Dea Toçi: Mbi librin poetik “Lunatik”

Parathënie
E kujtoj jo shumë qartë veten si e vogël, asokohe rreth pesë apo gjashtë vjeç, kur ndjesitë që përjetoja i ktheja në vargje. Talenti im për të shkruar u pikas nga gjyshi im tani i ndjerë dhe nga mësuesit e shkollës 9-vjeçare publike “Emin Duraku”, falë të cilëve mora pjesë në disa konkurse letrare duke u vlerësuar me disa çmime të para. Pas kësaj për afro 20 vite ritmi i jetës, studimet dhe aktiviteti profesional u rritën e për fatin tim të keq poezitë u ndalën. Nuk e kisha menduar kurrë se do e gjeja veten sërisht duke shkruar, por ndodhi.
Ndodhi pasi unë u diplomova dhe nisa të ushtroj profesionin tim. Atëherë kuptova se i gjithë vrulli hapëshpejt i jetës më kishte larguar nga ajo çfarë më shumë mbushte shpirtin tim, të shkruarit.
Kështu në një kohë kur poezia po largohej gjithmonë e më shumë nga fokusi i lexuesit por dhe i shkrimtarëve, kur ndjenjat po gjenin hapësirë gjithmonë e më pak për tu shprehur, ndjesitë dhe forcën e besimit nisa t’i hedh në vargje e kështu nga pak t’i ndaj ato me të njohurit e mi. Urimet e tyre më kthenin në kohë, kohën kur fitoja konkurse dhe pa e patur në asnjë moment plan, por vetëm duke ndjekur rrugën nga më çonte shpirti, u shkruan të gjitha poezitë që ju do lexoni në këtë libër. Lunatik është produkt i një viti. Të gjitha poezitë janë shkruar në harkun kohor 2021-2022, periudhë kur unë mësova ta doja të qëndruarit vetëm, sepse në kohë të tillë mundesh të nxjerrësh më të mirën e vetes.
Ky vit më mësoi të dua më shumë Zotin, duke besuar se Ai ka një plan për çdo gjë dhe se ai plan është më i miri për ne. Duke besuar se edhe sfida apo sprova më e fortë vjen veçse për të na udhëzuar drejt së mirës, drejt së vërtetës, drejt asaj që ne jemi dhe na takon të kemi. Ky vit më mësoi mos të tentoj të marr përdhunshëm gjërat që dua, por teksa i pres, me pritje të bukur e qëllimmirë, pa sforcuar asgjë, të bëj atë që më së shumti më qetëson dhe mbush me pozitivitet, të shkruaj.
Lunatik mban këtë titull sepse në të do gjeni poezi që ju çojnë në majë ashtu si dhe vargje që ju rrëzojnë përtokë, ashtu si dhe hëna ndryshon fazat e saj, ashtu si një person lunatik ndryshon humorin e tij.
Faleminderit që keni në duar librin tim të parë, por premtoj jo të fundit. Ju uroj lexim të këndshëm, uroj të merrni çdo mesazh që unë kam dashur të jap mes vargjeve, duke shpresuar që pasi ta keni përfunduar librin, do doni edhe më shumë, Zotin, veten, jetën. Përqafime, autorja.