Albspirit

Media/News/Publishing

Fritz Radovani: Zamak i Flamurit Gjergj Kastriotit – Skënderbeut (1)

DY SHPÊLLA TË THÊLLA…

AT SHTJEFEN GJEÇOVI O.F.M. (1874 – 1929)

Ndër dy shpella të thella, nën dy harqe të daltuem në shkambijtë e ashpër të maleve tona, të naltuem e të zhytun deri në vrantësinën e pafund të qiellit, të ndamë nga një stom i drejtë që bie pingul mbi një kreshtë burrnore e ku nën té buroi si prroni i pastër e i freskët hymni i një Flamuri të dhunuem për shekuj me rradhë, pikërisht aty, në ato dy vatra shkëndijash me të cilat nuk mujtën me u hangër as sytë e Shqipës, nën cohën e ashpër e të murrme të zhgunit të Shën Françeskut, pushoi së rrahuni Zemra e Madhe e Fratit të Kosovës, mu në Zym të Hasit të Thatë, me 13 Tetor 1929…kur serbët menduen me e lanë të përjetshëm Emnin e fratit tue pagëzue me gjakun e Tij të Shenjtë brigjet, cungat e stomijet e njomuna për sa shekuj nga vllaznit e Tij, dhe tue i diftue botës mbarë se këtu njenit prej bijëve të Ilirëve sot hasmi tradhëtisht i ngriti një monument ma të fortë se bronxit, Monumentin e At Shtjefën Gjeçovit OFM, i cili ndër shekuj nuk do të kenë kurrma mort!

E ç’prej asaj dite të zezë duert e Shugurueme të Tij nuk do të daltojnë kurrma ndër zemrat e njoma shkrojlat e At Gjergjit!…E, nuk do të shkojnë gjatë kur camerdhokëve të vegjël nuk do t’u mësojë ma kush me shkrue emnin “Gjergj Kastrioti”…

Qysh se fillova me marrë mend e kuptova fjalën “vrasë” tue pa me sy gjakun e derdhun lamë në 13 Tetorin e vitit 1943 në Tiranë, kjo datë më kujtonte shprazje armësh e bombësh mbi njerzit e pambrojtun e të pafajshëm.., por kjo nuk ishte data e parë e atij tmeri që përjetova si fëmijë kur ishe vetëm 3 vjeç, mbasi për të gjithë Shqiptarët një 13 Tetor tjetër të përgjakun kishin përjetue 14 vjetë para meje nxanësit e Zymit të Hasit në Kosovë, kur dora e pabesë e shovenistëve serb në vitin 1929, plandosi përdhé Mesuesin e tyne të Gjuhës Shqipe, fratin e përvujtë, At Shtjefën Gjeçovi, pra plot 83 vjet ma parë. Ishte pikërisht ajo vjeshtë e zymtë kur flladi i freskët frynte mbi gjethet e zverdhuna të lisit, me të cilët Përenditë Pellazge thurën kunorën e martirizimit por edhe të lavdisë së përjetëshme që me duert e Tyne Ata i vunë mbi ballin e Heroit të Popullit Shqiptar! Ishte ai dru i gdhenun që i kishte lëshue ata gjeth për shtroje për daltuesin e vet, kur në dorën e Tij iu gjet si shkop për mburojë bash atëherë kur zagart e mbarë Ballkanit lehnin për “barbarët e egjër”, mbasardhësit e Lekës dhe të Gjergjit të Madh. Ai nuk eci kurrë mbi shilte e cerga…Ai eci i zbathun me sandalet e Tija mbi gur e shkrepa, mbi ferra e zallishta, ndër fusha, shpella e male, vetëm mbas Kryqit, me Ungjill në dorë. Ungjill e Kanu ishin mburoja e Tij; Paqë e Drejtësi ishin parzmorja e Meshtarit tonë… Ai ishte djalë i Janjevës së Kosovës, i lemë me 12 Korrik 1874, nga një familje e thjeshtë me origjinë nga Kryeziu i Pukës, me tradita të theksueme Shqiptare. Mësimet e para i mori në vendlindje, ku famullitari i atij vendi, tue vrejtë cilësi të një squtësie të rrallë e mbi të gjitha një natyrë të prirun për kah Feja e ditunia, me leje të prindëve të Tij dhe të Argjipeshkvit të Shkupit, e merr Hilën e vogël (emni i parë i Pagëzimit ishte Mëhill ose Hilë), dhe e sjell në Kolegjin e Françeskanëve të Troshanit. Aty vazhdoi mësimet e mesme dhe u pergatitë që në moshen 10 vjeçare shpirtnisht për udhën e vështirë në të cilën mendonte me vazhdue, tue ju kushtue Urdhnit të Fretenëve  të Vogjel (OFM) të Shën Françeskut të Asizit, që kanë zanë vend në Shqipni që në Shek. XIII mbas Krishtit. Zakonisht aso kohe studentët shqiptarë mbas këtyne viteve shkollore dergoheshin në Bosnje, ku banin një plotësim mësimesh liceale me profesorë të njohun dhe njëkohësisht edhe parapergatiteshin për studimet e nalta teologjike, të cilat pjesa ma e madhe i kanë krye në Austri dhe Itali. Gjeçovi studimet e nalta të filozofisë i bani në Banjaluke, ndërsa ata të teologjisë i ka përfundue në Kreshevë, ku u njoht me letrarin e madh epik Gegë Martiq. Si duket edhe Gjeçovi, ashtu si At Gjergj Fishta, nga ajo shkollë e Bosnjes marrin edhe nektarin e njohun të asaj letersie e cila ma vonë ndikoi direkt në krijimtarinë e tyne letrare, por duhet theksue të një niveli artistik shumë të naltë e që mbetë edhe i papërsëritshëm mbas këtyne kolosëve, që kanë lanë vepra me vlerë të madhe në fondin e kulturës sonë Atdhetare Shqiptare.

Në vitin 1896, porsa kishte krye studimet, vjen në Shqipni dhe fillon veprimin fetar e atdhetar në Pejë, Laç të Kurbinit, Gomsiqe, pikërisht ndër ato zona shumë të vorfna, por që la mbresa të përjetëshme me mësimet e Tija të Atdhedashunisë, një vepër e vazhdueshme e Urdhnit Françeskan në të gjitha Trojet Shqiptare ku kanë shkelë ata. Folklori, doket e zakonet dhe “ligjët e pashkrueme” të atyne viseve bahën shujta shpirtnore e Tij, me të cilat menjëherë filloi me mbrujtë landën edukuese të “Kanunit të Maleve” të Kombit Shqiptar. Reformat e Xhonturqëve e zanë në Gomsiqe dhe asht ndër të parët që i zbulon pa pikë frike karakterin shtypës të tyne ndaj vendit tonë. Në Durrës ka një korespondencë të dendun me shumë shqiptarë të Shqipnisë së Mesme që punojnë për të njajtin qellim si Ky. Ndër të gjitha vendet ku shkon ishte lashtësia e tyne ajo që shumë ma shpejtë se mund të mendohej e ban me vue gurt e thëmelit të shkencës së arkeologjisë Shqiptare, Baba i së cilës asht At Shtjefën Gjeçovi.

Mbas vitit 1912, kur At Gjeçovi arriti me pa frutin e përpjekjeve të veta për Liri dhe Pavarësi me ngritjen e Flamurit në Deçiq në 1911, dhe me 28 Nandor 1912 në Vlonë, Ai nuk u pajtue si të gjithë shokët me okupacionet e hueja, kjofshin ata edhe të pjesëshme ose edhe të përkohëshme, kështu pra, as italianët, austriakët apo serbët nuk e donin praninë e Tij. Madje në vitin 1920 kur asht në Vlonë bashkë me priftin Atdhetar Don Mark Vasa, janë në krahun e vendosun të luftarëve Atdhetarë të Lirisë, kundër zaptuesëve italianë. Mospajtimi i Tyne me të tilla vepra të fqinjëve ka ba atë Histori të Lavdishme të Tyne që përjetësisht ka mbetë Heroike.

Në fushën e letërsisë krijimtaria e Tij asht mjaft e gjanë por e panjohun pothuej fare nga Shqiptarët mbas vitit 1944 për ato arësye që dihen kryesisht të përfshimë në Gjenocidin komunist kundër Klerit Katolik Shqiptar dhe veprimtarisë Atdhetare të Veriut. Asht logjike që veprimtaria e Tij e shkrueme në Gegënisht nuk mund të zente vend në letërsinë antiatdhetare të realizmit socialist. Mjaft dorëshkrime të Tij u plaçkitën nga komunistët kur ata bastisën Kuvendin Françeskan të Gjuhadolit në Shkoder në vitin 1946 dhe shumë nga këto vepra të ruejtuna si dorëshkrime me vlerë, përfunduene pjesërisht në Jugosllavi, ndersa një pjesë tjetër janë endè sot jashta “perdorimi” per disa.., në podrumet e Bibliotekës Kombëtare në Tiranë. At Gjeçovi në fushen letrare asht vlersue edhe nga dijetarët e mëdhaj të kësaj fushe si Prof. Karl Gurakuqi, i cili shkruen: “Gjeçovi botoi në Shkoder në vjetin 1910 vëllimin e bukur me titullin “Agimi i Gjytetnis” kushtue At Fishtës, ndër fletët e të cilit frynë gjithkund nji erë e pastër ndiesishë të flakta atdhetare. Asht për tu shenuem në këte vepër nji studim i hollë mbi fjalorin e gjuhës shqipe, ku rrihet çashtja e pastrimit të fjalëve të hueja, të kujdesit në të folun pa gabime dhe të mënyrës së mbledhjes së fjalvet nga goja e popullit. Përveç këtij libri, kemi nga penda e tij edhe përkthimin e dramit tri pamjesh të Pjetër Metastasit “Atil Reguli” (1912); “Shna Ndou i Padues” mbas Dal-Gal (1912); “Vajza e Arleans-it a Joana d’Ark” (1915) etj”. Ja, dhe një fragment i poezisë “E drejta”: “M’ kam, se Atdheu don që t’ vllaznohi

E njihni n’ t’ bame t’ keni e n’ fjal

M’ kam, se Atdheu don që t’ bashkohi

Hovin hujliut, vllaznisht me j’ a ndal

…M’ kam, shqyptart, m’ kam, e n’ zemrat trimnohi!

M’ kam, flamurin e Shqypnis qit – e ndrit

Emnin tand, pa frig e marre rrfeje

Gjuh’ n tande, n’ t’ cilën Mama t’ ka rrit

N’ drit me qitun, prej Zotit ke leje

…Ngrehu prej gjumit, se mjeft t’ ka topit!”

Si themelues i arkeologjisë sonë kombëtare asht vlerësue dhe njohë edhe nga dijetarë të huej të kësaj fushe si: Dr. Ugolini, drejtor i misionit arkeologjik italian që erdhi edhe në Shqipni, nga Prof. Marucchi n’ekspoziten e Vatikanit, nga Prof. Nopçe etj. Ai ishte me të vertetë një shkencëtar i mirfilltë në këte fushë ku la thesare me vlera të mëdha kombëtare të zbulueme prej Tij, të cilat ruheshin deri në 1946 në Muzeun e Kuvendit të Gjuhadolit, si Unaza e njohtun e Gjeçovit, armët Ilire, Zoja e Zezë e daltueme në dru, enë të vjetra prej balte etj. Ka botue mjaft artikuj në shumë revista e fletore të kohës mbrenda e jashta vendit me pseudonimin “Lkeni i Hasit”. Shkopi i Tij i daltuem në dru asht një vepër arti në vete. Asht ruejtë deri vonë në Muzeun e qytetit të Shkodres.

Madhështia e At Gjeçovit ka mbetë në fletët e prarueme të vepres së çmueshme dhe të pavdekshme “Kanuni i Lekë Dukagjinit”, me të cilën autori arrijti me gjujzue shpifsit dhe mashtruesit e vazhdueshëm armiqë të Popullit Shqiptar, tue i tregue me fakte se, kush jemi dhe nga erdhëm për qellimin e madh të ruejtjes së identitetit tonë kombëtar. Të gjitha mendimet dhe vlerësimet e At Fishtës, Don Lazër Shantojës, Prof. Karl Gurakuqit, Prof Ndoc Kamsit, etj., për këte Kanu do të përmblidhën mbrenda parathanjes së kësaj vepre prej të Madhit Faik Konica, i cili ka arrijtë me penden e Tij të artë me daltue në shkambijtë shqiptar këto fjalë:

“At Gjeçovin e pata njohur me anë letrash disa vjet përpara luftës Ballkanike. Më 1913 shkova në Shkodrë dhe atjè, në Kuvënt të Franciskânëve, nji ditë u-njohmë me sy e me fjalë të gjalla. Mendimet nderimi që kisha patur për At Gjeçovin për së largu, m’u-shtuan ca mê tepër që kur u-poqmë. I mesmë nga gjatësia e trupit, pakë si i thatë, me një palë sy të zeza ku çkëlqente mendia po dhe zëmërmirsia, At Gjeçovi fitonte menjëherë besimin dhe dashurinë. Fjalët i kish të pakta po kurdoherë në vënt. Vetëm kur në të kuvënduar e sipër takohej nonjë pikë mi të cilën kish dituri të veçantë – si për shembëll Kanuni i Lek Dukagjinit ose vjetëritë greko-romane – At Gjeçovi çelej ca mê gjatë, dhe ahere ish gëzim t’a dëgjonte njeriu. Asì kohe At Gjeçovi ish “famullitar”, domethënë prift i ngarkuar me shërbimin e një fshati ose rrethi, dhe rronte në Gomsiqe, i pari katûnt i Mirditës mb’udhë nga Shkodra n’ Orosh. A i vemi musafirë At Gjeçovit nonjë ditë të kësáj jave? Më pyeti një herë At Fishta, me të cilin píqesha çdo ditë në Shkodrë. Mendimi i një vizite At Gjeçovit më pëlqeu pa masë. Ashtû, pa humbur kohë, u-nismë. Një gjë për të vënë ré, dhe që më mbushi me habí dhe trishtìm, është se nga Shkodra gjer në Gomsiqe, një udhëtìm shtat’ a tet’ orësh me kalë, nukë gjetmë as katûnt as shtëpí; veç një hani të varfër, ku qëndruam për të pirë kafé, s’pamë gjëkundi nonjë shenjë gjallësie: një vënt i zbrazur e i shkretë, si i harruar nga Perëndia dhe nga njérëzit. Po mërzia e udhëtimit na u-çpërblye përtèj shpresës posa arrijtëm në Gomsiqe, ose, që të flasim me dréjt, në famullí të Gomsiqes, – se katundi vetë i shpërndarë tutje-tëhû, një shtëpí këtû, një shtëpí nj’ a dy mile më tej, as që dukej. Famullia – një biná prej guri, e ndritur dhe e pastër, gjysm’ e zbrazur nga plaçka po e mbushur dhe e zbukuruar nga zëmëra e madhe dhe nga buzëqeshja e të zotit shtëpisë – qëndronte, mirëpritëse dhe e qetë anës një lumi. Këtû ronte At Gjeçovi. Këtû e shkonte jetën, në mes të lutjes e mësimeve, një nga njérëzit më të lartë që ka patur Shqipëria: një lartësí e përulur, në munt t’afròj e të lith dy fjalë aqë të perkûndërta; një lartësí shpirti dhe mendjeje e panjohur nga njeriu vetë, i cili, bir i vërtetë i të Várfërit t’ Assisit, në pastërí e në vobëksí të zëmrës tij e dinte veten të vogël. Famullia, shkollë dhe vënt këshillash të mira, u jipte fëmiíjëve themelet e stërvitjes, u përndante fjalët e urta dhe ngushëllimet njérësve në nevojë. Kohën që i tepronte, At Gjeçovi j’ a kushtonte studimit. Merej ahere me institutat e vjétëra të Shqipërisë, nga të cilat një që arriu gjer në ditët t’ona është Kanuni i Lekë Dukagjinit. Askùsh nuk munt t’i afrohej At Gjeçovit në diturín’ e këtíj Kanuni. Na tregói një dorëshkrìm nj’a dy-mij faqesh, studim i palodhur e i hollë ku kish mbledhur, radhitur e ndritur të gjitha sa kanë mbetur nga mendimet juridike të Shqipërisë në Kohën e Mesme, mendime të cilat ngjan t’I kenë rrënjët shumë përtèj Kohës së Mesme. Në kat të sipërm të famullisë, permi një tryezë të madhe, ishin shtruar një tok vjetërsirash greko-romane, të zbulúara e të mblédhura një nga një, me një fatbardhësí të rrallë dhe me një shie të mbaruar, nga dora vetë e At Gjeçovit. Mbaj mënt, veçàn, një enë të vogël të qojtur “lacrumatorium” lotore, asìsh që të vjétërit, në besim se të vdékurit qajnë të shkúarit e jetës tyre, i mbulojin në varr bashkë me të vdékurin që ky të kish se kû t’i mblithte lottë. Nuk më shkonte ahere kurrë nër mënt se pas ca vjet sicilidò prej nesh, miq dhe admironjës të tij, do të kishim nevojë qi në gjallësí për nga një lotore ku të mbledhim lottë t’ona për At Gjeçovin…

Bir i përulët i Shën Franciskut, i ditur me një diturí pa tingëllìm, po dhe Shqipëtár i kthiellt, At Gjeçovit, që përkiste çdo mirësí, nuk i mungój asnjë hidhërim, asnjë çpifje, më e çudítshmia e të cilave ndoshta është të mohúarit se ay ish Shqipëtár. Sepsè ish lindur në një kufí gjúhërash, në një kufí ku sot mbaròn shqípia dhe nis një tjatër, ca mëndje të klasës katërt, të pazonjat të kuptojnë se fólësit e shqipes në vijën me të përparuar janë stërnípërit e atýreve që me qëndrimin e tyre në Kohën e Mesme dhe pastaj ndaluan të mbrápsurit e vijës më tehû, ca mëndje të klasës katërt e përmbysin të vërtetën dhe e kthejnë në të sharë atë që është një lavdí.

Po, At Gjeçovi, është përmi çdo sharje. Emëri i këtíj njeriu të rrallë do të vejë duke u-rritur – dhe njëditë famullia e Gomsiqes do të jetë një nga gurët e shënjtëruar të Shqipëtarësisë.”

***

Aty rreth vitit 1954, 55…

I pari njeri që më foli për At Shtjefën Gjeçovin asht kenë piktori Prof. Simon Rrota, mësuesi i em i vizatimit.., kishim përpara një portret të Tij…Aq më bani përshtypje fjala e Mësuesit tem që po më shpjegonte vrasjen mizore të Tij, sa gati pavetëdije i thashë: “Profesor, po edhe këta dy sy Shqiponjet armët serbe i këthyen në dy shpella..?”

Melbourne, 2012.

Shenim F.R.: Botohet me serinë e “Zamakut të Flamurit Kastriotit” Nr.3.

Melbourne, 14 Janar 2022.

AT LEK LULI U VRA…

AT LEK LULI (1908 – 1944)

At Lek Luli asht le në Malësi të Madhe, në Kastrat, me 8 Mars 1908. Mësimet e para i mori në shkollen Françeskane Shkoder, studimet e nalta i ka vazhdue në Kolegjen e Sant Antonit në Romë. U rikthye në Troshan të Shqipnisë ku, plotsoi kushtet. Meshen e Parë e tha me 28 Dhjetor 1935. Disa vite dha mësim në Liceun “Illyricum” ku, ra në sy per përgatitjen e Tij kulturore. Në vitet 1938 ishte Kryetar i Shoqnisë së Fretenve, që thirrej Shoqnia “Antonjane”. Ruejti lidhjet e veta me Malësinë e Madhe dhe Ju perkushtue studimeve krahinore të folklorit dhe të historisë, tue mos u pajtue me okupacionet e hueja t’ Atdheut, kryesisht atij Italian. Sigurisht që ky qendrim i kishte rrajtë e veta Atdhetare, kunder pikpamjeve të italianve. Per këte qendrimi i Fretenve në Shqipni ishte i haptë dhe palidhje me okupacionin e tyne. Mbas ikjes së At Lek Lulit në Jugosllavi, Ai u konsiderue jo vetem antifashist, po dishka ma shumë, “frat revolucionar”, se gjoja zhvillonte veprimtari antifashiste. Në fakt në vitin 1941, At Luli i dorzon një notë antifashiste legates Angleze në Jugosllavi. At Lek Luli asht nder klerikët e paktë në Shqipni që pelqen pikpamjet zogiste, gja që me 16 Korrik 1944, në fshatin Pac (Bytyç), në rrugen per Jugosllavi, kah Tropoja, At Lek Luli asht Kleriku i Parë Katolik Shqiptar që u vra nga forcat partizane komuniste. Këte fakt e verteton drejtuesi i forcave partizane “Perlat Rexhepi” atje Rexhep Haka. Rexhepi shkruen atëherë: “Ne e kapem spijunin Lek Luli dhe e pushkatuem…”. Tek libri i Rakip Beqaj, kemi edhe mendime shtesë, gjoja si “demokristjan”… Të gjitha akuzat që lidhen edhe me Vatikanin dhe lidhjet e At Lulit me Abaz Kupin, justifikojnë vrasjen e parë të një Kleriku Katolik nga batalioni komunist, po në fakt mungon “dëshmia se ku shkuene të hollat” që At Lek Luli kishte atëditë me vete?! Asht e vertetë që historia e asaj periudhë ka mangsitë e veta po, dëshmitë e shkrueme nga Prof. Dr. Zyhdi Zekja e Namik Kruja tek libri i Dr. Pjeter Pepës, janë e mbeten dokumenta me vlerë në thesarin e Klerit Katolik Shqiptar i masakruem nga PPSh dhe, vrastari ma i madh i shteteve të Ballkanit, diktatori Enver Hoxha. Me këte rasë botojmë një poezi të Fratit Malsisë së Madhe:

At Lek LULI: ZANI I SHQIPES

Nalt mbi male tue dihatë

Idhshëm shqipja po piskatë:

“Braf në kambë djelmëni Shqiptare!

Rrokni armët e qitnje fare

Italinë, qi n’kater vjet

Fé u zhduki, Atdhé e shtet

Mbi zogj t’tjerë, se d’bamë robneshë,

Krah e kambë keq m’i ka lidhun,

pa u t’jetë kush, qi me m’i zgidhun

Prej verigave të robnisë?!…”

Po a thue kaq, djelmt e Shqipnis,

ftyren marrja u ka mulue,

sa mos t’mund’ni m’u kujtue,

Se Italija e ka qitë cekën

Shqiptaris’ me i sjellun dekën

Me çdo mjet! S’jeni tue pa,

Se sa poshtersitë e mëdha

po ban mbi ne tash kater vjet,

Q’se na ka nën thember t’vet?

Shifni ç’ban n’ne Italija:

Djelmt ma t’mir’t, qi ka Shqipnija

Dalë ngadalë po i qet t’gjithë fare

Ke n’konop, ke grijë n’batare,

Ke ndryj n’burg t’tjerë n’mergim

A ka kund ma t’madh poshtnim:

Daj njerz’t vendit, ku kan lé,

Merr o treti n’nji tokë t’re;

Daj me shokë, miq, dashamirë,

Mos i len Shqiptar m’u thirrë.

Gra e varza tue koritun.

Fmijtë e vogjël n’treg tue shitun,

Kndej djeg Kishë e andej Xhamija,

Tredhen burrat si bagtija

Para syvet t’gravet veta!..

Ç’na vien t’gjallt, sot ç’na vie’ jeta.

Paj qe besa e t’madhit Zot

S’asht kashatë qi bluhet dot

Me i puthë hasmit kamë e dorë,

E mbi krye me i vu kunorë.

Për mbrapshti, çi po veproka,

Atme e shpi kur t’i zaptoka!

Kush Shqiptar pra i thot vedit

N’mal e n’fushë o n’breg të detit:

Kapni pushk’n e lenje sht’pinë,

Kapni pushk’n e bashk me mue:

Kapni pushk’n pa u vonue

Ja me vdekë ja me fitue

Atdhen t’onë pë me librue!!!

S’asht nevoja për me p’vetë

Ku ju pres? e dini vetë:

Mbi ato male mbushë me borë

Me Flamur t’ Shqipnis në dorë

Aty u pret ju…

Mos t’ua tusin synin deka,

Pse fitimi asht i joni.

Ku luftoni ju, fitoni,

Si fituen t’part t’uej perherë

Para Botes damun me nderë:

Teuta, Pirri e i Madhi Leka.

Por dhe n’kjoftë, se na vjen deka

Ardhët e bardhë, pse besa e Zotit,

Dekë ma e bukur s’ka n’ditë t’sotit

Se me dekë me pushkë në dorë,

Si qytetas si malsorë,

Tue luftue kundra italjanit,

Per me i sjellë lirinë Balkanit.

E me flamurë përmbi krye

Kuq e Zi pa e përlye

Tue u valvitë neper ajri

N’sa djelmnija per rreth ti,

Pa ndalë turrin pa ndalë hapin

Shoqi sho’it zemer t’i napin:

“Urra djelm u dhashtë e mbara,

Se né, fati na hecë para!”…

Kshtu do t’marrin zjarm beteja

N’mal e n’fushë si t’shkrepte rrëfeja

Gjithkahë pushka do t’ushtojë,

Toka deti do t’gjimojë,

Dersa topi pa ia da

T’rrahin logje dhe kala

Dhe avionat përmbi krye

N’hekur tanksat mirë mbërthye

T’bombardojn dhe t’mitraljojn

Por Shqiptarët luftën s’do t’lëshojn:

Fyta fyt n’ia mbajt’t anmikut

do t’a mbysin. Kurrnji rrezikut

S’i ka hikun i balkanasi

Por atme e shtet. Ilirianasi

Asht mësue m’u vra e m’u pre

Me has’m t’Kombit. Per Atdhe

Kur Shqiptari n’luft t’ket ra

Tjetër fat lufte aty s’ka:

Por ja vdekje, ja liri!…

Vet’m at herë pra n’ Shqiptari

Ka me prajtë kjo luftë titane

Kur krejt forca italiane

T’jeten shue, e Shqiptari

T’gzojë lirinë siç i a la i pari!

Kshtu do t’marrë vesht rrokullija:

Gjallë robneshë s’bahet Shqipnija.

1941.

Shenim F.R. Tek vjerrsha asht ruejt origjinaliteti i paprekun.

Viti 1941 nuk asht i saktë.

Melbourne, 28 Janar 2022.

DON NDRÉ ZADÊJA, (1891 – 1945)

Shqiptarët e njohën me Emnin e nderuem: Poeti i Ambelsisë! U thirr bashkë me popull edhe prifti Don Ndre Zadeja, kur do të pushkatohej i ndjeri Kolë Sheldija me datën 2 shkurt 1945, në fshatin Sheldi. Menjëherë mbas pushkatimit të Kolës, Don Ndreu iu afrue, i bani Shartët e Fundit dhe porsa u ngrit në kambë, pau vedin me pranga ndër duer nga forcat e Ndjekjes komuniste. Don Mikel Koliqi edhe Ky atëherë i arrestuem, më tregonte në vitin 1993: “Si tash e kam ndër veshë të inçizuem zanin e të shkretit Don Ndre, kur po e torturonin. Ai asht torturue shumë dhe po u thonte torturuesve: “Mohni bre kështu, po a ban shqiptari në shqiptarin shka jeni tue ba ju në mue”!? Don Ndreu akuzohet se ka pasë dijeni për vendqëndrimin e Don Lazër Shantojës, Don Alfons Trackit, Kol Ashikut, Martin Sheldisë, Gjovalin Sheldisë, Ndoc Jakovës, Gjok Gjergjit (prej Lisnet) dhe Zef Augustinit (prej Lisnet). Njëkohësisht ka mbajtë lidhje të ngushta me Don Injac Gjokën, i cili strehon dhe përcjellë ndër shpella “kriminela” të luftës. Don Ndreu mohon akuzën që i bahet por burrnisht pranon: “Mësova se punohët për shuemjen e Partisë Komuniste, të cilën si doktrinë e urrej edhe unë.” (Dosja 667, me 7 shkurt 1945, Don Ndre Zadeja d.v.). Gjykata Ushtarake e Shkodrës e përbame nga: kryetari Hamid Keçi, antarë, Mustafa Iljazi dhe Arif Gjyli, prokuror Sotir Dodona dhe sekretari Shaban Kuçi, me 16 shkurt 1945 dha vëndimin: “Për të pandehurin Dom Ndre Zadeja, me vdekje, me pushkatim”.

“I pandehuri kërkoi lehtësimin e dënimit.”

Gjykata e Lartë Ushtarake, Tiranë, me datën 28 shkurt 1945, refuzon kërkesën. Don Ndre Zadeja u pushkatue më 25 mars 1945, në Zallin e Kirit, mbas murit të Rrëmajit, në Shkodër. Ishte i Pari Klerik Katolik Shqiptar që u vra në Shkoder. Fjala e fundit e Don Ndre Zadejës ishte: “Ah, moj Shqipni, moj mizore e, shka të baj ma shumë për ty?!”. Ndër pushkatimet e ditëve të para lejohej prifti me i krye sherbimet. Në këtë rasë ishte aty Don Tomë Laca, i cili mbas pushkatimit e mori në krah Don Ndreun e vramë, (me leje të Sheuqet Peçit) dhe bashkë me xhakonin Mark Çuni dhe dy të tjerë, e kanë varrosë mbrenda vorreve të Rrëmajit, aty ku asht edhe sot. Kur Don Toma shkoi në Argjipeshkvi aty nga ora 7.00, pau veladonin e lamë me gjakun e Don Ndreut prej supit ku e kishte mbështetë e deri në fund të kambëve, dhe aty për aty i ka ra të fikët. Prej atij çasti ai ka pësue një sëmundje nervore nga e cila nuk asht shërue kurrma. (Si mbas tregimit të Don Mikel Koliqit, në vitin 1993). Atë ditë, një afishe e madhe u vue ndër murët e Shkodrës:

“PUSHKATOHEN KRIMINELAT E LUFTËS DHE ARMIQTË E POPULLIT:

1.Prenkë Cali 2. Dom Ndre Zadeja 3. Luigj Gjeto Kastrati 4. Ndok Nik Bardhoku 5. Ndrekë Loka 6. Arif Selim Hyseni 7. Dedë Lulash Smajli 8. Gjok Nikaj 9. Dul Bajrami 10. Mark Luc Gjoni 11. Tomë Lekë Daka 12. Maliq Bajrami 13. Gjok Nikoll Voci dhe 14. Pjetër Dedë Gjedashi. “Ideali që i bashkonte këta burra ishte: “Rrnoftë Shqipnia”! Don Ndreu i la Popullit Shqiptar një veprimtari letrare të pakrahasueshme. Shkodra nuk e harroi asnjëherë Letren që Ai i dergoi në 1942 At Fulvio Cordignanos.

ME 25 MARS 1945…

PRANË RRËMAJT, NË ZALLIN E KIRIT NË SHKODER, PUSHKATOHET EDHE “POETI I AMBËLSISË” DON NDRE ZADEJA, I CILI, HAPË EDHE FLETËN E GENOCIDIT KOMUNIST NË KËT QYTET, MBAS DON LAZËR SHANTOJËS NË TIRANË, ME DATËN 5 MARS 1945. NË SHENJË NDERIMI DHE RESPEKTI PËR KËTE MARTIRË TË KISHËS KATOLIKE SHQIPTARE, QË ME GJAKUN E TIJ LAU TOKËN TONË AMTARE, PO JU DHUROJ KRYEVEPRËN E TIJ LETRARE.

Me shumë respekt Fritz RADOVANI.

LETER E HAPUN

A T F U L V C O R D I G N A N O S

1942

Cum non est cui suadeatur

Et qui suadeant non sunt.

(Plint. Paneg.)

I.

Me thân’ se s’dijte ç’âsht votra e shqiptarit

e shtroja e tij me firi t’njomë e trûngu

nënkrejse e vrashtë illyre pranë zjarmit

gjith’her’ mikprit’s, nëpr’ ato biga e ahishta

ku bjeshk’t e nêmna derdhin lot rrëshine:

Me thân’ se at dor’ të lmut e t’shugurueme,

si tosk’ si geg’, pa farë idhní besimi,

s’ta puthi e s’ta shtërngoi si miku mikut,

por kryet ta vrau pse kok’ për kok’me tândin

shqiptari e ndeshi fatakeqi, rrehëm!

E pra ky derën dy kapak’sh ta çili,

si i t’shpis, dita me ditë ândjeve tua

bujar i erdh e gjurm’ për gjurm’ ndër shpêlla,

ku flêjn’ drangojt, drangûe aj vet’ të prini,

me krrab’ të vet çërmoi nëpër têrrina,

me lahut’ të vet këndoi pa mê pran’ téje, (pa mê – pa pushue,FR)

me brisk të vet latoi me shkrojla t’vjetra

një shkop për ty. Patër Milan të quejti,

t’ ndêshi e t’përcuell, ké stani i vorfën t’prîni,

ngarkue me plaçka tua e me visare

t’njaj giuhe s’lasht’ qi namin ty ta rriti

ndër blêj qi nuk dijn’ mort. Ké stani t’prîni,

ku e pakundshoqe t’pritte bujarija

e grues shqiptare. E kur mbi letra tua,

lodhun s’kërkuemi, nji sy gjumë i knaqun

me bâ ti dojshe i patrazuem prej kujna,

cikën e lop’s ajo fisnike e mielte,

plotepërmaje ‘i kup’ me psheshatâmbël

para ta vête e, ksulën n’dorë, i zoti

i shpis’ “njelmo, njelmo, i bekue” me t’dhânun

e buk e krypë e zemër parashtrote.

Héu! Mirë uhan shqiptarit sot ja ktheve!

N’areopagun e letrarve t’tú

rrashtën e t’parve ton’ prej thesit nxore,

(at thés na vet’ ta mbâjtme e vet’ ta mbûshme!)

e si shpërblim plot e përplot me tamthin

e i’dhuni’s s’pashoqe né na paraqite

e “pini, pini, t’shkret’” i grishe evarshëm

Astyagjë i dytë Arpagut t’mjer’ shqiptar!

Arpagu n’darkë, o mizorí! Me mishin

e djalit t’vet do t’ngihet edhe n’rrashtën

e tij do t’pijn’…. i pvetun do t’përgjegjët:

 

“N’sofrën mbretnore çëdo gjellë a e shijshme!”

Dishmitare ty t’thrras o e tepruemja

durés’ shqiptare, ti qi vuen pa zâ,

e brén pa u ndî, e kjân pa ankim, e thér

pa vrá, diftom’ pash Perëndin, a mundem

shqiptar i lirë Arpag i dyt’ m’u bâ

i shuem e i poshtër? Un me dije tânde

s’ due t’mbatëm, o letrar. Synon meshtari

meshtarin jo shqiptar, i thot’: Gabove!

Ujku don tym e mjegull. Rac’s illyre

ti ujk ju bâne, gjall’ ti ma përpine,

me at eureka t’çuditshëm ti e zbulove

nênin gordjan, me’i t’sjellme shpate e kpute,

e nji rras’ t’ré mbi vorrin e Shqipnis’

na vûne: Ktu pushon rraca ariane!

Rracë e stërkeqne, farë e manafikun,

skotë e përzieme hithâsh ariane

kênka Shqipnija? O témpora! O móres!

Gjurmues i thêll’, ti gjurmë Illyrjes s’vjetër

n’Shqipni s’i gjên? Mbi té përbé pra jemi,

mbi pluhun t’saj përbéhen pelikanat

e dërmishun ndër vuejtje mijvjeçare

dëshmor’ të padishmuem. Gjurm’ nuk i gjên?

e prá dikur i madhi i t’mdhejve Leka

n’Egjyptin e gjymtisun pik’ma s’pari

mbi ball’ t’Hetéjve ton’ s’kundroi habitun

emnin shqiptar? At emën t’nëpërkâmbun

nuk shkoi aj me e ringjallë? Ti gjurmë Illyrit

n’Butrintin tând nuk i gjên? E nuk kujtohe

se edhe n’shpi tânde dora e huej la shêjet

e ‘i gjytetnimit t’huej? Edhe n’shpi tânde

gjuha e përfolun s’kjé gjth’ herë e shkrueme?

Përmbi gërmadha t’hueja ndër pasojna

tejshekullore rrihi flet’t e tua,

Shqipe virgjin e Illyrve, e n’çerdhe tânde

çili ata zogj, rriti ata zogj e ndîelli

me gjuhën tande Illyre Shqipëtare!

Préja ti, Roma e Madhe, hovin Pirros,

rrudhja guximin, Rom’, Teutës zamâdhe,

Gencin shkodran’ shtërngoje me verig’ ari,

por jan’ verigat shêj se Rom’ a Roma (shêj – kêputë)

e Illyri Illyr. Verigat ja zgjidh’ Gencit,

i shkrijn, i bân kunor’, mbi krye t’Illyrit

besnik vetê ajo e vnon Roma e pavdekshme.

Na komb’ bastardh, na t’huej n’vend ton’, na préja (preja – të pabesë)

e votres sonë, emënharruem, rrugaca?

Rrugaç, vasal, ushtar i blem me pare

edhe zamadhi Kastriotë i yni?

pse ‘i dit’ vetimshëm aj me shqipe t’veta

mbi Ardjen fluturoi, besën e dhânme

 

fronit t’ Partenopës me gjak n’Ursáre

n’vend për me çue si e ka zakon shqiptari?

E drejta a nji. Kjé Kastrioti i bindun

n’miqsi t’Venecjes s’lasht’, por pau Rozafa

Shpatën e tij e u dridh. Aj Kapidani,

Aj pararoja e krishtënimit t’ngûcun,

por edhe Mbret i Shqipënise Illyre.

Ti ndér’, ti t’drejt’ kurrkund s’i dhae shqiptarit.

Ç’e bâjm’ na t’gjallt’? Pse lodhna kot? Pse lypim

çka s’na përket? E ti djelmni, pse lnyre

për fate t’ardhshme t’Shqiptaris, kur n’shpatull

ná gjâ nuk kém, as komb’ as fis nuk jém?

Perjârgë a pênda e jote, Cordignano!

Me dâng’ të zez’ ti ja zhigate ftyrën

vedit e né. Por nuk jan’ dokrrat tua

qi e bâjn’ paçavër rracash Shqiptarin!

Nuk jan’ zbulimet t’tua çudiplote

qi e bâjn’ me kthye dalë ‘i fjal’ të folme,

nji dor’ vllaznisht të shtrime, ‘i bés’ të dhânme:

Shqipja Shqipës krahun ja dhâ, s’ja kputi.

Njikshtu shpnesojm’, njikshtu e dijmë. E t’bâni

goja me fol’ çka para téjet nieri

i gjall’ nuk thá? E t’bâni zemra shpirtin

pa i dalë endè ti me ja xjérr’ shqiptarit

me at styl të kuqun n’gji? I thérun n’zemër

vigmën aj sot e lshon…. Prej téje e nâmta

kupë e përmbyzne a derdhë e buka e thyeme (përmbyzne –përmbysun)

nuk njitët mâ. Hin fjal’ kah dole ‘hè gjoftë

rrféja mizore e hijevet Illyre,

nâma e nji kombit qi nuk humb’ si s’humbin

Shtyllat e Kapitolit tând! Prapóu,

ti hije e zez’, mos t’marrin mbrapa vigma

e t’parve ton’ prej vorrit, ku flên Fishta,

prej grope, ku pushon Frashëri e Mjedja.

II

Mjedja, Barbari i Madh, n’heshtjen e gjumit

t’vorrezave injacjane e luejti rrashtën

brahyçefale e prej dy rrathve t’humbun

Frombója i dyt’ dy sy vetoi si rrféja;

me grushtin e përtham e shkundi Pasin,

Jungun e t’amblin Gjenovic me vllazën,

akull ku n’préhje barasohen eshtnat

e t’strukunve nën dhé. E théll’ si deti,

ehéu! Nji gjâmë u ndi e përfrigueshme.

Ndigjom’, ti Cordignano, e veshin vénja

fjal’s qi po t’thâm: Nuk a zili degâmje

vargjet e mija qi frymzon, por ahti

 

i nji shqiptarit t’lirë, i shituem zânash,

pse i prekun n’tél, pse i thérun n’zemer, t’rámën

gati me e bâjt’ por t’shámen kurr. Harrohet

e s’harrohet çdo dhûn’ mbi tok’, por ndéri

për kombe a shêjt, si shêjt a gjaku i dêrdhun

për Atmë e Fé. Por, kurr nuk mund t’harrohët

oshtima e théll’ e shigjetve t’helmatueme

tridhetë e sa vjeçare, kur s’andejmi

shkodranit ftyrën me ja marrun déshte

me t’idhtin gaz e Shkodrën e rrëthueme,

(ku zogjt e shqipës s’parit syt i çilne,)

n’thalbin e zemrës keqas ma gërgave,

njât’her’ kur ûja flatrat e shpuplueme

ndête mbi né mortore e ankimi i zi,

me rrâjça n’goj’ kelkaze e madergone,

çilte vorreza t’reja n’për gardhîje;

kur nanën téme, ditë e zezë, e mblova

n’at syz’ lédine n’Rmâj, kur Taraboshi

e Lodertuna viellshin zjêrm çeliku,

n’thalbin e zemrës keqas ma gërgave!

Nanën kush e harron? Por Nana e Madhe

Shqipja dykrenshe Illyre u njâllte e lumja,

u njâllte. E pra ty Shkodra, Cordignano,

t’ bâjti e t’nderoi! Andërr a kjo ti thue?

A e din, a e din sa tâmb’l atdhedashtnijet (tamb’l – qumësht)

q’at ditë e sod ka derdh’ gjini i Rozafës

shkodrane? A e din, a e din se lojcë a fati,

por jo mizuer si ti? Se e vërvit’ peshën,

por si ti dorën nuk e mshehë? E s’paku

me rrashta e me kersij s’lot shkopecingël (kersij – kocka)

si don me lujtun ti, tue çprush’ ndër vorre

amanet vorrit ç’âsht zakon me i lânun

të pa trazuem, t’pa fyem? S’harrohët shpota (shpota – tallja)

mbi ata shqiptar’t e lashtë e meshatarë,

mprojtsa fatosa t’virgjinís s’ kërcnueme

e t’ fés s’ ligshtueme, qi ti m’i shgjetove,

kâllpa m’i qite. E pra njata rrëbeshit

salvimtar kalli vetun ballë i bâne,

njashtu si muejtne e dijtne, kurse ndjeksit

e Benediktit t’ Madh hanës drapnore

ju shmângne tui lân’ mbrapa troje e rrasa,

por monumente jo, sikur Barleti,

Buzuku i lashtë e Budi e émënmadhi

Bogdan’ i yni, ndéra e kohve t’ shkueme,

nám i pasosun i ksaj’ tok’s shqiptare,

ku ‘i drit’ ka mbet’ ndër zemra endè e pa shkîmun,

ku ‘i gac’ ka mbet’ ndër votra endè e pa shkrepun,

ku ‘i bés’ ka mbet’ ndër fise endè e pa çártun.

Ti misjonar, përmbi stomîjet shêjte,

vllazën na quejte e vllazën na përcolle,

 

por vrasës ti na dole! E, po, po, thue,

t’i lajnë uhat félshuesat e Shqipnisë

 

me priftën t’vet shqiptarë! E prá këta priftën

nuk ju përulne kurr çâllmës sulltane,

as shkopit t’carvet, por synuene Romën

Latine t’Papve fén edhe kombsinë

tuj mprojt’ her’ mbath’ her’ zdath’, edhe tiarat

përmbi fronet e lashta ipeshkëvnore:

Kur brûnxat flêjshin n’dhé e kur t’mbértisna

vashat shqiptare drejtë e syjshin trévën

shêjte t’zbulueme, gur’ për gur’ ku shêji

i mbledhjes s’tyne, qinda vjet me radhë,

krepatueshëm kumbon’t i xëvêndsote;

kur jashta murit t’that, pushkën për faqe,

burrat e dheut, xhúrdin e zez’ mbi krye,

vështojshin mos t’i xân pusí vezire

mbi ltér’ t’bekuem, ku dora e meshtarit

shqiptar n’bekim dukej e zhdukej para

se t’qitte synin rrezja e parë e diellit.

O misjonar’, kambsor’t e Naxarenit

n’detin e shqetësuem t’ kti krishtënimi

s’ bashkut me né, kush rretin e kush grepin,

me gjoj’ hyjnore dora dor’s ta mbushim

lundricën e Tinzot me at lajm t’frigueshëm

qi nierz përtrijn e kombe! Marrí njehët,

âjun kur Drini breg e m’breg vërsulet

e shkamba dyndë e m’ shpin’ përkund’ çináre,

bregut përpjet’ me i dhân’ rrëshanzës s’ vogël,

për t’ mbledh’ bërcakë e cokla e cingla t’ thata

pa ndonji vlér’. Grêth’ mundet m’u bâ bleta,

por marimanga blet’ nuk bahët lângun

pa e sjellun n’helm. Ta dijë koha e ardhshme

e lume o e mjer’ (me fatin kush mund kapët?):

Kanuja Illyre pronen edhe kullen

me kulm e me temel e gjan’ e gjallë

me ç’fryn e ç’ avullon ja digjte núri,

por armën lirshëm n’dor’ ja lête gjaksit.

Siell, Cordignano, n’dorë armën e ké:

Ndêshëm n’tryvezën shkencatare t’ presin

banor’t e botës s’ vogël primitive.

Kjémë çka kjém’ e jém çka jém. Zakonët

ti ruejmë Illyre e gjuhën t’papërlyeme!

Ndër duer t’virgjilta t’ çikave t’ fatueme

t’ përshkohen spikt, e pêjna leshi s’dredhun

t’ dalin të ri për tirqi si biluri,

e téja t’ fort’ si kanpi për buljera,

e kput’ t’ qindîsna n’ar për fatamirin

qi hylli do t’u sjell’ kur táta e lókja

n’ân’ ti vên’ shêj, njashtu si na lá i pari.

Njashtu si na lá i pari, çeta e lúme

 

e barijvet shqiptar’ n’ mallesa t’ veta

ogiçin para, berreve dihatse

t’u prijn ké mrizi plak mijavjeçari;

nën hije t’ tij t’këndojn kangën e vjetër,

t’shkruejn zogj me krah’ n’velgji prej s’ kuqi s’ pishës,

t’shkruejn flutra lloje lloje m’ furk’ shpatúke,

si lokja jau kërkoi Bardhën nuse.

(qi me e kërkue me pishë edhe me qiri

mana kûnd shoqen nuk ja gjên’); e t’ shkruejn

e t’ shkruejn edhe me gjak shêja vllaznije,

n’krahun e njom’ të njani tjetrit, gërmat

e vjetra t’nji kujtimi t’ lasht’ sa bota

e tyne Illyre. Bashk’ me hije t’ dirgjën,

prej muzgu, dhênt përpara tè konaku

t’u prrallë e tue këndue ‘i kang’ mbas krahit

qi sos’ përher’ n’ kushtrim. Çka thot’ kumbona,

or ju, n’ at Kish’ të lume, vetmitare?

Dita e misjonit! Mblidhën çeta çeta,

bûjen me u dá mikpritse misjonarve, (bujen – buken)

me u ba konak. Qé, siellet n’ héll’ ma i miri

dash për kumbon’. Prân’ spata kmesa e lavra,

prân’ dér’ n’ mullî çakallja, e dîng përmbushet

streha hyjnore e vorfën. Nisin zêmrat

rryeshëm m’u thy para s’ vërtet’s tronditse,

e besa bés’ m’u lidhë e i leshti parzëm

me lyp’ mëshrirë e dora dorën gjakse

për hatër t’ Drunit Shpërblimtar m’e puthun,

me t’ luejtun gjakut, ndërsa trina e s’majtës

cirkën e tér’ zbunûese. A lodhë, a thýe (cirkën – djersën)

Thráku barbar i yti, Cordignano!

Tashti , té votra shlodhu, o misjonar,

e n’ dritën e tymósun t’ pishtarit

shejó triumfe t’réja: sóse ditën

me syt e lodhun tui kërkuemun gërmat

e ufices meshtarake. S’a nevoja,

n’ kureshtën tânde shkencatare, synin

harû t’a lshojsh ndër rrath’t e atij vargoni:

a janë a s’jan’ këputë, e Lék’t e shqipës

a janë a s’janë Illyrë, a mos teprica

e ‘i rracës s’ bastardhueme? Nuk t’ka hije

me u ardhun hakut macave shpijake,

prushin mbi shpîn’ t’u grumbullue, gazit

pa dijt’ me i dhânun fund, kur ato t’mjerat

t’përzhituna n’térbim e merrshin iken.

Njikshtu m’kurriz’ t’ shqiptarve grumullove

gáca mbi gáca, Cordignano, e bota

veshin tá vûni e përmbi letra t’ mëndafshta

dorën kundroi leçitse albanofóbe.

Veprën e misjonarit lavdiplote,

ravën e kambve t’ tija koha e amshimi

 

me bindje e përkujton, por, vepra e jóte,

ravizë e zbét’ trathtije, a gjurmë gamilli,

qi vetun e përlán’ shtërgata e breshni.

Shkoder, 1942.

Shenim F.R.:Më shpjegonte Prof. Gaspër Ugashi, rreth vitit 1958 në

Shkoder:

Lexoje këte “Leter të hapun” që një Prift Katolik Shqiptar, Don Ndre Zadeja i ka shkrue një klerikut tjetër italian At Fulv Cordignano-s, mbasi ai pat fye në një shkrim të vetin Popullin Shqiptar, në vitin 1941. Kjo u shpall në shtyp në vitin 1942. Në vitin 1942 një student shqiptar (emni i të cilit nuk më kujtohet F.R.), në Paris tue dhanë provim për letërsi në Universitet atje, e pyet profesori: “Po, përveç dy letrave të njohtuna, a ka ndonjë tjetër të kësaj gjinije që asht botue në këto ditët e fundit?” – Studenti shqiptar heshtë… – Profesori francez shton: “Pikërisht në vendin tand asht botue këto ditë një letër e tillë, ku, një Prift Katolik Shqiptar i asht përgjegjë fyemjes që i ka ba Popullit Shqiptar, një dijetar i njohtun italian, po edhe ai klerik katolik. Ajo “Letër e hapun” e shkrueme nga Don Ndre Zadeja, zen vendin e tretë në letersi botnore për nga ana letrare dhe artistike. Autori i saj Zadeja, ka shkrue një letër të tillë që mund të lexohet në të gjitha ambjentet dhe për të gjitha moshat, mbasi gjuha që përdorë Autori, asht shumë e pastër dhe shumë e pasun”. Por, askush nuk mund të parashikonte se mbas tri vjetësh, me 25 Mars 1945, në orën 05.00 të mengjezit, Don Ndre Zadeja, “Poeti i Ambëlsisë” do të pushkatohet në Zallin e Kirit nga tradhëtarët komunist “shqiptar”, si “anmik i Popullit të vet”.

Ju lutëm shpërndajeni tek Rinia këte Leter! Shpërndajeni në katër anët e Botës, si asht shpërnda.., edhe vetë Rinia Shqiptare!

Melbourne, 4 Fruer 2022.

Please follow and like us: