Albspirit

Media/News/Publishing

Skënder Sherifi zbardh enigmën e nobelistes franceze në letërsi

Siç e dini, për çdo vit, shqiptarët e presin me një farë tensioni psikologjik, emrin e çmimit Nobel të ardhshëm, dikush kundër, dikush pro, me atë idenë që ky çmim i takon tash ca vite detyrimisht autorit tonë emblematik Ismail Kadaré… por kjo nuk është fare tema e këtij shkrimi, sepse asnjëri prej nesh, nuk jemi në trurin e anëtarëve të Jurisë së Nobelit dhe tek e fundit ata votojnë lirisht për kënd të dojnë. Kur ua kanë dhuruar këtë çmim me prestigj botëror disa autorëve, të cilët as ju, as unë, nuk i kemi pas njohur më parë (nigerianin e vitit 1986 ose këtë tanzanianin e fundit, pastaj më kujtohen edhe disa autorë aziatikë) shumicën prej tyre, nuk i kemi njohur (duhet të jemi të sinqertë) as në rrethet e quajtura kulturore apo intelektuale, e mos të flasim për masën e gjërë popullore. Por me një logjikë të shëndoshë, nga ana tjetër: krejt kot nuk ua kanë dhënë dhe na duhet për ta respektuar, na pëlqej apo jo, vendimin e tyre. Ngaqë ky çmim e ka një “autoritet” dhe një domethënie evidente, të pranuar sot në gjithë rruzullin tokësor. A e diskuton apo kundërshton sot dikush çmimin Nobel të Fizikës, Mjekësisë, Kimisë apo Ekonomisë ? Besoj, që jo! Pra, më mirë mos ta diskutojmë as këtë të letërsisë… ngaqë është një humbje kohe, e kotë. Por le ta pyesim vetën: « po me të cilat merita objektive ia kanë dhënë këtij, apo atij”? Ky është pozicionimi etik, i cili më duket mua i drejtë… duke e pranuar pa asnjë problem, një pjesë të injorancës sime ndaj letërsisë afrikane dhe aziatike, që nga fillimi!
Ndërsa sivjet, ky çmim i takon autores të njohur franceze ANNIE ERNAUX, të cilës unë ja kam lexuar vetëm 2 vepra, të cilat mu kanë dukur interesante, me përmbajtje reale, edhe pse nuk më kanë pasionuar jashtë mase, për të thënë: «waouw… çfarë gjenialiteti në artin letrar”, porse shijet janë subjektive, intime, individuale dhe nuk mund të diskutohen.
Shumica prej shqiptarëve dhe së pari meset kulturore, do na thonë: «po kush është kjo Annie Ernaux, të cilës nuk ja kemi dëgjuar kurrë emrin, as lexuar një libër deri sot”?
Por e kanë gabim, sepse është një shkrimtare me një karrierë të konsoliduar, me një botë letrare të saj (që dikujt i pëlqen, dikujt më pak) dhe me një stil në mënyrën sesi i shpreh gjërat e jetës së përditshme. Pastaj, është autore e rreth 20 romanëve autobiografike, me një sfond fiksioni letrar, apo imagjinarë, për ta modifikuar së paku minimalisht subjektin bazë… zhanër i njohur me epitetin: «auto-fiksion» ose fiksion narrativ mbi një realitet objektiv bruto, mbi një ngjajre krejt autobiografike, të përjetuar, me pak mjeshtëri dhe zbukurime letrare. Disa prej veprave të saj, janë adaptuar në skenat e teatrit francez dhe në filma për televizion dhe kinema. Bile ky filmi i fundit, që fitoi Mostren ose Luanin e Artë në Festivalin e Venecies (ITALI) në edicionin 2021, i realizuar nga regjisorja femër Audrey Diwan, ishte një adaptim i romanit të Annie Ernaux-së, «L’ événement – ose shqip «Ngajrja» botuar te Gallimard në vitin 2000, ku e shpjegon autorja me një imtësi gati klinike, eksperiencën e saj të abortimit (temë sot më aktuale se kurrë për të drejtat e Femrave – ju po e shihni sesi ka evoluar ligji në Amerikë, dhe në disa shtete evropiane).
Në atë kohë Annia ishte akoma studente në vitet 1964 dhe pas një marrëdhënie seksuale të pakontrolluar, e përjeton një abortim klandestin me 100 probleme anekse, pos konfliktit psikologjik me vetveten, me të afërmit e saj, sipas rendit social, patriarkalizmit dhe thashethemet e shoqërisë. Bile ka pas filluar në letërsi me po atë temë, në veprën e saj të parë, që ia ka pas botuar Gallimard, botuesi më prestigjioz i Francës (Les Armoires Vides – 1974 ) – roman autobiografik, të cilin e ka zhvilluar, kompletuar dhe ribotuar pastaj në vitin 2000 me titullin siç ua thash më sipër “Ngjarja apo evenimenti”. Por ja dy fjalë prezantuese për policinë e rendit publik apo ministrinë e brendshme mbi këtë shkrimtare franceze Annie Ernaux, e rritur në Normandi, pak para zbarkimit të forcave aleate pro-amerikane nëpër plazh. Ka lindur me 1 shtator 1940 në Lillebonne, një vend anonim që nuk e njeh askush dhe së pari vetë francezët. Mund të themi, periferia,
ose No Man’s Landi hegzagonal, siç e ka kënduar shpeshherë kushëriri im RENAUD. Vjen nga një familje modeste dhe popullore, proletare, (vajza e askushit) në raport me klasat borgjeze dhe aristokratike franceze, ku përcillen dhe transmetohen vlerat, kulturat, trashëgimitë e ndryshme, brez pas brezi, po në të njëjtën klasë shoqërore dhe familjare. Si unë Sherifi nga fshatrat buzë Valbonës, ku të parët e mi, prisnin që po kapi Pushkën dhe Kalin për ta luajtur ndonjë rol të dytë në një Western tropojan të Howard Hawks, John Ford, ose Sergio Leone, me Clint Eastwood-in… por devijova tragjikisht në anarshi dhe në deliriumet e majit 1968 dhe akoma nuk kam ardhur në rrugën e duhur të para-programuar.
Ju dua shumë, o prindër, ju respektoj, por më leni në botën time, por favor, se më kanë rrethuar disa spanjolle dhe latino-amerikane… ec e merrne vesh sepse?
Babai i Annie Ernaux quhej Léon Duchesne (1899 – 1967) dhe nëna quhej Madeleine Dumenil (1906 – 1986) si në këngën e BREL-it («Ce soir, j’attend Madeleine»), por e shkreta ka përfunduar si shoqja ime aktore e famshme Annie Girardot me sëmundjen e Alzajmerit, humbje graduale e kujtesës dhe e identitetit, të cilëve ua kushton autorja franceze nobeliste një vepër mjaft të prekshme, edhe pse e shkruar pa asnjë patos. Romani i saj mbi Babain (La Place -botuar tek Gallimard në 1983) fiton çmimin Renaudot një vit pas në 1984–çka në Francë vjen direkt pas çmimit të famshëm Goncourt, i dyti në hierarkinë e çmimeve. Dhe pastaj mbi nënën e saj (Une Femme–botuar në 1987). Prindërit e saj janë punëtorë të thjeshtë, pastaj tregëtarë të rëndomtë, ngaqë e mbajnë një kafe me një magazinë ushqimore elementare në lagjen e tyre. Nuk jemi shumë larg botës së Emil Zola në fakt. Por Annia do për të dalur me çdo kusht prej atij mesi aq të varfër dhe të kufizuar, tepër i mbyllur dhe rutinor në ekstrem… ashtu, siç kam dalur unë nga psikologjia e imponuar në zonat malore veriore ose prej Mërgatës së Qyqeve. Ndodhin këto gjëra rastësisht, aksidentalisht ose nga një vullnet i superfuqishëm i Personit IKS! Autorja franceze shkon për ta studiuar Letërsinë në Universitetin e Rouen – ku zonja Zhan D’ARC e ka pas lënë një gjurmë – dhe më vonë në Bordeaux, regjion i bukur dhe i mirënjohur për verërat e mëdha franceze. Punon si profesore e Letërsisë në disa kolegje dhe gjimnaze në Francë. Del gradualisht, por me një pikëpyetje dhe konflikt të brendshëm nga shtresa e saj sociale dhe familjare, porse i rikthehet rregullisht dhe me një autenticitet dhe sinqeritet të rrallë në të gjitha veprat romaneske (auto-fiksion) të saj. Me atë idé qendrore evidente: «tani që jam universitare dhe e rangut borgjez, klasa e mesëme, kam të tjera qendra interese dhe preokupime dhe një distancë me botën e prindërve dhe të fëmijërisë time. A e meritoj këtë statut që e kam? A mos jam duke e tradhëtuar origjinën time, atë kujetesën apo realitetin familjarë të botës proletare”? Dhe siç iu thashë, i përgjigjet kësaj problematike në librat e saj. Mund t’ua citoj disa romane pak më emblematike të krijimtarisë së saj letrare: («Une Femme gelée» ose Një Femër e ngrirë, apo e akullt – botuar në 1981 – ku flet për historinë e saj dhe atë familjaren. «Passion Simple» që
më ka pëlqyer mua si lexues – në 1992 – ku e përshkruar klinikisht aventurën e saj pasionante me një biznesmën pak më të ri, që vinte nga Europa Lindore, epshet, pritjet, deri në detaje… si të ishte një radiografi globale mbi gjithçka mund të përjetohet gjatë atyre momenteve. Kjo vepër ka qenë e adaptuar në film nga Daniele Arbid në vitin 2020 “La Honte” – ose Turpi në 1997 – «La vie extérieure» në vitin 2000 – pastaj vepra më e plotësuar e saj, sipas specialistëve me titullin: “Les Années – Vitet” në 2008, një lloj fresk romanesk, ku e ilustron në detaje jetën e saj personale dhe atë të familjes, si t’i kishte përmbledhur brenda një libri, 4 ose 5 libra të saj, mbi një ngjajre të caktuar, kurse në këtë vepër i trajton të gjitha temat dhe problematikat e saj dhe të rrethit të saj, prej nga viti 1940 dhe deri sot …me të gjitha shkundjet që kanë ndodhur në shoqërinë franceze, në të gjitha fushat gjatë 70 viteve të fundit… Dhe për këtë vepër, i merr disa çmime, si për shembull: çmimin François Mauriac dhe çmimin Marguerite Duras, dy autorë të njohur francezë dhe çmimin Strega të letërsisë evropiane. Në vitin 2011, e boton librin e saj: «L’autre fille» ku ia shkruan një letër të prekshme letrare motrës të saj, e cila ka vdekur që në lindje, para ardhjes se Annie Ernaux-së, në jetën tokësore. Në vitin 2016 e boton romanin autobiografik: «Mémoire de Fille» ku trajtonë rininë e saj, kur ishte 18 vjeçare dhe eksperiencat seksuale të para të asaj kohe, të cilat i ka quajtur më vonë «Kujtimet e turpit». Dhe mund ta citojmë edhe veprën e saj të fundit për momentin, të quajtur : «Le Jeune Homme – Mashkulli i ri” në 2002, gjithmonë tek botuesi Gallimard. Ku e trajton aventurën e saj, me një mashkull atraktiv 30 vite më i ri sesa Annia. Ndërsa e fiton edhe çmimin e gjuhës franceze, por edhe çmimin Marguerite Yourcenar në vitin 2017 për të gjithë veprimtarinë e saj letrare. (Zonja Yourcenar është femra e parë që është emëruar në Akademinë e famshme franceze, mes 40 figurave mashkullore të kulturës dhe inteligjencës, konsideruar si të pavdekshmit… trashëgimi e Mbretit Diell Liugji 14). Emërohet në vitin 2014 «Doktor Honoris Causa» e Universitetit de Cergy Pontoise. Merr çmimin e Akademisë së Berlinit në vitin 2019.
Gjatë vitëve 1960 martohet me zotin Philippe Ernaux dhe jetojnë 17 vite së bashku. I ka 2 djem: Eric dhe David dhe dikur do ndahen nga vitet 1980. Në Festivalin e Kanës të fundit, tani në maj 2022: e ka prezantuar në seleksionin zyrtar të seksionit «La Quinzaine des Réalisateurs – Dy javorja e regjisorëve» duke konkuruar për çmimin «Kamera e Artë» e cila e shpërblen një vepër të parë… bashkë me djalin e saj David, filmin «Les années super 8». Tani në aspektin e artit letrar, të stilit të saj, autorja Annie Ernaux, është trashëgimtaria e shkollës minimaliste, neutrale, objektive, realiste dhe gati klinike “Le Nouveau Roman- ose Romani i ri”, i cili e ka dinamituar narracionin, psikologjinë, përshkrimet e gjata alla Marcel Prust, zbukurimet dhe qendisjet sa për formë… me Nathalie Sarraute dhe Alain Robbe-Grillet, të cilët i kam pas njohur të dy në Paris dhe gjatë vizitës së tyre në Bruksel. Edhe tek romanet e Annie Ernaux, vërehet ky lloj shkrimi i distancuar, i ftohët, klinik dhe neutral, pa patos, pa metafora, pa krahasime, pa vlerësim as gjykim personal subjektiv të personazheve apo të ngjareve… pra, me një përshkrim sa më objektiv dhe mjekësor, diçka që korrespondon me faktin që kemi para syve. Por literatura e saj, e ka pos anës autobiografike evidente, anës intime të përjetuar (abortimi, familja, fëmijëria, mesi social, eksperiencat seksuale, pasionet erotike, portetet e babait dhe të nënës me alzajmer) e kanë në prapa sfond, edhe një anë të angazhuar direkte apo indirekte politike, sepse bazohen edhe në realitetin social për mos me thënë sociologjik, si te filozofi dhe sociologu Pierre Bourdieu, të cilën e ka admiruar shumë. Annia niset me të drejtë nga ideja, që edhe intimiteti ynë lidhet dikund me anën sociale apo politike, sepse jemi të diktuar nga një realitet familjarë IKS, nga një realitet politik dhe social, nga një klasë sociale me ligjet dhe normat e saj, me universin e saj specifik… e sado që të ecim, të avancojmë në karrierën tonë, të ngritemi me poste dhe me rroga… e kemi dikund të shënuar në qeliza historinë dhe trashëgiminë tonë familjare dhe sociale… pra është pjesë e jona dhe ngelet dikund e regjistruar brenda nesh, edhe nëse do bëhemi Ministra apo Miliardera në Biznes. Me një fjalë sipas Annie Ernaux: «Nuk mund të ekzistojnë një UNË intim puro, i zgjidhur dhe i dekonektuar nga çdo realitet social apo politik IKS apo YPSILON”. Kështu, që mjeshtëria e saj, është për ta kontekstualizuar UNIN intim, për ta lidhur me realitetin ekzistues dhe për ta zgjeruar pikërisht atë anën autobiografike tradicionale, siç e kanë praktikuar disa shkrimtarë egotikë dhe narcisikë me temën: «unë, unë, unë, dhe asgjë tjetër pos unë… bëra këtë, më ndodhi kjo, u takova me filanin, si të ishte gjithë bota duke u sjellur rreth kërthizës të tyre”! E kjo është merita më e madhe sipas meje, e autores Annie Ernaux, me dalur nga prizmi puro egocentrik, për ta përqafuar realitetin social dhe politik të botës, përmes eksperiencave të saj individuale dhe intime. Pastaj është një femër e majtë, e angazhuar në disa tema politiko-sociale, feministe natyrisht, mbështetëse e lëvizjes sociale franceze: «Fanelat e jeshilta» dhe e programit të Jean-Luc Melanchon, që konsiderohet si ekstrem i majtë në Francë. Nuk do mend, që është komplet anti-liberale dhe anti Emmanuel Macron, çka e ka theksuar gjatë një interviste në gazetën e njohur: «Libération» në mars 2022 – ku është prononcuar shumë qartë dhe pa formula druri pseudo-diplomatike mbi kanditaturën e dytë të Macronit. Po kush është realisht ky tip në sferën politike, nga na ka ardhur? Për mua, është kandidati i bankave dhe i fuqive financiare. Një arrogant plot urrejtje ndaj shtresave të ulta popullore. Komplet jashtë realitetit objektiv të jetës së 70 për qind të francezëve. Një iluzionist, falltor, specialist i komunikimit, showmen, aktor, por i stërforcuar, kështu që tingëllon fals. Një llafollog por pa përmbajtje të thellë as serioze, pa diçka konkrete që shihet më në fund. Ja pra, të nderuarit lexues, se kush është fituesja e çmimit Nobelit të vitit 2022 – shkrimtaria franceze Annie Ernaux. Edhe pse nuk e kemi pas njohur ne, më përpara… Në historinë e çmimit Nobel që në vitin 1901, janë 16 autorë francez të cilëve ju është atribuuar ky titull prestigjioz dhe është autorja e parë femër në Francë që e merr këtë çmim. Tani, pasi që ua prezantova këtë shkrimtare franceze me fjalët e mia, ju ngelet për ta zbuluar dhe për t’i lexuar veprat e saj, nëse dikush i ka përkthyer në gjuhën shqipe.
Kalofshi mirë të gjithë dhe respektet e mia, nga Brukseli, me një birrë artizanale të fabrikuar nga Murgjit e një Manastiri në Valoni… a mos e keni pak mish të tharë dhe pak djathë të vjetruar së paku 1 deri në 3 vite? Ju falënderoj të gjithëve për mirëkuptim!

Skënder Sherifi, 10 tetor 2022, Bruksel, Belgjikë.

Please follow and like us: