Albspirit

Media/News/Publishing

Brikena Bogdo: Lufta për energjinë

“Lufta e Rusisë kundër Ukrainës, dëshmoi se sigurimi i energjisë ëshë një sfidë që shkon përtej masave të sigurisë së ruajtjes të kufijve dhe shqetësimeve ambientaliste, sepse do të mbetemi pa bukë”- deklaron Carsten Muhlenmeier, kryetari i zyrës shtetërore gjermane për nxjerrjen e mineraleve, energjinë, gjeologjinë. Por është vërtet lufta në Ukrainë përgjegjëse për këtë situatë, apo kanë qenë sherret brenda Europës, mungesa e vizioneve dhe e ideve të qarta për të ardhmen? Kur diskutohet kriza energjetike, si krizë botërore, mos është instrumentalizuar, pasi një pjesë e mirë e botës nuk e percepton fare atë? Do ecë në kohë, përgjatë më shumë se një shekulli.

Në vitin 1994 midis 40 projekteve të propozuara nga vende të ndryshme europiane, Shqipëria u bë pjesë e një projekti paneuropian, prioritar, korridori i tetë, i cili u sabotua. Ky sabotim po i jep efektet sot, me pasoja fatale, në këtë krize energjetike, që po pason me një krizë ekonomike. Pse? Korridori i tetë ishte, krahas shumë benefiteve të tjera, edhe gazi për Europën, por pa gazin rus. Mbas 28 vitesh mund të thuhet që është krim shtetëror shqiptar, për të varrosur interesat kombëtare, në favor të interesave greke apo serbe. Por ajo që është më rëndësishmja, nuk është vetëm sabotim rajonal, por edhe më gjerë, duke përfshirë Europën. Po të ishte realizuar korridori i tetë, me shumë gjasa, nuk do të ekzistonte kjo krizë energjie dhe roli rus në bllokimin e gazit do të ishte inekzistent. Korridori si term eshte transporti inteligjent, pasi është një tërësi e llojshmërisë së transporteve, rrugor, hekurudhor, ajror, detar, energjitik. Në mënyrë të natyrshme, ky korridor do të sillte edhe kalimin e gazit. Korridori është transport dhe kostot e transportit ndikojnë drejtperdrejt në vleren e mallit dhe kostot e konsumatorit. Në korridorin e tetë firmosën 5 shtete Shqipëria, Maqedonia, Bullgaria, Turqia, Italia. Presidentët e këtyre shteteve firmosën edhe në Amerikë. Ky korridor mbërrinte deri ne Detin e Zi, ku ka dalje edhe Azerbajxhani, që është i pasur me gaz, në fushën e tij, Shah Deniz. Azerbajxhani është sot, një vend i zhvilluar dhe i lulëzuar, pikërisht për këtë pasuri natyrore të tij, larg krizës energjetike dhe asaj ekonomike.  Korridori i tetë, autostradë që lidhte Orientin me Europën Perëndimore, shndërronte Shqipërinë në pikë strategjike, Durrësin në portin më të madh të Ballkanit dhe Aeroportin e  Rinasit, në aeroportin më të rëndësishëm të Ballkanit. Pikë kyçe ishte Italia dhe Shqipëria, të cilat ktheheshin n137 magazinat e kalimit të prodhimeve të Lindjes dhe të Perëndimit. Deti Adriatik kthehej në një autostrade gjigande. Por, me sa duket, ky prioritet i dy vendeve nuk iu pëlqeu disa vendeve europiane, që filluan të mbështesnin edhe korridore të tjera, sidomos atë të 10.

Shteti shqiptar, asokohe, nuk dha asnjë fond, as për studime, as per projekte. Gazetat sulmonin kryministrin Nano, si një politikan që nuk i interesote, se ku do ishte porti i korridorit të tetë, në Durrës apo Selanik. Kryeministri grek, Papandreu deklaronte, se korridori i tetë do të niste nga Selaniku, ndërsa për SHBA-të, korridori i tetë do të kalonte nga Durrësi. Allbright mbështeste Shqipërinë, si pike kyçe per stabilitetin. E inicuar nga Europa, por e mbështetur nga presidenti amerikan Klinton, ishte i një rëndësie të veçantë. Në kundërpeshë, qarqe të fuqishme, ndërhynë që qeveria shqiptare, të kërkonte në Europë financime për korridorin e 10, që në fakt nuk kalonte aspak nga Shqiperia, por nga Greqia dhe Jugosllavia. Gazetat e asaj kohe denoncuan ashpër, se ky korridor u tradhëtua për interesa të qarqeve greke dhe serbe. Korridori i tetë ishte projekt i ngritur, sipas rrugës Egnatia. Në vitin 1995 grekët filluan luftën e tyre për ta spostuar Rrugën Egnatia, nga Igumenicë-Veriu Greqisë –Selanik. Projekti kushtonte 650 milionë dollarë. Europa i vuri kusht Greqisë, që duhet të merrte miratimin edhe të Shqipërisë. Në dhjetor të vitit 1997, ministri Apostoli vuri firmën në Greqi, për të dakortësuar këtë projekt. Këtu përfundon ëndrra e korridorit te tetë. Sipas inxhinierit Kujtim  Hashorva, në atë kohë, kryetar i shoqatës për integrim paneuropian të sistemit dhe infrastrukturës së transporteve, pjestar i delegacionit në Kretë, ishte projektuar që në vitin 2020 të kalonin 2 mijë makina (të mëdha) në ditë në Durrës, ndërsa në atë periudhë, kalonin vetëm 50 makina.

Mbas 10 vitesh, në vitin 2003, del në skenë një projekt shumë i rëndësishëm, TAP, kalimi i gazit nga Azerbajxhani, Turqia, Greqia, Shqipëria dhe Italia. Shohim, që del në skenë tashmë Greqia, armikja e egër e korridorit të tetë, por me një ndryshim drastik për Shqipërinë. Ky projekt kalon nga Vlora, një port më i vogël se sa Durrësi. Durrësi, në korridorin e tetë do të ishtë porti më i rëndësishëm i Ballkanit. Del qartë që janë luajtur sërish lodra, në dëm të interesave shqiptare dhe në favor të interesave greke. Korridori i tetë do e rriste Shqipërinë në të gjitha dimensionet e transportit, në atë rrugor, detar, hekurudhor, ajror, sigurisht edhe të gazit, mbi të gjitha pikë strategjike të lidhjes, Lindje-Perëndim.

Megjithëse Shqipëria e ka firmosur këtë projekt, me një vlerë prej 3.9 miliardë euro, që në vitin 2013, ende nuk kemi ngritur infrastrukturën që ta shfrytëzojmë gazin. Përpara një viti, nënshkruhet një marrëveshje në Fier, mes qeverisë shqiptare dhe përfaqësuesve të TAP, sipas së cilës, Shqipëria nuk do të jetë më, vetëm një vend transportues për gazin nga gazsjellësi TAP, por edhe pikë dalëse për gazin e lëngshëm. Rama e cilësoi këtë nënshkrim: “Përmbushja e e objektivit për ta kthyer Shqipërinë, kampion në Ballkan, për eksportin e energjisë, përfshirë këtu edhe shpërndarjen e gazit”. Prej një viti Enti Rregullator i Energjisë i kërkon qeverisë, që të ngrejë infrastrukturën për gazin, sepse është shumë më ekonomik, por edhe ul ndjeshëm  ndotjen. Ka kaluar një vit, dhe nuk është bërë asgjë. Vendet e tjera po e kalojnë dhe po e shfrytëzojnë gazin. Në nëntor të vitit 2019, TAP-i ka bërë testimet e para në 2 km  të territorit grek. Në korrik 2020, TAP-i ka përfunduar shtrimin e tubave gazsjelles, nëpër Adriatik, dhe ka filluar kalimi i gazit në Itali, me 10 miliard metër  kub gaz, në vit. Brenda një viti do të dyfishohet sasia e kalimi i gazit. TAP-i është projektuar që të plotësojë sasi të konsiderueshme të nevojave për Europën Juglindore, por edhe për të kaluar në Europën Perëndimore. Ndërkohë, Shqipëria sjell anijet amerikane që të vërë në lëvizje TEC-in e Vlorës, me shuma marramendëse për taksapaguesit shqiptarë, 63 mijë dollar në ditë. Nëse do ishte bërë infrastruktura e gazit, konsumatori i parë do të ishte TEC-i i Vlorës. Bullgaria, së cilës nuk i kalon drejtpërdrejt TAP-i, por e merr nëpërmjet Greqisë, madje përmbush 33% të nevojave të saj me gaz, prej tij.

Korridori i tetë u tradhëtua. TAP-i, po sabotohet për t’u shtrirë dhe në Shqipëri. Pse?  Mbase përgjigjen më të mirë e jep Berisha. Përpara 7 muajve ai deklaron publikisht, se i kanë ofruar shuma marramendëse nga GAZPROM (rus) që të mos realizohet TAP-i. “Por, mbrojta interesat e vendit dhe ato europiane, se isha i bindur qe një darë e Rusisë ndaj Europës ishte lajmi më i keq për Europën dhe Shqipërinë”- deklaronte Berisha. Përtej fjalëve boshe elektorale të Ramës, që Shqipëria do ishte kampione eksportit të energjisë dhe gazit, aktualisht qeveria shqiptare është një lypëse e energjisë në Europë dhe bishë e egër zhvatëse për konsumatorët, në Shqipëri, duke ia rritur çmimet drastikisht. Kjo, vetëm për faj të qeverisë. Shtrirja nëpër Shqipëri e tubave të gazit nuk i jep peshë vetëm ekonomisë shqiptare, por edhe rajonit, pasi është parashikuar që infrastruktura, të vazhdojë në Kosovë, Mal të Zi, Bosnje-Hercegovinë, deri në Kroaci. Kush ka interes, që tubat të mos kalojnë në Kosove e më gjerë? Përsëri tradhëtohen interesat shqiptare, por tashmë, për llogari të serbëve.

Rrugët që kanë lidhur lindjen , me perëndimin, janë bërë shkaku real i luftrave, paçka se janë gjetur pretekste vrasje,  individësh. Këto rrugë kanë shkaktuar trazira në Europë dhe janë bërë bërë shkak për luftë. Ishte pikërisht projekti i Gjermani-Austro-Hungari për të realizuar një hekurudhë Berlin-Bagdad, shkaku real i Luftës së Parë Botërore. Kjo hekurudhë linte mënjanë Francën, ndërsa Anglinë e shndërronte në ishull të parëndësishëm. Historianë shkruajnë, se Serbia, në këmbim të mos lejimit të hekurudhës, do të shpërblehej me Jugosllavinë e Madhe. Për vrasjen e Franc Ferdinandit, pinjollit të fundit të Habsburgëve, historianë shkruajnë, seFranca dhe Anglia vunë 27 atentatorë serbë dhe një boshnjak, që të kryenin vrasjen, e cila shkaktoi fillimin e Luftës së Parë Botërore. Por, pas Luftës së Parë Botërore, solli kontrollin franko-anglez, në Europë, dhe krijimin e Jugosllavisë së Madhe, pas marrëveshjes së vitit 1913.

Europa e ndodhur  përpara faktit të një krize të pashmangëshme me rrezik serioz të kolapsit të ekonomisë, tani ka filluar projekte konkrete të shfrytëzimit të gazit natyror brenda territoreve të disa shteteve. Tani, qeveritë europiane po detyrohen që të shohin mundësinë e shfrytëzimit të burimeve të vjetra të naftës, në kundërshtim me ambjentalistët, duke rishkruar plane e programe, që deri para pak kohësh, dukeshin dogma. Megjithëse, nga 24 shkurti janë rritur koutat e prodhimit dhe janë autorizuar çpime për hapjen e puseve të reja të naftës, presidenti i Komisionit Europian, iu bëri thirrje vendeve anëtare, të mos heqin dorë nga angazhimi për të pakësuar shfrytëzimin e hidrokarbureve tradicionale. Kjo tregon qartë, se përse Europa është në këtë pikë krize. Krahas luftrave të brendshme, dominimi dhe fitimi, ajo ka ndjekur politikat ambjentaliste, që të ulet shrytëzimi i hidrokarbureve, duke kërcënuar seriozisht mungesën e karburanteve. Në Detin e Veriut, Mbretërinë e Bashkuar, Danimarka, Gjermania, Vendet e Ulta po shtohet, ose po rinis shfrytëzimi i burimeve të gazit natyror. Duhet nënvizuar, se jugu i Europës, ku përfshihet edhe Italia, po sheh te gazsjellësi nga Maghrebi  (një sërë shtetesh në Veriperëndim të Afrikës) dhe nga rajoni danubiano-ballkanik burimë shumë të mira të shfrytëzueshëm gazi. Gazi është më ekonomik dhe ul ndjeshëm ndotjen e ambjentit, frika kryesore e ambjentalistëve. Deri tani, Europa nuk ka shfrytëzuar burimet e saj nëntokësore, por të Rusisë, duke krijuar një varësi gati absolute nga ky vend, me pretekstin e ruajtjes ambjentaliste. Një tjetër rrezik, por pak i njohur, është që Franca po parashikon që  të riaktivizojë dhe shfrytëzojë më tepër centralet e vjetra bërthamore, që ndodhen, në jug, në kufi me Italinë. Ky është operacion me rrezik shumë të lartë, siç ndodhi me Çernobillin që një difekt shkaktoi një ndotje shumë të madhe. Vizionari më i qartë është aktualisht Amerika. Ajo po sjell nga fillimi i marsit qindra anije me gaz të lëngshëm, në Mesdhe, një biznes i konsideruar cikllopik për Amerikën. Europa nuk e pati atë qartësi ideshë për të ardhmen, që të mbështeste ato korridore, apo projekte, që do e largonin nga varësia ruse, për të diskutuar sot bukën.

Gjithë këta shëmbuj janë tregues, selufta në Ukrainë të mos jetë përgjegjësja kryesore e krizës energjetikëe, ashtu siç po serviret. Edhe qeveritë europiane kanë përgjegësitë e tyre, në këtë tragjedi, që po mbyt sipërmarrjet e të gjitha llojeve dhe po i mban qytetarët nën hijen e frikës. Çmimet e hidrokarbureve pritet të bëhen të papërballueshme me të ardhurat e qytetarëve. Qeveria shqiptare edhe qeveritë europiane kanë një përgjegjësi shumë të madhe, shtyrë edhe nga një tendencë spekulative. Në Shqipëri nuk do ishte prezente kriza energjetike, nëse korrupsioni nuk do ishte në nivele të frikshme. Vërtet duket shume atraktiv ideja e nje porti jahtesh për Durrësin, por të devijosh këto korridore jetike, që lidhin Lindjen dhe Perendimin, apo të mos shfrytëzosh ato linja, që tashmë janë të shtrira nëpër Shqipëri, për t’u bërë pikë startegjike, është tallja më dashakeqe, në kurriz të fateve të shqiptarëve, ndërsa  Rusia nuk do ishte i vetmi transportues gazi. Kjo luftë, midis vetë vendeve të Europës ka sjellë ne këtë pikë të krizës energjetike.

P.S. Në You Tube mund të ndiqni emisionin televiziv “Laborator”,  “korridori i tetë”, Brikena Bogdo, realizuar në vitet 2000.

https://www.standard.al/2022/10/28/lufta-per-energjine/?fbclid=IwAR1UOOUcWCMOpckuGH_SPOS67OY5NVdG-vmaKliqrGYWDDkiXXSWRfVssrk

Please follow and like us: