Albspirit

Media/News/Publishing

Cikël poetik nga Manushaqe Toromani

 
ËNDRRA IME
Ti je larg, kaq larg ëndrrave të mia
Dëshira ime nuk mjafton të të sjellë pranë
të shoh përhumbur,
Herë-herë më shfaqesh siluetë
Afrohem të të ndiej, afrohem të të prek.
Largohesh, ohhh sa larg nga unë
Më humbet i tëri
A thua të dukem përbindësh e ke frikë.
Pa e kuptuar nevojën që kam për ty
Të dua pranë
Mos më lërë vetëm, mos më braktis.
Nëse do dije peshën e këtyre fjalëve.
Do zbrisje ngadalë ëndrrave të mia
ashtu si pikat e shiut, mblidhen e formëzohen në re për t’iu ulur tokës
Që aq shumë i pret
Do më uleshe ndër duar.
Do më futeshe damarëve me gjak të helmuar
E do tjetërsohej gjithë qënia ime
Do të mbaja fort,
Kaq fort pas vetes shtrënguar
Sa le ta ndieja dhe dhimbjen e pranisë tënde.
Kam frikë të jem vetëm.
Mos më lësho, Mos më braktis.
SI NDODH KËSHTU…?!
Çudi!
Gjithçka ke dashur, prekur, jetuar
Përnjëherësh të bëhet kaq e largët
E huaj
Nuk jam më në jetën tënde
As ti nuk je
Jemi dy të huaj,
Nuk takohemi, nuk na shqetëson më dita e njëri-tjetrit
Në jetët tona jetojnë tjera çaste
Zgjohemi e flemë me merakun e dy tjerave dashuri
Përqafohemi e puthemi unë me dikënd
E me dikënd tjetër ti.
Si ndodh kështu?
“I paska jeta këto”.
E si mund të lëshojmë nga duart përqafimin
Zemrën që e deshëm
Që na deshi?!
Nuk mund t’i besojmë më as vetes
Dikur premtuam përjetësi
Madje edhe këtu gënjyem,
Sepse..
As ne nuk jemi të.përjetshëm
As Dashuria
Vetëm se ne jetojmë pak më gjatë
Me shumë dashuri.
DHE KTHEHEN SËRISH…
Ndjenjat përthyhen brenda meje
Siç përthyhet një degë kulpër
Pastaj zgjaten e zgjaten e drejtohen sërish .
Dhe vetja më duket një pemë
Që i duhet të plotësojë ciklin e saj
Me degët që rriten e zgjatin sythet për nga dielli
Rëndojnë mbi të stinët
Pranverë, Vjeshtë, Verë e Dimër
Dhe përsëri e përsëri
Mbushen motet dhe pema lartohet
Degët e saj marrin forma nga më të ndryshmet
Por me sytë gjithmonë nga drita
Me dëshirën për t’u rritur.
Dhe vetja më duket kjo pemë
Me degë herë herë të dobëta e holla si fije peri gati të këputen e trungun ta lënë vetëm.
Të përthyhen e kthehen sërish.
Marrin lëng nga trupi i pemës
Ushqehen, kthehen. thahen
Derisa pema mbaron ciklin e saj.
Please follow and like us: