reduktuese, edhe kur shtresëzohen në prozë kaq të shkëlqyer. Gjenerali pretendon të ketë një dashuri të veçantë për mamanë perëndeshë dhe gruan epshore. Por i do në mënyrën që do dhe përkëdhel butësisht testikulin e tij: si një zgjatim të vetes. Me kohën, ai do të shfarosë çdo gjë që nuk është e, nga, prej, apo për të. A mundet që thjesht mungesa e dashurisë të shpjegojë një mizantropi kaq të përlyer me gjak?

Paaftësia për të dashuruar duket se qëndron, madje, si një fakt tjetër në jetën e gjeneralit, si fishkëllima e hernies së tij, apo fara e babait të panjohur, apo zbulimin e tij se gënjeshtra është më e rehatshme se dyshimi. Dhe këto fakte, në dorën e këtij romancieri mjeshtëror, mblidhen jo për të shpjeguar thjesht diçka, por për të mishëruar vizionin më kompleks e të tmerrshëm të djajve të kudogjendur e të pamposhtshëm të Amerikës Latine.

Please follow and like us: