Albspirit

Media/News/Publishing

Rexhep Shahu: SHKRIMTARËT NDERUAN VEXHI BUHARANË NË BERAT

Asnjëherë nuk ka qenë as do të jetë e lehtë me dashtë.

Me mbështetjen e humanistit deputet Flamur Hoxha, i cili në këto kohë të paqeta ka mirësinë, kthjelltësinë e qartësinë për ta ditë kush, çfarë është e rëndësishme e jetëgjatë në këtë botë, që ka mision të botojë e nderojë ata korifej të letrave shqipe që kanë bërë për këtë vend por që janë sakrifikuar, e dënuar nga regjimi komunist, të shtunën më 28 tetor 2022, Shtëpia botuese Klubi i Poezisë, organizoi pelegrinazhin e radhës me shkrimtarë, miq të saj në Berat, për të vënë një tufë lule tek varri i kolosit të kulturës kombëtare Vexhi Buharaja, të cilin regjimi komunist e përbuzi, linçoi, mënjanoi dhe e caktoi të bënte punë të rëndomta kur ai kishte dije e fuqi për punë të mëdha për Shqipërinë.

Në Berat, në prani të vajzës, djalit dhe familjarëve, vumë një tufë lule tek varri i Vexhi Buharasë, vendosëm mbi varr një kopje të illz, revistë letrare e Tiranës në të cilën ai është personaliteti kryesor, shkuam tek lulishtja ku ka qenë një stol ku ulej Buharaja, stol të cilin nuk ia zinin qytetarët në shenjë nderimi, shkuam tek vendi ku ka qenë berberhania ku ai 8 vjet preu bileta për klientët dhe në bibliotekën që ka emrin e tij bëmë një sesion modest përkujtimor.

Ky pelegrinazh i shkrimtarëve që organizoi shtëpia botuese e promovuese Klubi i Poezisë është i teti në radhën e pelegrinazheve që kemi organizuar me mbështetjen e humanistit deputet Flamur Hoxha.

E kemi nisë me nderimin dy herë të poetit që e varën, Havzi Nela, kur iu vu busti e kur iu ndërtua shtëpia për ta bërë muze, kemi nderuar poetin e pushkatuar nga partia Trifon Xhagjika, kemi vijuar në Bërzhestë me nderimin për dy poetët e pushkatuar nga partia jonë Vilson Blloshmi e Genc Leka, kemi nderuar Homerin shqiptar Gjergj Fishta në Fishtë, kemi nderuar poeten e vdekur në internim Musine Kokalari në Rrëshen, kemi vazhduar me nderimin e At Anton Harapit dhe dom Ndre Zadeja në Shkodër. Dhe së fundi vijuam me nderimin për Vexhi Buharanë që e vranë ngapak e përditë me përbuzje.

Si drejtues i Klubit të poezisë dhe organizator i këtyre pelegrinazheve, falenderoj me përzemërsi mbështetësin e përhershëm të botimeve e të veprimtarive që organizoj, deputetin Flamur Hoxha për mirësinë e seriozitetin e tij.

Por një falenderim të ngrohtë dua ta bëj për shkrimtarët që marrin pjesë në këto pelegrinazhe dhe vijnë të nderojnë e të shprehin mirënjohje për korifejtë që ne nderojmë.

Asnjëherë nuk ka qenë as do të jetë e lehtë me dashtë, me i kushtue kohë e vëmendje, mund e lodhje një gjëje që nuk ka lidhje me xhepin dhe interesin personal.

Veprimtaritë e Klubit të Poezisë nuk kanë patur as kanë mbështetje e përkrahje shtetërore, shteti nuk na sheh me sy. Nuk kam patur as kam përkrahje nga shoqata e donatorë ndërkombëtarë që japin para vetëm po t’u dërgosh fotografi sikur ke bërë aktivitete limonate. Për dreq nuk bëj dot aktivitete limonatë.

Për këtë vit edhe dy pelegrinazhe kemi për të organizuar me mbështetjen e humanistit Flamur Hoxha, në Durrës për at Vinçens Prenushin dhe në Shkodër në bibliotekën ku ka punuar At Gjergj Fishta.

Please follow and like us: