Albspirit

Media/News/Publishing

Dashamir Uruçi: MË TRONDIT PAVARËSIA E CUNGUAR E SHQIPTARËVE…!

(Refleksione)

Kanë kaluar 110 vite kur Ismail Vlora e ngriti flamurin kombëtar dhe shpalli pavarësinë e Shqipërisë.

Kjo ditë historike i dha shqiptarëve, mundësinë të shkeputen njëherë e përgjithmonë nga robëria pesë shekullore e perandorisë osmane, i dha mundësinë të zhvillojnë ekonominë, gjuhën dhe kulturën e tyre kombëtare.

Me gjithë përpjekjet e mëdha, luftrat e gjakun e derdhur për liri, shqiptarët siguruan në shtetin e vet një territor shumë të vogël duke lënë në duart e kojshive të vet, pushtues rreth 70 përqind të territorit të tyre kombëtar.

Në këtë gjendje të re të ndarë në 5 copa, shqiptarët shkuan jashtë dëshirave e vullnetit të tyre.

Në Berlin 1878, në Londer 1913 e në Paris 1919 u morën vendimet më tragjike në historinë e popullit shqiptar.

Vendet më të fuqishme të asaj kohe i shqyen vendbanimet e shqiptarëve dhe u a falën pa pikë turpi e pa pikë dhimbje sllavo-grekëve.

Tani, pas më shumë se 110 vjetëve, ajo që i vret më shumë shqiptarët janë krimet gjakatare e shpërnguljet e dhunshme që ju bënë një populli të tërë, në sytë e Europës pseudodemokratike e cila mbylli sytë përballë kësaj hataje që serbët e grekët po bënin kundër një populli të pambrojtur.

Edhe sot, në sy të Europës medemek demokratike po shpërngulen me të gjitha mjetet, shqiptarët e KOSOVËS LINDORE.

Është për të mos u harruar kurrë e duhet theksuar se edhe në kushte tejet të vështira shqiptarët qëndruan e derdhën gjak për trojet e të parëve.

Të lënë vetëm, në një tragjedi të pashoqe, ata u tërhoqën nga tokat e tyre duke lënë në duart e pushtuesve, pasuni të pallogaritshme, toka, troje e monumente të një kulture të lashtë të një prej popujve më të vjetër të botës.

Ajo që të trondit sot, pas shumë vitesh të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë është qëndrimi i vërtetë që Europa mban ndaj Shqipërisë e Kosovës, ndaj vend banimeve shqiptare në GADISHULLIN ILIR, ndaj fatit të popullit shqiptar.

Vendet europiane që e ndanë Shqipërinë në pjesë patën kohë 110 vjet të ndreqnin gabimet që bënë ndaj shqiptarëve, të korigjonin kufijtë e të kthenin pranë trungut amë, ato pasuri të mëdha që i u grabitën shqiptarëve, në sytë e saj e me bekimin e saj.

Me tokat e shqiptarëve u zgjeruan e u forcuan sllavët e grekët.

Ata shumëfishuan sipërfaqet tokësore duke gjakosur pa dhimbje, ata shqiptarë që mbetën nën sundimin e tyre.

Europianët me politikat që ndoqën i shërbyen faktit të kryer duke legjitimuar pushtimin e pjesës më të madhe të tokave e pasurive të popullit shqiptar.

Ata, për të ruajtur qetësinë, pasurinë e interesat e tyre shpikën teorinë famëkeqe të mosndryshimit të kufijve, të lyer nga jashtë me pak demokraci, me teorinë tjetër, atë të vetëvendosjes së popujve.

Si mund të vetëvendosin popujt për ardhmërinë e tyre kur është vendosur mosndryshimi i kufijve.

Akordi europian për mosndryshimin e kufijve e shkel me këmbë parimin demokratik të vetëvendosjes së popujve.

E nga këto marrëveshje të fuqive të mëdha më së shumti kanë humbur shqiptarët të cilët me zor të mëdha janë mbajtur në këmbë.

Me shkyerjen e trojeve u ndalën marrëdhëniet tradicionale tregtare, u çregulluan tregjet, u shkatërruan këmbimet e mallrave, njerëzve e kulturave dhe familjet shqiptare u ndanë në shumë pjesë.

Një vëlla mbeti në Shkodër e një tjetër në Podgoricë, një motër mbeti në Prishtinë e tjetra në Tiranë…!

Shkupi, Tetova,Gostivari…, nuk e panë më detin me sy e Janinës “ç’nuk i panë sitë”…!

Me sakrifica të mëdha, më luftën e UÇK e ndihmën e jashtëzakonshme të SHBA e disa vendeve europiane si Anglia e Gjermania e bashkuar u sigurua pavarësia e kushtëzuar e Kosovës.

Një vendi me 92 përqind shqiptarë i hiqet pjesës dërmuese, shumicës, e drejta e flamurit dhe e himnit kombëtar, e drejta e vetëvendosjes, e drejta e bashkimit kombëtar duke harruar që jo shtetet e ndara por SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS janë në krye të vendeve më të zhvilluara të botës; jo Gjermania e ndarë por GJERMANIA E BASHKUAR mbetet lokomotiva e zhvillimit e vendeve të Bashkimit Europian, duke harruar që jo Shqipëria e ndarë por SHQIPËRIA E BASHKUAR mund të sigurojë paqen e Stabilitetin në Ballkan, në një gadishull historikisht të trazuar e vatër të luftrave ballkanike e europiane në histori.

Më shumë se 20 vjet pas luftës për lirinë e Kosovës shohim një EUROPË tjetër, me qëndrim tjetër ndaj të drejtave të popullit shqiptar.

Janë harruar krimet e përbindshme të Serbisë, vrasjet, dhunimet si dhe shpërngulja e një populli të tërë; po barazohet agresori Serbi me viktimën Kosovë dhe shqiptarëve u kërkohet të bëjnë përsëri lëshime.

E presioni më i madh që po i bëhet shqiptarëve sot është ASOCIACIONI I KOMUNAVE ME PSEUDOSHUMICË SERBE e cila nëse ndodh do të jete shkyerja më e madhe që i bëhet territorit të KOSOVËS së mbetur.

Kursin e ri politik, europianët e filluan me presionin ndaj politikës kosovare të viteve që shkuan, i detyruan liderët shqiptarë të firmosin marrëveshje të dëmshme që prekin interesa vitale kombëtare, i detyruan të ngrenë një gjykatë spektakolare dhe unikale në botë, gjykatën për dënimin e krimeve të luftës në Kosovë e cila nuk dënoi kriminelët e Serbisë por luftëtarët e lirisë.

Duhet thënë se në këtë gjendje të rrezikshme ku ka rënë KOSOVA sot, nuk është vetëm rrjedhojë e presionit ruso-serb.

Për të arritur në këtë pikë kanë ndikuar edhe lëshimet e njëpasnjëshme të politikës kosovare ndaj Serbisë si dhe heshtja e turpshme e Shqipërisë.

Është thënë e stërthënë se ASOCIACIONI do ta çojë Kosovën drejt ndarjes, do t’i heqë asaj TREPÇËN E UJMANIN, dy pasuri të jashtëzakonshme pa të cilat rrezikohet vetë ekzistenca e pavarësisë së saj të cunguar.

Në këtë pikë shqiptarët nuk duhet të tërhiqen e të lëshojnë pe asesi e për të qenë të suksesshëm ata duhet të jenë bashkë e të vënë interesin e KOSOVËS E SHQIPËRISE MBI INTERESIN E PARTISË…!

Është koha për të mbështetur KURTIN E OSMANIN në luftën e tyre për të ruajtur sovranitetin e pavarësinë e Kosovës.

Në këtë ditë të bekuar të PAVARËSISË SË SHQIPËRISË i thashë dy fjalë zemre për vëllezërit e motrat e mia të një gjaku…!

Tiranë, 28 Nëntor 2022.

Please follow and like us: